Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbledhja e ujit të shiut: Në lashtësi dhe në ditët tona

Mbledhja e ujit të shiut: Në lashtësi dhe në ditët tona

Mbledhja e ujit të shiut: Në lashtësi dhe në ditët tona

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË INDI

PËR mijëra vjet i njëjti ujë është ricikluar duke avulluar në mënyrë natyrore nga toka dhe deti, si edhe duke formuar re dhe reshje. Ky sistem ekonomik siguron ujë me bollëk për këdo mbi tokë. Përse atëherë, njerëzimin po e pllakosin mungesa të mëdha uji? A ka ndonjë zgjidhje të mundshme? Në përgjigje të kësaj, le të shohim pak situatën e ujit në Indi.

Me një popullsi mbi një miliard banorë, India është e vetëdijshme se burimet e saj të ujit kanë arritur në një pikë kritike. Nga cilat burime sigurohet uji i Indisë? Në veriun e largët, shkrirja e dëborës dhe e akujve në malet e Himalajeve në pranverë, bën që lumenjtë të mbushen plot me ujë. Por pjesa më e madhe e nënkontinentit indian, varet nga shirat e musoneve vjetore. Ato ngopin me ujë tokën e thatë, mbushin puset dhe liqenet, dhe rritin nivelin e ujit të lumenjve të mëdhenj që i bien kryq e tërthor vendit. Në Indi, shirat e musoneve fillojnë papritur e papandehur. Ato përshkruhen si «një nga fenomenet më të vështirë për t’u kuptuar» dhe «me gjithë përparimet që janë bërë në teknologjinë moderne, që nga satelitët e deri te superkompjuterët e fuqishëm . . . , mund të jenë shumë të vështira për t’u parashikuar».

Një stinë e zakonshme e shirave musonike, zgjat nga tre deri në katër muaj. Por, në vend që të bien pak nga pak brenda kësaj periudhe, pjesa më e madhe e shirave bien në një kohë të shkurtër në formën e rrebesheve. Si pasojë, digat mbushen deri në fyt, dhe uji duhet të lëshohet se s’ka rrugë tjetër. Lumenjtë dalin nga shtrati i tyre duke përmbytur fushat dhe shtëpitë. Meqenëse industrializimi dhe urbanizimi modern ka shkaktuar një shpyllëzim të gjerë, shpesh nuk ka pemë të mjaftueshme që të mbajnë ujin e çmuar të shiut në rrënjët e tyre, dhe ta lënë atë gradualisht të përthithet nga toka. Kështu rrjedhat e ujit marrin me vete shtresën e dheut të shkrifët, duke gërryer tokën. Balta grumbullohet në liqenet dhe në pellgjet, duke i bërë kështu ato më të cekëta, dhe si pasojë mbajnë më pak ujë. Faktikisht, një sasi e konsiderueshme e ujit të shiut shkon dëm.

Pastaj, sezoni i musoneve mbaron. Tani çdo ditë e pjesës tjetër të vitit do të jetë me diell, duke bërë që muajt në vazhdim të jenë me një nxehtësi përvëluese. Shpejt toka thahet, fushat piqen dhe plasariten nga thatësira. Lumenjtë e rrëmbyeshëm shterojnë, dhe shihet vetëm shtrati i tyre me rërë. Ujëvarat zhduken. Puset shpohen thellë e më thellë për të gjetur ujë nga zonat e nëndheshme ujëmbajtëse, dhe ulet niveli i ujërave të burimeve të nëndheshme. Kur nuk ka shumë shira, nis thatësira, të korrat nuk bëhen, bagëtia ngordh dhe fshatarët shpërngulen nëpër qytete duke i shtuar edhe më problemet e ujit aty.

Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Në lashtësi, njerëzit nga e gjithë India, mësuan se nuk ishte zgjidhje t’i varnin plotësisht shpresat vetëm te lumenjtë dhe liqenet, të cilët mund të thaheshin kur të mos kishte më shira musonike. Ata nisën të mblidhnin ujin e shiut që ta përdornin pastaj për nevojat më urgjente gjatë thatësirës.

