Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Margaritarët e zinj: Xhevahiret e deteve të Jugut

Margaritarët e zinj: Xhevahiret e deteve të Jugut

Margaritarët e zinj: Xhevahiret e deteve të Jugut

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ZELANDËN E RE

«Kërkohen punëtorë në fermën e margaritarëve në Manihiki»,​—thoshte një lajmërim në «Cook Islands News». Ju mund të pyesni: «Margaritarë në fermë? Po ky Manihiki ku ndodhet xhanëm?»

MANIHIKI, një ishull shumë i largët koralor, është një nga 15 ishujt që quhen Ishujt Kuk, që ndodhen 2.600 kilometra në verilindje të Zelandës së Re. Sipas disa burimeve, këtu nisën disa eksperimente për kultivimin e margaritarëve të zinj në fillim të viteve 70 të shekullit të 20-të. Sot dhjetra ferma të suksesshme për kultivimin e këtyre margaritarëve, janë të shpërndara nëpër të gjitha lagunat e Manihikit.

Në fermat e margaritarëve të zinj, përveç punës së krahut, është thelbësore edhe aftësia teknike. Procesi fillon me përzgjedhjen e kujdesshme të gocave të detit që i kanë anët me ngjyrë të zezë. Pastaj ato hapen me kujdes, dhe me anë të një bisturie u pritet mishi me shumë mjeshtëri. Pastaj një bërthamë e vogël sferike ose rruazë vendoset brenda guaskës bashkë me një copë membrane të vogël të gjallë të marrë nga mantoja, membrana brenda guaskës. Pastaj gocat e detit i kthejnë sërish në lagunë, dhe kujdesen që të rrinë të gjalla, duke i pastruar nga tufat e algave ose nga molusqet e tjera.

Gradualisht, membrana që u mor nga mantoja dhe u vendos brenda, e rrethon rruazën dhe e vesh me disa shtresa njëra pas tjetrës me një substancë shkëlqyese, që quhet sedef ose nëna e margaritarëve. Nëse goca e detit nuk e flak rruazën që iu vu brenda, atëherë një margaritar do të formohet brenda një viti e gjysmë ose dy. I gjithë ky proces është quajtur «një simbiozë e mahnitshme e njeriut me natyrën».

Vlera e margaritarëve të zinj

Margaritari i zi i Paqësorit Jugor, është një nga më të rrallët në botë, dhe për këtë arsye është ndër ata që kushtojnë më shumë. Në fakt, margaritarët e zinj kanë një larmi ngjyrash të gjalla, që nga ngjyra e argjendtë deri tek e zeza sterrë. Disa janë ngjyrë rozë, floriri, bronzi, bakri, të gjelbër të ndezur, blu, manushaqe ose kanë nuancat e grisë së shndritshme. Madje mund të gjeni edhe me ngjyra të kombinuara, për shembull, rozë me ngjyrë trëndafili, e gjelbër me ngjyrë të florinjtë, e gjelbër me të zezë, blu me të zezë dhe manushaqe me të zezë.

Kur përcaktohet vlera e një margaritari, nuk është se një ngjyrë është më e vlefshme se një tjetër. Ajo që vërtet i shton vlerën një margaritari, është njëtrajtshmëria e ngjyrës. Ka edhe faktorë të tjerë që përcaktojnë vlerën e një margaritari: madhësia, forma, sipërfaqja dhe shkëlqimi.

Kur një argjendar flet për madhësinë e një margaritari, po i referohet në fakt diametrit. Madhësia e zakonshme është midis 8 dhe 12 milimetrave, por ka edhe raste të rralla që mund të arrijë deri në 18 milimetra ose edhe më shumë. Ndonëse madhësia nuk është një ndër faktorët më kryesorë, çmimi i margaritarit në përgjithësi, është në përpjestim me peshën ose përmasat.

