Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga letra në ekran

Nga letra në ekran

Nga letra në ekran

GJATË dekadave të fundit, Hollivudi është kthyer në një burim prodhimtar filmash të suksesshëm. Kjo gjë ka ndikuar në mbarë botën, pasi shumë filma amerikanë dalin në qarkullim në tregun e jashtëm vetëm pak javë, madje në disa raste vetëm pak ditë, pas premierës së tyre në Shtetet e Bashkuara. Madje disa filma, po atë ditë, hidhen në treg anembanë botës. Dan Fellmani, president i sektorit të shpërndarjes së filmit brenda vendit për kompaninë Warner Brothers Pictures, thotë: «Tregu ndërkombëtar është një treg plot gjallëri dhe sa vjen e zgjerohet. Prandaj kur prodhojmë filma, e shohim këtë gjë si një mundësi me përmasa botërore.» Sot më shumë se kurrë më parë, ajo që ndodh në Hollivud ndikon në industrinë e zbavitjes anembanë botës. *

Por të nxjerrësh fitime nga një film nuk është kaq e lehtë sa ç’mund të duket. Vetëm për të mbuluar koston e prodhimit dhe të tregut, për shumë filma, të ardhurat duhet t’i kalojnë 100 milionë dollarët. E realizimi i kësaj varet plotësisht nga publiku që është i paparashikueshëm. Dejvid Kuku, profesor për studimin e filmave në universitetin «Emëri», thotë: «S’mund ta dish kurrë se çfarë do t’i duket entuziazmuese ose sensacionale publikut në një çast të caktuar.» Pra si arrijnë kineastët që t’i shtojnë gjasat për të pasur sukses? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari kemi nevojë të dimë disa informacione bazë se si prodhohen filmat. *

Para xhirimeve: Hidhet themeli

Shpesh faza para xhirimeve është faza më e gjatë e procesit të prodhimit të filmave dhe një nga më të rëndësishmet. Si për çdo projekt të madh, edhe në këtë rast çelësi i suksesit është përgatitja. Synimi është që për çdo qindarkë të harxhuar në fazën para xhirimeve të kursehet shumë më tepër gjatë xhirimeve.

Prodhimi i filmit fillon me subjektin që mund të jetë një histori imagjinare ose e bazuar në ngjarje të jetës reale. Një shkrimtar e kthen këtë histori në një skenar. Skenari mund të shikohet e rishikohet disa herë para se të arrihet në versionin përfundimtar që quhet skenari i xhirimit. Skenari i xhirimit përmban dialogun e filmit si edhe një përshkrim të shkurtër të asaj që do të ndodhë. Gjithashtu në të jepen udhëzime për ca hollësira teknike, si për shembull për pozicionin e kamerës dhe për kalimin nga njëra skenë në tjetrën.

Megjithatë, skenari i ofrohet për shitje prodhuesit të filmit që në fazën fillestare. * Çfarë skenari mund t’i interesojë prodhuesit të filmit? Po ja, subjekti i një filmi tipik të sezonit të verës është për adoleshentët dhe për të rinjtë ose siç i quan ndryshe një kritik filmash, për «grupin e kokoshkave». Prandaj, prodhuesit të filmit mund t’i interesojë sidomos një histori tërheqëse për të rinjtë.

Një skenar është edhe më i kërkuar nëse i kapërcen kufijtë e moshës. Për shembull, një film që ka si personazh kryesor një hero të famshëm të revistave humoristike, sigurisht që do t’i bëjë për vete fëmijët e vegjël që e njohin mirë atë personazh. E s’ka dyshim që në kinema ata do të shoqërohen nga prindërit. Por si arrijnë prodhuesit e filmave të bëjnë për vete adoleshentët dhe të rinjtë? Liza Mandi, që punon për revistën The Washington Post Magazine, shkruan se çelësi është «një subjekt i ethshëm». T’i shtosh filmit një të folur vulgar, skena me dhunë të ashpër dhe një dozë të mirë skenash me seks është një mënyrë për «ta rritur në maksimum fitimin, duke mos lënë jashtë loje asnjë grup».

