Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bukuritë fluturake të tropikut

Bukuritë fluturake të tropikut

Bukuritë fluturake të tropikut

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Spanjë

SHUMË udhëtarë mund të zhgënjehen disi kur vizitojnë për herë të parë një pyll shiu tropikal. Ata mezi presin të shohin kafshë dhe zogj ekzotikë. Por, shumica e kafshëve dalin jashtë kryesisht natën dhe shumë nga zogjtë nuk mund të dallohen, pasi rrinë në kurorat e larta të pemëve.

«Ka plot shenja që tregojnë se pylli është plot jetë. Dëgjohen tinguj ngado»,​—thotë libri Pylli gjigant i shiut (anglisht). Megjithatë, libri shton: «Nëse një vizitor nuk është gati të harxhojë goxha kohë teksa pret me durim dhe eksploron, zor se do të shohë ndonjë kafshë, përveç fluturave.» Ngjyrat dhe bukuria rrëzëlluese e fluturave tropikale ua bën të paharrueshme vizitorëve shëtitjen në pyllin e shiut.

Fluturat tropikale spikatin për madhësinë, shumëllojshmërinë dhe ngjyrat e tyre. Gjelbërimi i pyllit është një sfond ideal për fluturat me ngjyrë blu, të kuqe dhe të verdhë të shndritshme që fluturojnë lëndinave. Përveç këtyre ngjyrave të zakonshme, në Amerikën Jugore mund të shihni edhe flutura me flatra të tejdukshme. Lloje të tjera kanë flatra, pjesët e poshtme të të cilave duken më fantastike se të sipërmet. Fluturat kukuvajka kanë një ngjyrë pa shkëlqim. Megjithatë, ato kanë disa pulla të mëdha që ngjajnë si sytë e kukuvajkës, të cilat i japin pak dritë ngjyrës kafe të trupit. Por disa flutura mezi t’i kap syri, dhe vetëm një vëzhgues symprehtë kupton se po sheh një insekt dhe jo një gjethe të tharë.

Shpesh ajo që u bie në sy vizitorëve, është madhësia e fluturave tropikale. Ka flutura që janë më të mëdha se disa zogj të vegjël, dhe kur fluturojnë janë po aq të fuqishme sa ata. Numri i llojeve të fluturave që rriten në pyllin e shiut, është gjithashtu i jashtëzakonshëm. Vendet tropikale malajziane janë vendstrehimi i rreth një mijë llojeve, dhe Peruja është habitati i katër mijë llojeve​—20 për qind i të gjitha llojeve që gjenden në mbarë botën.

Edhe pse flatrat e një fluture mund të shfaqin një larmi ngjyrash, në përgjithësi ato nuk kanë shumë pigmente. Flatra ka një membranë transparente mbi të cilën janë të ngjitura mijëra luspa të imëta, dhe zakonisht çdo luspë ka vetëm një pigment. Gjithsesi, luspa me ngjyra të ndryshme ndërthuren dhe vëzhguesit i krijohet përshtypja se po sheh një ngjyrë tjetër, njësoj siç ndodh me elementët që krijojnë ngjyrat në ekranin e televizorit.

Mbase mendoni se koha më e mirë për t’i parë këto bukuri është kur ato qëndrojnë pezull mbi lule. Megjithatë, zakonisht nuk ndodh kështu në pyllin e shiut. Pjesa më e madhe e luleve çelin në kurorat e pemëve, dhe ndonëse ato u shtrojnë fluturave një gosti plot nektar, nuk mund të shihen nga vizitorët që janë poshtë. Por sa mirë që fluturat mashkull zbresin në tokë për të gjetur pak kripëra. Mendohet se gjatë procesit të çiftëzimit, atyre gati u shterojnë kripërat e nevojshme minerale, që i zëvendësojnë duke thithur lagështirë nga toka e lagur. Kështu, një shteg i lagësht në pyll ose zona buzë një rrjedhe uji, mund të jetë vendi ideal për të vëzhguar fluturat e pyllit të shiut.

