Malet: Pse kemi nevojë për to?
Malet: Pse kemi nevojë për to?
«Ngjituni maleve dhe dëgjoni ç’gjëra me vlerë do t’ju thonë. Paqja e natyrës do të depërtojë brenda jush siç depërton rrezja e diellit midis pemëve. Era do të derdhë mbi ju freskinë e saj, stuhitë do t’ju falin forcën e tyre, kurse shqetësimet do të fluturojnë tutje si gjethet e vjeshtës.»—XHON MJUR, SHKRIMTAR DHE NATYRALIST AMERIKAN.
SIÇ tha Xhon Mjuri, më shumë se një shekull më parë, malet kanë fuqi që të na zgjojnë emocione. Madhështia e maleve na lë mbresa, natyra e tyre na magjeps, kurse qetësia e tyre na çlodh. Miliona veta shkojnë çdo vit në male për të soditur peizazhin e për të fituar forca të reja dhe gjallëri. «Malet e kanë mrekulluar dhe e kanë frymëzuar shoqërinë njerëzore që nga kohët e hershme»,—thotë Klaus Tepferi, drejtori ekzekutiv i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.
Por jo gjithçka shkon mirë në male. Ngaqë janë në zona të thella, për breza me radhë ato kanë qenë të mbrojtura nga shfrytëzimi pa kriter që u bën njeriu. Megjithatë, sot malet janë në rrezik. «Disa nga këto zona natyrore që kanë mbetur të pashfrytëzuara po zhduken me të shpejtë për shkak të bujqësisë, zhvillimit të infrastrukturës dhe ndikimeve të tjera të vazhdueshme»,—thoshte një deklaratë për shtyp e Kombeve të Bashkuara.
Malet zënë një pjesë të madhe të sipërfaqes së tokës së thatë. Gjysma e popullsisë së botës varet nga burimet natyrore që gjenden në to. Veç kësaj, miliona njerëz i kanë ndërtuar shtëpitë nëpër male. Kështu, malet nuk janë vetëm një sfond mahnitës i një panorame çlodhëse. Le të shqyrtojmë disa nga të mirat që ato i sjellin njerëzimit.
Pse kanë rëndësi malet?
▪ DEPOZITA UJI. Nga malet burojnë lumenjtë më të mëdhenj dhe ujërat që furnizojnë shumicën e rezervuarëve. Në Amerikën e Veriut, lumi i madh Kolorado dhe lumi Rio Grande, pothuajse të gjithë ujin e marrin nga Malet Shkëmbore. Gati gjysma e popullsisë së botës jeton në Azinë Jugore dhe Lindore. Shumica e këtyre njerëzve varet nga reshjet që bien në rajonet e vargmaleve gjigante të Himalajeve, Karakorumit, Pamirit dhe Tibetit.
«Malet, depot botërore të ujit, janë të domosdoshme për jetën e të gjitha gjallesave në tokë dhe për mirëqenien e njerëzve ngado që janë»,—thotë Tepferi. Ai shton: «Ajo që ndodh në majën më të lartë malore ndikon te gjallesat që jetojnë në ultësira, në ujërat e ëmbla, madje edhe në dete.» Në shumë vende, malet e depozitojnë borën gjatë dimrit dhe e lëshojnë dalëngadalë ujin e saj jetësor gjatë pranverës dhe verës. Në zonat e thata, për vaditje shpesh përdoret uji që vjen nga shkrirja e borës në malet e largëta. Shumë male kanë shpate të veshura me pyje të cilat e thithin si sfungjer shiun. Kështu, në vend që të shkaktojë
përmbytje shkatërrimtare, uji i shiut e merr shtruar të tatëpjetën deri te lumenjtë.▪ HABITATET DHE LARMIA E GJALLESAVE. Meqë gjenden në zona të thella dhe nuk janë shumë të përshtatshme për bujqësi, njerëzit nuk i kanë shkelur shumë rajonet malore. Si pasojë, malet janë kthyer në një strehë për disa lloje kafshësh dhe bimësh, që tashmë mund të jenë zhdukur në zonat e ulëta. Për shembull, Parku Kombëtar i Kinabalusë në Malajzi, një zonë malore më e vogël sesa Nju-Jorku, është habitati i më se 4.500 llojeve të bimëve, pra më shumë se çereku i llojeve që gjenden në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Pandat gjigante të Kinës, kondorët e Andeve dhe leopardi i borës që rritet në Azinë Qendrore, e kanë habitatin në male, ashtu si edhe një mori e panumërt llojesh të tjera që janë në prag të zhdukjes.
