Venecia: «Qyteti në det»
Venecia: «Qyteti në det»
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Itali
«Ekziston një qytet i lavdishëm, i ngritur në det. Deti, që mbush rrugët e gjera e të ngushta, herë ulet e herë ngrihet; dhe leshterikët e kripur kacavaren në mermerin e pallateve të qytetit.»—Samuel Roxhers, poet anglez, 1822.
KY «QYTET i lavdishëm» është Venecia. Dikur Venecia, si kryeqyteti i një republike të madhe, mund të krenohej për sundimin që ushtronte për shekuj me radhë mbi një territor të gjerë, si në tokë, ashtu edhe në det. Si dhe përse u ndërtua «në det» ky qytet? Nga buroi lavdia e tij? Si ra kjo fuqi dhe ç’ka mbetur sot nga madhështia e dikurshme e Venecies?
Një vend jomikpritës
E ndërtuar në mes të një lagune në skajin veriperëndimor të Adriatikut, Venecia lidh 118 ishuj. Lumenjtë që përfundojnë në det, derdhin sasira të mëdha lymi në ujërat e cekëta bregdetare. Në këtë zonë, veprimtaria e baticave, e zbaticave dhe e rrymave detare kanë formuar një si zinxhir me rripa rëre që izolojnë këtë lagunë të qetë, e cila është rreth 51 kilometra e gjatë dhe 14 kilometra e gjerë. Tri dalje të ngushta në det bëjnë të mundur qarkullimin e trafikut detar dhe lejojnë që në kohë baticash, niveli i ujit të ngrihet deri në një metër. Një burim thotë: «Për shekuj të tërë, laguna ka qenë stacioni i fundit për trafikun e dendur të anijeve tregtare që lundronin
për në veri të Adriatikut ose të mjeteve udhëtuese që zbrisnin nga Evropa Qendrore dhe Veriore nëpërmjet lumenjve ose karvanëve.»Studiuesit mendojnë se origjina e qytetit daton aty midis shekullit të pestë dhe të shtatë të e.s., kur barbarët u dyndën grupe-grupe nga veriu, duke djegur dhe duke plaçkitur banorët e gadishullit. Njerëzit ia mbathën nga frika e plaçkitësve dhe shumë prej tyre u strehuan në ishujt e lagunës. Ndonëse në këta ishuj mezi shkohej, atje banorët ishin më të sigurt.
Dokumente të lashta tregojnë se ndërtimet e para u ngritën mbi një themel të ndërtuar me drurë të zhytur në baltë dhe të ndërthurur me degë të holla pemësh ose me kallama. Më vonë, venecianët ndërtuan shtëpi të gurta që ngriheshin mbi një themel të përbërë nga mijëra hunj. Mirëpo ishujt e Rialtos, të cilët më vonë u bënë qendra e qytetit, shpesh mbuloheshin me ujë dhe nuk ishin aq të qëndrueshëm dhe aq të mëdhenj sa të strehonin fluksin e madh të të shpërngulurve. Prandaj ishujt duheshin drenazhuar dhe zgjeruar me anë të sistemeve primitive të bonifikimit të tokave. E kështu banorët hapën kanale ku të kalonin varkat dhe i përforcuan ishujt që të bënin gati vende ndërtimi më të përshtatshme. Kanalet filluan t’u shërbenin banorëve si rrugë dhe sipër kanaleve u ndërtuan ura për t’ua lehtësuar këmbësorëve kalimin nga njëri ishull te tjetri.
Lindja dhe fuqizimi i një republike
Pas rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit, ishujt e lagunës ranë nën sundimin e Perandorisë Bizantine, kryeqyteti i së cilës ishte Kostandinopoja ose Stambolli i sotëm. Megjithatë banorët e lagunës u rebeluan dhe kërkuan pavarësi. Si pasojë, Venecia u la në një gjendje që është përshkruar si «pozitë [e pazakontë] e [një] dukati të pavarur . . . që ndodhet në një zonë të izoluar midis dy perandorive të mëdha», asaj Franke dhe Bizantine. Kjo pozitë e veçantë i dha mundësi qytetit të zhvillohej dhe të lulëzonte si një «ndërmjetës tregtar» i madh.
Në shekujt që pasuan, Venecia e mati forcën e saj në fushën ushtarake duke luftuar kundër disa ushtrive që u ndeshën me të në vendet përreth Mesdheut. Këtu u përfshinë saraçenët, normanët dhe bizantinët. Më në fund Venecia u bë më e fuqishme se të gjithë rivalët e saj. Por kjo ndodhi vetëm pas vitit 1204, kur, gjatë kryqëzatës së katërt, këto fuqi ndihmuan të rrënohej rivalja më e tmerrshme e Venecies, Kostandinopoja. Venecia kishte shumë baza tregtare—në Detin e Zi, në Egje, Greqi, Kostandinopojë, Siri, Palestinë, Qipro dhe Kretë. Kështu përfitoi nga rënia e Perandorisë Bizantine për t’i kthyer disa prej këtyre bazave në koloni.
