Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Ujë i kushtueshëm

Revista gjermane Natur+Kosmos thotë: «Në kohët tona është tipike që studentët modernë të mbajnë gjithnjë me vete një shishe me ujë, prodhuar nga firma të njohura. Në Nju-Jork, njerëzit modernë takohen nëpër bare ku shërbehet ujë. Hotelet me pesë yje ku përfshihet edhe shërbimi i kamerierit, të ofrojnë mundësinë për të zgjedhur ujë mineral të markave ndërkombëtare, duke i bërë klasifikime që normalisht përdoren vetëm për verërat më të vjetra.» Uji nuk blihet për dy pare. Artikulli thotë: «Njerëzit paguajnë shumë për ujin mineral që e mbajnë me vete në shishe të firmuara. Në disa hotele, një litër ujë që vjen nga një burim i zgjedhur, mund të kushtojë gati 62 euro. Disa konsumatorë preferojnë produktet e veçanta dhe me emër, dhe këtë e tregojnë duke blerë ujë që mban markën e firmave të njohura. Por kjo s’do të thotë medoemos se ky ujë është më i miri për ju. Firma të ndryshme prodhuese garantojnë se uji i tyre ju ndihmon të mbani mendjen dhe trupin në formë, ju jep shëndet dhe bukuri. Por shumë specialistë, nuk shohin ndonjë përparësi të këtij uji nga uji i zakonshëm. Për shembull në Gjermani, siç pohohet në artikull, cilësia e ujit të çezmës është po aq e mirë, sa edhe e ujit mineral që gjendet pothuajse në gjysmën tjetër të globit. Për më tepër, uji i çezmës nuk ka nevojë as të ambalazhohet dhe as të transportohet për mijëra kilometra.

Sekretet e dietave franceze

«Francezët hanë shumë yndyrna të ngopura,​—thotë një buletin universitar, UC Berkeley Wellness Letter.​—Dhe prapë se prapë në krahasim me amerikanët ata janë më të dobët dhe ka shumë më pak të ngjarë të dhjamosen. Vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës është 50 për qind më e ulët se në Shtetet e Bashkuara, dhe më e ulët se në çdo vend tjetër të [Bashkimit Evropian].» Si ka mundësi një gjë e tillë? Sipas Wellness Letter, ndoshta sepse francezët «marrin më pak kalori». Një studim i bërë në disa restorante të Parisit dhe të Filadelfias, Pensilvani, SHBA, tregoi se racionet franceze ishin goxha më të vogla. Edhe librat e kuzhinës ndryshonin. Për shembull, në librat e kuzhinës franceze racioni normal i mishit ishte më i vogël. «Ndoshta zbulimi më mbresëlënës ishte se francezët nuk nguten kur hanë racionet e tyre që janë më të vogla,​—pohonte artikulli.​—Një francez harxhon mesatarisht 100 minuta në ditë vetëm për të ngrënë, kurse amerikanët i kollofitin vaktet (dhe çdo gjë tjetër) vetëm brenda 60 minutash.» Çfarë mund të nxjerrim si përfundim? Kujdes me kaloritë. Hani ushqim me vlera ushqyese, por me karar. Në vend që të hani shpejt e shpejt, shijojeni ushqimin. Nëse ju servirin racione të mëdha, ndajeni racionin me ndonjë shok ose merreni me vete gjysmën. Dhe «shijojini vaktet që hani në shtëpi».

Mbajini me kujdes librat

«Armiqtë më të rrezikshëm [të librave] janë koha dhe lagështia»,​—thotë në një artikull të saj revista meksikane Día Siete. Për t’i ruajtur në gjendje të mirë, artikulli rekomandon që t’u fshijmë pluhurin, të paktën një herë në vit. Kur bëni këtë, kini kujdes që ta mbani fort librin, sepse kështu nuk e lini pluhurin të hyjë brenda faqeve të tij. Nëse vendi ku keni vënë librat ka lagështirë, hidhni pak pudër në çdo faqe të librit, vendosini një peshë sipër për disa ditë, pastaj hiqeni pudrën me anë të një furçe. Nëse për shkak të lagështirës librat zënë myk, gërryejini këto vende lehtë me një brisk dhe në fund pastrojini me alkool. Mos e tërhiqni librin nga rafti duke e kapur nga pjesa e sipërme. Mënyra më e mirë për ta marrë është ta kapni me dy gishta në mes të kapakut, pastaj ta lëvizni majtas-djathtas që ta shkëputni nga librat e tjerë që janë ngjitur me të, dhe në fund tërhiqeni me kujdes. Kur librat janë shumë të mëdhenj, sidomos kur janë të vjetër, i dëmton edhe vetë pesha e tyre. Kjo mund të shmanget duke i vendosur në raft të shtrirë, jo në këmbë.

