Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Gjenden krokodilë të bardhë
«Autoritetet e pyjeve në Parkun Kombëtar Bitërkanika, në Orisa, kanë gjetur 15 krokodilë të bardhë të rrallë . . . gjatë regjistrimit vjetor të krokodilëve»,—thotë gazeta indiane The Hindu. Krokodilët e bardhë janë shumë të rrallë dhe «nuk gjenden në asnjë vend tjetër të botës». Për shkak të gjuetisë pa leje, në vitet 70 të shekullit të kaluar, krokodilët e ujërave të kripura ishin në prag të zhdukjes. Por qeveria e këtij shteti, me ndihmën e programeve të Kombeve të Bashkuara, nisi një projekt për rritjen e krokodilëve brenda një parku. Sasia e madhe me pemë nga familja e rizoforeve, uji i pastër, ushqimi me bollëk dhe ndërhyrja e paktë e njeriut në dëm të tyre, bënë që programi i shtimit të racës së këtyre krokodilëve të dilte me sukses. Sipas gazetës The Hindu, tani në park ka rreth 1.500 krokodilë me ngjyrë të zakonshme të lëkurës, si edhe me ngjyrë të bardhë.
Duhani, varfëria dhe sëmundjet
«Organizata Botërore e Shëndetit (WHO) informon se pothuajse 84 për qind e duhanpirësve jetojnë në vendet e varfra, ku duhani dhe varfëria janë bërë një rreth vicioz»,—pohon gazeta spanjolle Diario Medico. Për më tepër, në çdo vend «ata që pinë më shumë duhan dhe që kanë si pasojë më shumë probleme, i përkasin shtresës më të varfër të popullsisë». Gazeta raporton se ndonëse në shumë vende të zhvilluara pirja e duhanit është pakësuar, kudo përreth botës ky është bërë «faktori i katërt më i madh që shkakton sëmundje». Në Spanjë, ku shifra vjetore e vdekjeve të shkaktuara nga duhani ka arritur në 60.000, pirja e duhanit është bërë «shkaku kryesor i sëmundjeve, invaliditetit dhe vdekjeve të shmangshme».
Delet mbajnë mend fytyrat
«Kemi zbuluar se delja mund të njohë të paktën fytyrat e 50 deleve të tjera dhe të 10 njerëzve»,—shkruan neurobiologu Këth Kendriku, në New Scientist. Kendriku dhe grupi i tij i punës, zbuluan se pasi i pa 60 fytyrat për disa javë, delja i mbante mend të gjitha ato «për të paktën dy vjet». Jo vetëm që i njihnin fytyrat, por njësoj si njerëzit, ishin në gjendje të «kuptonin ndjenjat e tyre nga shprehjet e mimikës». Gazeta raporton se delet «mund të dallojnë shprehjet e ndryshme të fytyrës së njerëzve dhe mund të vënë re ndryshimet në fytyrat e deleve të shqetësuara. Gjithashtu, ato pëlqejnë më shumë fytyrat e qeshura sesa ato të inatosura». Studiuesit zbuluan se «fytyra e bariut mund të klasifikohet njësoj si fytyra familjare e një pjesëtari tjetër të tufës». Kendriku thotë: «Njerëzit miqësorë bëhen delet më të nderuara të tufës. Kjo tregon se delet kanë një lidhje të ngushtë me bariun.»
Ndotja nga efekti serrë në Australi
«Nga të gjitha vendet industriale, Australia lëshon më shumë gaze që shkaktojnë efektin serrë për person»,—pohon Instituti Australia. Gjatë vitit 2001, Australia prodhoi mesatarisht 27,2 tonë dyoksid karboni për person dhe gaze të tjera që shkaktojnë efektin serrë. Një raport nga instituti që përmendëm më lart, pohon se kjo shifër kaq e lartë, është pasojë e prodhimit të energjisë elektrike nga djegia e qymyrit dhe nga tymrat që lëshojnë automjetet, si edhe nga prodhimi i aluminit. Pas Australisë, shtetet e tjera që kishin sasinë më të lartë për person të lëshimit të gazeve që shkaktojnë efektin serrë, ishin Kanadaja (22 tonë) dhe Shtetet e Bashkuara (21,4 tonë). Letonia raportoi shifrën më të ulët për 2001-shin, 0,95 tonë gaze të efektit serrë për person. Sipas raportit, ndonëse popullsia e Australisë është e vogël, totali i shpërndarjes së gazit të efektit serrë «e tejkalon atë të vendeve evropiane si Franca dhe Italia (secila ka një popullsi gati sa trefishi i popullsisë së Australisë)».
