Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«A duhet të nis një lidhje romantike në Internet?»

«A duhet të nis një lidhje romantike në Internet?»

Të rinjtë pyesin . . .

«A duhet të nis një lidhje romantike në Internet?»

«I dërgonim mesazhe njëri-tjetrit në Internet, çdo ditë. Bënim plane ku do të jetonim dhe ku do të punonim. Unë do të merresha me unazat e fejesës. S’kishim as një muaj që po e njihnim njëri-tjetrin dhe as nuk ishim takuar ballë për ballë.»​—Monika, Austri. *

NDOSHTA do të doje të takoje dikë, ta njihje dhe pse jo, të martoheshit. Por, mbase deri tani nuk e ke gjetur ende këtë njeri. Përpjekjet e dashura të miqve dhe të familjarëve për të të njohur me dikë, mbase vetëm sa të kanë vënë në siklet dhe të kanë shkurajuar akoma më shumë. Ka të ngjarë që je duke menduar se ç’të keqe ka të shfrytëzosh ndihmën që të ofron teknologjia.

Në këtë shekull ku shumë veta përdorin kompjuterin, të gjesh një bashkëshort të përshtatshëm duket sikur është fare e lehtë, mjaft që të klikosh disa herë mausin. Gjithçka që duhet të bësh, është të hysh në një faqe Interneti ose në një çat rum që është përgatitur enkas për beqarët. Gazeta The New York Times raporton se brenda një muaji, vetëm në Shtetet e Bashkuara, 45 milionë veta u futën në këto site të Internetit. Një shërbim Interneti që përpiqet të rregullojë lidhje romantike, thotë se ka më shumë se nëntë milionë njerëz në 240 vende, që përdorin shërbimin që ofron ai.

Pse lidhjet në Internet janë kaq joshëse?

A je i ndrojtur, dhe e ke të vështirë t’i takosh të tjerët? A ke frikë se mos të refuzojnë? Apo thjesht mendon se aty ku jeton nuk ka bashkëshortë të mundshëm për ty? Në këtë rast, një lidhje nëpërmjet kompjuterit mund të të joshë. Një aspekt që të pëlqen te shërbimet e këtyre faqeve në Internet, është që të sigurojnë se mund t’i njohësh mirë ata me të cilët do të komunikosh. Në ekranin e kompjuterit janë disa dritare që shfaqen dhe të tregojnë moshën e personave, vendin ku banojnë, disa të dhëna që përshkruajnë personalitetin e tyre, fotografitë dhe pseudonimet që përdorin për të hyrë në këtë shërbim. Duke qenë se këtu ti ke mundësinë të zgjedhësh, ka të ngjarë që të të duket sikur takimet në Internet janë më efikase dhe më pak stresuese sesa takimet ballë për ballë.

Kush është e vërteta që fshihet pas gjithë kësaj? A është e vërtetë se mund ta gjesh lumturinë e pafundme në një lidhje në Internet? Po ja, merrni parasysh këtë fakt: gjatë një periudhe gjashtëvjeçare, një shërbim që ofron të tilla lidhje romantike, pati 11 milionë anëtarë. Megjithatë, vetëm 1.475 martesa u kryen midis tyre. Një tjetër shërbim me më shumë se një milion anëtarë, renditi vetëm 75 martesa. Çfarë nuk shkon në të vërtetë?

Një prezantim i sinqertë nga të dyja palët?!

«Në Internet,​—thotë një artikull në një gazetë,​—çdo njeri priret të jetë tërheqës, i ndershëm dhe i suksesshëm.» Por sa i vërtetë është informacioni që të tjerët japin për veten? Një tjetër artikull pohon kështu: «Është normale që të gjithë të gënjejnë nga një çikë.» Botuesja e një reviste shumë të njohur për adoleshentët, bëri vetë disa kërkime për të parë nëse ky pohim ishte i vërtetë. Ajo hyri në tre nga faqet më të frekuentuara të Internetit dhe brenda pak kohe, mori disa përgjigje. Këto çuan në takime me disa burra. Rezultati? Një dështim i plotë! Burrat kishin gënjyer hapur për veten. Ajo paralajmëron: «E provova vetë, ata gënjejnë.»

Të gënjesh për gjatësinë ose peshën, duket sikur është një gjë e vogël, e parëndësishme. «Nuk ka shumë rëndësi pamja e jashtme»,​—mund të thonë disa. Kjo është e vërtetë, sepse edhe vetë Bibla thotë se «hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë». (Fjalët e urta 31:30) Por, duke gënjyer edhe në këto gjëra në dukje të vogla, a është ky një fillim i mirë për të nisur një lidhje? (Luka 16:10) Sa mund t’i besosh këtij personi në lidhje me gjëra të tjera më serioze, si për shembull synimet e tij? Bibla thotë: «I flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij.» (Zakaria 8:16) Po, ndershmëria është baza për një marrëdhënie që mund të forcohet pak nga pak.

Lidhja në Internet, shpesh të bën të fantazosh. Një raport në gazetën Newsweek vëren: «Përdoruesit e Internetit mund t’i zgjedhin me kujdes fjalët që përdorin kur shkruajnë mesazhe që të duken tipa më tërheqës. . . . Rezultati është një përgjigje pozitive nga pala tjetër: ata të duken tipa të këndshëm dhe interesant, e po kështu mund t’u dukesh edhe ti atyre.» Sipas një profesori të Institutit Politeknik Renselër të Nju-Jorkut, i cili merret me studimin e lidhjeve në Internet, në rrethana të tilla një lidhje e fortë mund të krijohet si pa kuptuar. Dhe siç është vërejtur shpesh, kjo lidhje, vështirë se mund të përfundojë në një martesë të lumtur. Një burrë shkroi për përvojën që pati në një lidhje të tillë: «Është një kurth. E ushqen mendjen tamam me informacionin që ti dëshiron.»

