Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shikues të pambrojtur

Shikues të pambrojtur

Shikues të pambrojtur

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË

PËR shumë fëmijë, filmat, televizori, videot, DVD-të, lojërat elektronike dhe Interneti, janë bërë pjesë e zakonshme e jetës. Një raport i kohëve të fundit i botuar nga Këshilli Finlandez i Klasifikimit të Filmit, thotë se «sipas disa llogaritjeve, koha që harxhojnë fëmijët dhe adoleshentët pas medias, është 20 deri 30 herë më e madhe sesa koha që harxhojnë duke qëndruar me familjen». * Mjerisht, kjo gjë i ekspozon fëmijët para një materiali shumë të dëmshëm.

Në disa vende, autoritetet përpiqen t’i mbrojnë fëmijët duke kontrolluar programet vizive dhe duke bërë vlerësime në lidhje me përqindjen e elementeve të tilla, si dhuna, pornografia etj. . . që shfaqen në këto programe, dhe pastaj përcaktojnë kufijtë për moshën e shikuesve. Megjithatë, sipas raportit, fëmijët dhe prindërit jo gjithmonë i kuptojnë këto të dhëna, ose kanë prirjen për t’ua zvogëluar rëndësinë. Përveç kësaj, dihet se shumë teatro dhe dyqane që japin videokaseta me qira, i shkelin kufijtë e moshës. Për më tepër, disa programe dhe filma as nuk kontrollohen fare.

Një nga mësuesit që mori pjesë në këtë studim vëren: «Me sa duket nxënësit jo gjithmonë e konsiderojnë një material të dhunshëm nëse nuk ka gjakderdhje në të.» Shumë video dhe lojëra kompjuterike​—madje edhe filmat vizatimorë të prodhuar enkas për fëmijët​—kanë një përmbajtje që mund t’i dëmtojë shumë ata që luajnë me to.

Raporti pohon se çdo pronar shtëpie është ai që mban «përgjegjësinë kryesore për filmat dhe programet televizive që i sheh fëmija». Ai përfundon me një pyetje që të vë në mendime: «A kemi ne si të rritur dëshirë, forcë dhe mënyra të efektshme për t’i mbrojtur fëmijët nga efektet e dëmshme të medias?»

[Shënimi]

^ par. 3 Raporti «Kufijtë e Moshës për Programet Vizive dhe për Mbrojtjen e Fëmijëve», u bazua në një studim që përfshiu rreth 340 nxënës të shkollave tetëvjeçare, prindërit, si edhe mësuesit.