Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë filmash do të shihni ju?

Çfarë filmash do të shihni ju?

Çfarë filmash do të shihni ju?

DEKADAT e fundit, vërshimi i skenave me seks, me dhunë dhe me fjalë të ndyra ka ngjallur reagime të ndryshme. Për disa, një skenë me seks është diçka e turpshme, kurse për të tjerë është diçka artistike. Disa këmbëngulin se dhuna është e panevojshme në një film, kurse të tjerë thonë se ka arsye që e justifikojnë atë. Disa mendojnë se një dialog i mbushur me fjalë vulgare është diçka fyese, kurse të tjerë thonë se është diçka realiste. Atë që dikush e quan të ndyrë, dikush tjetër e quan liri të shprehjes. Kur i dëgjon të dyja palët, e gjithë kjo mund të të duket një debat për çikërrima, pra nëse këtë detaj të filmit do ta quajmë kështu apo ashtu.

Por përmbajtja e filmit nuk është thjesht një subjekt për të debatuar për vogëlsira. Përkundrazi, është një shqetësim i drejtë jo vetëm për prindërit, por edhe për të gjithë ata që i vlerësojnë parimet morale. Një grua tha me keqardhje: «Sa herë që them ‘le të dalë ku të dalë’, e duke vepruar kundër arsyes shkoj në kinema, gjithnjë më duket se kur dal prej andej, jam bërë njeri më i keq. Më vjen turp për njerëzit që i krijuan këto plehra dhe më vjen turp nga vetja. Më duket sikur gjërat që sapo kam parë më kanë prishur si njeri.»

Vënia e standardeve

Shqetësimi për përmbajtjen e filmave nuk është diçka e re. Në agimin e kinematografisë, skenat me seks dhe me krime që shfaqeshin në filma bënin bujë e ngjallnin pakënaqësi. Si përfundim, në vitet 30 të shekullit të 20-të, në Shtetet e Bashkuara hyri në fuqi një kod që vendoste kufij të rreptë për atë që mund të shfaqej në filma.

Sipas The New Encyclopædia Britannica, ky kod i ri për filmat «ishte tejet ndrydhës, duke ndaluar thuajse çfarëdolloj skene që tregonte ndonjë episod nga jeta normale e të rriturve. Ai i ndalonte ‘skenat pasionante’, dhe sa për tradhtinë bashkëshortore, seksin jashtë martese, joshjen dhe përdhunimin, as që bëhej fjalë. Ato lejoheshin vetëm nëse do të ishin absolutisht të domosdoshme për subjektin dhe nëse do të dënoheshin ashpër në finalen e filmit».

Për sa i përket dhunës, në filma ishte «e ndaluar të shfaqeshin ose të flitej për armët e kohës, të jepeshin hollësirat e një krimi, të tregoheshin policë që vdisnin në duart e kriminelëve, të shfaqeshin skena me masakra ose tepër mizori, skena me vrasje a vetëvrasje, përveçse kur ishte thelbësore për subjektin. . . . Në asnjë rrethanë, krimi nuk duhej justifikuar». Në përmbledhje kodi thoshte se «nuk do të prodhohet asnjë film që do të ulë normat morale të atyre që do ta shohin».

Nga kufizimet te grup-moshat e lejuara

Aty nga vitet 50 shumë prodhues filmash të Hollivudit tashmë po e shpërfillnin kodin, duke menduar se rregullave të tij u kishte kaluar koha. Prandaj, më 1968 kodi u shfuqizua dhe u zëvendësua me sistemin e grup-moshave të lejuara. * Sipas këtij sistemi, në një film gjërat mund të shfaqeshin hapur, por filmit do t’i vihej një simbol, që publiku të paralajmërohej se deri në ç’masë skenat e tij ishin «për të rriturit». Xhek Valenti, i cili për afro katër dekada ishte president i Shoqërisë Amerikane të Filmave, thotë se synimi ishte që «prindërve t’u jepeshin disa paralajmërime paraprake, kështu që të vendosnin vetë se çfarë filmash duhet dhe nuk duhet të shihnin fëmijët e tyre».

Me futjen e sistemit të grup-moshave të lejuara, barriera u ça. Në skenarët e filmave të Hollivudit vërshuan seksi, dhuna dhe fjalët vulgare. Liritë e reja që iu dhanë prodhuesve të filmave i hapën rrugë një dallge që nuk mund të frenohej. Gjithsesi, me anë të simbolit të klasifikimit të filmave, publiku do të paralajmërohej. Por a ju tregon ky simbol gjithçka që keni nevojë të dini?