Sipas revistës National Geographic disa ekologë kanë llogaritur se «më shumë se një e treta e bimëve dhe e vertebrorëve që njihen në botë, janë kufizuar në një sipërfaqe që zë më pak se 2 për qind të planetit». Mori llojesh janë grumbulluar në zonat e pasura me lëndë ushqyese dhe të padëmtuara, të cilat shkencëtarët i quajnë vatra të nxehta biologjike. Këto vatra të nxehta, shumë prej të cilave janë zona malore, kanë një larmi gjallesash, gjë nga e cila kemi përfituar të gjithë. Disa nga të mbjellat më të rëndësishme që shërbejnë si ushqim në botë vijnë nga bimët e egra të maleve. Këtu përmendim vetëm disa, siç janë: misri i malësive të Meksikës, patatet dhe domatet e Andeve të Perusë dhe gruri i Kaukazit.
▪ BUKURI DHE KËNAQËSI. Malet ruajnë në gjirin e tyre edhe bukuri natyrore. Ato krenohen me ujëvarat madhështore, liqenet e bukura dhe me panoramat e shumta nga më mbresëlënëset në botë. Nuk është çudi që një e treta e të gjitha zonave natyrore që mbrohen me ligj anembanë botës, gjenden në rajonet malore. Prandaj ato janë bërë vende të preferuara për turistët.
Madje edhe parqet kombëtare të largëta presin me miliona vizitorë nga çdo skaj i botës. Njerëzit vijnë nga vise të largëta dhe vizitojnë Parkun Kombëtar të Denalisë në Alaskë për të parë malin Mek Kinli, malin më të lartë të Amerikës së Veriut. Shumë veta vizitojnë Luginën e Madhe Tektonike për t’u mrekulluar nga malet hijerënda Kilimanxharo dhe Meru ose për të vrojtuar kopetë e mëdha të kafshëve të egra që rriten ndërmjet këtyre dy majave madhështore. Shumë njerëz që jetojnë në këto zona malore përfitojnë nga kjo dyndje turistësh, ndonëse turizmi i pakontrolluar mund t’i rrezikojë ekosistemet e brishta.
Njohuri e grumbulluar në male
Gjatë shekujve, njerëzit që jetojnë në male kanë mësuar t’ia dalin mbanë në një mjedis të ashpër. Ata kanë hapur brezare që edhe sot pas dy mijë vjetësh shfrytëzohen ende për bujqësi. Gjithashtu, kanë zbutur kafshë vendëse siç është lama dhe lopa e Tibetit, të cilat mund ta përballojnë ashpërsinë e lartësive të mëdha. Nga ana tjetër, njohuria që banorët e maleve kanë grumbulluar dhe kanë trashëguar ndër breza mund të jetë e paçmuar për të mbrojtur malet, të cilat janë tepër të rëndësishme për të gjithë ne.
«Vendësit janë rojat e vetme të habitateve të paana e pothuajse të paprekura që ndodhen në viset e largëta të çdo kontinenti,—thotë
Alan Theni Durningu, që punon në Institutin Worldwatch.—Ata zotërojnë një pasuri të tillë njohurish ekologjike . . . që mund të krahasohet me pasurinë e bibliotekave të shkencës moderne.» Kjo minierë diturie ka nevojë për të njëjtën mbrojtje që u nevojitet edhe pasurive të tjera të maleve.Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin sponsorizoi Vitin Ndërkombëtar të Maleve 2002. Për të theksuar se sa të rëndësishme janë malet për jetën e njerëzve, organizatorët nxorën shprehjen: «Të gjithë jemi njerëz të maleve.» Ata kishin si qëllim t’i ndërgjegjësonin njerëzit për rreziqet që u kanosen maleve anembanë botës dhe të kërkonin zgjidhje për mbrojtjen e tyre.
Sigurisht që ky shqetësim është me vend. «Ndonëse shumë shpesh malet shihen si burime të bollshme pasurish natyrore, nuk u kushtohet vëmendja e duhur halleve që kanë njerëzit që banojnë në to, si edhe ruajtjes së ekosistemeve të tyre»,—u tha në një nga fjalimet kryesore të Samitit për Malet e Botës, të mbajtur në Bishkek të Kirgizistanit.
Cilat janë disa nga rreziqet që kërcënojnë malet nëpër botë dhe disa nga problemet që hasin njerëzit që jetojnë në to. Si ndikojnë këto probleme te ne të gjithë?