Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e miraton Perëndia martesën e dy personave të të njëjtit seks?

A e miraton Perëndia martesën e dy personave të të njëjtit seks?

Pikëpamja e Biblës

A e miraton Perëndia martesën e dy personave të të njëjtit seks?

GJATË ceremonisë në kishë, dy burra të kapur dorë për dore qëndrojnë përpara një peshkopi episkopal shumë të njohur. Ata bëjnë një «besëlidhje . . . përpara Perëndisë dhe kishës». Me një veshje ceremoniale të zbukuruar me ngjyrë të bardhë e të florinjtë, peshkopi e bekon publikisht bashkimin e tyre. Pastaj, mes duartrokitjeve të gjata, çifti përqafohet dhe puthet. Sipas peshkopit, këto marrëdhënie homoseksuale janë të respektueshme «dhe e meritojnë të bekohen, . . . e meritojnë të quhen ashtu siç janë: të shenjta».

Megjithatë, udhëheqës të tjerë fetarë, e kundërshtojnë me forcë martesën mes personave të sekseve të njëjta. «Jemi shumë të shqetësuar nga ky vendim [i peshkopit],​—pohoi Sinthia Brasti, zëdhënëse e Këshillit Anglikan Amerikan, një grup i episkopalëve konservatorë. ​—Të bekosh martesën e dy personave të të njëjtit seks, është në kundërshtim me mësimet e qarta që përmban Bibla për martesën dhe për marrëdhëniet seksuale,​—thotë ajo, duke shtuar,​—marrëdhëniet seksuale . . . lejohen vetëm midis burrit dhe gruas në martesën e shenjtë.»

Debati i zjarrtë që ka nisur për këtë çështje, nuk kufizohet vetëm në nivelin fetar. Në të gjithë botën, kanë plasur debate të ashpra politike, pasi pasojat sociale, politike dhe ekonomike që përfshijnë pensionin, sigurimin shëndetësor dhe taksat, janë të mëdha.

Çështjet që lidhen me të drejtat civile dhe njohjen ligjore, shpesh janë shumë të ndërlikuara dhe e përçajnë opinionin publik. Të krishterët e vërtetë janë të kujdesshëm që të qëndrojnë asnjanës, duke i shmangur debatet politike. (Gjoni 17:16) * Megjithatë, disa që e respektojnë Biblën, kanë paqartësi për sa i përket çështjes së homoseksualizmit dhe martesës mes dy personave të të njëjtit seks. Po ju, ç’mendoni për këto martesa? Cila është norma e Perëndisë për martesën? Çfarë ndikimi ka qëndrimi juaj për këtë çështje në marrëdhënien tuaj me Perëndinë?

Krijuesi ynë ka vendosur normën

Krijuesi ynë vendosi ligje për të drejtuar martesën, shumë kohë para se qeveritë të vinin rregulla mbi institucionin e martesës. Libri i parë i Biblës na tregon: «Ja përse burri do ta lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zanafilla 2:24, BR) Fjala hebraike ‘grua’, sipas një fjalori biblik «nënkupton një person që është femër». (Vine’s Expository Dictionary of Biblical Words). Jezui e ripohoi këtë, duke thënë se ata që bashkohen në martesë duhet të jenë «mashkull dhe femër».​—Mateu 19:4.

Pra, Perëndia kishte si qëllim që martesa të ishte një lidhje e qëndrueshme dhe intime mes një burri dhe një gruaje. Burrat dhe gratë janë krijuar për të plotësuar njëri-tjetrin, kështu ata kanë aftësinë për të përmbushur nevojat dhe dëshirat emocionale, shpirtërore dhe seksuale të njëri-tjetrit.

Tregimi i mirënjohur biblik i Sodomës dhe i Gomorrës, zbulon se si ndihet Perëndia për homoseksualizmin. Perëndia shpalli: «Britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomorra është e madhe dhe . . . mëkati i tyre është shumë i rëndë.» (Zanafilla 18:20) Korruptimi i tyre moral në ato kohë, u duk qartë kur dy vizitorë shkuan te Loti i drejtë. «Burrat e Sodomës, rrethuan shtëpinë, që nga djali e gjer tek i moshuari, gjithë populli si një turmë e vetme. Ata i thërritnin Lotit, duke i thënë: ‘Ku janë ata burrat që hynë sonte te ti? Na i nxirr jashtë që të kemi marrëdhënie me ta.’» (Zanafilla 19:4, 5, BR) Bibla thotë: «Njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit.»​—Zanafilla 13:13.

Burrat «u ndezën fort në epshin e tyre kundrejt njëri-tjetrit, meshkuj me meshkuj». (Romakëve 1:27) Ata «kishin shkuar pas mishit për përdorim të panatyrshëm». (Juda 7) Në ato vende ku fushatat për të drejtat e homoseksualëve janë të përhapura, disa mund ta kundërshtojnë fjalën «e panatyrshme», për të përshkruar sjelljen e homoseksualëve. Gjithsesi, a nuk është Perëndia gjykatësi përfundimtar që vendos se çfarë është e natyrshme ose jo? Ai e urdhëroi popullin e tij të lashtë: «Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme.»​—Levitiku 18:22.

Gjithkush do t’i japë llogari Perëndisë

Bibla flet troç: Perëndia as nuk e aprovon dhe as nuk i toleron praktikat homoseksuale. Gjithashtu, ai nuk i miraton njerëzit që ‘japin pëlqimin për ata që e praktikojnë’. (Romakëve 1:32) «Martesa» nuk mund t’i veshë homoseksualizmit veladonin e një praktike të respektuar në shoqëri. Urdhri i Perëndisë që ‘martesa të jetë e nderuar ndër të gjithë’, i përjashton lidhjet homoseksuale, të cilat Perëndia i konsideron të pështira.​—Hebrenjve 13:4.

Me ndihmën e Perëndisë, çdokush mund të mësojë të ‘përmbahet nga kurvëria’, ku përfshihet edhe homoseksualizmi, dhe të mund «ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder». (1 Selanikasve 4:3, 4) Kuptohet, kjo nuk është gjithmonë e lehtë. Natani *, i cili më parë ishte homoseksual, thotë: «Mendoja se nuk do të shkëputesha dot kurrë nga ajo mënyrë jetese.» Por ai ndryshoi vërtet me ndihmën ‘e frymës së Perëndisë’. (1 Korintasve 6:11) Siç provoi vetë Natani, asnjë problem nuk është kaq i madh për Jehovain, sa të mos e zgjidhë dot. Ai mund të na japë fuqinë dhe ndihmën e nevojshme për të jetuar në përputhje me normat që ka vendosur. Dhe në fund do të na japë edhe bekimet e tij.​—Psalmi 46:1.

[Shënimet]

^ par. 6 Edhe atëherë kur ligjet e një vendi janë në kundërshtim me ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës, Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshihen në protesta ose në asnjë fushatë politike, me qëllim që t’i ndryshojnë këto ligje.

^ par. 14 Nuk është emri i tij i vërtetë.

[Burimi i figurës në faqen 26]

Fotografia nga Chris Hondros/Getty Images