Atë që simbolet s’mund t’ua thonë

Disa dyshojnë se me kalimin e viteve, sistemi i grup-moshave të lejuara është bërë më tolerant. Një studim që bëri Fakulteti i Shëndetit Publik në Harvard e mbështet këtë dyshim. U vu re se filmat që sot quhen të pranueshëm për moshat në fillim të adoleshencës, kanë më shumë dhunë dhe i shfaqin më hapur skenat me seks, sesa filmat që jepeshin vetëm një dekadë më parë. Nga studimi doli si përfundim se «filmat e të njëjtit klasifikim mund të ndryshojnë shumë në sasinë dhe në llojin e skenave të papëlqyeshme» dhe se «klasifikimi sipas grup-moshave të lejuara nuk jep informacion të mjaftueshëm për dhunën, skenat me seks, fjalët e ndyra apo gjëra të tjera që përmban filmi». *

Prindërit, që të shkujdesur i lënë fëmijët të shkojnë vetëm në kinema, mbase nuk e dinë se çfarë quhet sot e përshtatshme për t’u parë. Për shembull, një kritik filmi përshkruan personazhin kryesor të një filmi që në Shtetet e Bashkuara u klasifikua si i përshtatshëm për adoleshentët. Personazhi kryesor është «një 17-vjeçare, e lirë të bëjë ç’të dojë, që s’e ka problem të dehet çdo ditë, të pijë drogë, të shkojë në festa të shthurura dhe të kryejë marrëdhënie seksuale të shfrenuara me një djalë që sapo e ka njohur». Filmat me këtë lloj përmbajtjeje nuk janë të rrallë. Në të vërtetë, revista The Washington Post Magazine thotë se me sa duket, të flitet për seksin oral është diçka që «pranohet normalisht» në filmat që klasifikohen si të përshtatshëm për adoleshentët. Është e qartë se klasifikimi i filmit sipas grup-moshave nuk duhet të jetë treguesi i vetëm për të vlerësuar përmbajtjen e filmit. A ka ndonjë tregues më të mirë?

«Urreni të keqen»

Sistemi i klasifikimit të filmave sipas grup-moshave të lejuara nuk e zëvendëson ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës. Në të gjitha vendimet e tyre, përfshirë edhe ato që lidhen me zbavitjen, të krishterët përpiqen të zbatojnë këshillën e Biblës, në Psalmin 97:10 ku thuhet: «Urreni të keqen!» Një njeri që urren çka është e keqe do ta quante të gabuar të zbavitej me gjëra për të cilat Perëndia ndien neveri.

Sidomos është e nevojshme që prindërit të jenë të kujdesshëm për filmat që lejojnë të shohin fëmijët. Të mjaftohesh vetëm duke i hedhur një vështrim kalimthi simbolit të grup-moshave, do të ishte një veprim naiv. Ka shumë të ngjarë që një film i klasifikuar si i përshtatshëm për moshën e fëmijës tuaj, të përcjellë norma morale që ju si prind nuk i miratoni. Kjo nuk i çudit aspak të krishterët, pasi bota ka përvetësuar një mënyrë të menduari dhe të vepruari që bie në kundërshtim me normat e Perëndisë. *​—Efesianëve 4:17, 18; 1 Gjonit 2:15-17.

Kjo nuk do të thotë se të gjithë filmat janë të këqinj. Por duhet kujdes. Lidhur me këtë, revista Zgjohuni! e 22 majit 1997 (anglisht), kishte këtë koment: «Çdo individ duhet t’i peshojë me kujdes gjërat dhe të marrë vendime që do ta lënë me një ndërgjegje të pastër në sy të Perëndisë dhe të njerëzve.»​—1 Korintasve 10:31-33

Si të gjeni një argëtim të përshtatshëm

Si mund të jenë përzgjedhës prindërit kur vjen puna për të vendosur se cilat filma të shohë familja? Shqyrtoni komentet e mëposhtme të disa prindërve anembanë botës. Fjalët e tyre mund t’ju ndihmojnë të gjeni zbavitje të shëndetshme për familjen tuaj.​—Shih edhe kutinë «Forma të tjera argëtimi» në faqen 14.

«Unë ose gruaja i shoqëronim gjithnjë fëmijët në kinema kur ata ishin më të vegjël,​—thotë Huani nga Spanja.​—Ata nuk shkonin kurrë vetëm ose me fëmijë të tjerë. Tani që janë adoleshentë, nuk shkojnë në premierat e filmave; por ne preferojmë që ata të presin derisa ne të lexojmë ç’thonë kritikët për filmin ose të dëgjojmë ç’mendojnë njerëz të tjerë te të cilët kemi besim. Pastaj, si familje, vendosim nëse do ta shohim filmin.»

Marku nga Afrika e Jugut e nxit të birin adoleshent të flasë hapur për filmat që po shfaqen nëpër kinema. «Unë dhe gruaja e fillojmë bisedën duke e pyetur se çfarë mendon për filmin,​—thotë Marku.​—Kjo na jep mundësi të dëgjojmë mendimin e tij dhe të arsyetojmë me të. Kështu mund të zgjedhim filma që mund t’i shohim të gjithë bashkë.»