Mund t’ju zërë syri edhe një grup fluturash që janë mbledhur dhe që po pushojnë së bashku. Në fakt kjo është krejt e zakonshme për fluturat tropikale. Disa flutura nuk tremben po t’i afroheni teksa rrinë mbi një gjethe dhe ngrohen nga rrezet e mëngjesit. Ndonëse disa lloje fluturash rrallë shihen të ulen në ndonjë vend, mjafton të shohësh fluturimin e tyre plot ngjyra dhe vizita juaj në pyllin e shiut do të bëhet më e këndshme.

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

Parada e fluturave

Edhe pse është e vështirë të vendosësh se cila flutur është më e bukura, pa dyshim disa grupe bien më shumë në sy. *

Fluturat bishtdallëndyshe (Papilionidae)

Një familje e madhe fluturash shumëngjyrëshe, shumë prej të cilave kanë një «bisht» të vogël në flatrat e poshtme. Ato fluturojnë shpejt dhe shpesh ushqehen në lulet e kurorave të pemëve.

Fluturat morfo (Morphidae)

Këto flutura që gjenden vetëm në Amerikën Jugore dhe Qendrore, kanë flatra të mrekullueshme me ngjyrë blu të metaltë. Ngjyrat e tyre që shkëlqejnë si ylber, vijnë nga shpërbërja e dritës. Ndërsa ato përplasin ngadalë flatrat, sipas këndit të dritës, bluja e ndezur herë bëhet më e theksuar, herë më e çelët.

Fluturat me flatra si të zogut (Ornithoptera)

Këto flutura gjenden në Azinë Juglindore dhe në Australinë tropikale. Siç mund ta kuptoni edhe nga emri, ato janë shumë të mëdha, dhe kanë flatra më të mëdha sesa ato të shumë zogjve. Bukuria dhe fakti që janë të rralla, i bën ato të jenë po aq të çmuara sa edhe ari.

Fluturat e natës uranid (Uraniidae)

Këto insekte të mrekullueshme, që sipas klasifikimit bëjnë pjesë te fluturat e natës dhe jo te fluturat e zakonshme, fluturojnë gjatë ditës. Flutura Chrysiridia madagascariensis që gjendet në Madagaskar, flatrat e së cilës kanë të gjitha ngjyrat e ylberit, është përshkruar si «insekti më i bukur në botë».

[Shënimi]

^ par. 12 Fluturat e zakonshme dhe fluturat e natës formojnë rendin Lepidoptera.

[Burimet]

Flutura morfo: Zoo, Santillana del Mar, Kantabri, Spanjë; të gjitha fluturat e tjera në kuti: Faunia, Madrid

[Figura në faqen 16]

Flatrat e tejdukshme të «Hypoleria oto»

[Figura në faqen 16]

Flutura blu e Hjutsënit që në flatrat e poshtme ka zgjatime si bisht. Pjesët e poshtme të flatrave (në të majtë) janë po aq magjepsëse sa edhe të sipërmet (sipër)

[Figura në faqet 16, 17]

Flutura gjigante me flatra si të zogut (përmasat reale)

[Figura në faqen 17]

Pjesa e poshtme e flatrave të fluturave kukuvajkë

[Figura në faqen 17]

Flutura si gjethe e tharë

[Figura në faqen 18]

Flutura tropikale duke thithur nga toka lagështirën me kripëra

[Burimet e figurave në faqen 16]

Hypoleria oto: Zoo, Santillana del Mar, Kantabri, Spanjë; të gjitha fotografitë e tjera: Faunia, Madrid

[Burimet e figurave në faqen 17]

Flutura si gjethe e tharë dhe flutura e verdhë: Zoo, Santillana del Mar, Kantabri, Spanjë; të gjitha fotografitë e tjera: Faunia, Madrid