Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Malet në rrezik

Malet në rrezik

Malet në rrezik

«Çdokujt i intereson të merren masa që rajonet malore të botës të furnizojnë me pasuritë e tyre edhe shumë breza që do të vijnë.»​—KOFI ANAN, SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I KOMBEVE TË BASHKUARA.

KUR mendojmë për malet, gjërat që na vijnë ndër mend janë madhështia, palëkundshmëria dhe forca. A ka diçka që mund t’i kërcënojë këta viganë të natyrës? Mbase disa e kanë të vështirë të besojnë se malet mund të jenë në rrezik. Sidoqoftë, e vërteta është që maleve po u kanosen disa rreziqe. Mbrojtësit e mjedisit përmendin disa probleme konkrete që kërcënojnë ekosistemet e maleve. Këto probleme janë të gjitha serioze, dhe gjendja sa vjen e rëndohet. Le të shqyrtojmë disa nga rreziqet që kërcënojnë malet.

PROJEKTET PËR ZHVILLIM. Rreth 25 për qind e rajoneve malore të botës rrezikojnë për shkak të projekteve për ndërtimin e rrugëve, hapjen e minierave, kanalizimeve, ndërtimin e digave dhe projekteve të tjera për zhvillim, të planifikuara për 30 vitet e ardhshme. Ndërtimi i rrugëve shkakton gërryerjen e shpateve të thikëta, kurse vetë rrugët mundësojnë kalimin e sharrëxhinjve, të cilët mund të bëjnë edhe më shumë dëme. Nga punimet minerare nxirren rreth dhjetë mijë milionë tonë mineral çdo vit, dhe shumica e kësaj sasie vjen nga malet. Gjithashtu, nga këto punime grumbullohet një sasi edhe më e madhe mbeturinash. *

NGROHJA GLOBALE. «Që nga viti 1990 kemi pasur nëntë vitet më të nxehta që janë regjistruar»,​—thotë Instituti Worldwatch. Kjo ka ndikuar veçanërisht në habitatet ndër male. Akullnajat po shkrihen dhe trashësia e borës në majat e maleve po zvogëlohet. Disa shkencëtarë thonë se ky proces do të ndikojë te rezervat e ujit dhe do të shkaktojnë rrëshqitje toke të mëdha. Sot me dhjetëra liqene akullnajore të Himalajeve rrezikojnë të shpërthejnë barrierat e tyre natyrore dhe të shkaktojnë përmbytje katastrofike, dukuri që tashmë kanë ndodhur herë pas here gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.

BUJQËSIA PËR SIGURIMIN E JETESËS. Shtimi i popullsisë po i detyron njerëzit që të shfrytëzojnë për bujqësi edhe zonat jopjellore. Sipas një studimi, pothuajse gjysma e rajoneve malore të Afrikës po shfrytëzohet për bujqësi ose për blegtori​—10 për qind për të mbjella dhe 34 për qind për kullota. Në të tilla raste, shpesh fitimi mezi i mbulon shpenzimet, pasi në këto zona të larta kultivimi i të mbjellave ka rendiment të ulët. * Veç kësaj, kullotja pa kriter e dëmton kollaj bimësinë e brishtë. Një studim i kohëve të fundit tregon se vetëm 3 për qind e të gjitha zonave malore janë të përshtatshme për t’u shfrytëzuar për bujqësi, por duke përdorur metoda që nuk e prishin ekuilibrin ekologjik.

LUFTËRAT. Vala e luftërave civile ka shkretuar mjedisin e shumë zonave malore. Kryengritësit i përdorin si baza vendet e fshehta nëpër male. Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë se 67 për qind e rajoneve malore të Afrikës janë dëmtuar nga «konfliktet e dhunshme». Për më tepër, disa zona malore janë kthyer në qendra të prodhimit të lëndëve narkotike, gjë që shpesh çon në konflikte të armatosura, si edhe në rrënimin e mjedisit.

A duhet bërë më shumë për të mbrojtur malet?

Tashmë po ndihen pasojat e veprimeve shkatërrimtare të njerëzve në male. Përmbytjet, rrëshqitjet e tokës dhe mungesa e ujit janë vetëm disa nga shenjat që tregojnë se gjërat nuk po shkojnë siç duhet. Qeveritë kanë filluar të bëhen të vetëdijshme për këtë. Në pyjet e prera po mbillen përsëri drurë dhe në disa zona është ndaluar prerja e tyre. Për të mbrojtur peizazhet më magjepsëse dhe habitatet më të rrezikuara, janë krijuar parqe kombëtare.

