Streset e adoleshentëve sot
Streset e adoleshentëve sot
ADOLESHENCA mund të jetë një periudhë e trazuar, madje edhe në kushtet më të mira. Gjatë pubertetit, adoleshentët bombardohen nga ndjenja dhe emocione të reja. Ata përballojnë strese të përditshme nga mësuesit dhe moshatarët. Gjithashtu janë nën ndikimin e vazhdueshëm të televizorit, kinemasë, muzikës dhe të Internetit. Prandaj një raport i Kombeve të Bashkuara e përshkruan adoleshencën si «një periudhë kalimtare që zakonisht karakterizohet nga stresi dhe ankthi».
Mjerisht, adoleshentët shpesh nuk kanë përvojë për ta përballuar siç duhet stresin dhe ankthin. (Fjalët e urta 1:4) Pa drejtimin e duhur, ata fare lehtë mund t’i hyjnë një rruge me pasoja shkatërrimtare. Për shembull, raporti i Kombeve të Bashkuara thotë: «Studimet tregojnë se shpesh të rinjtë fillojnë të abuzojnë me drogën gjatë adoleshencës ose në vitet e para të moshës së rritur.» E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sjellje të tjera të gabuara të tilla, si dhuna dhe marrëdhëniet seksuale me shumë partnerë.
Prindërit që nuk i marrin seriozisht këto gjëra, duke menduar se ndodhin vetëm te «të varfrit» ose te disa grupe etnike, shpesh bëjnë një gabim për të cilin më vonë pendohen. Problemet që po kalojnë të rinjtë sot i kapërcejnë kufijtë ekonomikë, shoqërorë dhe racialë. «Në rast se ‘kriminelin e mitur’ e mendoni vetëm si një djalë 17-vjeçar, i cili vjen nga grupet e pakicave që jetojnë në lagjet e varfra dhe me nam të keq, nëna e varfër e të cilit mbahet me asistencë, nuk jeni treguar të vëmendshëm me atë që po ndodh kohët e fundit,—shkruan Skot Uollteri.—Sot fëmija problematik mund të jetë i bardhë, mund të vijë nga një familje e shtresës së mesme ose të lartë, mund të jetë më i vogël (shumë më i vogël) se 16-vjeç dhe fare mirë mund të jetë edhe një vajzë.»
Megjithatë, përse kaq shumë adoleshentë rrezikojnë të futen në telashe? A nuk hasën vështirësi e tundime edhe të rinjtë e brezave të kaluar? Është e vërtetë, por ne po jetojmë në një periudhë që Bibla e përshkruan si «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1-5) Disa rrethana dhe probleme që hasin adoleshentët, po shfaqen vetëm në këtë kohë të veçantë të historisë. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.
Ndryshime në familje
Për shembull, le të shqyrtojmë se si kanë ndryshuar rrethanat në familje. «Më shumë se një e treta e fëmijëve amerikanë përjetojnë divorcin e prindërve para se të mbushin 18 vjeç»,—thuhet
në Revistën e Psikologjisë Mësimore (anglisht). Statistika të ngjashme vijnë edhe nga vende të tjera perëndimore. Meqë martesa e prindërve prishet, shpesh fëmijëve u duhet të përballojnë ndjenja që i mundojnë. «Në përgjithësi,—thotë revista e mësipërme,—fëmijët që kanë përjetuar ndarjen e familjes së afërmi, kanë më shumë vështirësi në mësime dhe në marrëdhëniet shoqërore në shkollë, sesa fëmijët që vijnë nga familje të bashkuara, nga familje me një prind, por që janë të qëndrueshme, ose nga familjet me njerk. . . . Gjithashtu, shpesh divorci i prindërve ndikon në qëndrueshmërinë emocionale të fëmijës dhe në ndjenjën e respektit për veten.»Ndryshime në familje ka sjellë edhe fakti që gjithnjë e më shumë gra po hyjnë në punë. Në një studim rreth krimeve të kryera nga të miturit në Japoni, thuhej se e kanë më të vështirë që të kujdesen për fëmijët familjet ku të dy prindërit punojnë, sesa familjet ku njëri nga prindërit rri në shtëpi.
Është e vërtetë që shumë familje kanë nevojë për dy rroga që të sigurojnë vetëm gjërat e nevojshme të jetesës. Gjithashtu me dy burime të ardhurash, fëmijëve mund t’u krijohen kushte më të mira. Por kjo gjë ka edhe të keqen e saj: miliona fëmijë e gjejnë shtëpinë bosh kur vijnë nga shkolla. Kur prindërit kthehen në shtëpi, shpesh janë të lodhur dhe të shqetësuar nga problemet e punës. Cila është pasoja? Shumë adoleshentëve po u kushtohet më pak vëmendje nga prindërit. Një adoleshent tha me keqardhje: «Në familjen time nuk kalojmë kohë bashkë.»
