Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Roli i prindërve në botën e kafshëve

Roli i prindërve në botën e kafshëve

Roli i prindërve në botën e kafshëve

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Spanjë

PRINDËRIT shpesh i kushtohen rritjes së fëmijës për gati dy dekada. Nga ana tjetër, shumë kafshë brenda pak muajve të verës, duhet t’u sigurojnë pasardhësve të tyre gjithçka që përfshihet në përkujdesje. Disa shembuj do të na ilustrojnë detyrën e mrekullueshme që duhet të plotësojnë çdo vit disa prindër në botën e kafshëve.

1. Lejleku i bardhë Lejleku në figurën e faqes tjetër nuk ka kohë për pushimet e verës. Përveç punës për të riparuar folenë herë pas here, me gjithë ata zogj adoleshentë të uritur që ka për të ushqyer, i duhet të fluturojë vazhdimisht në liqenin që ka afër për të kapur bretkosa, peshq të vegjël, hardhuca ose karkaleca. Të dy prindërit bëjnë vajtje-ardhje gjithë ditën e ditës. Zogjtë e vegjël hanë si të babëzitur. Vetëm imagjinoni, gjatë javëve të para, çdo ditë ata mund të konsumojnë, gati sa gjysma e peshës së trupit të tyre! Madje, edhe pasi kanë mësuar të fluturojnë, lejlekët janë akoma të varur nga prindërit e tyre edhe për disa javë të tjera.

2. Gatopardi Gatopardët janë thuajse gjithmonë familje me një prind, dhe është nëna ajo që kujdeset për këlyshët. Ajo duhet të sigurojë prenë gati çdo ditë, sepse duhet të hajë mjaftueshëm për të pasur qumësht për të vegjlit, që zakonisht janë tre deri pesë. Kjo në vetvete nuk është kollaj fare, sepse shumë nga përpjekjet për të gjuajtur, i dalin huq. Për më tepër, në intervale kohe prej disa ditësh, ajo duhet ta zhvendosë familjen e saj në një strofkë tjetër, pasi luanët janë gjithmonë vigjilentë për ndonjë këlysh të pambrojtur. Kur këlyshët venë shtatë muajsh, ajo nis t’i stërvitë për një periudhë që zgjat pak a shumë një vit, që ata të mësojnë të gjuajnë vetë. Zakonisht këlyshët qëndrojnë me nënën deri një ose një vit e gjysmë.

3. Bajza Këta zogj dhe të vegjlit e tyre janë gati të pandashëm. Menjëherë sapo zogjtë çelin nga veza, e braktisin folenë e tyre pluskuese për të hipur mbi shpinën e rehatshme të prindërve. Zogjtë kacavaren për t’u ngjitur në shpinën e njërit prej prindërve, midis krahëve dhe pendëve të shpinës. Këtu, të vegjlit rrinë ngrohtë dhe janë të mbrojtur, ndërkohë që nëna ose babai notojnë vërdallë. Prindërit zhyten me radhë që të gjejnë ushqim dhe të mbajnë të vegjlit. Edhe pse të vegjlit mësojnë shpejt të zhyten dhe të ushqejnë veten, lidhja me prindërit vazhdon edhe për ca kohë.

4. Gjirafa Gjirafat rrallë herë bëjnë më shumë se një pasardhës njëherësh, dhe nuk është shumë e vështirë për ta kuptuar arsyen. Një gjirafë e sapolindur, si kjo që shihet në fotografi, mund të peshojë 60 kilogramë dhe të jetë e gjatë dy metra. Një orë pas lindjes, gjirafa e vogël qëndron me këmbët e veta dhe shpejt fillon të pijë qumësht nga nëna. Ajo pi për nëntë muaj, ndonëse fillon të kullotë jo shumë kohë pasi ka lindur. Kur gjirafa e re kërcënohet nga ndonjë rrezik, futet mes këmbëve të nënës, sepse shkelmat e fortë të saj janë një mbrojtje e shkëlqyer nga pjesa më e madhe e grabitqarëve.

5. Bilbili i ujit Bilbilat e ujit duhet të jenë njëkohësisht të zotë dhe përzgjedhës kur kapin peshq për të vegjlit e tyre. Ornitologët kanë zbuluar se të dy prindërit i ushqejnë zogjtë e sapodalë nga veza, me peshq të vegjël që janë më pak se një ose dy centimetra të gjatë. Prindi e mban me kujdes në sqepin e tij peshkun me kokën jashtë. Kështu për zogjtë e uritur është më e lehtë të hanë ushqimin, nëse në fillim i kanë gëlltitur kokën. Kur të vegjlit rriten, prindërit u sjellin peshq disi më të mëdhenj. Gjithashtu, prindërit shtojnë gradualisht edhe numrin e vakteve që i ushqejnë. Në fillim, secili zog ha çdo 45 minuta. Por kur bëhen 18-ditësh, ata kanë kaq uri saqë duhet të hanë çdo 15 minuta që të ngopen. Zogu i rritur që shihet në figurë, e ka lënë tashmë folenë dhe shpejt do të peshkojë vetë për të gjetur ushqim. Në këtë pikë, ju mund të mendoni se prindërit do të pushojnë pak tani që të vegjlit janë rritur. Por nuk ndodh kështu me bilbilat e ujit! Shpesh ata rifillojnë të njëjtën fazë, me një çerdhe të dytë në të njëjtën stinë vere.

Sigurisht, shumë hollësi mbi mënyrën se si kujdesen kafshët e shpendët për të vegjlit e tyre, janë ende të panjohura. Po, sa më shumë që natyralistët zbulojnë, aq më shumë bëhet e qartë se instinkti prindëror është një forcë e madhe në botën e kafshëve. Nëse Perëndia i ka pajisur kafshët me instinkte të tilla, patjetër që në mënyrë të ngjashme do që edhe prindërit njerëzorë t’u sigurojnë fëmijëve të tyre, ushqimin dhe përkujdesin prindëror që meritojnë.