Nëse një prodhues filmash mendon se një skenar është premtues, mund ta blejë atë dhe të përpiqet të lidhë kontratë me një regjisor të dëgjuar dhe me ndonjë aktor ose aktore të famshme. Prania e një regjisori të njohur dhe e një ylli të kinemasë do ta joshë publikun kur të dalë filmi. Por edhe në këtë fazë fillestare, emrat e mëdhenj mund të tërheqin sponsorë të cilët duhen për të financuar filmin.

Një aspekt tjetër i fazës para xhirimeve është edhe vizatimi paraprak i kuadrove të filmit. Në këtë fazë vizatohen një sërë skicash që përshkruajnë kuadro të ndryshme nga filmi, sidomos ato ku personazhet janë në veprim. Duke shërbyer si një plan i hollësishëm për operatorin, këto skica bëjnë që të kursehet shumë kohë gjatë xhirimit. Siç thotë regjisori dhe skenaristi Frenk Darëbont, «nuk ka gjë më të keqe sesa të sorollatesh në vendin e xhirimit dhe ta humbësh kot ditën e xhirimit duke u përpjekur të gjesh se ku duhet ta vësh kamerën».

Para fillimit të xhirimeve duhet vendosur edhe për shumë gjëra të tjera. Për shembull, ku do të xhirohet filmi? A do të jetë i nevojshëm ndonjë udhëtim? Si do të jenë dhe si do të realizohen dekoret e skenave që do të xhirohen në ambiente të mbyllura? A do të nevojiten rroba? Kush do të merret me ndriçimin, grimin dhe flokët? Po me zërin dhe me efektet speciale? Kush do t’i luajë pjesët e rrezikshme ose skenat me akrobacira? Këto janë vetëm disa prej aspekteve të shumta të punës për prodhimin e filmave, që duhen shqyrtuar para se të fillojnë xhirimet. Hidhuni një sy titrave të ndonjë filmi që ka pasur shumë shpenzime dhe do të zbuloni se prapa kuintave kanë punuar qindra njerëz. «Duhet një qytet i tërë me njerëz për të bërë një film me metrazh të gjatë»,​—thotë një teknik që ka punuar në shumë skena filmash.

Xhirimi: Filmohen skenat

Xhirimi i filmit është një punë e lodhshme që kërkon shumë kohë dhe shumë para. Po vërtet, qoftë edhe një minutë e vetme e humbur mund të kushtojë qindra dollarë. Nganjëherë nevojitet që aktorët, grupi i xhirimit dhe pajisjet të transportohen në vise të largëta të botës. Sidoqoftë, kudo që të bëhen xhirimet, çdo ditë xhirimi gllabëron një kafshatë të madhe nga buxheti i filmit.

Parukierët, grimierët dhe ata që merren me ndriçimin janë ndër të parët që mbërrijnë në sheshin e xhirimit. Çdo ditë xhirimi, yjet e kinemasë mund të kalojnë orë të tëra duke u bërë gati për të dalë para kamerës. Pas kësaj i pret një ditë e gjatë xhirimi.

Regjisori mbikëqyr nga afër xhirimin e çdo skene. Edhe për një skenë disi të thjeshtë mund të duhet një ditë e tërë. Shumicat e skenave filmohen me një kamera të vetme, prandaj skena duhet të përsëritet sa e sa herë që të merret nga çdo qoshe ku vendoset kamera. Veç kësaj, mund të jetë e nevojshme që çdo episod të xhirohet disa herë për të marrë interpretimin më të mirë ose për të rregulluar ndonjë problem teknik. Çdonjëra nga këto prova quhet dubël. Për skena më të gjata, mund të duhen 50 dubla a më shumë. Më vonë, zakonisht në fund të çdo dite, regjisori i sheh të gjitha dublat dhe vendos se cilat do të ruhen. Për xhirimin e të gjithë filmit mund të duhen javë, madje muaj të tërë.

Faza pas xhirimeve: Montohen kuadrot

Pas xhirimeve, skenat e filmuara montohen dhe krijohet filmi si një i tërë. Në fillim bëhet sinkronizimi i zërit me skenat e regjistruara. Pastaj, tekniku i montazhit i bashkon të gjithë kuadrot e filmit dhe krijon një variant paraprak të filmit, që është një formë e papërfunduar.