Bilbilat në garë me zhurmën e trafikut
«Kur zhurma e trafikut shtohet, bilbilat këndojnë me zë gjithnjë e më të lartë»,—pohon gazeta gjermane Berliner Zeitung. Një studim i drejtuar nga Henrik Brumi, i Institutit të Biologjisë në Free University të Berlinit, zbuloi se volumi i këngëve, që kanë si synim të përcaktojnë territorin e zogut dhe për të tërhequr femrat, ndryshonte deri në 14 decibel dhe varej nga niveli i zhurmave përreth. «Mund të mos na duket ndonjë ndryshim kushedi,—thotë Brumi,—megjithatë ky ndryshim korrespondon me një rritje pesë herë të presionit të tingullit, që do të thotë se presioni në mushkëritë e zogut bëhet pesë herë më i lartë.» Në lagjet ku nuk ka shumë zhurmë trafiku, këngët e zogjve që u regjistruan ishin 75 decibel. Por në zonat me trafik të dendur, zogjtë këndonin deri në 89 decibel. «Ajo që i habiti edhe më shumë shkencëtarët,—pohon gazeta,—ishte fakti se zogjtë duket se përshtaten me situatën çdo ditë sipas zhurmës së trafikut. Në fundjavë, kur ka pak trafik, zogjtë këndonin rregullisht më lehtë sesa gjatë javës.»
Krimi në shkollat polake
«Njëzetmijë grabitje u bënë në shkollat [polake]» në 2003-shin, siç raportohet në gazetën Zwierciadło të Polonisë. Ajo shton se «80 për qind të nxënësve [polakë] nuk u pëlqen të shkojnë në shkollë, sepse ndihen të vetmuar dhe e kanë të vështirë të shkojnë mirë me mësuesit dhe nxënësit e tjerë». Pse lindin gjithë këto probleme? «Shkollat nuk janë të izoluara nga ndikimet që vijnë jashtë ambientit të tyre. Ato janë një pasqyrim i asaj që ndodh në shoqëri,—thotë punonjësi i shëndetit mendor Vojçek Ikelbergeri. —Jemi ne që krijojmë standardet për sjelljen dhe vlerat e pranueshme shoqërore, që ndikojnë edhe te shkollat.» Ikelbergeri rekomandon se që ta përballojnë problemin, prindërit duhet të kalojnë kohë me fëmijët, dhe t’ua bëjnë të qartë atyre se janë të rëndësishëm për ta.
Luftë për paraqitjen e jashtme
«Adoleshentët—sidomos vajzat—që në moshë të njomë shqetësohen jashtë mase për paraqitjen e tyre, dhe kjo mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin»,—thotë gazeta kanadeze Globe and Mail. Vajza të moshave nga 10 deri në 14-vjeçare, u pyetën lidhur me zakonet e tyre në të ngrënë, dhe mbi 2.200 prej tyre u përgjigjën. Gazeta Globe raporton në lidhje me përgjigjet e tyre: «Më pak se 7 për qind e vajzave ishin mbipeshë, por më shumë se 31 për qind prej tyre e përshkruan veten si ‘shumë të shëndosha’ dhe 29 për qind thanë se po mbanin dietë që të binin nga pesha.» Përse vajzat e shëndetshme duan të dobësohen? Sipas gazetës, fajin më të madh e kanë të rriturit me shembullin që lënë, pasi vetë ata mbajnë vazhdimisht dieta të tilla dhe i vënë në lojë njerëzit e shëndoshë. «Gjithashtu, media luan një rol të madh duke ndikuar te sjellja e të rinjve, duke reklamuar vazhdimisht modele shumë të dobëta»,—thotë Globe. Dr. Gal Mekvi, një shkencëtare në spitalin e Torontos për Fëmijët e Sëmurë, thekson se fëmijët, prindërit dhe mësuesit duhet të kuptojnë se «shtimi në peshë është normal dhe i nevojshëm për fëmijët që po hyjnë në moshën e adoleshencës».