Adoleshentë në krizë
Adoleshentë në krizë
▪ Në Shtetet e Bashkuara, një nxënës 15-vjeçar fillon të gjuajë me armë shokët e klasës. Si pasojë vret 2 prej tyre dhe plagos 13 të tjerë.
▪ Në Rusi, një grup adoleshentësh të dehur masakrojnë një vajzë nëntëvjeçare dhe rrahin babanë dhe kushëririn e saj.
▪ Në Britani, një 17-vjeçar rreh dhe qëllon me thikë një adoleshent më të vogël. Ai u tha policëve: «Në fillim nuk doja ta vritja, por, kur pashë gjakun, nuk u përmbajta dot.»
NGJARJE tronditëse si këto nuk janë të rralla. Ato nuk mund të shpërfillen duke i quajtur thjesht si lajthitje. «Dhuna tek adoleshentët është një nga problemet më shqetësuese në shoqërinë tonë»,—thotë një artikull i marrë nga Professional School Counseling. Statistikat e mbështetin këtë pohim.
Qendra Kombëtare e SHBA-së për Statistikat në Arsim thotë se, sipas raporteve, ndonëse në këtë vend dhuna në shkollë ka pasur njëfarë rënieje, «nxënës të moshave 12-18-vjeçare u bënë viktima të rreth 2 milionë krimeve të dhunshme pa pasojë vdekjen dhe të vjedhjeve, që u kryen në shkolla në vitin 2001». Gjithashtu janë raportuar edhe më shumë raste të nxënësve që kanë vuajtur ngacmime nga njerëz prepotentë në shkollë.
Por aktet e dhunës të kryera nga adoleshentët në Shtetet e Bashkuara nuk drejtohen gjithnjë kundër nxënësve të tjerë. I njëjti burim thotë: «Gjatë një periudhe 5-vjeçare, nga viti 1997 deri në vitin 2001, mësuesit u bënë viktima të afro 1,3 milionë krimeve pa pasojë vdekjen, të cilat u kryen në shkollë. Ndër këto krime ishin 817.000 vjedhje dhe 473.000 krime të tjera të dhunshme.» Për më tepër, «9 për qind e mësuesve të të gjitha shkollave tetëvjeçare dhe të mesme ishin kërcënuar nga ndonjë nxënës, kurse 4 për qind ishin sulmuar nga ndonjë nxënës».
Si paraqitet tabloja në vendet e tjera? «Në Kinë, më 2003, u arrestuan 69.780 të mitur për shkelje të ligjit,—raporton një agjenci lajmesh. —Kjo është një rritje me 12,7 për qind në krahasim me vitin 2002.» Agjencia thotë se «krimet e bandave përbënin 70 për qind të krimeve nga të miturit». Po kështu, një raport nga Japonia për vitin 2003 thoshte se adoleshentët ishin fajtorë për gjysmën e krimeve të kryera gjatë dhjetë viteve të fundit.
Droga—Sulm kundër trupave të njomë
Tregues tjetër që dëshmon se adoleshentët janë në telashe është «sulmi» që shumë prej tyre po i bëjnë trupit të vet. Një raport i Institutit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara për Abuzimin me Drogën thotë se gati gjysma e të gjithë adoleshentëve në këtë vend kanë provuar ndonjë drogë të paligjshme para se të kenë mbaruar shkollën e mesme. Raporti shton: «Përdorimi i alkoolit është ende tepër i përhapur tek adoleshentët e sotëm. Afërsisht katër në çdo pesë nxënës (77%) kanë pirë pije alkoolike (më shumë se disa gllënjka) para se të kenë mbaruar shkollën e mesme; dhe pothuajse gjysma (46%) e kanë bërë këtë para se të kenë mbaruar klasën e tetë.»
Marrëdhënie seksuale me shumë partnerë
Në një kohë kur SIDA është kaq e përhapur, s’ka dyshim që është e rrezikshme të kesh marrëdhënie seksuale me shumë partnerë. Por siç duket, shumë adoleshentë e shohin seksin si një lojë të padëmshme. Për shembull, disa adoleshentë amerikanë flitnin me moskokëçarje rreth «lidhjes për një natë». Kjo është një shprehje e zbutur që përdoret për seksin «sa për të kaluar kohën» dhe bën që ai të duket si diçka e pafajshme. Këta adoleshentë bisedojnë se si të kenë «një shok që u sjell përfitime», pra një partner me të cilin të kryejnë marrëdhënie seksuale, por pa marrë përsipër asnjë detyrim nga ana emocionale.
Shkrimtari Skot Uollter flet për festat e shthurura që organizojnë disa adoleshentë të periferisë kur prindërit janë në punë. Në një nga këto festa, një vajzë deklaroi se «do të bënte seks me të gjithë djemtë që ishin aty. . . . Në këto festa kishte edhe fëmijë 12-vjeçarë».
A është tronditëse kjo gjë? Specialistët, që kanë studiuar sjelljen seksuale tek adoleshentët, nuk befasohen. Dr. Andrea Peningtoni shkruan: «Gjatë 20 viteve të kaluara kemi parë se mosha mesatare e adoleshentëve që kryejnë marrëdhënie seksuale sa vjen e ulet. Nuk është më diçka e rrallë që djemtë dhe vajzat të kryejnë marrëdhënie që kur janë 12 vjeç.»
Veçanërisht shqetësues ishte një raport i botuar në gazetën USA Today: «Në këtë vend, një numër gjithnjë e më i madh adoleshentësh . . . kryejnë seks oral. . . . Fëmijët e kanë bindur veten se ‘ky nuk është seks i vërtetë’.» Sipas një ankete me 10.000 vajza, «tetëdhjetë për qind thanë se ishin të virgjëra, ndërkohë që 25% kishin kryer seks oral. Veç kësaj, 27% e përshkruan seksin oral si ‘diçka që e bën me një djalë sa për qejf’».
Këto pikëpamje për seksin, pak nga pak, kanë hyrë edhe në vende të tjera. «Gjithnjë e më tepër, adoleshentët e Azisë po rrezikojnë të infektohen me HIV nëpërmjet marrëdhënieve heteroseksuale, pasi shumë prej tyre po i fillojnë marrëdhëniet seksuale në një moshë më të re,—thotë UNESCO.—Adoleshentët sa vijnë e bëhen më mospërfillës ndaj ‘vlerave morale aziatike’ të prindërve, duke pasur marrëdhënie seksuale para martesës, madje shpesh me shumë partnerë.»
A ka shenja të tjera që tregojnë se adoleshentët janë në telashe? Revista kanadeze Women’s Health Weekly thotë: «Njëzet e pesë për qind e vajzave të moshës 16-vjeçare deri në moshën 19-vjeçare, do të kalojnë një periudhë depresioni të rëndë.» Megjithatë, depresioni është një sëmundje që i prek të dyja gjinitë. Sipas revistës U.S.News & World Report, çdo vit, pesë mijë të rinj vrasin veten. Artikulli thotë se për ndonjë arsye «vetëvrasja te djemtë haset gjashtë herë më shumë sesa te vajzat».
Pa dyshim, brezi i adoleshentëve të sotëm është një brez që po kalon telashe të mëdha. Cilat janë shkaqet e kësaj krize?
[Burimi i figurës në faqen 3]
STR/AFP/Getty Images