«Padronia e Mesdheut»
Që në shekullin e 12-të, në kantieret detare gjigante të Venecies ndërtoheshin galera të pajisura me të gjitha mjetet e duhura brenda pak orësh. Industria vendëse
prodhonte artikuj qelqi dhe gjëra luksoze, si dantella, qëndisma me reliev, damask dhe kadife. Tregtarët venecianë dhe të huaj sollën nga perëndimi armë, kuaj, qelibar, gëzofë, lëndë drusore, lesh, mjaltë, dyllë dhe skllevër. Kurse nga vendet myslimane që ndodheshin në brigjet lindore të Mesdheut, importonin ar, argjend, mëndafsh, erëza, pambuk, bojëra, fildish, parfume dhe një mori artikujsh të tjerë. Zyrtarët e qytetit siguroheshin që të vilnin taksat për të gjitha mallrat që hynin ose dilnin nga tregjet e qytetit.E zbukuruar nga arkitektë dhe artistë të famshëm—të tillë, si Palladio, Titiani dhe Tintoreti—Venecia përshkruhej si la serenissima, pra «më e qeta» dhe «e mrekullueshmja». Në atë kohë Venecia me të drejtë mund të quhej «padronia e Mesdheut, . . . qendra tregtare më e pasur dhe më e begatë e botës së qytetëruar». Ajo mbeti e tillë për shekuj me radhë. Fuqia e saj filloi të dobësohej vetëm gjatë shekullit të 16-të, kur rrugët kryesore tregtare u zhvendosën në Atlantik dhe në kontinentet amerikane.
Kolonitë e Venecies, të shpërndara anembanë Mesdheut, kurrë nuk qenë të bashkuara gjeografikisht, kurrë nuk patën një qeveri të vetme dhe kurrë nuk bashkëpunuan si një vend i vetëm. Prandaj humbja e tyre ishte e pashmangshme. Fuqitë fqinje ia rrëmbyen zotërimet një nga një Venecies, derisa më në fund, më 1797, Napoleoni I pushtoi qytetin në lagunë dhe ia dorëzoi Austrisë. Në vitin 1866, Venecia u bë pjesë e Italisë.
Një qytet si në ëndërr
Për shumë veta, një vizitë në Venecia është sikur të kthehesh prapa nja dyqind a treqind vjet. Qyteti ka një atmosferë që s’ka të krahasuar.
Një nga veçoritë e tij është qetësia. Në pjesën më të madhe të qytetit, trafiku i këmbësorëve në rrugicat e ngushta është i ndarë nga trafiku i mjeteve lundruese, me përjashtim të vendeve ku rrugicat shtrihen anash kanaleve ose kalojnë sipër tyre, duke u ngjitur mbi urat tipike të gurta e në formë harqesh. Të vetmet mjete transporti me motor janë varkat, pasi rrugët janë «të shtruara» me ujë. Qyteti është jashtëzakonisht i pasur me peizazhe piktoreske. Sheshi «San Marko» me bazilikën, kambanoren dhe pjesën buzë ujit, ku dielli rrëzëllen mbi lagunën e gjelbërt, i frymëzon artistët.
Kafenetë në sheshin kryesor të qytetit, në të cilat klientëve të shumtë u shërbehet jashtë, tërheqin mjaft turistë dhe vendës. Këtu mund të shijoni një pije ose një akullore teksa dëgjoni muzikën klasike që luajnë grupe të vogla orkestrantësh. Ndërkohë që rrini ulur e shihni kalimtarët dhe kundroni arkitekturën mahnitëse përreth, syri nuk ju zë asnjë makinë. Në këto çaste mund t’ju duket vërtet sikur po bëni një udhëtim në të kaluarën.
Qyteti është si një magnet që i tërheq drejt vetes ata që janë në kërkim të thesareve të artit. Në pallatet, në muzetë dhe në kishat e shumta gjenden pikturat e mjaft artistëve të famshëm. Megjithatë, disa vizitorë kënaqen edhe thjesht duke u endur nëpër rrugicat e ngushta dhe duke soditur pamjet e panjohura rreth e qark. Një mori dyqanesh u ofrojnë turistëve artikuj për të cilët qyteti është me nam—dantella e qëndisma nga ishulli i Buranos dhe punime të mrekullueshme qelqi e kristali nga ishulli i Muranos. Një udhëtim i shkurtër me një vaporeto ose ndryshe motobarkë të
vogël, udhëtim që në vetvete është një përvojë e veçantë, do t’ju çojë në cilindo nga këta ishuj, ku mund të shihni se si prodhohen këta artikuj.Pallatet madhështore me harqe të ngushta që përfundojnë me majë, dëshmojnë për ndikimet orientale të së kaluarës. Ura e famshme e Rialtos mbi Kanalin e Madh—rrugëkalimi kryesor i qytetit—dhe gondolat e zeza elegante që rrëshqasin qetësisht poshtë saj, tërheqin vëmendjen e vizitorëve.
