Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në cilin krah të rrugës e ngitni makinën?

Në cilin krah të rrugës e ngitni makinën?

Në cilin krah të rrugës e ngitni makinën?

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Britani

Takoj në aeroport një mikun tim amerikan që ka ardhur për vizitë dhe ecim për të shkuar te makina. «Ulu përpara»,​—i them, dhe ai menjëherë merr drejtimin për te vendi i shoferit. «Oh, harrova fare,​—thotë ai.​—Këtu ju e ngitni makinën në anën e gabuar të rrugës.»

Ku i dihet, ndoshta edhe unë do të kisha thënë të njëjtën gjë, po të vizitoja Shtetet e Bashkuara. Por gjatë rrugës për në shtëpi, vendosa ta zbuloj se përse në disa vende, njerëzit e ngasin makinën në krahun e majtë të rrugës, ndërsa pjesa më e madhe e botës në të djathtë?

Zakonet e vjetra

Le të kthehemi gati dy mijë vjet prapa, në kohën kur romakët pushtuan Britaninë. Arkeologët kanë zbuluar nga gërmimet, diçka që tregon për zakonet e ngarjes së mjeteve në atë kohë. Në vitin 1998, ata gjetën një rrugë të ruajtur mirë, që të çonte në një gurore romake afër qytetit të Suindonit, Angli. Gjurmët e rrotave në njërën anë të rrugës janë më të thella sesa ato të anës tjetër, për shkak se karrocat hynin në gurore bosh dhe dilnin plot me gurë. Gjurmët dëshmojnë se, të paktën në këtë zonë, romakët i ngitnin mjetet e transportit duke mbajtur krahun e majtë të rrugës.

Në fakt, disa besojnë se në kohët e lashta, ata që udhëtonin me kuaj, zakonisht ecnin në krah të majtë të rrugës. Meqenëse shumica e njerëzve përdorin më shumë dorën e djathtë, kalorësit me të majtën mbanin frerët dhe të djathtën e kishin të lirë. Kështu mund t’i zgjatnin dorën një kalorësi tjetër për ta përshëndetur miqësisht ose për të përdorur shpatën në rast mbrojtjeje, po të ishte e nevojshme.

Ndryshohet krahu

Nga fundi i shekullit të 18-të, në shumë vende, si për shembull në Shtetet e Bashkuara, u bë një ndryshim nga krahu i majtë në të djathtë, kur karrocierët nisën të përdornin karroca të mëdha mallrash që tërhiqeshin nga disa çifte kuajsh. Karrocat nuk kishin stol për karrocierin, kështu që ky ulej në kalin e fundit që ishte në të majtë dhe kamzhikun e mbante me dorën e djathtë. Duke u ulur në të majtë, karrocierit normalisht do t’i pëlqente më shumë që karrocat e tjera të kalonin po në të majtë të tij, pasi kështu do të ishte më i sigurt që nuk do kishte përplasje. Ai e bëri këtë duke ngarë në të djathtë të rrugës.

Megjithatë, anglezët vazhduan të mbanin krahun e majtë. Ata kishin karroca më të vogla dhe karrocieri ulej brenda, zakonisht në të djathtë të stolit përpara. Kështu, ai mund të përdorte me dorën e djathtë kamzhikun e gjatë, pa e ngecur atë në ngarkesën që kishte mbrapa. Në këtë pozicion, në të djathtë të karrocës, duke mbajtur anën e majtë të rrugës, karrocieri mund të mbante një distancë të mjaftueshme nga mjetet e tjera që shkonin e vinin. Vendet që u bënë pjesë e Perandorisë Britanike, adoptuan rregullin për të ngarë makinën në krahun e majtë, ndonëse pati disa përjashtime. Për shembull, Kanadaja, me kalimin e kohës e ndryshoi krahun me qëllim që kalimi në pikat e kalimit buzë kufirit me Shtetet e Bashkuara të bëhej më i lehtë.

Ngjarjet politike në Francë, patën një ndikim të madh në zakonet e ngarjes së makinës. Përpara revolucionit të vitit 1789, aristokracia i ngiste karrocat në krahun e majtë të rrugës, duke i detyruar fshatarët të ecnin në anën tjetër. Por me të filluar revolucioni, këta fisnikë u përpoqën shumë që të fshihnin identitetin e tyre duke u përzier me fshatarët që ecnin në të djathtë të rrugës. Në vitin 1794, qeveria franceze vendosi një ligj në Paris për të ecur në të djathtë, i cili më vonë u përhap edhe në vendet e tjera kur ushtria pushtuese e Napoleonit I marshoi në shumë vende të Evropës kontinentale. Nuk është për t’u çuditur përse Napoleoni preferonte të vazhdonte të ecte në të djathtë. Një vepër referimi shpjegon se ngaqë ai ishte mëngjarash, «ushtria e tij duhet të marshonte në të djathtë, kështu që krahun që mbante shpatën ta kishte në anë të kundërshtarit».

Në Evropë, vendet që luftuan kundër Napoleonit, vazhduan të mbanin krahun e majtë. Rusët dhe portugezët ndryshuan krahun duke ecur në të djathtë në fillim të shekullit të 20-të. Austria dhe Çekosllovakia ndryshuan krahun në të djathtë kur u pushtuan nga Gjermania naziste në fund të viteve 30, e më pas edhe Hungaria iu përshtat këtij ndryshimi. Sot, vetëm katër shtete të Evropës i japin ende makinës në krah të majtë të rrugës: Britania, Irlanda, Qiproja dhe Malta. Është interesante se edhe japonezët e ngasin makinën në krah të majtë, ndonëse nuk kanë qenë asnjëherë koloni e Britanisë.

Barkat, avionët, trenat dhe këmbësorët

Çfarë të themi për barkat dhe avionët? Në përgjithësi trafiku ujor mban krahun e djathtë. Edhe avionët mbajnë po ashtu krahun e djathtë. Po trenat? Në disa vende, pajisjet sinjalizuese përcaktojnë në cilin krah të hekurudhës duhet të ecë treni, në rastin e një hekurudhe me dy drejtime. Në hekurudhat moderne me një drejtim, shpesh trenat ecin në të njëjtin drejtim ose në të njëjtat shina, por tek hekurudhat me pajisje të vjetra të sinjalizimit, shinat e trenave kanë vetëm një drejtim. Se në çfarë drejtimi do të ishin shinat, të paktën në disa raste, këtë e vendoste vendi i cili projektoi dhe ndërtoi hekurudhën e parë.

Çfarë të themi për këmbësorët? Në përgjithësi rekomandohet që nëse nuk ka ndonjë kalim të veçuar ose trotuar, është më e sigurtë që kur ecën t’i kesh përballë makinat që vijnë, dhe pak rëndësi ka se në ç’anë ecin ato. Nëse ato mbajnë krahun e djathtë, këmbësorët këshillohen të ecin në të majtë të rrugës me fytyrë përballë automjeteve që janë duke ardhur. Në Britani, ku e ngasim makinën në të majtë, përpiqemi të mbajmë mend që të ecim në të djathtë. Po miku ynë amerikan? Po sikur ai të bëjë të kundërtën?!