Kush është ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’?
Kush është ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’?
JEZUI i lutej shpesh Perëndisë, të cilin e quante At, dhe i mësoi edhe të tjerët që të vepronin po kështu. (Mateu 6:9-11; Luka 11:1, 2) Në lutjen që bëri me apostujt, vetëm katër orë para vdekjes së tij, Jezui u përgjërua: «O Atë, ora ka ardhur; jepi lavdi birit tënd, që biri yt të të japë lavdi ty. Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:1, 3.
Vini re se Jezui iu lut atij të cilin e quajti «të vetmin Perëndi të vërtetë». Në vazhdim, ai nxori në pah pozitën superiore të Perëndisë duke thënë: «E tani, o Atë, jepmë lavdi pranë teje me lavdinë që kisha pranë teje para se të ishte bota.» (Gjoni 17:5) Meqë Jezui iu lut Perëndisë duke kërkuar që të ishte pranë Perëndisë, si ka mundësi që Jezui të ishte njëkohësisht edhe ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’? Le ta shqyrtojmë këtë çështje.
Pozita e Jezuit në qiell
Disa orë pas kësaj lutjeje, Jezuin e ekzekutuan. Ai nuk qëndroi i vdekur për një kohë të gjatë, por vetëm për pak kohë, nga e premtja pasdite deri të dielën në mëngjes. (Mateu 27:57–28:6) Apostulli Pjetër thotë: «Këtë Jezu, Perëndia e ringjalli, fakt për të cilin të gjithë ne jemi dëshmitarë.» (Veprat 2:31, 32) A ka mundësi që Jezui të ringjallte veten? Jo, sipas Biblës, të vdekurit «nuk dinë asgjë». (Predikuesi 9:5) ‘I vetmi Perëndi i vërtetë’, Ati qiellor i Jezuit, ishte ai që e ringjalli Birin e vet.—Veprat 2:32; 10:40.
Pak kohë më vonë, përndjekësit fetarë vranë Stefanin, një dishepull të Jezuit. Kur ishin gati t’i gjuanin me gurë, Stefanit iu dha një vegim. Ai tha: «Ja, shoh qiejt të hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë.» (Veprat 7:56) Prandaj, Stefani pa që Jezui, ‘Biri i njeriut’, kishte në qiell një rol mbështetës për Perëndinë—«në të djathtën e Perëndisë»—pikërisht siç kishte qenë ‘pranë Perëndisë’ para se të vinte në tokë.—Gjoni 17:5.
Më vonë, pas vrasjes së Stefanit, Jezui iu shfaq në mënyrë të mrekullueshme Saulit, i cili njihet më shumë me emrin e tij romak, Pavël. (Veprat 9:3-6) Kur ishte në Athinë, Greqi, Pavli foli për ‘Perëndinë që bëri botën dhe gjithçka në të’. Ai tha se ky Perëndi, ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’, ‘do të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar, dhe u ka dhënë një garanci të gjithë njerëzve, duke e ringjallur atë prej të vdekurve’. (Veprat 17:24, 31) Këtu, apostulli Pavël e përshkroi Jezuin në një pozitë më të ulët se Perëndia. Për të flitet si për një ‘njeri’, të cilin Perëndia e riktheu në jetë në qiell.
Gjoni 20:31) Gjoni mori edhe një vegim nga qielli në të cilin pa ‘Qengjin’, që në Ungjill është identifikuar me Jezuin. (Gjoni 1:29) Qengji po qëndron me 144.000 të tjerë, për të cilët Gjoni tha se «janë blerë [ose janë ringjallur] nga toka». Gjoni shpjegon se të 144.000-t «kishin të shkruar në ballin e tyre emrin e tij [të Qengjit] dhe emrin e Atit të tij».—Zbulesa 14:1, 3.
Edhe apostulli Gjon tregoi se Jezui ka një pozitë më të ulët se Perëndia. Gjoni tha se ai e kishte shkruar ungjillin që lexuesit të besonin se «Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë» dhe jo se Jezui është Perëndia. (A ka mundësi që «Qengji» të jetë i njëjtë me ‘Atin e tij’? Kuptohet që jo. Në Bibël ata dallohen nga njëri-tjetri. Madje kanë emra të ndryshëm.
