Lulet e qershisë: Petale të hijshme të admiruara prej kohësh
Lulet e qershisë: Petale të hijshme të admiruara prej kohësh
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Japoni
JAPONEZËT e kanë ngritur në qiell bukurinë e sakurës, qershisë japoneze, që nga lashtësia. Kaq shumë i admirojnë petalet e saj të hijshme, saqë lulet e qershisë mbahen si më të bukurat e të gjitha luleve e zënë një vend të veçantë në historinë dhe kulturën e Japonisë. Në fakt, në japonisht, në disa kontekste, fjala «lule» nënkupton lulet e qershisë. Për më shumë se një mijë vjet, japonezët i kanë parë me adhurim lulet e qershisë.
Pemë të panumërta qershie stolisin anekënd ishujt e Japonisë. Nuk ka nevojë të shkosh larg për të parë ndonjë prej afro 300 varieteteve që rriten në këtë vend. Zakonisht lulet kanë pesë petale me buzë të dhëmbëzuara, por disa varietete kanë edhe më shumë petale. Disa lule formojnë një lulesë. Ngjyra e petaleve mund të jetë si në të bardhë, mund të jetë rozë, madje edhe e kuqe e ndezur, pa harruar edhe nuancat e holla ndërmjet këtyre ngjyrave. Prej shumë kohësh, formën dhe ngjyrën e këtyre luleve i kanë quajtur simbol të pastërtisë e të thjeshtësisë.
Në kulmin e lulëzimit të saj, pema e qershisë të bën për vete. Të kredhura në rrezet e buta të diellit që depërtojnë midis reve, petalet e saj të hijshme kanë një shkëlqim ngjyrë rozë në të bardhë. Pemishtet me qershi janë edhe më magjepsëse për syrin.
Peizazh mahnitës
Vargmali Joshino ka qenë i famshëm për lulet e bardha të qershive. Në këtë zonë gjenden katër pemishte të mëdha që kanë më shumë se 100.000 rrënjë qershi. Një sektor është quajtur Hitoma Senbon, që do të thotë «një mijë pemë qershi me një vështrim». Dhe vërtet, deri aty ku të kap syri, shpatet e kodrave përreth shndritin nga lulet e bardha dhe duken sikur i ka mbuluar dëbora. E pra, nuk është aspak çudi që më shumë se 350.000 veta dynden çdo vit në këtë vend për të soditur këtë tablo të mrekullueshme.
Në varësi të sistemit se si janë mbjellë qershitë, mund të krijohen efekte mahnitëse. Për shembull, rreshtat paralele me pemë, degët e të cilave prekin njëra-tjetrën, krijojnë një ‘tunel me qershi’. Përfytyroni sikur mbi kokë t’ju varen një mori lulesh që krijojnë një kurorë ngjyrë rozë në të bardhë, ndërkohë që toka nën këmbët tuaja duket si e spërkatur me petale.
Gjithsesi, këto lule të hijshme nuk e kanë të gjatë jetën. Bukuria e tyre zgjat veçse dy ose tri ditë, madje në varësi të motit mund të zgjatë edhe më pak.
Hanami—Piknik nën qershi
Shpërthimi i luleve të brishta fillon gjatë janarit, në jug të arkipelagut japonez, në Okinava. Deri në fund të majit, si një valë, ai përparon drejt veriut, për në Hokaido. Kjo lëvizje njihet edhe si «vala e luleve të qershisë».
Televizioni, radioja, gazetat, e madje edhe Interneti, e informojnë hap pas hapi publikun se ku ka arritur vala e luleve. Lajmi për lulëzimin e qershive bën që miliona veta të vërshojnë turma-turma nëpër pikat nga ku mund t’i shohin.Zakoni i hanamit ose i «soditjes së luleve» vjen nga kohët e largëta. Edhe në këtë rast po flasim gjithnjë për lulen e qershisë. Që në epokën heiane, (794-1185), fisnikëria bënte festa për të admiruar sakurën. Më 1598, një komandant i lartë ushtarak, Hidejoshi Tojotomi, organizoi një festë për të soditur lulet e qershisë në tempullin e Daigojit në Kioto. Të gjithë zotërinjtë feudalë, si edhe njerëz të famshëm që ishin të ftuar, u mblodhën nën pemët e lulëzuara dhe recituan poezi ku lavdëronin lulet. Gratë zbukuroheshin me petka ku spikaste disenjoja elegante e sakurës.
