Kush është Jezu Krishti?
Kush është Jezu Krishti?
SIPAS një historie të besueshme, 2.000 vjet më parë, në Betlehem, një qytet i vogël në Jude, lindi një njeri i quajtur Jezu. Në atë kohë, Herodi i Madh ishte mbret në Jerusalem, kurse Cezar Augusti ishte perandori i Romës. (Mateu 2:1; Luka 2:1-7) Në përgjithësi, historianët romakë të shekullit të parë dhe të dytë nuk e përmendnin Jezuin në tekstet e tyre, pasi sundimtarët romakë të atëhershëm përpiqeshin ta shtypnin krishterimin.
Nga ana tjetër, libri Historia botërore sipas historianëve (anglisht) thotë: «Edhe po të nisesh nga një pikëpamje plotësisht laike, veprat e Jezuit kanë ndikuar në histori më shumë se veprat e çdo personazhi tjetër historik. Me lindjen e [Jezuit] zë fill një epokë e re, e njohur nga qytetërimet kryesore të botës.»
Revista Time thoshte se për asnjë tjetër nuk janë shkruar kaq shumë libra sa janë shkruar për Jezuin. Shumë nga këta libra përqendrohen në çështjen e identitetit të Jezuit, pra se kush është në të vërtetë ai. Ndoshta rreth kësaj teme është debatuar më shumë se për çdo çështje tjetër në historinë e njerëzimit.
Pyetje të hershme për identitetin e tij
Kur Marisë iu tha se do të lindte një fëmijë dhe se do t’ia vinte emrin Jezu, ajo pyeti: «Si ka për të ndodhur kjo, kur unë s’kam marrëdhënie me një burrë?» Engjëlli i Perëndisë, Gabrieli, iu përgjigj: «Fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet. Për këtë arsye, gjithashtu, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.»—Luka 1:30-35.
Më vonë Jezui bëri mrekulli që i habitën apostujt e tij. Kur një tufan i egër rrezikoi që t’ua fundoste barkën në detin e Galilesë, Jezui i qetësoi ujërat duke i qortuar: «Pusho! Hesht!» Të mahnitur, apostujt e tij pyetën: «Kush është në të vërtetë ky?»—Marku 4:35-41; Mateu 8:23-27.
Ishte e zakonshme që bashkëkohësit e Jezuit të pyetnin se kush ishte në të vërtetë Jezui, prandaj ai i pyeti apostujt se çfarë thoshin njerëzit për identitetin e tij. Ata iu përgjigjën: «Disa thonë Gjon Pagëzori, të tjerë Elija, të tjerë akoma Jeremia ose një nga profetët.» Që të gjithë këta njerëz kishin vdekur. Pas kësaj Jezui pyeti: «‘Po ju, kush thoni se jam?’ Duke u përgjigjur, Simon Pjetri tha: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.’» Edhe demonët, engjëj të ligj, thanë për Jezuin: «Ti je Biri i Perëndisë.»—Mateu 16:13-16; Luka 4:41.
Kush tha Jezui se ishte?
Ndonëse Jezui rrallë thoshte se ishte Biri i Perëndisë, ai e pranonte se ishte i tillë. (Marku 14:61, 62; Gjoni 3:18; 5:25, 26; 11:4) Megjithatë, pothuajse gjithmonë ai tha se ishte «Biri i njeriut». Duke e identifikuar veten në këtë mënyrë, ai donte ta vinte theksin te lindja e tij si njeri, te fakti që ai ishte vërtet një njeri. Në këtë mënyrë, zbuloi edhe se ishte «Biri i njeriut», i cili, në një vegim që kishte parë Danieli, po qëndronte para Perëndisë së Plotfuqishëm ose ‘të Lashtit të ditëve’.—Mateu 20:28; Danieli 7:13.
Në vend që të deklaronte se ishte Biri i Perëndisë, Jezui la që të tjerët të arrinin vetë në këtë përfundim. Përveç apostujve kishte edhe të tjerë që nxorën një përfundim të tillë, përfshirë Gjon Pagëzorin dhe Martën, një mike të Jezuit. (Gjoni 1:29-34; 11:27) Ata besonin se Jezui ishte Mesia i premtuar. Gjithashtu mësuan se ai kishte jetuar në qiell si person i fuqishëm frymor dhe se me anë të një mrekullie, Perëndia e kishte transferuar jetën e tij në barkun e virgjëreshës Mari.—Isaia 7:14; Mateu 1:20-23.
I ngjashëm me njeriun e parë, Adamin
Jezui ngjante në shumë gjëra me njeriun e parë, Adamin. Për shembull, që të dy ishin njerëz të përsosur që nuk kishin një baba njerëzor. (Zanafilla 2:7, 15) Prandaj Bibla e quan Jezuin «Adami i fundit», pra një njeri i përsosur që mund të shërbente si «një shpërblesë përkatëse». Jeta e Jezuit ishte e barabartë me jetën e ‘njeriut të parë, Adamit’, të cilin Perëndia e krijoi si njeri të përsosur.—1 Korintasve 15:45; 1 Timoteut 2:5, 6.
Njeriu i parë, Adami, në Bibël është quajtur «bir i Perëndisë». (Luka 3:38) Megjithatë, Adami e humbi marrëdhënien e çmuar që kishte si bir i Perëndisë duke mos iu bindur vullnetarisht Atij. Nga ana tjetër, Jezui i qëndroi gjithnjë besnik Atit të tij qiellor dhe nuk e humbi miratimin si Bir i Perëndisë. (Mateu 3:17; 17:5) Bibla thotë se të gjithë ata që ushtrojnë besim te Jezui, duke e pranuar atë si Shpëtimtarin e tyre, mund të marrin jetën e përhershme.—Gjoni 3:16, 36; Veprat 5:31; Romakëve 5:12, 17-19.
Sidoqoftë, disa thonë se Jezui nuk është thjesht Biri i Perëndisë, por është vetë Perëndia. Ata thonë se Jezui dhe Ati i tij janë që të dy Perëndia i Plotfuqishëm. A është i drejtë një mendim i tillë? A është Jezui pjesë e Perëndisë? A tha kështu Jezui ose ndonjë nga ata që shkruan Biblën? Kush është i vetmi Perëndi i vërtetë? Kush tha Jezui se ishte i vetmi Perëndi i vërtetë? Le ta shqyrtojmë këtë çështje.
[Kutia dhe figura në faqen 4]
Njeriu më i njohur
Historia e jetës së Jezuit u shkrua nga katër bashkëkohës të tij: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, dy prej të cilëve ishin miq të ngushtë me Jezuin. Librat e tyre, që morën emrat e këtyre shkrimtarëve, shpesh quhen Ungjij. Pjesë të ungjijve janë përkthyer në më shumë se dy mijë gjuhë. Këta libra të vegjël, zakonisht bashkohen edhe me libra të tjerë që janë pjesë e Biblës. Ungjijtë, qoftë të botuar veçmas, qoftë si pjesë e Biblës, janë shitur dhe janë shpërndarë më shumë se çdo tekst tjetër në histori. Nuk është çudi, pra, që Jezui është më i njohur se çdo njeri tjetër që ka jetuar ndonjëherë.
[Figura në faqen 3]
Apostujt pyetën: «Kush është në të vërtetë ky?»