Emri i Qengjit dhe emri i Atit
Siç e pamë, emri që iu vu Birit të Perëndisë, pra Qengjit, është Jezu. (Luka 1:30-32) Por cili është emri i Atit të tij? Ai lexohet mijëra herë në Bibël. Për shembull, Psalmi 83:18 thotë: «Edhe letë njohënë, se vetëmë ti, që ke emërinë Jehovah, je i lartë mbë gjithë dhenë.» (Shoqëria biblike për n’Ingli dhe jashtë) Mjerisht, emri i Perëndisë, Jehova, në shumë përkthime të Biblës është zëvendësuar me termat «Zot» dhe «Perëndi». Megjithatë, në shumë përkthime të Biblës Emri Hyjnor është vënë përsëri në vargjet ku duhet të jetë.
Vlen të përmendet përkthimi në anglisht American Standard Version (1901) i cili është shembull i një përkthimi të Biblës që e ka vënë emrin e Perëndisë Jehova në vendin e duhur. Parathënia e tij thotë se ata që e rishikuan këtë përkthim, «pas një shqyrtimi të kujdesshëm, arritën në mendimin e përbashkët se besëtytnia judaike, sipas së cilës Emri Hyjnor ishte tepër i shenjtë për t’u thënë, nuk duhej të mbizotëronte më as në përkthimin në anglisht dhe as në ndonjë përkthim tjetër të Besëlidhjes së vjetër, ashtu siç lumturisht nuk mbizotëron në versionet e shumta të bëra nga misionarët e kohëve moderne». *
Triniteti: Nga erdhi si doktrinë?
Por ç’të themi për doktrinën e Trinitetit, sipas së cilës Jehovai dhe Jezui, me pak fjalë, janë i njëjti Perëndi? Në numrin Prill-Qershor 1999 të revistës The Living Pulpit, Triniteti përkufizohej kështu: «Ka një Perëndi Atë, një Zot Jezu Krisht dhe një Frymë të Shenjtë, tre ‘persona’ . . . që janë i njëjti ose që në thelb janë një . . . ; tre persona njëkohësisht Perëndi, . . . , e megjithatë janë vërtet të ndarë, siç kuptohet nga veçoritë e tyre individuale.» *
Nga erdhi doktrina e ndërlikuar e Trinitetit? Revista Christian Century në numrin e 20-27 majit, 1998, citon fjalët e një pastori i cili pranon se Triniteti është «një mësim i kishës dhe jo një mësim që erdhi nga Jezui». Ndonëse Triniteti nuk është një mësim që erdhi nga Jezui, a përputhet me ato që na mësoi Jezui?
Ati—Më i lartë se Biri
Jezui i mësoi dishepujt e tij që të luteshin kështu: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» Në Bibël tregohet se Ati ynë qiellor, emri i të cilit është Jehova, është më i lartë se Biri i tij. Për shembull, Jehovai është «nga mot dhe përjetë». Kurse për Jezuin Bibla thotë se është «i parëlinduri i gjithë krijimit». Edhe vetë Jezui na mësoi se Jehovai është më i madh se ai, kur tha: «Ati është më i madh se unë.» (Mateu 6:9; Psalmi 90:1, 2; Kolosianëve1:15; Gjoni 14:28) Por, doktrina e Trinitetit thotë se Ati dhe Biri janë «të barabartë si Perëndi».
Fakti që Ati është më i lartë se Biri dhe që Ati është një person tjetër tregohet qartë në lutjet e Jezuit, siç ishte lutja që bëri para se ta ekzekutonin: «Atë, nëse do, hiqe këtë kupë prej meje [një vdekje poshtëruese]. Megjithatë, le të bëhet jo vullneti im, por i yti.» (Luka 22:42) Nëse Perëndia dhe Jezui «në thelb janë një», siç thotë doktrina e Trinitetit, si do të ishte e mundur që vullneti ose dëshira e Jezuit të dukej e ndryshme nga vullneti i Atit të tij?—Hebrenjve 5:7, 8; 9:24.