A po merr fund unitarianizmi?

«Një nga sektet më të lashta [në Britani] . . . po shkon drejt rënies së pashmangshme dhe brenda disa dekadave do të zhduket plotësisht»,​—pohon gazeta The Times e Londrës. Sekti i unitarianëve ka më pak se 6.000 anëtarë në Britani. Gjysma e tyre janë mbi moshën 65-vjeçare. Parashikimi për këtë rënie u bë nga Piter Hjuzi, një klerik i lartë i këtij sekti. Duke marrë si shembull kishën e tyre më të vjetër që është në Liverpul, Hjuzi tha: «Ata nuk kanë prift që nga viti 1976, dhe me pak fjalë, lëvizja unitariane atje ka vdekur.» Gazeta The Times thotë se, në Britani termi «unitarian» është përdorur që nga viti 1673. «Në shekullin e 18-të, shumë presbiterianë anglezë u bënë unitarianë, pasi u ngritën kundër besimit te Triniteti gjatë një debati teologjik lidhur me hyjninë e Krishtit, që shkaktoi një krizë në Kishën Anglikane,​—thotë gazeta.​—Por tanimë nuk është më e jashtëligjshme të mos besosh te Triniteti, dhe shumë kisha bëjnë një vesh të shurdhër e një sy qorr ndaj ‘besimtarëve’ që kanë pikëpamje liberale për doktrinat tradicionale. Prandaj, nuk ka më aq kërkesa si dikur për t’u bashkuar me lëvizjen unitariane.»

Kur plakesh shkurtohesh

Me kalimin e moshës njerëzit zakonisht sa vijnë dhe shkurtohen. «Arsyeja lidhet ngushtë me forcën e rëndesës»,​—thotë The Daily Telegraph e Australisë. Nën ndikimin e forcës së rëndesës, gjatësia e një njeriu ndryshon gjatë ditës. Kur flemë, bëhemi përsëri aq të gjatë sa jemi vërtet. «Por, kur trupat tanë plaken dhe bëhen më të dobët, efekti i shkurtimit nis të bëhet i përhershëm,​—thotë gazeta.​—Me kalimin e moshës, muskujt rrëgjohen dhe dhjami bie. Kjo është pjesë e procesit të natyrshëm të plakjes dhe ka të bëjë shumë me ndryshimin e hormoneve. Vertebrat nisin të dobësohen dhe lëshohen duke bërë që shtylla kurrizore të shkurtohet më shumë se 2,5 centimetra.» Një nga shkaqet e shkurtimit mund të jetë osteoporoza.

Fëmijë që dinë dy gjuhë

«Kur prindërit i rritin vogëlushët me durim dhe takt, aftësia për të folur më shumë se një gjuhë u sjell shumë dobi jo vetëm atyre, por edhe familjes e shoqërisë»,​—pohon gazeta Milenio e qytetit të Meksikos. Studiuesit kanë «dalë në përfundimin se fëmijët që flasin dy gjuhë, dalin më mirë në mësime sesa ata që flasin vetëm një». Disa herë prindërit shqetësohen kur fëmijët ndërtojnë një fjali duke përzier fjalë nga të dyja gjuhët ose gabojnë duke i zbatuar rregullat e gramatikës së njërës gjuhë te tjetra. «Por këto ‘gabime’ gramatikore, janë të parëndësishme dhe kalojnë shpejt»,​—thotë profesori Toni Klin, psikolog i specializuar në zhvillimin e gjuhës te fëmijët. Nëse fëmijës i mësojnë gjuhët e të dy prindërve që sa lind, ai i përvetëson natyrshëm ato, dhe me kalimin e kohës arrin t’i flasë të dyja gjuhët pa i përzier me njëra-tjetrën.