Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Krem plazhi për hipopotamin

«Hipopotamët e mbrojnë nga dielli lëkurën e tyre pa qime, duke sekretuar një krem kundër diellit të ngjashëm me atë që përdorin edhe njerëzit»,​—raporton The Independent, e Londrës. Kur shkencëtarët po provonin lëngun e sekretuar nga një hipopotam në një kopsht zoologjik në Kioto, Japoni, zbuluan si e mbronte ky sekrecion lëkurën nga dëmtimi i rrezeve të diellit tropikal dhe nga papastërtia. Sekrecioni i trashë dhe pa ngjyrë, kthehet dalëngadalë në ngjyrë të kuqe, pastaj në kafe që duket tamam si një cipë e trashë plastike. Ndërsa bëhet ngjyrë kafe, ndryshon nga alkaline në acid shumë të fortë, duke vepruar kështu si një antiseptik shumë i fortë. Gjithashtu, kjo cipë ngjyrë kafe shërben edhe si krem kundër diellit duke thithur rrezet ultravjollcë, siç bën edhe kremi që shitet në dyqan. Gazeta përfundon duke thënë se, sidoqoftë, firmat kozmetike s’kanë të ngjarë që në të ardhmen e afërt të nxjerrin në treg, krem plazhi të bërë nga sekrecioni i hipopotamëve. E para, sepse ka shumë pak hipopotamë në botë dhe e dyta, sepse sekrecioni vjen erë shumë të keqe.

Ngritja e peshave lufton depresionin te pensionistët

Siç raporton gazeta The Australian, nga një studim u pa se «ngritja e peshave mund të ulë 50 për qind rrezikun e depresionit te të moshuarit». Kështu, sipas mjekut geriatër Nelin Sing, i Spitalit Royal Prince Alfred në Sidnei, ngritja e peshave mund të ketë të njëjtin efekt si kura e ilaçeve që lufton depresionin te të moshuarit. Në këtë studim, ku u përfshinë 60 burra dhe gra në një moshë mesatare 72-vjeçare, edhe ata që bënë ushtrime të lehta provuan «një përmirësim prej 30 për qind nga depresionit, njësoj si ata që nuk ngritën pesha, por që morën kujdesin mjekësor të zakonshëm». Gazeta thotë se përveçse lufton depresionin, ngritja e peshave forcon «kockat dhe muskujt e plakur, duke i ndihmuar njerëzit e moshuar të shmangin rrëzimet. Gjithashtu ndihmon që të mbahet nën kontroll artriti, diabeti dhe presioni i lartë i gjakut». Singu këshillon që ngritja e peshave «duhet rekomanduar si trajtimi kryesor për depresionin, veçanërisht për të moshuarit».

Televizioni mëson dhunën

«Shikimi i telenovelave nxit një lloj sjelljeje antishoqërore tek fëmijët, si për shembull: të folurit prapa krahëve ose thashethemet, prishjen e miqësive të të tjerëve dhe prepotencën»,​—thotë një studim i përshkruar në gazetën The Times e Londrës. Gazeta thotë se studimi, i paraqitur Shoqërisë Psikologjike Britanike, ka zbuluar se ka «shumë lidhje» midis shikimit të kësaj dhune në televizion dhe sjelljes antishoqërore të adoleshentëve. Telenovelat më të këqija përmbajnë mesatarisht 14 raste përgojimesh brenda një ore. Sara Koin, pedagoge për psikologji në Universitetin e Lankasterit Qendror, Angli, shqetësohet se shfaqja «e vazhdueshme dhe me të njëjtin intensitet» e kësaj dhune e paraqitur si gjithmonë e justifikuar, tërheqëse ose me një përfundim pozitiv, u jep të rinjve shembuj aspak të mirë.

Dieta e varfër me karbohidrate ka efekt afatgjatë

Ndonëse ata që mbajnë një dietë të varfër me karbohidrate mund të bien në peshë, ka shumë pak të dhëna që dëshmojnë për efektet afatgjata të kësisoj dietash. Disa studiues shqetësohen se një dietë e pasur me shumë proteina, mund të çojë në probleme të mëlçisë dhe të veshkave, në osteoporozë dhe probleme të tjera serioze shëndeti. «Shumë nga ushqimet e shijshme që përfshihen në dietat e varfra me karbohidrate​—si filetat e viçit me salcë (me të verdhën e vezës, gjalpë, erëza, uthull ose lëng limoni)​—kanë yndyrna të ngopura që rritin sasinë e kolesterolit në gjak dhe bllokojnë arteriet. . . , një faktor me rrezik të lartë për sëmundjet e zemrës dhe apopleksinë»,​—vëren revista Time. Në të kundërtën, dr. David Katzi i Shkollës Universitare Për Shëndetin Publik të Jeilit, thekson: «Nga shumë studime është parë se dietat e pasura me fibra dhe karbohidrate komplekse, që gjenden te frutat, zarzavatet, fasulet dhe drithërat, ndikojnë në jetëgjatësinë, mbajtjen nën kontroll të peshës, zvogëlojnë rrezikun e kancerit, të sëmundjeve kardiovaskulare, të diabetit, të shqetësimeve të qafës së mitrës dhe të problemeve të përgjithshme shëndetësore.»