Gjithashtu në këtë fazë shtohen efektet e zërit dhe efektet pamore. Efektet speciale në kinematografi, që janë një nga elementet më të ndërlikuara të prodhimit të filmit, ndonjëherë realizohen me ndihmën e kompjuterit. Rezultati mund të jetë fantastik dhe skenat që realizohen duken si të vërteta.

Gjatë kësaj faze filmit i vihet edhe muzika, dhe ky element ka marrë një rëndësi më të madhe në filmat e sotëm. «Ata të industrisë së filmit, sot po kërkojnë një muzikë më origjinale se kurrë më parë, dhe jo vetëm 20 minuta muzikë ose disa intervale për çastet më dramatike, por shpesh kërkojnë më shumë se një orë muzikë»,​—shkruan Edvin Blleku në sitin elektronik Film Score Monthly.

Nganjëherë një film i sapomontuar shfaqet para një publiku të përzgjedhur, ku ndoshta bëjnë pjesë miqtë ose kolegët e regjisorit që nuk morën pjesë në prodhimin e filmit. Në varësi të komenteve të tyre, regjisori mund t’i xhirojë përsëri disa skena ose t’i heqë fare ato. Ka pasur raste kur është ndryshuar komplet finalja e filmit, ngaqë varianti i parë nuk i pëlqeu këtij publiku të veçantë.

Më në fund, filmi i përfunduar hidhet në qarkullim nëpër kinema. Vetëm tani do të shihet nëse do të jetë një film i suksesshëm, një dështim apo një film i nivelit mesatar. Por nuk është në lojë vetëm fitimi. Disa dështime njëri pas tjetrit, mund ta rrënojnë perspektivën e një aktori për punë dhe mund t’ia prishin reputacionin regjisorit. «Pashë disa nga bashkëkohësit e mi të hiqnin dorë ngaqë dështuan në disa filma,​—thotë regjisori Xhon Burman, duke sjellë ndër mend vitet e tij të para në prodhimin e filmave.​—Realiteti i egër i biznesit të filmit është se po të mos u sjellësh fitime eprorëve, do të dalësh jashtë loje.»

Sigurisht, kur qëndron para afisheve të kinemasë, në përgjithësi publiku nuk mendon nëse do ta humbasin apo jo punën prodhuesit e filmit. Më tepër atyre u interesojnë gjëra të tilla, si: ‘A do të më pëlqejë filmi? A ia vlen ai për një biletë me këtë çmim? A do të jetë filmi tronditës, a do të ndihem në siklet? A është i përshtatshëm për fëmijët e mi?’ Si mund ta gjeni përgjigjen e këtyre pyetjeve kur vendosni se cilin film të shihni?

[Shënimet]

^ par. 2 Sipas Anita Elbersit, profesoreshë në Fakultetin e Biznesit në Harvard, «ndonëse të ardhurat nga biletat që shiten jashtë vendit shpesh janë më të larta sesa të ardhurat brenda vendit, suksesi i filmit në tregun e Shteteve të Bashkuara mbetet një shtytës kryesor për suksesin e tij në tregun përtej oqeanit».

^ par. 3 Ndonëse hollësirat mund të ndryshojnë nga njëri film në tjetrin, këtu tregohet një nga rrugët që ndjek filmi deri në premierë.

^ par. 7 Në disa raste, një prodhuesi i ofrohet një subjekt i dhënë në vija të përgjithshme, dhe jo një skenar. Nëse atij i intereson ideja, mund të blejë të drejtën e autorit dhe ta përpunojë subjektin duke krijuar një skenar.

[Diçitura në faqen 6]

«S’mund ta dish kurrë se çfarë do t’i duket entuziazmuese ose sensacionale publikut në një çast të caktuar.»​—Dejvid Kuku, profesor për studimin e filmave

[Kutia dhe figurat në faqet 6, 7]

STRATEGJI QË FILMI TË KETË SUKSES

Filmi ka përfunduar. Është gati që të shfaqet para miliona spektatorëve. A do të ketë sukses? Shqyrtoni disa mënyra nëpërmjet të cilave kineastët përpiqen të hedhin në treg veprën e tyre dhe ta kthejnë atë në një film të suksesshëm.