Edhe Rozharju nga Brazili kalon kohë me fëmijët duke diskutuar për filmat që duan të shohin. Ai thotë: «Lexoj bashkë me ta se ç’thonë kritikët. Shkojmë bashkë në videotekë që t’u mësoj se çfarë të shohin në kapak për të kuptuar nëse një film mund të jetë i papërshtatshëm.»

Methju nga Britania ka parë që është mirë të flasë me fëmijët për filmat që duan të shohin. Ai thotë: «Që kur fëmijët ishin të vegjël, flitnim edhe me ta për filmat që donim të shihnim si familje. Nëse vendosnim të mos e shikonim një film, unë dhe gruaja u shpjegonim përse, në vend që t’u thoshim thjesht jo.»

Gjithashtu disa prindër kanë parë se është e dobishme të kërkojnë informacione në Internet. Janë disa site që japin të dhëna të hollësishme për përmbajtjen e filmave. Këto mund të përdoren për të kuptuar më mirë se çfarë vlerash morale përcjell një film.

Dobitë që sjell një ndërgjegje e stërvitur

Bibla flet për ata që «i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Prandaj, synimi i prindërve duhet të jetë që të rrënjosin te fëmijët e tyre vlera që do t’i ndihmojnë të marrin vendime të mençura kur të jenë të lirë që ta zgjedhin vetë se si të argëtohen.

Shumë të rinj Dëshmitarë të Jehovait janë mësuar mjaft mirë nga prindërit. Për shembull, Billit dhe Sherit nga Shtetet e Bashkuara, u pëlqen të shkojnë në kinema me dy djemtë adoleshentë. Billi thotë: «Shpesh, kur dalim nga kinemaja flasim si familje për filmin​—çfarë na mëson dhe nëse jemi dakord me ato gjëra.» Sigurisht, ata e kuptojnë se duhet të jenë përzgjedhës. «Që më përpara, lexojmë diçka rreth filmit, dhe kur ka gjëra joedukative, që nuk i pritnim, s’na vjen turp të dalim e ta lëmë filmin përgjysmë»,​—thotë Billi. Ata si prindër, mendojnë se duke i përfshirë fëmijët në biseda për të marrë vendime të përgjegjshme, po i ndihmojnë të zhvillojnë një gjykim të shëndoshë për të dalluar të drejtën dhe të gabuarën. Billi thotë: «Ata po tregohen më të mençur kur bëhet fjalë për të vendosur se çfarë filmash do të donin të shihnin.»

Ashtu si Billi dhe Sheri, shumë prindër i kanë ndihmuar fëmijët e tyre të stërvitin aftësitë perceptuese lidhur me gjërat që zgjedhin për t’u argëtuar. Vërtet, shumë nga ato që prodhon industria e filmit nuk janë të përshtatshme. Nga ana tjetër, kur udhëhiqen nga parimet e Biblës, të krishterët mund të argëtohen me veprimtari të dobishme që janë edhe të shëndetshme, edhe çlodhëse.

[Shënimet]

^ par. 9 Shumë shtete kanë vënë një sistem të ngjashëm ku një simbol tregon grup-moshat për të cilat filmi mund të jetë i përshtatshëm.

^ par. 12 Veç kësaj, kriteret që përdoren për të klasifikuar filmat artistikë mund të ndryshojnë nga vendi në vend. Një filmi, që në një vend klasifikohet si i papërshtatshëm për adoleshentët, në një vend tjetër mund t’i bëhet një klasifikim më liberal.

^ par. 16 Gjithashtu të krishterët duhet të mbajnë parasysh se filmat për fëmijë dhe për adoleshentë mund të kenë gjëra me shtrigëri, spiritizëm ose lloje të tjera demonizmi.​—1 Korintasve 10:21.

[Kutia dhe figurat në faqen 12]

«VENDOSIM BASHKË»

«Kur isha më e vogël, shkonim bashkë si familje në kinema. Tani që jam më e rritur prindërit më lejojnë të shkoj edhe pa ta. Megjithatë, para se të më lënë të shkoj, prindërit më pyesin për titullin e filmit dhe për përmbajtjen. Nëse nuk dinë gjë për atë film, lexojnë ndonjë artikull nga kritikët ose shohin ndonjë reklamë në televizor. Gjithashtu kërkojnë në Internet informacione për të. Në qoftë se mendojnë që nuk është i përshtatshëm si film, më shpjegojnë përse. Ata më lënë edhe mua të them mendimin tim. Flasim hapur dhe vendosim bashkë.»​—Eloiza, 19 vjeçe, Francë.

[Kutia dhe figura në faqen 13]

BISEDONI!

