Lugina e bukur e luleve
Lugina e bukur e luleve
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË UKRAINË
KUR pranvera zbret në këtë luginë të vogël, të strukur në malet Karpate, dalëngadalë, toka pjellore mbulohet me një qilim lulesh të bardha. Koha më e bukur për të ardhur këtu, është aty nga fundi i pranverës. Aroma e këndshme që mbulon lëndinën alpine i miklon vizitorët që të afrohen për të kundruar më nga afër.
Në ç’vend shpaloset ky peizazh? Në Luginën e Narcisit, një rezervat natyror pranë Kustit, në Ukrainën Perëndimore. Këtu shtrihen fusha të paana me narcis. Ndonëse në lëndinë rriten më shumë se 400 lloje lulesh, narcisi është mbretëresha e tyre.
Në fakt, rezervati e ka marrë emrin pikërisht nga kjo lule, e cila njihet edhe si narcisi gjethengushtë ose narcisi i lëndinës. Kjo bimë qepore, me gjethe të gjata e të holla dhe me kurorën në formë trombe, e cila rrethohet me petale të bardha ose të verdha, gjendet gjithashtu anembanë Alpeve dhe Ballkanit.
Prej shekujsh, poetë dhe muzikantë i kanë thurur lavde narcisit. Madje një nga llojet e kësaj luleje, quhet Narcissus poeticus ose narcisi i poetit. Por, bukuria e narcisit nuk u ka rënë në sy vetëm poetëve. Një herë, në Romën e lashtë, sundimtarët e përdorën narcisin e verdhë për të përshëndetur publikisht luftëtarët që ktheheshin fitimtarë. Në Prusi, narcisi ishte simbol i dashurisë dhe i lumturisë. Sot, popuj anembanë botës e lavdërojnë bukurinë e kësaj luleje në festat e përvitshme.
Megjithatë, narcisi s’është vetëm një lule e bukur. Emri i saj lidhet me fjalën greke narkao që do të thotë «të trullosesh». A është e mundur që narcisi të japë vërtet këtë efekt? Kur këto lule shpërthejnë në Luginën e Narcisit, vizitorët mund të ndihen sikur janë mbushur tërë fuqi, madje mund të ndihen edhe disi të dehur.
Për shkak se aroma e narcisit ka efekt qetësues, disa të thonë se kjo lule ka veti kuruese. Arabët e përdornin vajin e narcisit për të kuruar rënien e flokëve, kurse francezët e përdornin për epilepsinë dhe histerinë. Sot, vaji i narcisit përdoret për të bërë parfum, dhe kur rafinohet, përdoret edhe për terapinë me vajra aromatikë.
A do të mbrohet?
Narcisi gjethengushtë njihet si një lule që rritet në malet e larta. Narcisi, zakonisht rritet në lartësinë 1.100 deri në 2.060 metra mbi nivelin e detit. Por Lugina e Narcisit ndodhet 200 metra mbi nivelin e detit, prandaj është lugina më e ulët ku rritet kjo lule e veçantë.
Për ta ruajtur këtë mrekulli të natyrës, në vitin 1979, Lugina e Narcisit u kthye në rezervat. Rreth 20 vjet më vonë, Këshilli i Evropës shpalli se narcisi gjethengushtë ishte një lloj që mbrohej me ligj.
Fillimisht, u ndalua prerja e barit në Luginën e Narcisit pas stinës së lulëzimit. Megjithatë, brenda pak vitesh lulet u pakësuan. Përse? Shkencëtarët kuptuan se bari, kur nuk prekej, e pengonte rritjen e bisqeve të reja. Megjithatë, kur u hoq kufizimi për kositjen e tij, lugina e fitoi sërish ekuilibrin natyror. Kështu, sot lugina është e bukur në pranverë, dhe prej saj sigurohet bari që shërben si ushqim për bagëtinë gjatë gjithë dimrit.
Kjo lule e mahnitshme na kujton se çfarë potenciali ka e gjithë toka. Po, shumë studentë të Biblës mezi presin kohën kur, nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, «shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia [rrafshina e shkretë, BR] do të gëzohet dhe do të lulëzojë» gjithë bukuri. (Isaia 35:1) Në atë kohë, syri do të na shohë anekënd pamje të bukura si ajo e Luginës së Narcisit, pasi mbarë toka do të kthehet në parajsë, siç ishte në fillim në Eden.—Zanafilla 2:8-15.