Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Jetë qeni»
«Australia harxhon më shumë para për kafshët që i mbajnë për kënaqësi sesa për të ndihmuar vendet e tjera,—thotë gazeta The Sydney Morning Herald.—Jelekët e shpëtimit për qentë, bizhuteritë me gurë si diamante dhe freskuesit e gojës për kafshët, janë ndër artikujt që i kanë çuar deri në 2,2 miliardë dollarë [1,3 miliardë euro] në vit, shpenzimet e australianëve për kafshët që mbahen për kënaqësi.» Xhejson Grami, pronar i një dyqani kafshësh vuri re se gjatë dekadës së fundit, qëndrimi ndaj kafshëve ka ndryshuar. «Dikur qentë i shihje në oborrin prapa shtëpisë, të mbushur me pleshta e duke përtypur ndonjë kockë,—tha ai.—Sot ata rrinë brenda në shtëpi, mbi një shtrat me push, dhe në qafë kanë një qafore me gurë si diamante.» Megjithatë, ai tha se ky ndryshim ka qenë me leverdi për tregtinë, pasi sot qentë trajtohen si pjesëtarë të familjes, dhe i kanë mbushur me gjëra të kushtueshme. Gazeta thoshte që ndonëse disa kafshëve «u tregohet kujdes sikur të kishin nevojat, dëshirat dhe shijet estetike të njerëzve», nuk ka «prova se qenve u pëlqejnë më shumë lodrat që kushtojnë 50 dollarë, sesa lodrat që kushtojnë 5 dollarë. Por me sa duket, duke qenë dorëlëshuar, të zotët e qenve përmbushin detyrimin që kanë për të treguar se sa shumë i duan».
«Ndotja» e mjedisit nga zhurmat
Shumë shpesh, zhurma e tepërt e ul cilësinë e jetesës për njerëzit që jetojnë në qytete. Gazeta spanjolle ABC thotë se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zhurma madje mund të ndikojë për keq në shëndetin e këtyre njerëzve. Pasojat e dëmshme «të ndotjes» së mjedisit nga zhurmat janë pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës. Ajo nxori një vendim kundër një vendi publik argëtimi që akuzohej se kishte shkelur një urdhër të nxjerrë nga autoritetet e qytetit për të mos e rënduar mjedisin me zhurma. Gjykata thoshte se zhurma e tepërt «dhunon të drejtën themelore të individit për të mbrojtur mirëqenien e tij morale dhe fizike, jetën private të vetes dhe të familjes, si dhe paprekshmërinë e familjes së tij». Sipas gjykatës, zhurma e tepërt mund të shkaktojë «dobësim të dëgjimit, çrregullime të gjumit, neurozë, tension të lartë dhe të nxitë sjelljen agresive».
Viktimat e mitura të luftës
Gazeta gjermane Leipziger Volkszeitung thotë se sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, nga 800.000 njerëzit e masakruar gjatë konflikteve në Ruandë, 300.000 ishin fëmijë. Sipas llogaritjeve, më shumë se 100.000 fëmijë në Ruandë jetojnë nëpër familje ku nuk ka asnjë të rritur që i mbikëqyr. Gazeta thotë: «Në jetën e tyre të përditshme ka pllakosur varfëria e skajshme.»
Ruan mendjemprehtësinë
«Aftësia për të folur dy gjuhë i ndihmon njerëzit të mos e humbin mendjemprehtësinë ndërsa mosha kalon»,—thotë gazeta Toronto Star. Për të provuar funksionet e trurit që lidhen me aftësinë për të mësuar, psikologia Elena Bjalistok, në Universitetin e Jorkut, u bëri një test 104 vetave me moshë nga 30 deri në 59 vjeç dhe 50 të tjerëve me moshë 60 deri në 88 vjeç. Që të gjithë kishin pak a shumë të njëjtin nivel arsimimi dhe të ardhurash. Në secilën nga grup-moshat, gjysma e pjesëmarrësve flisnin dy gjuhë. Çdonjërit iu kërkua të bënte një test të thjeshtë ku ishin paraqitur dy alternativa të kundërta. Ndërkohë matej koha që i duhej secilit për të reaguar. Gazeta thotë: «Ata që flitnin dy gjuhë u treguan më të shpejtë në test, sesa ata që flitnin një gjuhë.» Sipas Bjalistokut, njerëzit që flasin dy gjuhë gjenden gjithnjë para dy gjuhëve të ndryshme dhe truri i tyre duhet të vendosë se në cilën gjuhë duhet të përgjigjet. Gazeta shtonte se «me kalimin e kohës, kjo gjimnastikë mendore e mbron trurin, pasi frenon ngadalësimin e natyrshëm që ndodh me kalimin e moshës te proceset që kanë të bëjnë me vendimet dhe përqendrimin».
