Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të vjen t’i kollofitësh!

Të vjen t’i kollofitësh!

Të vjen t’i kollofitësh!

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Japoni

IA KE ngulur sytë një ushqimi që të vjen ta kollofitësh. Të hapet oreksi dhe goja të lëshon lëng. Por, çudi! Ky «ushqim» nuk ka as aromë, as shije dhe as ndonjë vlerë ushqyese. Nuk prishet dhe s’ka nevojë të vihet në frigorifer. Çfarë na qenka pra? Nëse flitet për Japoninë, atëherë mund të ketë vetëm një përgjigje, një model ushqimi plastik. Ky model është një imitim plastik i një gatimi që gjendet në menunë e restorantit. Bëhet me të njëjtën madhësi, formë dhe ngjyrë si të ushqimit prej vërteti.

Këto imitime ushqimesh janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga gjellët tradicionale japoneze, si sushi, e deri te gatimet më të preferuara të vendeve Perëndimore, si pica dhe spageti. Ka edhe imitime të pijeve, aperitivëve dhe ëmbëlsirave. Shumëllojshmëria e tyre është e jashtëzakonshme. Për shembull, një fabrikë prodhon më shumë se 10.000 lloje të tilla.

Ushqimet plastike duken sikur janë prej vërteti. Edhe hollësitë​—si fryrjet e vockla të lëkurës së një pule të pjekur, farat e shpërndara aty-këtu në një thelë shalqiri dhe dallgëzimet e lehta të gjethes së sallatës​—bëhen me shumë mjeshtëri. Por, si u bënë kaq të përhapura ushqimet plastike nëpër restorantet japoneze?

Nga fundi i shekullit të 19-të, disa restorante nxirrnin në vitrinë gatime të ndryshme që ofroheshin aty, për t’i njohur banorët japonezë me kuzhinën e huaj. Kështu kalimtarët mund t’i shihnin ushqimet pa pasur nevojë të hynin brenda. Sigurisht që këto ushqime të vendosura në vitrinë, ua bënin me sy jo vetëm njerëzve, por edhe kafshëve dhe insekteve. Nxehtësia dhe lagështia i prishnin ushqimet, dhe kushtonte t’i përgatitje këto pjata çdo ditë.

Me kalimin e kohës, ushqimi i vërtetë u zëvendësua me imitime të tyre, të bëra me parafinë të ngjyrosur. Por parafina kishte një të metë të madhe, ajo shkrihej kur bënte nxehtë. Si përfundim, parafina u zëvendësua me materiale plastike prej vinili. Më në fund, ja një produkt i qëndrueshëm që i rezistonte të nxehtit, ama në të njëjtën kohë tërhiqte edhe klientët e duhur​—njerëzit! Si bëhen këto imitime plastike?

Në fillim bëhet kallëpi i ushqimit. Për shembull, një copë biftek vendoset në një enë katrore, dhe i hidhet silikon derisa bifteku të mbulohet plotësisht. Pasi kallëpi ngurtësohet, kthehet nga ana tjetër. Kur bifteku hiqet, forma e tij mbetet në kallëp. Pastaj, brenda kallëpit hidhet lëndë plastike e ngjyrosur dhe piqet në temperaturën 82 gradë celsius. Pasi është ftohur, nga kallëpi nxirret bifteku artificial. Tani është gati për t’u pikturuar.

Për të bërë një sanduiç, secili nga përbërësit​—buka, mishi, djathi dhe sallata​—duhet përgatitur në kallëp më vete. Pas kësaj, procesi vazhdon njësoj sikur po përgatit një sanduiç prej vërteti. Të gjithë përbërësit vendosen njëri pas tjetrit mes dy fetash buke. Megjithatë, te sanduiçi plastik pjesët ngjiten që të rrinë bashkë me njëra-tjetrën.

Në njëfarë mënyre, të prodhosh ushqime plastike është art më vete. «Sekreti për ta nxjerrë një ushqim plastik që të duket si origjinal, është ta këqyrësh me kujdes ushqimin e vërtetë,​—thotë Katsuji Kanejama, i cili ka 23 vjet që merret me këtë punë.​—Njerëzit e shohin ushqimin si diçka për t’u ngrënë. Kurse ne e shohim si diçka për t’u prodhuar.»

Nëse e shohim nga afër një tas me oriz japonez të sapobërë, vërejmë që kokrrat e orizit qëndrojnë veç e veç nga njëra-tjetra. Kanejama shpjegon se orizi në tas, «vjen duke u bërë si një pirg me majë». Për të krijuar këtë formë, çdo kokërr duhet bërë veçmas. Vetëm t’i vendosësh bashkë kokrrat e orizit nuk mjafton, sepse do të formonin një shtresë të sheshtë. Por kokrrat e orizit duhet të ngjiten me kujdes që të krijojnë pirgun me majë si te orizi prej vërteti. Duke e bërë kaq të ngjashëm me origjinalin, ushqimi bëhet më joshës për një sy të mprehtë.

Duhen vite të tëra përvojë që të bëhesh profesionist në prodhimin e ushqimeve plastike. Një nxënësi i duhen të paktën disa vite për të mësuar teknikat bazë, duke nisur me modelet më të thjeshta, si për shembull me kërpudhat. Duhen gati dhjetë vjet stërvitje para se dikush të bëjë një imitim që ta mbush syrin, të një peshku të sapokapur me të gjitha ngjyrat dhe format e ndërlikuara të luspave. E ndoshta duhet të kalojnë nja 15 vjet që dikush të quhet specialist në këtë fushë.

Nëse ju rastis të ecni pranë një restoranti në Japoni dhe të shihni në vitrinë pjata që ju bëjnë t’ju lëshojë goja lëng, mendoni pak se sa kujdes e përkushtim është dashur për t’i bërë. Kushedi, mbase do të pyesni se cili kërkon më shumë mjeshtëri, gatimi i ushqimeve të vërteta apo imitimi plastik i tyre?

[Kutia në faqen 27]

Çfarë fshihet pas kamerave?

Herën tjetër kur të shihni ushqime në ndonjë film, program televiziv ose tregtar, vëzhgojini me kujdes. Mund edhe të mos jenë prej vërteti. Sipas stilistit të ushqimeve Kris Oliverit, në Los Anxhelos, mostrat artificiale të ushqimeve janë ideale për orët e gjata që duhen për të filmuar një skenë. «Të vete më shtrenjtë se të blesh ushqime të vërteta, por na leverdis më shumë»,​—thotë ai. Vërtet, nën efektin e dritave dhe të kamerave, ushqimet plastike shërbejnë si dublues të shkëlqyer të ushqimeve të vërteta.

[Figura në faqen 26]

A mund të thoni cili është ushqimi prej vërteti? (Përgjigja gjendet në faqen 27)

Përgjigja: Tabakaja që ka gruaja në dorën e djathtë ka ushqimin e vërtetë.

[Burimi i figurës në faqen 26]

Fotografitë në fund: Komuna Haçiman, rrethi i Guxhjosë, prefektura e Gifusë, Japoni