Megjithatë, edhe në zonat e mbrojtura vërehen probleme të mjedisit. (Shih kutinë «Disa fortesa natyrore për bimët dhe kafshët»). Ritmi i zhdukjes së llojeve, që sa vjen e përshpejtohet, tregon se nuk po e fitojmë betejën për të mbrojtur malet, të cilat kanë shërbyer si fortesa për florën dhe faunën. Specialistët i dinë problemet, por ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim i përgjithshëm për ta mbrojtur natyrën e virgjër. Biologu i njohur E. O. Uillson thotë: «Njohuria shkencore që zotërojmë më bën optimist, kurse shkatërrimi i rezervuarëve kryesorë të larmisë së gjallesave më bën pesimist.»

Por, a duhet të na shqetësojë kaq shumë zhdukja e gjallesave? Sipas shumë biologëve, njerëzimi përfiton mjaft nga mbrojtja e larmisë së gjallesave të tokës. Si shembull ata marrin bedin ngjyrë trëndafili që rritet në malësitë e Madagaskarit, një zonë që spikat për larminë e gjallesave. Nga kjo bimë kanë nxjerrë një ilaç të rëndësishëm kundër leucemisë. Gjithashtu për shumë dhjetëvjeçarë, nga druri i kinës, një pemë që rritet në vargmalet e Andeve, është përftuar kinina dhe ilaçe të tjera që përdoren kundër malarjes. Shumë bimë të tjera që rriten në rajonet malore, kanë ndihmuar për të shpëtuar miliona jetë. Është e vërtetë që disa prej këtyre bimëve të maleve janë kultivuar me sukses edhe në zonat e ulëta. Gjithsesi, problemi është se, kur dëmtimi i bimësisë së maleve është i madh, njerëzit pa dashje mund të shkatërrojnë bimë me veti kuruese dhe vlera ushqyese, të cilat nuk janë zbuluar ende.

A ka ndonjë mënyrë për t’i frenuar faktorët e tanishëm shkatërrimtarë? A mund të zhbëhet dëmi i shkaktuar? A do të jenë ende malet fortesa të bukurisë natyrore dhe të larmisë së gjallesave?

[Shënimet]

^ par. 4 Për të bërë vetëm një unazë ari grumbullohen mesatarisht tre tonë mbeturina.

^ par. 6 Nga ana tjetër, gjatë shekujve, vendësit kanë mësuar t’i shfrytëzojnë për bujqësi terrenet malore pa e dëmtuar mjedisin.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Fauna e lartësive

Luani i maleve, i njohur edhe si puma, siç kuptohet edhe nga emri gjendet kryesisht në male, sidomos në Malet Shkëmbore dhe në Ande. Si shumë grabitqarë të tjerë të mëdhenj, edhe ai dalëngadalë është tërhequr në zona më të thella, për shkak të rreziqeve që i kanosen nga njeriu.

Panda e kuqe jeton vetëm në vargmalin e Himalajeve (madje deri në shpatet e ulëta të Everestit). Megjithatë, pavarësisht nga habitati i saj i largët, panda e kuqe mezi po mbijeton për shkak të shkatërrimit të pyjeve me bambu me të cilat ushqehet.

[Burimi]

Cortesía del Zoo de la Casa de Campo, Madrid

Ariu ngjyrë kafe dikur endej në pjesën më të madhe të Evropës, Azisë, dhe Amerikës së Veriut. Sot, në Evropë atë e gjen vetëm në disa zona malore të izoluara, kurse në Malet Shkëmbore të Kanadasë, në Alaskë dhe në Siberi haset më dendur. Në Shtetet e Bashkuara, numri i këtyre arinjve ka rënë 99 për qind gjatë shekullit të kaluar.

Shqiponja e artë është mbretëresha e qiellit në pjesën më të madhe të zonave malore të hemisferës veriore. Mjerisht në Evropë, numri i saj është zvogëluar në më pak se 5.000 çifte. Kjo ka ndodhur ngaqë në të kaluarën ajo shihej si ‘një zog i urryer’.

Panda gjigante. Natyralisti kinez Tang Sijang thotë se «vetë ekzistenca e pandës gjigante varet nga tri gjëra të domosdoshme». Ato janë «malet e larta bashkë me luginat e thella, pyjet e dendura me bambu dhe përrenjtë gurgullues». Sipas llogaritjeve, në natyrë kanë mbijetuar më pak se 1.600 panda.

