Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Shkenca dhe Perëndia U emocionova shumë kur lexova serinë «A mund t’ju ndihmojë shkenca të njihni Perëndinë?» (22 qershor 2004) I dërgova një kopje vëllait tim, i cili është shkencëtar i fizikës bërthamore. Siç tregohej edhe në këta artikuj, është plotësisht e vërtetë se brenda qarqeve shkencore, ekziston presioni nga kolegët për të qenë ateist. Besoj se ateizmi është bërë feja e botës shkencore, për shkak të keqinterpretimeve të mëdha të Biblës nga dogmatikët fetarë. Ju falënderoj shumë që trajtoni tema të tilla!
A. B., Shtetet e Bashkuara
Kjo seri ishte një tjetër margaritar. Ilustrimet e shkëlqyera na e përmirësuan kuptueshmërinë për katër forcat themelore që mundësojnë jetën në tokë. Gjithashtu, pyetjet që u drejtonit njerëzve fetarë zbuluan se sa të dobët janë ata kur bëhet fjalë për besnikërinë dhe modestinë ndaj Perëndisë. Ju lutem të pranoni falënderimet e mia për të gjithë serinë e këtyre artikujve.
F. U., Shtetet e Bashkuara
Konkordi Jam 16 vjeç. Dua t’ju falënderoj për artikullin «Konkordi bën fluturimin e fundit në historinë e aviacionit». (22 qershor 2004) Që i vogël, më kanë mahnitur këta «avionë të shpejtë». Mrekullohesh kur sheh se çfarë është në gjendje të ndërtojë njeriu, falë zgjuarsisë dhe mençurisë që i ka dhënë Perëndia!
T.D.K., Francë
Kam pasur rastin të fluturoj me Konkord. Veçanërisht jam kënaqur duke parë «lindjen» e diellit në Perëndim, pasi lamë Londrën në errësirën e mbrëmjes, dhe vetëm pas tre orësh mbërritëm në Nju-Jork, ku shkëlqente ende dielli i pasdites!
R. M., Shtetet e Bashkuara
Kur personi që po njihem më keqtrajton Faleminderit për artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si t’ia bëj që të mos më keqtrajtojë më?» (22 qershor 2004) Kam pasur një lidhje që ishte e dhembshme si fizikisht, edhe emocionalisht. Kisha frikë nga djali me të cilin po njihesha, dhe ngaqë nuk e shkëputja dot lidhjen me të, ai vazhdonte të më keqtrajtonte. Më në fund, munda t’i jepja fund kësaj lidhjeje me ndihmën e prindërve, mbikëqyrësve të krishterë dhe Perëndisë Jehova. Ata që kanë nevojë për ndihmë do të nxjerrin shumë dobi nga ky artikull.
XH. A., Shtetet e Bashkuara
Shpresoj se ky artikull do të jetë tamam në kohën e duhur për ndonjë që po mendon të martohet me dikë që e keqtrajton. Keqtrajtimi me fjalë, emocionalisht dhe fizikisht, nuk duhet lejuar që në fillim. Unë nxora mësim duke e hequr në kurrizin tim.
T. G., Kanada
Shefi i ri Për pesë vjet punova për një njeri të sjellshëm dhe të dhembshur. Pastaj, kompania u shit dhe në këtë detyrë erdhi një shef i ri. U bëra shënjestra e shpotive të tij. Çdo ditë duhet të duroja poshtërimin, fyerjet dhe gënjeshtrat. Isha shumë e stresuar. Në këtë kohë mora revistën e 8 majit 2004, me serinë «Viktimë në vendin e punës: Ç’mund të bëni?» Lashë një kopje mbi tavolinë, ku ai mund ta shihte dhe ta lexonte, nëse donte. Dhe në fakt e lexoi. Që nga ajo kohë, sjellja e tij ka ndryshuar jashtëzakonisht. Nuk më bie më në qafë. Madje, më thotë se ia kam marrë shumë mirë dorën punës. Çfarë lehtësimi!
K.D.A., Bregu i Fildishtë
Vetmia Seria e artikujve «Vetëm, por jo të vetmuar» ishte fantastike. (8 qershor 2004) Në veçanti më pëlqyen sugjerimet te kutia në faqen 7, që titullohej «Ç’mund të bësh kur ndihesh i vetmuar?» Kam zbatuar shumë nga këto sugjerime dhe e di se do të jenë një ndihmë e madhe edhe për të tjerët.
E. M., Shtetet e Bashkuara