Nevojë për mbledhjen e shiut sot

Dikush mund të mendojë se me teknologjinë e sotme moderne dhe me ndërtimin e digave gjigante e të kanaleve ujitëse​—që janë me shumicë në Indi​—vështirë se banorëve të Indisë do t’u interesonte sistemi i lashtë i mbledhjes së ujit të shiut. Në fund të fundit, shumica e këtyre metodave dolën nga përdorimi kur njerëzit mund të merrnin ujë nga rubineti brenda në shtëpi ose në fshat. Megjithatë, ka arsye për t’u shqetësuar. Projektet e mëdha në administrimin e ujit gjatë 50 viteve të shkuara, nuk kanë mundur t’i përmbushin nevojat gjithnjë e në rritje të popullsisë dhe të një shoqërie që po ndryshon me ritme të shpejta nga një shoqëri pothuajse plotësisht bujqësore, në një shoqëri të industrializuar. Nuk është kursyer aq ujë sa duhet për të shuar etjen e popullsisë.

Tani ambientalistët dhe autoritetet që merren me këtë problem, e shohin të nevojshme t’i nxitin njerëzit që të kursejnë individualisht ujë. Është nxitur mbledhja e ujit të shiut nëpër shtëpi, fabrika, shkolla dhe kudo ku mund të mblidhet, sikur edhe pak. Për këtë arsye, shumë qytete dhe shtete e kanë bërë të detyrueshme që ndërtesat e reja të kenë ulluqe ku mund të grumbullohet uji i shiut.

Miliona litra ujë shiu bien në zona ku nuk ka kanalizime, dhe kështu uji avullon ose shkon deri në det. Kështu që, mbledhja e ujit të shiut kryhet nga vetë individët. Dhe ndryshe nga uji i digave dhe i kanaleve që për ta pasur duhet të paguash, dhe për një të varfër kjo është një barrë e rëndë, ky ujë është falas!

Ndërmarrin hapin të parët

Shumë njerëz të përgjegjshëm në Indi, janë përfshirë në programe që grumbullojnë rezerva të ujit. Disave u janë dhënë çmime ndërkombëtare, siç ishte rasti i Rajendër Singut, i cili në vitin 2001 mori çmimin e nderuar Magsaisai për zhvillimin e komunitetit. Duke punuar me një organizatë joqeveritare, të cilin ai e themeloi, Singu rigjallëroi lumin Aravari, në shtetin e Raxhastanit, që pothuajse ishte tharë fare. I solli dobi këtij shteti që ka 8 për qind të popullsisë së tërë Indisë dhe vetëm 1 për qind të burimeve të ujit. Brenda 15 vjetësh, grupi i Singut mbolli pemë dhe ndërtoi 3.500 joheda​—rezervuarë tipikë për të mbledhur ujin e shiut​—që u sollën begati fshatarëve vendës. Edhe të tjerë punojnë shumë për të grumbulluar ujë, ndonëse përpjekjet e tyre nuk bien shumë në sy, por ata janë të kënaqur që po japin ndihmesën e tyre.

Industrialistët po vërejnë dobitë që vijnë nga grumbullimi i ujit të shiut për të mbështetur furnizimin e qytetit me ujë. Në një fabrikë që ndodhet në periferi të Bangalurit, në jug të Indisë, u vendos një sistem i thjeshtë dhe jo shumë i shtrenjtë, që të grumbullonte ujin e shiut të mbledhur në çati. Uji i shiut, i cili më parë derdhej në rrugën kryesore dhe humbiste kot, tani me anë të kanaleve mblidhet në një rezervuar me kapacitet 42.000 litra ujë. Gjatë stinës së musoneve, 6.000 litra ujë shiu në ditë grumbullohen dhe filtrohen për t’u përdorur pastaj për të larë enët e kuzhinës dhe mensën e fabrikës. Uji i depozitës së qytetit nuk përdoret fare për këtë qëllim.

«Një pikë ujë në det»,​—mund të thoni ju. Por, imagjinoni sikur keni një llogari bankare ku depozitoni para një herë në vit. Për shpenzimet e përditshme ju duhet të tërhiqni nga këto para, por dalëngadalë ju tërhiqni më shumë nga ç’futni. Një ditë të bukur s’do të keni më kokërr leku në llogarinë tuaj. Por, nëse do të punoni disa muaj, me një pagë që jo vetëm ju del për të mbuluar shpenzimet e përditshme, por edhe ju tepron, atëherë llogaria juaj do të kishte një mundësi tjetër për t’u rimëkëmbur. Tani, zbatoni të njëjtin parim edhe për kursimin e ujit. Nëse shumëzoni kursimet tuaja të vogla miliona herë, çfarë do të dalë? Burime plot me ujë, një rritje në nivelin e ujërave të nëndheshme e të formacioneve ujëmbajtëse, dhe rezerva me ujë kur nuk ka më shira. Mbani mend se uji që kemi në dispozicion është i paktë, dhe nuk mund të ketë «tërheqje të kursimeve» kur nuk ka ujë në dispozicion.