PAK PËSHPËRITJE: Një nga mënyrat më të efektshme për ta bërë publikun ta presë me padurim filmin është nëpërmjet fjalëve, duke pëshpëritur pak. Ndonjëherë kjo gjë fillon muaj para se të dalë filmi. Ndoshta është bërë njoftimi se filmi i ri do të jetë vazhdimi i një filmi të mëparshëm që ka pasur sukses. A do të interpretojnë përsëri po ata aktorë të famshëm? A do të jetë po aq i bukur (ose po aq i dobët) sa filmi i mëparshëm?

Në disa raste pëshpëritjet krijohen rreth një elementi të filmit që ka ndezur diskutime. Mbase ka pasur ndonjë pjesë ku skenat me seks kanë qenë tepër të gjalla, diçka e pazakontë për një film që ndiqet nga publiku i gjerë. A është vërtet kaq e sikletshme kjo skenë? A e ka kaluar cakun filmi? Ndërkohë që njerëzit debatojnë kush pro e kush kundër, prodhuesit e filmit përfitojnë nga kjo «reklamë» që bëhet falas. Ndonjëherë, debati që ndizet është pothuajse një garanci se në premierën e filmit do të ketë mjaft spektatorë.

MEDIA: Format më tradicionale të reklamës janë: afishet, reklamat në gazeta dhe në televizion, pjesët e shkëputura nga filmi, të cilat shfaqen nëpër kinema para se të fillojë filmi i radhës dhe intervistat ku protagonistët i bëjnë reklamë filmit të tyre të fundit. Sot interneti është bërë mjeti kryesor për reklamat e filmave.

TREGTIMI I ARTIKUJVE PËR REKLAMË: Artikujt që shiten për qëllime reklame bëjnë që nxjerrja e filmit në qarkullim të ketë më shumë peshë. Për shembull, një film që kishte si personazh kryesor heroin e një reviste humoristike për fëmijë, u shoqërua edhe me shitjen e artikujve që lidheshin me subjektin e tij. Disa prej këtyre artikujve ishin enë për të mbajtur ushqime, gota të mëdha, bizhuteri, veshje, mbajtëse çelësash, orë, llamba dhe një fushë për lojëra në tavolinë. «Zakonisht 40 për qind e artikujve që lidhen me filmin shiten që para se të dalë filmi»,​—shkruan Xho Sisto në një revistë kulturore të shoqërisë American Bar Association.

VIDEOKASETAT DHE DVD-TË: Një film që nuk nxjerr shumë fitim nga biletat mund t’i kompensojë humbjet me shitjen e videokasetave ose të DVD-ve. Brus Nashi, që merret me regjistrimin e të ardhurave të filmave artistikë thotë se «nga tregu i videove filmat nxjerrin 40 deri në 50 për qind të të ardhurave».

SISTEMI I GRUP-MOSHAVE TË LEJUARA: Prodhuesit e filmave kanë mësuar ta përdorin këtë sistem për të përfituar. Për shembull, një filmi mund t’i shtohet qëllimisht ndonjë material, në mënyrë që të ngushtohet rrethi i grup-moshave dhe të klasifikohet si i përshtatshëm për moshat e rritura. Nga ana tjetër, mjafton që filmit t’i hiqen disa pjesë, dhe kështu të mos jetë vetëm për të rriturit, por edhe për adoleshentët. Në revistën The Washington Post Magazine, Liza Mandi shkruan se kur një film vlerësohet si i përshtatshëm për adoleshentët, ky fakt «kthehet në reklamë: studiot e filmit e përdorin këtë vlerësim për t’u thënë adoleshentëve dhe fëmijëve tuaj që mezi presin të bëhen adoleshentë, se filmi do të jetë ‘yll fare’». Mandi shkruan se ky përcaktim i grup-moshës së lejuar krijon njëfarë «tensioni ndërmjet brezave, duke paralajmëruar prindërit, ndërkohë që bën për vete fëmijët».

[Figurat në faqet 8, 9]

SI BËHEN FILMAT

SKENARI

VIZATIMI PARAPRAK I KUADROVE TË FILMIT

KOSTUMET

GRIMI

XHIRIMI NË VEND

XHIRIMI ME EFEKTE SPECIALE

REGJISTRIMI I MUZIKËS

SINKRONIZIMI I ZËRIT

REALIZIMI I VIZATIMEVE NË KOMPJUTER

MONTIMI