Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Adoleshenca Faleminderit për serinë «Si të përballoni vështirësitë e adoleshencës?» (8 korrik 2004) Sapo kam hyrë në moshën e adoleshencës dhe kam pasur ca probleme që më kanë bërë të ndihem shumë keq. Falë këtyre artikujve, mora këshillat e duhura që do të më ndihmojnë të kujtoj Krijuesin tim. Shpresoj ta kaloj adoleshencën pa provuar dhembjet që vijnë nëse i dorëzohem kësaj bote.
R. R., Shqipëri
Kur isha fëmijë, kisha shumë miq të moshës sime. Por kur u rritëm, marrëdhëniet tona u ftohën. Pas mbledhjeve të krishtere, shkoja rrija vetëm në makinë. U ngushëllova shumë kur lexova se është normale për adoleshentët që të provojnë një larmi ndjenjash. Mësova se një nga mënyrat më të mira për ta luftuar vetminë, është të tregojmë interes ndaj të tjerëve, duke përfshirë këtu edhe ata që nuk janë bashkëmoshatarët tanë. Atë ditë në mbledhje, fola me shumë persona, pa marrë parasysh moshën, dhe kjo më bëri të lumtur.
M. K., Japoni
Jam 15 vjeçe dhe kisha shumë nevojë për këto informacione. Intervistat me të rinjtë, më ndihmuan të kuptoja se nuk jam e vetmja që po provoj ndjenja që më bëjnë të ndihem keq dhe se këto ndjenja mund të mposhten. Kjo më forcoi dhe më dha zemër.
L. R., Ukrainë
Faleminderit për këtë seri artikujsh. Është ngushëlluese kur e kupton se kjo periudhë e trazuar mund të kapërcehet me sukses. Shpresoj që këta artikuj, do të ndihmojnë edhe të rinj të tjerë që ta jetojnë në mënyrë të ekuilibruar këtë fazë të jetës.
R. V., Itali
Kjo seri është tamam ajo që po kërkoja. Ka momente që provoj lloj-lloj ndjenjash, dhe ndonjëherë ndihem e pasigurt dhe e vetmuar. Gjithmonë kam menduar se fajin e kisha vetë që ndihesha kështu. Në artikullin e fundit të serisë thuhej: «Perëndia Jehova dëshiron që ti të jesh i lumtur, vërtet i lumtur. Kjo lumturi nuk është vetëm një fasadë, sa për t’u dukur se po bën qejf, por që fsheh vuajtjen e brendshme.» Kur lexova këto fjalë, nuk i mbajta dot lotët. Gjithashtu, artikulli thoshte se me kalimin e kohës, këto ndjenja pështjellimi kalojnë. Kjo më ngushëlloi jashtëzakonisht shumë. M’u përtërinë forcat. Faleminderit shumë!
H. T., Japoni
Kur e pashë këtë revistë në Sallën e Mbretërisë, menjëherë fillova ta shfletoja. Kur po e lexoja në shtëpi, nuk e hiqja dot nga dora. Sa keq më erdhi kur artikulli mbaroi, sepse doja që të vazhdonte ende. Vazhdoni të shkruani artikuj të tillë.
K. K., Shtetet e Bashkuara
Tastierat Jam 12 vjeç. Faleminderit për artikullin «Një botë tingujsh nën gishtat tuaj». (8 korrik 2004) Bleva një libër që flet për instrumentet muzikore, që shpjegon edhe instrumentet me tastierë. Aty shpjegohet me hollësi tastiera, por jo aq mirë sa në këtë artikull të Zgjohuni! Kisha kohë që prisja të dilte një artikull si ky. Aftësia për t’i rënë një vegle muzikore, është pa dyshim një dhuratë e mrekullueshme nga Krijuesi ynë.
D. G., Gjermani
Sulmet psikologjike Kohët e fundit, një Dëshmitare e Jehovait më dha revistën me serinë «Viktimë në vendin e punës: Ç’mund të bëni?» (8 maj 2004) Për shkak të keqtrajtimeve në vendin e punës, një i njohuri im la punën. Në Gjermani, asistenca për të papunët merret tre muaj pasi lë punën. U përpoqa me ç’munda për ta ndihmuar këtë të ri. Por me ndihmën e revistës suaj, të cilën ia dërgova bashkë me një letër zyrës së punësimit, ai i ri e mori asistencën tri ditë më vonë.
R. S., Gjermani