Për më tepër, nëse Jehovai dhe Jezui do të ishin i njëjti person, si ka mundësi që njëri të dinte gjëra që tjetri nuk i dinte? Për shembull, Jezui tha për kohën kur do të vinte gjykimi i botës: «Sa për atë ditë ose për atë orë, askush s’e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por Ati.»—Triniteti dhe Kisha
Triniteti nuk është një mësim që erdhi nga Jezui ose nga të krishterët e hershëm. Siç u tha edhe më sipër, ai është «një mësim i kishës». Në vitin 1999, në një numër që fliste për Trinitetin, revista The Living Pulpit thoshte: «Ndonjëherë, duket sikur çdokush e pranon si të mirëqenë që doktrina e trinitetit është një mësim standard teologjik i krishterë.» Por revista shtonte se kjo doktrinë nuk është «një mësim biblik».
Një enciklopedi, New Catholic Encyclopedia (1967), e trajton gjerë e gjatë doktrinën e Trinitetit dhe pohon: «Në fund të fundit, dogma e Trinitetit është një koncept që doli në shekullin e katërt. . . . Formula ‘një Perëndi në tre persona’ nuk kishte ende një formulim të konsoliduar, dhe sigurisht, nuk ishte bërë pjesë e jetës së krishterë dhe e bindjeve fetare të tyre deri aty nga fundi i shekullit të katërt.»
Martin Verneri, profesor në Universitetin e Bernës, Zvicër, tha: «Sa herë që në Besëlidhjen e Re flitet për marrëdhënien e Jezuit me Perëndinë, Atin, jo vetëm kur u shfaq në formën e një njeriu, por edhe në pozitën që ka si Mesia, ajo konceptohet dhe paraqitet pa pikë dyshimi si një marrëdhënie nënshtrimi.» Është e qartë se ajo që besonte Jezui dhe të krishterët e parë ndryshon shumë nga doktrina e Trinitetit që mësohet sot nëpër kisha. Po atëherë nga lindi kjo doktrinë?
Origjinat e hershme të Trinitetit
Bibla tregon për shumë perëndi dhe perëndesha që adhuronin njerëzit, përfshirë Ashtorethin, Milkomin, Kemoshin dhe Molekun. (1 Mbretërve 11:1, 2, 5, 7) Madje, dikur edhe në kombin e lashtë të Izraelit, shumë njerëz besonin se Baali ishte Perëndia i vërtetë. Prandaj Elija, profeti i Jehovait, u kërkoi atyre që të bënin një zgjedhje: «Në qoftë Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por në qoftë Baali, ndiqni atë.» —1 Mbretërve 18:21, BR.
Adhurimi i perëndive pagane që përbëheshin nga grupe prej tri hyjnish ose triadat, ishte i përhapur edhe para se të lindte Jezui. «Ideja për trinitetin hyjnor erdhi nga Egjipti»,—tha historiani Uill Durant. Në Encyclopædia of Religion and Ethics, Xhejms Hastingsi shkroi: «Në besimin indian p.sh., ndeshim grupin trinitar të përbërë nga Brahma, Shiva e Vishna; në besimin egjiptian gjejmë grupin trinitar të formuar nga Osirida, Isida dhe Horusi.»
Pra ka shumë perëndi. A e pranonin këtë të krishterët e hershëm? Dhe a besonin ata se Jezui ishte Perëndia i Plotfuqishëm?
[Shënimet]
^ par. 12 Shih artikullin «A duhet përdorur emri i Perëndisë?» në faqen 31 të kësaj reviste.
^ par. 14 Kredoja Atanasiane, e formuluar disa shekuj pas vdekjes së Jezuit, e përkufizonte kështu Trinitetin: «Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi, e megjithatë nuk janë tri Perëndi, por një Perëndi.»
[Figura në faqen 7]
EGJIPT
Triada e përbërë nga Horusi, Osirida dhe Isida, mijëvjeçari i dytë p.e.s.
[Figura në faqen 7]
PALMIRË, SIRI
Triadë e përbërë nga perëndia hënë, Zoti i Qiejve dhe perëndia diell, rreth shekullit të parë të e.s.
[Figura në faqen 7]
INDI
Perëndi treshe hinduiste rreth shekullit të shtatë të e.s.
[Figura në faqen 7]
NORVEGJI
Triniteti (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë) rreth shekullit të 13-të të e.s.
[Burimi i figurës në faqen 7]
Dy fotografitë sipër: Muzeu i Luvrit, Paris