Zgjidhja njëherë e përgjithmonë

Planeti ynë jo vetëm plotëson nevojat e banorëve të saj, por i siguron ato me bollëk. Megjithatë, me kalimin e shekujve, lakmia dhe dritëshkurtësia e njeriut kanë çuar në shkatërrimin e kushteve jetësore për miliona banorët e tokës. Me gjithë përpjekjet e sinqerta të individëve, është e qartë se njeriu nuk ka fuqi që të çrrënjosë plotësisht problemet e mjedisit në tokë. Sa të lumtur jemi që Krijuesi i tokës ka premtuar se ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’, dhe do të rivendosë ekuilibrin e qarkullimit të ujit. Kështu «do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar». Pa dyshim, «vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë, burim ujërash». Oh, sa freskues do të jetë uji i shiut atëherë!​—Zbulesa 11:18; Isaia 35:6, 7.

[Kutia dhe figurat në faqen 21]

Rikthehen metodat e lashta për mbledhjen e ujit të shiut

GRUMBULLIMI I UJIT TË ÇATISË: Thjesht dhe pa shpenzuar fare. Çatitë pak të pjerrëta bëjnë që uji të rrjedhë nëpër ulluqe, pastaj nëpër tuba dhe pastaj në enë metalike të bëra posaçërisht. Filtrat me rrjetë teli, me rërë, zhavorr dhe karbon, pastrojnë ujin. Më pas, uji kalon nëpër kanale për të shkuar në rezervuarë të nëndheshëm ose në sipërfaqe. Rezervuarët vulosen që të mos futet ajri, drita e diellit ose gjallesa. Trajtimi me sulfat alumini heq turbullirën dhe një pluhur dezinfektues ngordh bakteriet. Ky ujë mund të përdoret për të vaditur kopshtin, për t’i hedhur ujë banjës dhe për të larë rrobat. Nëse përpunohet më tej, ky ujë bëhet i pijshëm. Uji që tepron mund të mblidhet nëpër puse ose të drejtohet në nëntokë që të shtohen nivelet e ujërave. Kjo është metoda më e zakonshme që përdoret në qytet.

NAULAS: Mure prej guri për të bllokuar ujin, të ndërtuara përgjatë një rrëkeje uji. Pemët e mbjella buzë këtyre mureve bëjnë hije, dhe kështu pengojnë avullimin e ujit, kurse bimët mjekësore që hidhen brenda në rezervuarët e vegjël, dezinfektojnë ujin.

REZERVUARËT FILTRUES, RAPATS: Rezervuarë të vegjël ndërtohen në tokë ranore ose shkëmbore, për të grumbulluar ujin e shiut. Një pjesë e ujit përdoret, por pjesa tjetër që mbetet filtrohet nga shkëmbinjtë ose formacionet ujëmbajtëse, të cilat mbushin përsëri puset.

BHANDARAS: Rezervuarë të nëndheshme ndërtohen për të mbledhur ujin që vjen nga burimet. Me anë të kanaleve, uji drejtohet në rezervuarë ku ruhet që të përdoret për të plotësuar nevojat e qytetit.

QANATS: Disa puse të thella në zona kodrinore për të mbledhur ujin e shiut, i cili grumbullohet në disa kanale të hapura nëntokë. Pastaj, uji bën goxha rrugë të gjatë për të shkuar te puset, falë forcës së rëndesës.

SISTEM REZERVUARËSH: Uji i shiut nëpërmjet ulluqeve shkon në rezervuarë, e që andej vërshon nëpër një rrjet rezervuarësh të tjerë që gjenden në një nivel më poshtë se ata.

[Burimi]

Me mirësjelljen e: S. Vishwanath, Rainwater Club, Bangalur, Indi

[Burimi i figurës në faqen 19]

UN/DPI Fotografi nga Evan Schneider

[Burimi i figurës në faqen 20]

UN/DPI Fotografi nga Evan Schneider