Ndihmë për adoleshentët e sotëm
Ndihmë për adoleshentët e sotëm
SOT adoleshentët po rriten në një botë që ndonjëherë duket e frikshme. Disa prej tyre ndihen të pafuqishëm teksa shohin prindërit të ndahen ose të divorcohen. Të tjerë shohin se si shokët e shkollës i dorëzohen rrugës së rrezikshme të drogës dhe të krimit. Shumë hasin presione nga moshatarët e të dyja gjinive që të kryejnë marrëdhënie seksuale. Dhe pothuajse të gjithë adoleshentët kalojnë herë pas here periudha kur ndihen të keqkuptuar, të vetmuar dhe të trishtuar.
Për çfarë kanë nevojë adoleshentët që të përballojnë vështirësitë që hasin? «Fëmijët kanë nevojë për një tërësi vlerash morale të pandryshueshme —shkruan dr. Robert Shou,—për një pikë referimi ku mund të drejtohen të sigurt dhe që i ndihmon të zgjedhin shokët e duhur, të marrin vendime të drejta dhe të kuptojnë ndjenjat e të tjerëve.» S’ka burim më të mirë sesa Bibla për të gjetur norma morale, pasi aty janë mendimet e Krijuesit. E kush e di më mirë sesa Perëndia Jehova, se çfarë na duhet për të përballuar kohët e vështira që po jetojmë?
Një drejtim praktik dhe i dobishëm
Parimet e Biblës janë praktike dhe të dobishme. Ato janë të paçmuara për prindërit dhe për ata që duan t’i ndihmojnë adoleshentët të ecin mbarë drejt moshës së rritur.
Për shembull, në mënyrë realiste Bibla pohon se «marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës» ose siç përkthehet në Today’s English Version «fëmijët vetvetiu bëjnë budallallëqe dhe veprojnë pa u menduar». (Fjalët e urta 22:15) Disa adoleshentë duken të pjekur për moshën që kanë, por gjithsesi janë ende të rinj pa përvojë. Prandaj, ka të ngjarë të ndihen të pasigurt, të provojnë ndjenja që i mundojnë ose të kenë dëshira që janë pjesë e rritjes. (2 Timoteut 2:22) Si mund t’i ndihmojmë ata?
Bibla nxit komunikimin e rregullt ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Ajo i këshillon prindërit: «Do të flasësh për to [normat e Perëndisë] kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Biseda të tilla kanë dy të mira. Së pari, ato i mësojnë fëmijët të ecin në rrugët e Perëndisë. (Isaia 48:17, 18) Së dyti, bëjnë që prindërit dhe fëmijët të bisedojnë me njëri-tjetrin. Kjo është jetësore, sidomos gjatë adoleshencës, kur fëmijët mund të veçohen dhe të ndihen të vetmuar.
Sigurisht, shumica e adoleshentëve hera-herës kalojnë periudha vetmie. Megjithatë për disa, ndjenjat e vetmisë bëhen kronike. «Këta fëmijë thonë se e kanë të vështirë të zënë shokë në shkollë, nuk kanë me cilin të flasin, ndihen të vetmuar, e kanë të vështirë të fitojnë simpatinë e të tjerëve dhe mendojnë se nuk kanë te kush të shkojnë kur kanë nevojë për ndihmë»,—thotë një enciklopedi për adoleshentët. *
Prindërit dhe të rriturit që janë në merak për këtë problem, mund të interesohen për adoleshentët dhe t’i ndihmojnë ata që t’i mposhtin këto vështirësi. Si t’i ndihmojnë? «E vetmja mënyrë për të zbuluar se ç’po ndodh në mendjen e adoleshentëve është t’i pyesësh»,—shkruan kryeredaktorja e një reviste për adoleshentët. Kuptohet, duhet kohë dhe durim për t’i ndihmuar të rinjtë që të tregojnë se çfarë i mundon në zemër. Megjithatë ia vlen.—Fjalët e urta 20:5.
Nevoja për kufizime të arsyeshme
Përveç komunikimit, fëmijët kanë nevojë—dhe thellë brenda vetes dëshirojnë—që t’u vendosen kufizime të arsyeshme. Bibla thotë se «fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënën e vet». (Fjalët e urta 29:15) Specialistët mendojnë se mungesa e kufizimeve të përcaktuara qartë mund të jetë rrënja e kriminalitetit te të miturit. «Nëse fëmijës ia plotësojnë të gjitha tekat dhe nuk e dëgjon kurrë fjalën ‘jo’ ose nuk i vënë kufizime,—thotë dr. Shou i përmendur më sipër,—kurrë nuk do të ketë mundësi të mësojë se edhe të tjerët kanë jetën, ndjenjat, nevojat dhe dëshirat e tyre. Nëse te fëmija nuk zhvillohet vetëdija për të kuptuar ndjenjat e të tjerëve, nuk do të jetë në gjendje të dojë.»