Shumë vëzhgues mendojnë se kjo nuk është shenjë e mirë për të ardhmen e fëmijëve. «Mendoj se ndryshimet që ka pësuar gjatë tridhjetë viteve të fundit mënyra se si prindërit kujdesen për fëmijët, i shtyn fëmijët të mos lidhen me familjen, të mos komunikojnë, të kenë vështirësi në mësime dhe të dalin jashtë kontrollit,—thotë
dr. Robert Shou.—Prindërit bëhen skllevër të një shoqërie materialiste që ushqen ambicien. Kjo shoqëri i bën të harxhojnë kaq shumë orë në punë dhe kaq shumë para, saqë nuk u del koha të bëjnë çka nevojitet për t’u lidhur me fëmijët e tyre.»Një rrezik tjetër për adoleshentët është se fëmijët që i kanë prindërit në punë shpesh kalojnë shumë kohë pa mbikëqyrje. Kur mungon mbikëqyrja e duhur nga prindërit, shtohen gjasat që fëmijët të futen në telashe.
Pikëpamje të ndryshme për disiplinën
Te të rinjtë e sotëm ka ndikuar edhe ndryshimi i pikëpamjeve për disiplinën që prindërit duhet t’u japin fëmijëve. Siç e tha hapur edhe dr. Ron Tafeli, shumë prindër «heqin dorë nga autoriteti i tyre». Kur ndodh kjo, rregullat ose udhëzimet që u jepen fëmijëve gjatë rritjes, për të ndrequr sjelljen e tyre, janë të pakta ose mungojnë fare.
Me sa duket, në disa raste, prindërit reagojnë ndaj përvojave të pakëndshme të fëmijërisë së tyre. Ata duan të jenë shokë me fëmijët e tyre, jo prindër autoritarë. Një nënë pohon: «Isha tepër tolerante. Prindërit e mi kishin qenë shumë të rreptë; doja të sillesha ndryshe me fëmijën tim. E kisha gabim.»
Deri ku arrijnë disa prindër vetëm e vetëm që të mos tregohen të rreptë? Gazeta USA Today thotë: «Një sondazh me afro 600 adoleshentë në Nju-Jork, Teksas, Florida dhe në Kaliforni, të cilët po trajtoheshin për varësi nga droga, tregoi se 20% e tyre kishin pirë drogë me prindërit dhe gati 5% e adoleshentëve thanë se dozën e parë të drogës, zakonisht marihuanë, ua kishte dhënë mami ose babi.» Çfarë do ta shtynte prindin që të bënte një veprim kaq të papërgjegjshëm? Një nënë pranoi: «I thashë sime bije që më mirë ta merrte drogën në shtëpi ku mund ta kisha para syve.» Siç duket, prindër të tjerë mendojnë se të pinë drogë bashkë me fëmijët, është një mënyrë për «t’u lidhur» me ta.
Të bombarduar nga media
Veç të tjerave është edhe ndikimi i fuqishëm i medias. Sipas studiueses Marita Moll, nga një anketë u zbulua se në Shtetet e Bashkuara, adoleshentët kalojnë mesatarisht katër orë e 48 minuta para televizorit ose kompjuterit.
A është medoemos e dëmshme një gjë e tillë? Një artikull i botuar në revistën Science thoshte se «gjashtë shoqëritë më të mëdha profesionale në Shtetet e Bashkuara», përfshirë edhe Shoqatën e Mjekëve Amerikanë, nxorën njëzëri përfundimin se dhuna që tregohet në Media ka lidhje me «sjelljen agresive të disa fëmijëve». «Pavarësisht se specialistët janë të një mendimi,—thoshte revista Science,—siç duket, njerëzit e thjeshtë nuk po e kuptojnë mesazhin që vjen nga shtypi, e cila tregon se dhuna që shfaqet në Media nxit një shoqëri më të dhunshme.»
