Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Vetmia Nuk mund të rrija pa ju shkruar pasi lexova serinë «Vetëm, por jo të vetmuar». (8 qershor 2004) Kur u hodha vetëm një sy artikujve, nuk më tërhoqën shumë. Por kur nisa ta lexoj, kuptova se kisha prirjen që t’i ndrydhja emocionet e mia me të tjerët. Këshillat e dhëna, ishin tamam ato për të cilat kisha nevojë.
E. V., Shtetet e Bashkuara
Vuaj nga epilepsia dhe depresioni, dhe efektet anësore të ilaçeve më lënë të përgjumur pothuajse gjithë ditën. Kështu që, shpesh herë ndihem vetëm dhe më kap trishtimi. Këta artikuj më ndihmuan të kuptoj se edhe kur ndihemi të vetmuar, nuk jemi vetëm!
XH. K., Shtetet e Bashkuara
Jam 14 vjeç dhe për njëfarë kohe, doja të isha njësoj si shokët e mi të klasës dhe të më pranonin në shoqërinë e tyre. Mendoja se i kisha shokë. Megjithatë, ata panë se si i krishterë isha i ndryshëm. Por një ditë mora vesh se kishin vendosur të më përjashtonin nga shoqëria e tyre nëse nuk ndryshoja dhe nuk bëhesha si ata. Tani e kuptoj se shokët e vërtetë—të moshuar dhe të rinj—gjenden në kongregacionin e krishterë.
N. K., Spanjë
Këta artikuj më ndihmuan të kuptoja përse reagoja kaq keq kur im shoq udhëtonte për punë tregtie, dhe unë ngelesha vetëm. Këshilla juaj për ta parë vetminë si një përvojë të zakonshme dhe për të folur me një mik të pjekur, më ndihmoi shumë.
J. H., Republika Çeke
Së shpejti do të shpërngulem në një zonë që ka nevojë për lajmëtarë. Nëna është e lumtur që po veproj kështu, por ndonjë herë ndihet e vetmuar. Pikërisht në ato momente që po pyesja veten se çfarë duhet të bëja, dolën këta artikuj. Tani planifikoj që të flas rregullisht me nënën, të ndaj me të gëzimin dhe t’i tregoj përvojat që kaloj në shërbim.
N. K., Japoni
Kulla e Londrës Artikulli «Kulla e Londrës—Monument historik i një të kaluare të trazuar» erdhi si me porosi. (8 qershor 2004) Mësuesja dhe disa shokë të klasës, sapo janë kthyer nga një udhëtim që bënë në Londër. Falë këtij artikulli, arrita të imagjinoja se si mund të ishte një udhëtim në Londër, madje, pa shpenzuar fare!
P. L., Gjermani
Ankthi Kohët e fundit, si pasojë e ankthit, ndihesha e dërrmuar. Mendoja se shkaktare ishte mungesa e besimit, dhe kjo më bënte të ndihesha edhe më keq. Isha shumë mirënjohëse kur pashë artikullin «Pikëpamja e Biblës: A tregon ankthi mungesë besimi?» (8 qershor 2004) Sa herë që jam e shqetësuar, Jehovai më jep zemër.
Y. I., Japoni
Demografia Në artikullin «Demografia, Bibla dhe e ardhmja» ju thoni se Izraeli u largua nga Egjipti pas 215 vjetësh. (8 maj 2004) Por Eksodi 12:40, 41 thotë se kjo ndodhi pas 430 vjetësh.
R. K., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Eksodi 12:40, BR, thotë: «Koha e banimit të bijve të Izraelit, që kishin banuar në Egjipt, ishte katërqind e tridhjetë vjet.» Vini re se «koha e banimit të bijve të Izraelit» nuk përfshin vetëm kohën që hebrenjtë qëndruan në Egjipt, përkundrazi ajo përfshin të gjithë periudhën që filloi kur Abrahami hyri në tokën e Kanaanit. Apostulli Pavël tregoi se kjo periudhë 430-vjeçare filloi kur besëlidhja abrahamike u shpall e vlefshme, pra në vitin 1943 p.e.s. kur Abrahami hyri në Kanaan. (Galatasve 3:16, 17) Kronologjia biblike tregon se kjo ndodhi 215 vjet para se hebrenjtë të vendoseshin në Egjipti. Kjo lë të kuptohet që hebrenjtë «banuan në Egjipt» 215 vjet.—Shih artikullin «Kronologjia» në vëllimin I të «Mendjehollësi mbi shkrimet» (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.