Takimet ballë për ballë

Gjithsesi, disa mendojnë se mungesa e takimit ballë për ballë, ka disa avantazhe të dukshme. Ata mendojnë se «takimet» në Internet, bëjnë që çiftet të përqendrohen te cilësitë e brendshme të partnerit të tyre të mundshëm, pa u ndikuar nga pamja e jashtme. Vërtet, edhe Bibla na nxit që të përqendrohemi te cilësitë e brendshme të personit. (1 Pjetrit 3:4) Por, problemi është se duke u shoqëruar me anë të kompjuterit, ti s’mund të vëresh gjestet, buzëqeshjen ose çehren e fytyrës. Ti nuk mund të shohësh se si ajo ose ai sillet me të tjerët, se si reagon kur është në vështirësi. Këto gjëra janë të rëndësishme, pasi duke u bazuar tek ato do të përcaktosh nëse ai ose ajo është një person që mund t’i besosh dhe ta duash. Lexo përshkrimin që i bën Bibla dashurisë, te 1 Korintasve 13:4, 5. Vër re se dashuria dallohet nga sjellja, jo nga fjalët. Duhet ta vëzhgosh për njëfarë kohe dikë, që të shohësh nëse veprimet përputhen me fjalët e tij ose të saj.

Duke qenë se kjo mundësi mungon, shpesh çiftet i shprehin ndjenjat dhe mendimet intime njëri-tjetrit, që sa fillojnë të njihen. Duke mos u vënë veshin paralajmërimeve, disa çifte nxitohen për të bërë premtime serioze romantike, ndonëse ende nuk e njohin mirë njëri-tjetrin. Një artikull me temë «Dashuria në Internet është vërtet e verbër», tregon për dy persona që ishin 12.800 kilometra larg nga njëri-tjetrit dhe ishin njohur në faqet e Internetit. Tri javë më vonë, ata u takuan ballë për ballë. «Ajo kishte vënë shumë rimel»,​—tha burri.​—Unë nuk dal me gra që përdorin rimel.» Lidhja e tyre përfundoi aty. Edhe lidhja e një çifti tjetër pati të njëjtin përfundim. Burri, i cili ia kishte paguar biletën e avionit gruas që do të takonte, u zhgënjye kaq shumë saqë ia anuloi biletën e kthimit.

Një e re me emrin Eda, kujton përvojën e saj. Ajo thotë: «Lidhja ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Po bënin planet që të martoheshim.» Por kur e takuan njëri-tjetrin, lidhja dështoi plotësisht. «Ai nuk ishte ashtu siç e prisja, por ishte kritikues dhe vetëm ankohej. Lidhja jonë nuk do të funksiononte.» Një javë më pas, ata u ndanë, dhe Eda mbeti shumë e zhgënjyer.

Kur përfshihesh në një lidhje që bazohet në fantazi, ndjenjat mund të bëhen shumë të zjarrta, më shpejt se ç’duhet. Por nëse marrëdhënia nuk funksionon, siç ndodh rëndom, mund të vritesh emocionalisht. «Kush i beson zemrës së tij është budalla»,​—paralajmëron Fjalët e urta 28:26. Po, nuk është e mençur të marrësh vendime serioze duke u bazuar te imagjinata dhe te ndjenjat. Proverbi vazhdon: «Por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë.»

Rreziqet e një lidhjeje të nxituar

Sigurisht që nuk është e mençur të nguteni për t’u lidhur kur e njihni shumë pak njëri-tjetrin. Shkrimtari anglez, Shekspiri, ka thënë: «Martesa e nxituar, rrallë herë është e suksesshme.» Këshilla e Biblës është edhe më e drejtpërdrejtë: «Ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.»​—Fjalët e urta 21:5.

Është për të ardhur keq, por shumë nga ata që fillojnë lidhje të tilla, e kanë provuar që kjo është e vërtetë. Pasi mbajti një muaj korrespondencë me anë të mesazheve elektronike me dikë, Monika, e cituar në fillim të artikullit, mendonte se po i plotësohej më në fund dëshira për të gjetur një bashkëshort. Pavarësisht nga planet për martesën​—madje po planifikonin edhe për unazat​—​lidhja e saj e nxituar përfundoi në «një dhembje të madhe».

Ti mund t’i shmangësh këto plagosje të zemrës duke i vënë veshin këshillës së Biblës: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» (Fjalët e urta 22:3) Megjithatë, zhgënjimi dhe ndjenjat e lënduara nuk janë të vetmet rreziqe me të cilat mund të ndeshesh në këto lidhje në Internet. Një artikull që do të dalë së afërmi, do të trajtojë disa probleme të tjera.

[Shënimi]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

[Figura në faqen 17]

Kur hyjnë në Internet, shpesh njerëzit i zmadhojnë gjërat ose gënjejnë për veten

[Figura në faqen 18]

Pas shumë mesazheve elektronike romantike, takimi ballë për ballë, shpesh sjell zhgënjim