Dr. Stanton Seimnau, i cili ka punuar për shumë vjet me të rinjtë problematikë, shpreh një mendim të ngjashëm. Ai shkruan: «Disa prindër mendojnë se fëmijët duhet të jenë shpirtra të lirë. Me naivitet, mendojnë se po t’i vënë detyrime ose kërkesa fëmijës do t’i vënë atij një barrë tepër të rëndë dhe do ta privojnë nga fëmijëria. Por, nëse ata nuk u vënë disa kufizime fëmijëve, kjo mund të ketë pasoja shkatërrimtare. Këta prindër nuk e kuptojnë që një vajzë ose një djalë që nuk disiplinohet mund ta ketë të vështirë që të zhvillojë vetëdisiplinë.»
A do të thotë kjo se mjafton që prindërit të jenë të rreptë? Patjetër që jo. Të vësh kufizime është vetëm një anë e përgjegjësisë për të qenë një prind i mirë. Po të vihen rregulla tepër të rrepta, në shtëpi mund të krijohet një atmosferë e rëndë. Bibla thotë: «Ju, etër, mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»—Kolosianëve 3:21; Efesianëve 6:4.
Prandaj, herë pas here, është e nevojshme që prindërit të analizojnë metodat që përdorin për të mësuar dhe për të disiplinuar fëmijët, sidomos ndërsa fëmijët rriten dhe fillojnë të japin shenja se po piqen. Mbase disa rregulla ose kufizime mund të zbuten a të modifikohen në përshtatje me aftësinë e fëmijës, që të tregojë se është i përgjegjshëm për hapat që bën.—Filipianëve 4:5.
Ndërtoni ura lidhëse
Siç u tregua në artikullin e mëparshëm, Bibla paratha që para se Perëndia të ndërhyjë dhe të zhdukë ligësinë, bota do të kalonte «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Dëshmitë tregojnë se po jetojmë në atë kohë, në «ditët e fundit» të këtij sistemi botëror të paperëndishëm. Të rinjtë, ashtu si të rriturit, duhet të luftojnë për të mbijetuar në një botë që karakterizohet nga njerëz që janë «të dashuruar pas vetes, . . . pa përzemërsi të natyrshme, . . . pa vetëkontroll».—2 Timoteut 3:1-5. *
Prindërit që e ndiejnë se i kanë humbur lidhjet me vajzën ose djalin e tyre adoleshent mund të bëjnë hapa për të ndërtuar «ura lidhëse», duke biseduar herë pas here. Është e lavdërueshme që shumë prindër po bëjnë mjaft përpjekje që të ndikojnë për mirë te fëmijët dhe që t’u qëndrojnë afër atyre.
Bibla jep një ndihmë shumë të çmuar në këtë drejtim. Ajo ka ndihmuar shumë prindër që të përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe i ka ndihmuar adoleshentët të shmangin gracka shkatërrimtare. (Ligji i përtërirë 6:6-9; Psalmi 119:9) Meqë Bibla vjen nga Krijuesi, Perëndia Jehova, mund të jemi të sigurt se ajo siguron ndihmën më të mirë për adoleshentët e sotëm. *
[Shënimet]
^ par. 8 E njëjta enciklopedi thotë se ndryshe nga adoleshentët që nganjëherë kalojnë periudha vetmie, ata të cilëve vetmia u është bërë kronike, ndihen të vetmuar shumicën e kohës, dhe kjo gjë vazhdon për një periudhë të gjatë. Ai ose ajo «mendon se fakti që nuk ka shokë është diçka që e shoqëron vazhdimisht, diçka që s’e ka në dorë, që vjen për shkak të dobësive të veta», dhe që kjo situatë «nuk mund ose nuk do të ndryshojë».
^ par. 16 Shih kapitullin 11 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 18 Dëshmitarët e Jehovait kanë parë që libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike është një ndihmë e madhe. Çdonjëri prej 39 kapitujve të tij, trajton pyetje që të vënë në mendime. Disa prej kapitujve janë: «Si mund të bëj shokë të vërtetë?» «Si mund t’u rezistoj presioneve të bashkëmoshatarëve?» «Si mund ta largoj vetminë?» «A jam gati për t’u shoqëruar me dikë të seksit të kundërt?» «Përse t’i them jo drogës?» «Marrëdhëniet seksuale para martesës»
[Figura në faqen 10]
Fol për shqetësimet e tua me një të rritur dashamirës