Veçori mahnitëse të kalendarit maja
Veçori mahnitëse të kalendarit maja
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë
PËR popullsinë e lashtë maja, * llogaritja e kohës ishte shumë e rëndësishme. Bindja që kishin për ngjarje të cilat përsëriteshin në cikle të caktuara kohe, pasqyrohej te kalendarët e tyre.
Ai që disa studiues e quajnë kalendari tsolkin (numërimi i ditëve), përbëhej nga një cikël prej 260-ditësh, i cili ndahej në 13 periudha të përcaktuara. Çdo periudhë zgjaste 20 ditë dhe çdo ditë kishte emrin e saj, të ndryshëm nga të tjerat. Majat përdornin këtë kalendar për të mbajtur ritualet e tyre të zakonshme dhe për të parashikuar të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, krahas kalendarit që përdorej për ritualet, përdorej edhe kalendari haab, ose i zakonshmi. Ky ishte një kalendar diellor prej 365-ditësh. Kishte 19 muaj, 18 prej të cilëve ishin me nga 20 ditë; njëri kishte vetëm pesë ditë, dhe kështu plotësohej totali prej 365 ditësh. Për të organizuar punët në bujqësi dhe në jetën e përditshme, ata bazoheshin në këtë kalendar diellor vjetor. Majat i bashkuan të dy këta kalendarë në një të vetëm, dhe këtë kërkuesit e quajnë Kalendari i Rrumbullakët, ngaqë ndërtohet me elementë të të dy kalendarëve. Duheshin 52 vjet që ky cikël gjigant ditësh të ripërsëritej. *
Nuk është gjetur asnjë kalendar maja i plotë. Shkencëtarët kanë kuptuar si funksionon ky sistem kalendarik, duke deshifruar ata pak libra të majave që kanë mbijetuar, dhe duke studiuar hieroglifet e pllakave përkujtimore dhe monumentet.
Sot, pas disa shekuj kërkimesh, ekspertët gjejnë ende kënaqësi kur studiojnë kalendarin e majave. Ai ka shumë pjesë të ndërlikuara, si për shembull, llogaritjen e saktë të gjatësisë së vitit diellor dhe përpilimin me një përpikëri të jashtëzakonshme të hartave të ciklit hënor dhe planetar. Po, të gjitha këto janë matur me mjaft mjeshtëri nga majat e lashtë, të cilët e llogaritnin me saktësi kohën.
[Shënimet]
^ par. 3 Shih artikullin «Majat—Dje dhe sot», në revistën Zgjohuni! të shtatorit 2001.
^ par. 5 Përveç këtyre, majat përdornin edhe kalendarin Numërimi i Gjatë, i cili në thelb ishte një llogaritje e vazhdueshme e ditëve që fillonte nga një datë e lashtë fikse.
[Diagrami dhe figurat në faqen 31]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Tsolkin Haab
6 Kaban 5 Pop
Data e rrethuar në pllakën përkujtimore sipër, është 6 kaban 5 pop dhe korrespondon me 6 shkurtin e vitit 752 të e.s.
[Diagrami dhe figurat në faqen 31]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
0 1 5
Majat kombinonin tri simbolet e sipërme për të përfaqësuar çdo numër.
0 1 2 3 4
5 6 7 8 9
10 11 12 13 14
15 16 17 18 19
Një periudhë e kalendarit tsolkin ka 20 ditë, secila me emrin e vet, ndryshe nga kalendari i sotëm që ka emra vetëm për 7 ditë. Poshtë janë disa nga simbolet
Disa simbole (hieroglife) për 19 muajt e kalendarit haab
[Burimet e figurave në faqen 31]
Lart në të djathtë dhe fotografia e vogël: HIP/Art Resource, NY; hieroglifet: An Introduction to the Study of the Maya Hieroglyphs/Sylvanus Griswold Morlay/Dover Publications