Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duhet të bëj punë krahu?

Pse duhet të bëj punë krahu?

Të rinjtë pyesin . . .

Pse duhet të bëj punë krahu?

«Asnjëherë nuk e imagjinoj dot veten duke bërë shumë punë fizike. Më pëlqen më shumë të merrem me kompjuter.»​—Natani.

«Disa nga fëmijët na shihnin me përçmim ne që bënim punë fizike, sikur të mos ishim aq të zgjuar sa ç’duhet për t’u marrë me diçka tjetër.»​—Sara.

PUNA E KRAHUT shihet nga shumica si e mërzitshme, e ulët dhe e padëshirueshme. Një profesor i ekonomisë thotë për punët që të bie bretku: «Këto punë nuk kanë shumë prestigj në këtë botë që i jep shumë rëndësi pozitës shoqërore.» Nuk është për t’u çuditur, kur shumë të rinj e mbajnë hundën përpjetë nëse bie fjala për punë krahu.

Megjithatë, Bibla inkurajon një pikëpamje të ndryshme për punën fizike. Mbreti Solomon tha: «Për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij.» (Predikuesi 2:24) Në kohët biblike, izraelitët merreshin me bujqësi. Plugimi, korrja dhe shirja, të gjitha këto kërkonin shumë mund. Gjithsesi, Solomoni tha se puna sjell shumë dobi.

Shekuj më vonë, apostulli Pavël tha: «Vjedhësi le të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur, duke bërë me duart e tij atë që është punë e mirë.» (Efesianëve 4:28) Për Pavlin, puna e krahut nuk ishte diçka e re. Ndonëse ishte me arsim të lartë, disa herë i siguroi gjërat e nevojshme për të mbajtur veten, duke bërë tenda.​—Veprat 18:1-3.

Po ti çfarë mendon për punën e krahut? Puna mund të të sjellë dobi në shumë mënyra, pavarësisht nëse e kupton apo jo tani.

Një stërvitje për jetën

Puna e krahut​—qoftë nëse punon me çekan, qoftë nëse kosit barin​—të ndihmon të kesh një shëndet të mirë. Përveç shëndetit, ka edhe shumë dobi të tjera. A di të zëvendësosh një gomë të shfryrë, ose të ndryshosh vajin e makinës? A mund të rregullosh një dritare të thyer ose të zhbllokosh një rubinet? Di të gatuash? A mund ta pastrosh dhe ta bësh xixë banjën? Këto janë disa aftësi që djemtë dhe vajzat do të ishte mirë t’i dinin, sepse mund t’i ndihmojnë që ta jetojnë sa më mirë çdo ditë të jetës.

Është interesante se vetë Jezu Krishti kur ishte këtu në tokë, u bë i zoti në disa zanate. Ai e mësoi kaq mirë zanatin e zdrukthëtarit​—sigurisht nga babai i tij birësues, Jozefi​—saqë u quajt zdrukthëtari. (Mateu 13:55; Marku 6:3) Edhe ti mund të mësosh një shumëllojshmëri zanatesh që kërkojnë punë fizike.

Zhvillon cilësi tërheqëse

Puna e palodhur mund të ndikojë edhe te mënyra se si e sheh veten. Kur i shkroi Qendrës Kombëtare të Edukimit dhe Shëndetit Mendor, të Shteteve të Bashkuara, Dr. Fred Provenxanoja, tha se të mësosh të bësh punë fizike mund të rritë «ndjenjën e pavarësisë dhe të besimit te vetja», dhe «gjithashtu mund të të ndihmojë që të zhvillosh vetëkontrollin dhe të jesh më i rregullt, cilësi këto që janë themelore për të pasur sukses në një vend pune». Një i ri me emrin Xhon thotë: «Puna të mëson të jesh i duruar. Të mëson si t’i përballosh dhe si t’i zgjidhësh me sukses problemet.»

Sara, e përmendur më sipër shpjegon: «Puna fizike më mësoi të jem e papërtuar. Mësova të disiplinoja si mendjen, ashtu edhe trupin.» A duhet të jetë medoemos puna e krahut një angari? Natani thotë: «Mësova të kënaqesha kur punoja. Ndërkohë që përmirësohesha në aftësitë e mia, pashë se edhe cilësia e punës rritej. Kjo më rriti vlerësimin për veten.»

Gjithashtu puna e krahut mund të të sjellë kënaqësi. Një i ri i quajtur Xhejms, shprehet kështu: «Më pëlqen zanati i marangozit. Ndonëse disa herë është i lodhshëm, gjithmonë shoh çfarë kam nxjerrë nga duart e mia, dhe kjo më kënaq. Është diçka e bukur.» Brajani ndihet njësoj. Ai thotë: «Më pëlqen të merrem me makinat. Kur di se jam i aftë për të riparuar diçka të prishur dhe ta bëj atë sikur të ishte fringo e re, kjo më shton besimin te vetja dhe më sjell kënaqësi.»

