Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kapoeira​—Valle, sport apo art marcial?

Kapoeira​—Valle, sport apo art marcial?

Kapoeira​—Valle, sport apo art marcial?

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Brazil

«Ekuilibër dhe elasticitet në akrobaci, hijeshi dhe dinamizëm në kërcim, shpejtësi dhe zhdërvjelltësi në luftim, si edhe ritëm në muzikë.»

KËSHTU e përkufizonte një shkrimtar natyrën e artit brazilian të quajtur kapoeira. Sipas një shkrimtari tjetër, kapoeira është bërë «një praktikë vërtet ndërkombëtare».

Koreografi dhe studiuesi Eduard Lunda e quan «një shkrirje të pashoqe të kërcimit, të artit marcial, të lojës dhe të ritit». Kurse The New Encyclopædia Britannica e përshkruan si një «valle popullore». Si ekzekutohet kapoeira? Protagonistët dhe spektatorët formojnë një rreth. Brenda këtij rrethi, «dy burra rrinë ballë përballë dhe imitojnë goditjet dhe shmangiet e goditjeve, gjatë ‘dyluftimit’. Këtë e bëjnë në sinkroni me ritmin e berimbaut ose ndryshe harkut muzikor.»

Ndonëse ka mjaft debate rreth origjinës së kapoeirës, shumica e studiuesve mendojnë se ajo i ka rrënjët në vallet dhe ritet e fiseve afrikane. Sipas të dhënave, ajo hyri në Brazil në kohën e tregtisë së skllevërve. Për dekada të tëra ky kërcim praktikohej nga skllevërit, pavarësisht se skllavopronarët u përpoqën ta zhduknin kulturën afrikane.

Sipas një shkrimtari brazilian, kur në vitin 1888 në Brazil u ndalua skllavëria, «skllevërit e sapoliruar nuk gjetën një vend për veten në rendin ekzistues shoqëror-ekonomik». Si pasojë, shumë ish-skllevër formuan banda kriminale. Kapoeira u bë një lloj përleshjeje nëpër rrugë. Të armatosura me thika dhe shkopinj, këto banda i terrorizonin fqinjët.

Revista Planet Capoeira pohon se kërcimi që bëhej nëpër rrugë ishte «i dhunshëm». Ajo shpjegon: «Mësuesit i hiqnin të gjitha lëvizjet e hijshme që nuk vlenin shumë në përleshjet e vërteta. Për shembull, kërcimtarët shkelmonin më ulët, kështu shkelmat goditnin trupin dhe jo kokën. Duart i lëviznin në mënyra nga më të ndryshmet për të mashtruar kundërshtarin ose për t’i gjuajtur me grusht a për t’i futur gishtat në sy. Nuk kishte muzikë [as] rrotullime që të bëje fletën dhe as akrobaci, përveç atyre që përdoreshin në përleshje.» Pra, nuk është për t’u habitur që në vitin 1890, kapoeira u ndalua në mbarë vendin. Kapoeirët * që nuk hiqnin dorë mund të dënoheshin me burgim, me 300 fshikullime kamxhiku e madje edhe me internim.

Në vitet 30 të shekullit të 20-të, Manuel dos Rajs Mashadu, i cili njihej në qarqet e kapoirëve si maestro Bimba, hapi një akademi për t’u mësuar të tjerëve këtë art. Sigurisht, meqë kjo praktikë ishte ende e paligjshme, ai kishte kujdes që të mos thoshte në publik se po jepte mësime për kapoeirën. Më 1937, pasi u miratua nga presidenti brazilian, Zhetulju Sargas, kapoeira fitoi statusin e një sporti autentik brazilian. Sot, kapoeira praktikohet nga rreth 2.500.000 brazilianë dhe mësohet në shumë institucione publike, si në shkolla, universitete dhe akademi ushtarake.

Valle popullore apo art marcial?

Ndonëse kapoeira ka lëvizje që e bëjnë të duket si valle, shumë e klasifikojnë atë si një art marcial. Augustu, i cili e ka mësuar kapoeirën nga i ati, është i bindur që «pavarësisht se është një lloj valleje, ajo nxit dhunën dhe shkel parimet e paqes dhe të dashurisë». Ai thotë: «Është e lehtë që në një çast zemërimi, kapoeirën ta përdorësh për të dëmtuar dikë.» Edhe kur ata që e ushtrojnë përpiqen të mos e prekin njëri-tjetrin, një lëvizje në çastin e gabuar mund të sjellë dëmtime të rënda.

Gjithashtu, shumë mendojnë se kapoeira ka edhe ngjyrime të forta fetare. Pedro Moris Trindade, mjeshtër i kapoeirës nga shteti i Bahias në Brazil, e përshkruan kapoeirën si «shkrirje midis trupit dhe mendjes». Ai shton: «Nëse e shihni kapoeirën thjesht si një sport, po e nënvlerësoni shumë historinë dhe filozofinë e saj.» Edmilsoni, i cili e praktikoi kapoeirën për tetë vjet në Niteroi të Rio-de-Zhanejros, thotë: «Disa shulas [këngë hyrëse] dhe rite të shoqëruara me kapoeirën, duket qartë se lidhen me spiritizmin.»

Pasi shqyrtuan me kujdes parimet biblike, Edmilsoni dhe Augustu, të përmendur më sipër, hoqën dorë nga kapoeira. Ata kuptuan se shëndeti i tyre fizik dhe frymor ishte tepër i çmuar dhe nuk duhej ta vinin në rrezik. Ndonëse dikur u pëlqenin lëvizjet e hijshme të kapoeirës dhe ritmi i saj që të bën për vete, ata kuptuan se ajo nuk përputhet me Biblën, e cila u mëson njerëzve ‘të mos mësojnë më luftën’.​—Isaia 2:4.

[Shënimi]

^ par. 8 Në portugalisht fjala kapoeira përdoret si për artin, ashtu edhe për njeriun që e ushtron.

[Figura në faqen 23]

Kapoeira ekzekutohet nën ritmin e «berimbaut» dhe «atabakës», vegla muzikore tradicionale braziliane