Një Bibël sipas «mentalitetit të kohës»
«Lutjet dhe psalmet më të pëlqyera nga Bibla janë ndryshuar rrënjësisht për të bërë një libër të ri lutjesh të fesë anglikane. Ky libër ka si qëllim t’i nxitë besimtarët që të mendojnë për çështje të tilla, si borxhi i Botës së Tretë dhe tregtia me bazë një çmim minimal të pandryshueshëm»,—thotë agjencia e lajmeve Rojters. Libri me format xhepi i lutjeve për paqe dhe drejtësi (anglisht) zëvendëson fjalët e Jezuit në lutjen «Ati ynë». Kështu shprehja: «Na jep sot bukën tonë për këtë ditë» është zëvendësuar me: «Ti po na jep bukën e përditshme kur ne arrijmë të marrim sërish tokën tonë dhe të marrim një rrogë më të mirë.» Po kështu, shprehja: «Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes» nga Psalmi 23, është hequr dhe është zëvendësuar me shprehjen: «Edhe po të shpërthejë një konflikt i dhunshëm i përgjithshëm, unë nuk do të kem frikë Zotëri.» Gazeta londineze The Daily Telegraph thoshte se ata që i qëndrojnë besnik traditës e kanë quajtur librin e ri me 96 faqe, «një shtrembërim, dhe prandaj është blasfemues», si edhe «vulgar e fyes».
Abortet për hatër të ekonomisë
Gazeta The Sydney Morning Herald thotë se ndryshe nga ajo që mendojnë shumë njerëz, «shumicën e aborteve në Australi e bëjnë [gratë] e martuara të shtresës së mesme, dhe jo adoleshentet me shumë partnerë». Ngaqë burrat janë në punë, kurse gratë punojnë me orar të reduktuar, shpesh vendimi për të mos pasur fëmijë vjen për arsye ekonomike. «Të bëhesh nënë mund të ndikojë për keq si te karriera e nënës, ashtu edhe te të ardhurat e saj,—thotë Piter Mekdonaldi, profesor i demografisë në Universitetin Kombëtar të Australisë.—[Gratë] mund të fitojnë shumë nëse nuk kanë fëmijë, por nëse bëhen me fëmijë, ato do të fitojnë më pak.» Sipas Herald, 1 në 3 shtatzëni në Australi përfundon me abort.
‘Njihuni me shokët e fëmijëve tuaj’
Gazeta The New York Times thotë se në Shtetet e Bashkuara, «adoleshentët që thoshin se të paktën gjysma e shokëve të tyre kishin marrëdhënie seksuale, rrezikonin 31 herë më shumë që të deheshin, 5,5 herë më shumë që të pinin duhan dhe 22,5 herë më shumë që të provonin marihuanë». Studimi i drejtuar nga Qendra Kombëtare për Abuzimin dhe Varësinë nga Substancat Narkotike në Universitetin e Kolumbias përfshiu 500 prindër dhe 1.000 fëmijë të moshave 12-17-vjeçare. Kryetari dhe presidenti i qendrës, Xhozef A. Kalifano, Jr., tha: «Ka një mesazh të qartë për prindërit e 12-17-vjeçarëve: përpiquni të jeni në dijeni të lidhjeve romantike që kanë fëmijët tuaj dhe njihuni me shokët e tyre.» Ai shton: «Prindërit që gjatë ngrënies hapin biseda për tema të tilla, si takimet me ndonjë vajzë a ndonjë djalë dhe përdorimin e drogës ose të alkoolit, kanë më të ngjarë që t’i ndihmojnë fëmijët të mos përdorin kurrë drogë.»
Vetëdëmtimi te të rinjtë
«Britania ka numrin më të madh të vetëdëmtimeve të regjistruara në Evropë»,—thotë The Times e Londrës. Çdo vit, institucionet që merren me aksidentet dhe rastet urgjente në Britani trajtojnë 150.000 raste kur njerëzit e kanë dëmtuar veten me dashje, si për shembull duke u prerë. Ky problem ndeshet më shpesh te të rinjtë. «Ndonëse numri i vajzave që dëmtojnë veten është më i madh se numri i djemve, dhe raporti është një me shtatë, përqindja e djemve është dyfishuar që nga vitet 80»,—thotë The Times. Mendohet se këta njerëz e dëmtojnë veten «për të përballuar dhembjen emocionale ose për të reaguar ndaj mpirjes emocionale». Sipas Endru Mekëlëkut nga Fondacioni për Shëndetin Mendor, shifrat «mund të jenë një provë se problemet që po kalojnë të rinjtë tanë sa vijnë e shtohen ose një provë që ata po bëhen gjithnjë e më të paaftë për t’i përballuar këto probleme».