Si ngjyrat, ashtu edhe format janë të larmishme. Zakonisht, margaritarët e rrumbullakët vlerësohen më shumë. Megjithatë, me margaritarët në formë pike uji ose loti, bëhen varëse dhe vathë shumë të bukur. Gjithashtu ka edhe margaritarë që kanë disa brazda ose të thelluara në formë rrathësh që i rrethojnë ato. Nëse dëgjon të flitet për një margaritar në formë kopse, kjo tregon se njërën anë e ka të rrumbullakët, kurse tjetrën të sheshtë. Por ka edhe margaritarë të stilit barok, që kanë formë të çrregullt.

Është i rrallë dhe i kushtueshëm ai margaritar që e ka komplet sipërfaqen pa asnjë të metë. Defektet e jashtme, që janë normale, mund të jenë në formën e gropëzave, gungave, rrudhave, të gërvishturave, ose njollave, dhe të gjitha krijohen natyrshëm. Nëse këto defekte nuk janë shumë ose janë vetëm në një zonë, ato mund të fshihen kur margaritari vendoset në ndonjë bizhuteri.

Sigurisht që syrit tuaj s’do t’i shpëtojë sipërfaqja e shndritshme, e cila varet nga trashësia e sedefit. Një tjetër faktor është refleksi i ngjyrave ose cilësia e reflektimit të dritës në këta xhevahirë, e cila i jep atë pamjen tërheqëse. Disa thonë se është shkëlqimi​—më shumë sesa ngjyra, madhësia, forma ose sipërfaqja​—që i bën për vete njerëzit.

Margaritarët kërkojnë kujdes

Ndryshe nga gurët e tjerë të çmuar, si diamanti ose rubini, margaritarët konsiderohen si «të brishtë». Ata mund të gërvishten nga kontakti me bizhuteri të tjera ose objekte të forta. Kështu pra, nëse keni bizhuteri me margaritarë, kur t’i vini ose t’i lini diku, kini shumë kujdes.

Acidi, përfshirë këtu edhe ai që gjendet në djersën e njeriut, lëndët pastruese, parfumet dhe artikuj të tjerë kozmetikë, mund ta dëmtojnë margaritarin. Argjendari më i zoti në Ishujt Kuk, rekomandon si t’i pastroni: «Në një enë të vogël me ujë të ngrohtë, tretni pak solucion pastrues që nuk është shumë i fortë. Trazojeni ujin me një furçë dhëmbësh që ka qime të buta, dhe pastrojeni lehtë pjesën e metalit ku është ngjitur margaritari, dhe pastaj edhe vetë atë. Shpëlajeni me ujë të ftohtë dhe thajeni me një copë të butë.»

Roli i margaritarëve në histori

Margaritarët ishin mes xhevahirëve më të lashtë që përdoreshin nga njerëzit për zbukurim, dhe vlera e tyre e çmuar përmendej shumë në letërsinë antike. Banorët në Lindjen e Mesme dhe në Azi, i çmonin shumë, duke i parë si simbol të pastërtisë dhe të virtytit.

Në Romën e lashtë, margaritarët vlerësoheshin kaq shumë, saqë vetëm njerëzit e rangut të lartë, lejoheshin t’i mbanin. Plini Plaku, një natyralist dhe filozof i shekullit të parë, i vlerësoi margaritarët si «produktin më të shkëlqyer në të gjithë botën». Kur ilustroi gjërat e çmuara të Mbretërisë qiellore, Jezui foli për «një margaritar» me një vlerë kaq të madhe, saqë një tregtar udhëtues që kërkonte margaritarë të shkëlqyer, «shiti menjëherë gjithçka që pati dhe e bleu».​—Mateu 13:45, 46.

Pa dyshim, referimi që i bëri Jezui margaritarit, dëshmon si për bukurinë, edhe për vlerën e tyre. Sa mirënjohës duhet t’i jemi Jehovait, Krijuesit të këtyre xhevahirëve, përfshirë këtu edhe ata që gjenden në detet e Jugut!

[Figurat në faqen 26]

Margaritarë të zinj (të zmadhuar për të parë hollësitë)