Për shembull, le të marrim videoklipet. Shpesh prindërit shtangen kur shohin se me sa hollësi dhe sa hapur i paraqesin skenat me seks disa nga këto videoklipe. A mund të ndikojnë vërtet ato në sjelljen e disa adoleshentëve? Sipas një studimi me 500 nxënës të shkollave të mesme «tekstet e këngëve ku flitet për dhunën nxitin mendime dhe ndjenja agresiviteti». Sipas një studimi tjetër të kohëve të fundit, «adoleshentët,
që kalojnë më shumë kohë duke parë skenat me seks e dhunë që shfaqen në . . . videoklipet e muzikës rep, ka më shumë të ngjarë që të sillen njësoj edhe në jetën reale». Ky studim me më shumë se 500 vajza tregoi se ato që shihnin shumë videoklipe të tilla, ishin më të prirura që të goditnin mësuesit, të arrestoheshin dhe të kishin marrëdhënie seksuale me shumë partnerë.Adoleshentët dhe kompjuterët
Vitet e fundit edhe kompjuteri ka luajtur një rol kryesor në modelimin e mendjes së të rinjve. «Dhjetëvjeçarët e fundit, numri i kompjuterëve personalë nëpër familje është rritur ndjeshëm,—thotë revista Pediatria (anglisht).— Anembanë vendit [në Shtetet e Bashkuara], dy të tretat e familjeve me një fëmijë në moshën shkollore (6-17-vjeçare) kishin një kompjuter. . . . Në Shtetet e Bashkuara, përqindja e fëmijëve nga 3 deri në 17 vjeç, të cilët jetonin në një shtëpi ku kishte kompjuter, u rrit nga 55% në vitin 1998 në 65% në vitin 2000.» Kompjuteri po përdoret më shumë edhe në vende të tjera.
Gjithsesi fëmijët nuk kanë nevojë medoemos të kenë vetë kompjuter që të dinë si ta përdorin. Një studiues thotë se «rreth 90% e fëmijëve 5-17-vjeçarë përdorin kompjuterin, dhe 59% e tyre përdorin Internetin». Kjo u jep fëmijëve një mundësi të paparë për të marrë informacione. Nëse kompjuteri përdoret me mençuri dhe fëmijët mbikëqyren si duhet nga të rriturit, është gjë e mirë. Por, mjerisht, mjaft prindër i kanë lejuar fëmijët që ta përdorin pa asnjë kufizim këtë mjet.
Si një provë për këtë fakt, në revistën edukuese Phi Delta Kappan, studiuesja Moll shkruan se sipas një ankete të vitit 2001 rreth përdorimit të Internetit, «71 për qind e prindërve mendonin se dinin ‘goxha ose mjaftueshëm’ për përdorimin e Internetit nga fëmijët e tyre. Por, kur fëmijëve iu bë e njëjta pyetje, 70% thanë
se prindërit e tyre dinin ‘shumë pak ose nuk e kishin idenë’ se çfarë bënin ata kur futeshin në Internet». Sipas këtij sondazhi, «30% e fëmijëve të moshës 9-10-vjeçare thanë se ata hynin në chat-et private dhe në ato që ishin vetëm për të rriturit. Problemi bëhet edhe më serioz, pasi edhe 58% e 11-12-vjeçarëve, 70% e 13-14-vjeçarëve dhe 72% e 15-17-vjeçarëve thanë se bënin të njëjtën gjë. . . . Gjatë një sondazhi në Britani për përdorimin e Internetit në shtëpi, një në shtatë prindër pranuan se nuk e kishin fare idenë se çfarë shihnin fëmijët e tyre në Internet».Kur fëmijët enden të pambikëqyrur nëpër faqet e Internetit mund të shohin edhe pornografi. Megjithatë, rreziqet nuk mbarojnë me kaq. Tafeli, i përmendur më sipër, thotë me keqardhje: «Fëmijët tanë po zënë shokë në shkollë dhe në Internet, dhe si pasojë e kalojnë kohën me fëmijë që ne shpesh nuk i takojmë dot.»
Është e qartë se adoleshentët e sotëm përballen me presione dhe probleme që brezat e mëparshëm nuk i njihnin. Pra, nuk është çudi që shumë adoleshentë po hapin telashe. A mund të bëhet diçka për t’i ndihmuar ata?
[Diçitura në faqen 6]
«Mendoj se ndryshimet që ka pësuar gjatë tridhjetë viteve të fundit mënyra se si prindërit kujdesen për fëmijët, i nxit fëmijët të mos lidhen me familjen, të mos komunikojnë, të kenë vështirësi në mësime dhe të dalin jashtë kontrollit.»—DR. ROBERT SHOU
[Figura në faqen 6]
Ndryshime në familje ka sjellë edhe rritja e numrit të grave që po hyjnë në punë
[Figura në faqen 7]
Adoleshentët e pambikëqyrur mund të futen kollaj në telashe
[Figura në faqen 8]
Studiuesit e kanë lidhur dhunën që shfaqet në videoklipe me sjelljen e dhunshme
[Figura në faqen 9]
A e dini se çfarë shohin fëmijët tuaj në Internet?