«Nëse prindërit i ndalojnë disa gjëra, por nuk ofrojnë diçka të mirë në vend të tyre, fëmijët mund të përpiqen t’i plotësojnë fshehurazi dëshirat e tyre. Prandaj, kur fëmijët thonë se duan të argëtohen me diçka që nuk është edukative, disa prindër nuk i ndalojnë menjëherë, por as nuk u japin leje. Ata lënë të kalojë pak kohë, që të dyja palët të qetësohen. Pa u zemëruar, për disa ditë ata diskutojnë për këtë çështje dhe e pyesin fëmijën se përse atij ose asaj i duket i mirë ky lloj argëtimi. Duke biseduar, shpesh fëmijët pajtohen me mendimin e prindërve e madje i falënderojnë ata. Pastaj, nën drejtimin e prindërve, ata [si familje] vendosin për ndonjë argëtim tjetër ku mund të gëzojnë së bashku.»​—Masaaki, mbikëqyrës udhëtues në Japoni.

[Kutia dhe figurat në faqen 14]

FORMA TË TJERA ARGËTIMI

▪ «Të rinjtë kanë një dëshirë të natyrshme që të rrinë me shokë të moshës së vet, prandaj gjithnjë jemi përpjekur që vajza jonë të ketë një shoqëri të mirë nën mbikëqyrjen tonë. Meqë në kongregacion ka shumë të rinj shembullorë, e kemi nxitur vajzën të zërë miqësi me ta.»​—Eliza, Itali.

▪ «Ne përfshihemi shumë në argëtimet e fëmijëve tanë. Organizojmë aktivitete të shëndetshme për ta, si për shembull shëtitje, festa në natyrë, piknikë dhe raste që mblidhemi bashkë me të krishterë të të gjitha moshave. Në këtë mënyrë, fëmijët nuk e shohin argëtimin si diçka që duhet ta gëzojnë vetëm me moshatarët.»​—Xhoni, Britani.

▪ «Kënaqemi kur mblidhemi me të krishterë të tjerë. Gjithashtu fëmijëve u pëlqen të luajnë futboll, prandaj, herë pas here, organizohemi që të luajmë me të tjerë.»​—Huani, Spanjë.

▪ «I nxitim fëmijët të gjejnë kënaqësi duke u rënë veglave muzikore. Gjithashtu, së bashku marrim pjesë edhe në aktivitete të tjera që i kemi pasion, si për shembull luajmë tenis, volejboll, shëtitim me biçikletë, lexojmë dhe mblidhemi me miqtë.»​—Marku, Britani.

▪ «E kemi zakon që si familje të shkojmë të luajmë buling me disa miq. Veç kësaj, përpiqemi të programojmë që një herë në muaj të bëjmë së bashku ndonjë gjë të veçantë. Çelësi që prindërit të shmangin problemet është të jenë syçelë.»​—Danilo, Filipine.

▪ «Shpesh kur merr pjesë drejtpërdrejt në një aktivitet, kënaqesh më shumë sesa kur ulesh në karrige dhe sheh ndonjë film. Prandaj i mbajmë sytë hapur nëse në zonën tonë ka ndonjë aktivitet, si ndonjë ekspozitë arti, ekspozitë makinash ose shfaqje. Shpesh gjatë këtyre rasteve ke edhe mundësi të flasësh. Gjithashtu kemi kujdes që të mos e teprojmë me zbavitjet. Nuk është vetëm puna e kohës, por kur zbavitesh tepër, aktiviteti e humb kuriozitetin dhe nuk të jep më kënaqësi.»​—Xhudita, Afrika e Jugut.

▪ «Nuk është e thënë që çdo gjë që bëjnë fëmijët e tjerë të jetë e përshtatshme edhe për fëmijët e mi, dhe mundohem që këtë ta kuptojnë edhe ata vetë. Por në të njëjtën kohë, unë dhe burri përpiqemi që fëmijët të argëtohen me aktivitete të shëndetshme. Përpiqemi të mos u japim shkak që të thonë: ‘Nuk shkojmë në asnjë vend. Nuk bëjmë asgjë.’ Shkojmë në park si familje dhe organizojmë raste ku mblidhemi në shtëpinë tonë bashkë me të tjerë nga kongregacioni.» *​—Maria, Brazil.

[Shënimi]

^ par. 47 Për informacione të mëtejshme rreth grumbullimeve shoqërore, shih revistën shoqëruese Kulla e Rojës, 1 mars 1993, faqet 27-32.

[Burimi]

Muzeu i Transportit «Xhejms», Johanesburg, Afrika e Jugut

[Figura në faqen 11]

Lexoni se ç’thonë kritikët për filmin PARA se të vendosni për ta parë

[Figura në faqet 12, 13]

Prindër, mësojini fëmijët të jenë përzgjedhës