Shërbimi i shenjtë

Kur të rinjtë e krishterë, janë të palodhur në punë, kjo i ndihmon edhe në shërbimin që i bëjnë Perëndisë. Kur mbretit Solomon iu dha caktimi që t’i ndërtonte një tempull madhështor Jehovait, ai kuptoi se kjo ishte një detyrë që kërkonte përpjekje dhe aftësi të jashtëzakonshme. Bibla thotë: «Mbreti Solomon solli nga Tiro Hiramin, birin e një të veje nga fisi i Neftalit; i ati ishte nga Tiro dhe punonte bronzin; ishte tërë dituri, zgjuarsi dhe shkathtësi për të kryer çdo punim bronzi. Ai vajti te mbreti Solomon dhe kreu të gjitha punimet që i caktuan.»​—1 Mbretërve 7:13, 14.

Çfarë privilegji për Hiramin, që të përdorte aftësitë e tij për të përkrahur adhurimin e Jehovait! Përvoja e Hiramit thekson vërtetësinë e fjalëve të Biblës te Fjalët e urta 22:29: «A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.»

Sot, edhe ata të rinj që kanë pak ose aspak aftësi në zanatin e ndërtimit, kanë pasur privilegjin që të marrin pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Për shkak të përfshirjes së tyre në projekte të tilla, disa kanë mësuar zanate të dobishme, si: elektricistë, hidraulikë, muratorë dhe marangozë. Ndoshta mund të flasësh me mbikëqyrësit e tu të kongregacionit nëse ekziston mundësia që të marrësh pjesë edhe ti në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë.

Xhejmsi, i cili ka punuar në ndërtimin e disa Sallave, thotë: «Shumë në kongregacion ndoshta nuk kanë as kohë dhe as aftësi për të dhënë një dorë. Kështu, duke dhënë ndihmën tënde, ti po mbështet një kongregacion të tërë.» Natani, i cili mësoi si të hidhte beton, provoi se kjo aftësi i dha një mundësi më shumë në shërbim të Perëndisë. Ai sjell ndër mend: «Pata mundësinë të udhëtoja për në Zimbabve dhe të përdorja aftësitë për të ndihmuar në ndërtimin e një zyre dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Punova atje tre muaj dhe ishte një nga përvojat më të bukura të jetës sime.» Për disa të rinj të tjerë, dëshira për të bërë më shumë, i ka nxitur të bëjnë kërkesë për të shërbyer vullnetarisht në zyrën e degës lokale të Dëshmitarëve të Jehovait.

Të bëhesh i zoti në punë të ndryshme fizike, mund të të bëjë gjithashtu që të ‘kënaqesh me atë që ke’. (1 Timoteut 6:6) Shumë të rinj Dëshmitarë shërbejnë si pionierë ose si ungjillëzues në kohë të plotë. Duke ditur një zanat, shumë kanë mundur të mbajnë veten nga ana financiare pa harxhuar shumë kohë dhe para për t’u arsimuar.

Si të mësosh?

Qartë, është e dobishme të mësosh të bësh punë, sepse kjo mund të të ndihmojë të fitosh të ardhura si usta, ose të jesh në gjendje për të bërë ndonjë rregullim tek-tuk nëpër shtëpi. Ndoshta në shkollë, afër vendit ku banon ti, ofrojnë disa kurse profesionale. Por mund të marrësh njëfarë stërvitjeje edhe në shtëpi. Si? Duke mësuar të bësh punët e shtëpisë. Profesor dr. Provenxanoja, që u përmend më sipër thotë: «Punët e shtëpisë janë veçanërisht të rëndësishme për adoleshentët, sepse kështu ata mësojnë punët shtëpiake bazë ‘për të mbijetuar’, që kur të vijë koha e duhur për të jetuar të pavarur nga prindërit t’ia dalin mbanë.» Kështu që tregohu i shkathët për të bërë ndonjë punë që është e nevojshme përqark shtëpisë. A është bërë bari për t’u kositur ose a ka ndonjë raft për t’u riparuar?

Puna fizike mund të të sjellë dobi në shumë mënyra e nuk ta ul aspak dinjitetin. Mos i bëj bisht punës! Në vend të kësaj, përpiqu të ‘shohësh të mirat’ e mundit tënd, sepse, siç thuhet edhe në Predikuesin 3:13, BR, «është dhuratë nga Perëndia».

[Diçitura në faqen 21]

Pasja e një zanati i ka ndihmuar shumë të rinj të zgjerojnë shërbimin ndaj Perëndisë

[Figurat në faqen 22]

Shpesh prindërit mund të të mësojnë disa aftësi bazë