Në periudhën e Idos (1603-1867) ky lloj argëtimi filloi të bëhej zakon edhe për njerëzit e thjeshtë. Edhe ata nisën të bënin piknikë nën kurorën e luleve të qershisë. Ata hanin, pinin, këndonin dhe vallëzonin ndërkohë që, bashkë me familjen dhe miqtë, kundronin lulëzimin e qershive. Zakoni i përhapur i hanamit ndiqet edhe sot e kësaj dite dhe mizëri njerëzish shkojnë larg zhurmës, në strehën e tyre të preferuar për të soditur me endje morinë e petaleve.
Një motiv i përhershëm
Motivi i përhershëm i sakurës është i ndërthurur në historinë dhe në kulturën japoneze. Ai gjendet me bollëk
në letërsi, poezi, teatër dhe muzikë. Gjatë shekujve, artistët e kanë pasqyruar bukurinë e luleve të qershisë në objektet e punuara, duke filluar që nga poçet e deri te grilat.Sakura gjeti vend edhe te samurajët. Meqë ishin plotësisht të përkushtuar ndaj zotërisë së tyre, prej tyre pritej që të jepnin jetën kurdo që të ishte nevoja. Samurajët i shihnin lulet e qershisë si një simbol që tregonte se sa e shkurtër është jeta. Lidhur me këtë, një enciklopedi, Kodansha Encyclopedia of Japan, thotë: «Meqë lulet e qershisë lulëzojnë veç për pak kohë dhe pastaj petlat e tyre bien, ato janë bërë edhe një simbol i përshtatshëm i asaj bukurie që admirohet nga japonezët, bukurisë jetëshkurtër.»
Ky komb vazhdon ta admirojë edhe sot sakurën. Kimonoja e hijshme shpesh ka në disenjo lulet e qershisë. Sakurat mund t’i shohësh edhe në artikujt shtëpiakë, në shalle e në veshje. Kjo lule pëlqehet kaq shumë, saqë prindërit me krenari u vënë vajzave të tyre të bukura emrin Sakura, për nder të luleve të qershisë.
Ndonëse duken të brishta për nga forma, lulet e qershisë janë mjaft të fuqishme sa për të ndikuar në kulturën e një kombi. Ato janë një shembull mahnitës i bukurisë plot hijeshi që shihet në kryeveprat e Krijuesit tonë.
[Kutia dhe figura në faqen 15]
Pema e qershisë
Druri cilësor që merret nga pema e qershisë mund të përdoret për të bërë klishe, mobilje dhe për gdhendje. Megjithatë, nuk është kjo arsyeja që pema e qershisë zë një vend të veçantë në Japoni. As nuk janë frutat e saj që e kanë bërë atë të famshme. Ndryshe nga kushërirat e saj në pjesë të tjera të botës, qershia japoneze rritet kryesisht për lulet e saj, të cilat kanë fituar zemrat e kaq shumë njerëzve.
Është e lehtë t’i shtosh qershitë, mjafton të mbjellësh fidanët. Prandaj, pemët e qershive janë mbjellë buzë lumenjve, buzë rrugëve kryesore dhe i gjen në sa e sa parqe dhe kopshte anembanë vendit.
[Kutia në faqen 15]
Stuhia e luleve të qershisë
Kur një mori petalesh bien nga pemët e qershive, krijohet një pamje e pashoqe dhe të duket sikur po bie dëborë në ngjyrë rozë. Papritur e pakujtuar, petalet shkëputen nga degët dhe gjithë delikatesë bien në tokë. Një shkulm i fortë ere rrëzon një mori lulesh dhe i shpërndan ato sa andej-këndej. Japonezët e quajnë këtë dukuri sakura fubuki ose stuhia e luleve të qershisë. Toka nën pemë mbulohet me një qilim të këndshëm ngjyrë rozë. Në natyrë janë të pakta peizazhet që të falin një qetësi të tillë si ajo që të dhurojnë këto petale të brishta të rëna përtokë.
[Figura në faqet 16, 17]
«Hanami»—piknik nën pemët e lulëzuara të qershive
[Figura në faqen 17]
Një ‘tunel me qershi’