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

Disa fortesa natyrore për bimët dhe kafshët

Parku Kombëtar i Josemitit (Kaliforni, SHBA) u themelua në vitin 1890, falë punës së palodhur të natyralistit Xhon Mjur. Pamja e tij mbresëlënëse tërheq çdo vit katër milionë vizitorë. Megjithatë, autoritetet e parkut bëjnë çmos që nga njëra anë të mbrojnë natyrën dhe nga ana tjetër t’u krijojnë lehtësira dashuruesve të natyrës.

Parku Kombëtar i Podokarpusit (Ekuador) mbron një rajon me pyje shiu në Ande, ku rriten një larmi kafshësh dhe bimësh​—më shumë se 600 lloje shpendësh dhe rreth 4.000 lloje bimësh. Pikërisht në këtë zonë u zbulua edhe kinina, ilaçi që ka shpëtuar sa e sa njerëz. Ashtu si në shumë parqe, edhe këtu ka lindur problemi i prerjes së drurëve dhe i gjuetisë pa leje.

Mali Kilimanxharo (Tanzani) ka një nga vullkanet më të mëdhenj të botës dhe është mali më i lartë i Afrikës. Elefantët kullotin në kodrinat rrëzë malit, kurse në zonën alpine rriten bimë të rralla, siç janë lobelia gjigante dhe pulithi gjigant. Gjuetia pa leje, shpyllëzimi dhe kullotja e bagëtisë, janë rreziqet kryesore.

Parku Kombëtar i Tidhes (ishujt Kanarie) mbron florën e pashoqe që i jep jetë peizazhit të zymtë të kësaj zone vullkanike. Pothuajse gjithnjë, ishujt malorë vullkanikë kanë ekosisteme të brishta, të cilat mund të dëmtohen lehtë nga llojet që nuk janë vendëse.

Parku Kombëtar i Pirenejve dhe i Ordisës (Francë dhe Spanjë) mbrojnë peizazhin madhështor alpin bashkë me florën dhe faunën. Ashtu si vargmale të tjera të Evropës, edhe Pirenejtë po dëmtohen nga shtimi i pistave për ski dhe nga shërbimet e tjera për turistët. Edhe heqja dorë nga bujqësia tradicionale ka ndikuar keq te mjedisi.

Parku Kombëtar i Soraksanit është parku më i frekuentuar në Republikën e Koresë. Gjatë vjeshtës, majat e tij madhështore prej graniti dhe shpatet me pyje kanë një bukuri të veçantë. Por, për shkak të popullaritetit të madh, në disa shtigje të parkut ka kaq shumë njerëz gjatë fundjavëve, saqë i bëjnë këto shtigje të duken si trotuaret e qyteteve.

[Kutia dhe figurat në faqen 10]

Flora e maleve

Kulla e xhevahireve ose ushqerëza. Gjatë disa javëve të pranverës, kjo lule e mrekullueshme bëhet sa një bojë njeriu. Ajo gjendet vetëm në dy maja vullkanike të ishujve Kanarie, në lartësinë rreth 1.800 metra. Edhe shumë lloje të tjera bimësh malore rriten vetëm në disa zona të kufizuara.

Ushojza rritet në Alpe dhe në Pirenej. Shkëlqimi i saj ndriçon lëndinat e larta aty nga fundi i verës, kurse lulet e saj janë si gosti për insektet.

Shpatorja angleze. Nëpër kopshte gjen varietete hibride të kësaj lule tërheqëse. Shumë lule që mbillen sot nëpër kopshte, e kanë origjinën nga flora alpine.

Burgulli i malit është një nga bimët e shumta alpine që kacavaren në plasat e shkëmbinjve. Një lloj i kësaj bime që rritet në malet e Evropës Jugore quhet ndryshe edhe «e përjetshmja», për shkak të qëndrueshmërisë dhe jetëgjatësisë së madhe që ka.

Bimët ananasngjashme. Shumë lloje bimësh ananasngjashme dhe orkidesh lulëzojnë në pyjet e shiut të zonave tropikale. Ato rriten në lartësi që arrijnë deri në 4.500 metra.

Shpatorja algjeriane rritet në vargmalet Er Rif në veri të Marokut dhe në malet Atlas të Afrikës Veriore, rajone që mbahen si vatra të nxehta të florës mesdhetare.

[Figura në faqen 6]

Duke gërmuar për bakër dhe ar afër maleve Maoke, Indonezi

[Burimi]

© Rob Huibers/Panos Pictures

[Figura në faqen 8]

Bedi ngjyrë trëndafili