Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kopshtaria të bën mirë

Kopshtaria të bën mirë

Kopshtaria të bën mirë

JU PËLQEN të merreni me kopshtari? Mund të provoni më shumë sesa vetëm kënaqësi me këtë hobi. Gazeta londineze Independent, raporton se studiuesit kanë zbuluar që «kopshtaria të bën mirë, të pakëson stresin, të ul tensionin dhe madje, të ndihmon të jetosh më gjatë».

«Pas një dite plot me punë dhe stres, është çlodhëse të vish në shtëpi dhe të merresh pak me kopshtin»,​—thotë shkrimtarja Gei Sërç. Përveçse të sjell kënaqësi dhe të tërheq, të merresh me kopshtari është më mirë edhe sesa të shkosh në palestër. Si ka mundësi? Sipas shkrimtares Sërç, «puna, si gërmimi dhe heqja e gjetheve të rëna janë ushtrime të vazhdueshme që ju bëjnë mirë, që ju bëjnë të digjni më shumë kalori sesa harxhoni kur bëni biçikletë».

Kopshtaria u sjell shumë dobi veçanërisht të moshuarve. Ndërkohë që presin të dalë ndonjë bisk ose syth i ri, kjo i bën më optimistë. Përveç kësaj, dr. Brixhida Bordmani e Shoqërisë Mbretërore të Perimtarisë, pohon se «kopshtaria vepron si qetësues për dhembjen dhe për ndjenjat e pavlefshmërisë» që sjell mosha e thyer. Shpesh të moshuarit ndihen keq, sepse sa vjen dhe duhet të mbështeten më shumë te të tjerët. Siç vëren edhe dr. Bordmani, «dëshirën për të qenë të zotët e vetes, e shfaqim në gjërat që mbjellim, në mënyrën si e rregullojmë dhe si kujdesemi për kopshtin. Dhe kështu ndihemi sërisht të dobishëm».

Ata që kanë probleme me shëndetin mendor, shpesh ndihen më të lehtësuar kur punojnë në një ambient të bukur dhe të qetë. Për më tepër, kur këta individë mbjellin lule ose perime për të tjerët, rifitojnë besimin dhe respektin për veten.

Megjithatë, nuk janë vetëm kopshtarët që nxjerrin dobi nga gjelbërimi. Profesori Roxher Ulrik, i Universitetit të Teksasit, bëri disa eksperimente me një grup njerëzish që iu nënshtruan disa analizave për të parë nivelin e stresit. Matja e tensionit dhe kontrolli i rrahjeve të zemrës tregoi se ata që qëndronin në një ambient të gjelbëruar, plot me pemë, shëroheshin më shpejt sesa ata që nuk qëndronin në natyrë. Nga një eksperiment i ngjashëm që u bë me disa pacientë të operuar, u arritën rezultate pozitive kur këta qëndruan në dhomat e spitalit që kishin pamje me pemë. Duke i krahasuar me pacientët e tjerë, ata «e morën veten më shpejt, dolën më parë nga spitali, kishin më pak nevojë për qetësues dhe ankoheshin më pak».