Skulptura të lyera

Revista gjermane Spektrum der Wissenschaft, pohon se «arkeologët dhe historianët e artit, ngurrojnë të braktisin pikëpamjen se statujat e famshme dhe skulpturat prej mermeri me ngjyrë të bardhë të lashtësisë, ishin të palyera me bojë», si për shembull statujat e lashta greke. «E vërteta është, se ato lyheshin me ngjyra të ndezura.» Kjo temë nuk ka tërhequr shumë vëmendjen e studiuesve, me gjithë referimet historike për statuja të lyera dhe zbulimit të shenjave të bojës mbi skulpturat. Gjithsesi, kohët e fundit, një provë e tërthortë, që tregon se statujat lyheshin, doli në dritë nga një studim mbi një reliev i cili njihet si relievi që ka marrë ngjyrë nga moti. Pigmentet e përdorura shpërbëhen në shkallë të ndryshme, duke ekspozuar disa pjesë të sipërfaqes së statujës më parë se pjesët e tjera. Ky ndryshim në paraqitje tregon se statuja ka qenë e pikturuar me ngjyra të ndryshme. Raporti përfundon duke thënë se skulptura «për artistët grekë dhe romakë, përfundonte vetëm pasi i shtoheshin ngjyrat».

Kameleonë me gjuhë të shpejtë si rrufe!

Si e lëviz aq shpejt gjuhën kameleoni, kur kap prenë? «Sekreti është te një mekanizëm si sustë që grumbullon energji, tamam si pjesa e përparme elastike e katapultës para se të lëshohet»,​—raporton revista New Scientist. Shkencëtarët e dinin se gjuha e një kameleoni ka disa membrana që janë të rrethuara nga një «muskul përshpejtues». Tashmë, me ndihmën e pamjeve të filmuara në mënyrë të ngadaltë, studiuesit gjermanë kanë zbuluar si ndodh kjo. Në 200 të mijtat e sekondës para se të nxjerrë gjuhën jashtë, «një kameleon përdor muskulin përshpejtues për të prodhuar energji në membranat nën gjuhë, duke i paketuar ato njëra mbi tjetrën njësoj si pjesët e një teleskopi. Kur kameleoni godet, energjia e ndrydhur brenda tij mund të shkarkohet brenda 20 të mijtat e sekondës, duke nxjerrë jashtë gjuhën rrufeshëm» që të mbërthejë prenë.

Britanikë jobesimtarë

Nga një anketë e zhvilluar me 10.000 njerëz në dhjetë shtete, Britania doli se kishte ‘numrin më të vogël të besimtarëve dhe të pjesëmarrjes në aktivitetet fetare’, siç thuhet në gazetën The Times të Londrës. Edhe pse 46 për qind e britanikëve thanë se kishin besuar gjithnjë te Perëndia, vetëm dy shtete, Rusia dhe Republika e Koresë së Jugut, kishin më pak besimtarë se ajo. Më shumë se 90 për qind e popullsisë në Nigeri, Indonezi dhe Liban, besonin se perëndia i tyre ishte Perëndia i vetëm i vërtetë. Megjithatë, vetëm 3 në 10 britanikë besonin të njëjtën gjë. Në shumë vende, më shumë se 80 për qind thanë se besimi te Zoti e bën një njeri më të mirë, por vetëm 56 për qind e britanikëve ishin dakord me këtë. Edhe pse 85 për qind në Shtetet e Bashkuara, 99 për qind në Indonezi dhe 83 për qind në Meksikë besonin se universin e krijoi Perëndia, në Britani vetëm 52 për qind e besonin këtë. Kur u pyetën nëse bota do të kishte më shumë paqe po të mos ekzistonte feja, 6 për qind në Shtetet e Bashkuara, 9 për qind në Indi dhe 11 për qind në Izrael thanë po, kurse në Britani shifra ishte 29 për qind.