Prapë në luftë për të mbijetuar
Kanë kaluar dy shekuj nga rënia e «republikës së mrekullueshme», e megjithatë, Venecia ende po lufton për të mbijetuar. Por sot betejat e saj janë të një natyre tjetër. Në vitin 2003, numri i banorëve të qendrës historike, nga 175.000 që ishte në vitin 1951, ra në 64.000 veta. Kjo erdhi për shkak të çmimeve stratosferike të shtëpive, për shkak të papunësisë dhe ngaqë ka pak shërbime për të krijuar lehtësira në kohët moderne. Qyteti ka probleme shoqërore dhe ekonomike të ndërlikuara që kërkojnë zgjidhje, si për shembull: si duhet ristrukturuar dhe nëse duhet ristrukturuar qyteti që po rrënohet.
Në vitet 20 të shekullit të 20-të, në pjesën gadishullore u krijua një zonë e re industriale me shpresën se do t’i jepte hov ekonomisë vendëse. Gjithashtu u hap një kanal i thellë përmes lagunës për t’u mundësuar anijeve naftëmbajtëse që të shkonin deri në rafineri. Industria hapi fronte të reja pune, por ama është konsideruar përgjegjëse për ndotjen dhe për baticat e mëdha shkatërrimtare, të quajtura acqua alta (ujë i ngritur), të cilat po përmbytin gjithnjë e më shpesh një pjesë të mirë të qendrës historike të qytetit.
Dihet prej kohësh që mjedisi i lagunës dhe lëvizja e rrymave të ujit formon një mekanizëm të brishtë natyror, i cili është jetësor për mbijetesën e qytetit. Që prej vitit 1324, venecianët ndërmorën punime inxhinierike kolosale për të devijuar lumenjtë që rrezikonin ta mbytnin lagunën me lym. Në shekullin e 18-të, ata ndërtuan prita me mure për të penguar ujërat e Adriatikut që të vërshonin furishëm në lagunë.
Sot gjendja duket më kritike se kurrë. Shpresohet se fundosja e tokës, e cila vjen nga shterimi i zonave nëntokësore ujëmbajtëse që shfrytëzohen në industri, është frenuar njëherë e mirë, megjithatë niveli i ujit të deteve në mbarë botën vazhdon të ngrihet. Për më tepër, zona e lagunës është zvogëluar nga bonifikimi i tokës dhe është prishur ekuilibri midis tokës dhe ujit. Që prej shumë kohësh ngritja e nivelit të ujit ka qenë një rrezik, por kurrë nuk ka qenë kaq kërcënuese sa sot. Në fillim të shekullit të 20-të, sheshi «San Marko» përmbytej pesë a shtatë herë në vit. Një shekull më vonë vetëm gjatë një viti u përmbyt 80 herë.
Trashëgimia e rrallë historike dhe artistike, bashkë me problemet që po has, kanë ngjallur shqetësim në shkallë ndërkombëtare. Janë miratuar ligje të veçanta për të mbrojtur qytetin nga rritja e nivelit të ujit dhe për të mbrojtur mjedisin pa penguar punën e portit dhe pa u hapur probleme banorëve në jetën e përditshme. Se cila është mënyra më e mirë për t’u arritur ky synim, kjo është një çështje që ka mbetur pa zgjidhje.
Po punohet që t’i bëjnë më të larta anët e kanaleve, t’i bëjnë të padepërtueshme nga uji i nëntokës zonat e shtruara dhe të pengohet kthimi i ujërave të zeza në qytet kur ndodh acqua alta. Projekti më i debatuar është ndërtimi i një sistemi pengesash të lëvizshme përmes hyrjeve në lagunë, pengesa që mund të vihen kur vendi rrezikohet nga ngritja e nivelit të ujit.
Ky pikësynim kërkon shumë kohë, punë e para. «Qyteti i lavdishëm në det» dëshmon për një të kaluar të mrekullueshme, por siç kanë thënë edhe shumë shkrimtarë, ekziston rreziku që ‘të huajt, në kurriz të popullsisë vendëse ose duke e detyruar atë të largohet, ta kthejnë këtë qytet në muze’. Prej shumë kohësh Venecies i është dashur të luftojë me kushtet e vështira natyrore, por sot «mbrojtja nga rreziqet natyrore do të ishte e kotë, nëse qyteti nuk do të fuqizohej nga ana shoqërore dhe ekonomike, nëse nuk do të banohej dhe nuk do të ishte plot jetë dhe gjallëri».
[Harta në faqen 16]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Venecia
[Figura në faqen 16]
Ura e Rialtos mbi Kanalin e Madh
[Figura në faqet 16, 17]
Kisha «San Giorgio Maggiore»
[Figura në faqen 17]
Kisha «Santa Maria della Salute»
[Figura në faqen 18]
Restorante në Kanalin e Madh
[Figura në faqen 19]
Përmbytje në sheshin «San Marko»
[Burimi]
Lepetit Christophe/GAMMA
[Burimet e figurave në faqen 16]
Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.; fotografia e sfondit: © Medioimages