Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A keni vërtet nevojë për fizkulturë?

A keni vërtet nevojë për fizkulturë?

A keni vërtet nevojë për fizkulturë?

«Bëni fizkulturë dy herë në javë që të keni një formë të mirë fizike. Bëni fizkulturë 30 minuta në ditë. Mos pini pije alkoolike që të parandaloni kancerin. Përdorni pije alkoolike që të ulni rrezikun e sëmundjeve të zemrës. A ndiheni ndonjëherë të bombarduar me këshilla që jua thonë për të mirën tuaj? Gazetat një ditë thonë një gjë, kurse javën tjetër thonë diçka krejt ndryshe. . . . Përse shkencëtarët nuk janë në një mendje? Pse kafeja një javë është e rrezikshme, kurse javën tjetër nuk të bën dëm?»​—Barbara A. Brem, doktoreshë në fushën e arsimit, profesoreshë për edukimin fizik dhe sportet.

SPECIALISTËT e shëndetësisë shpesh nuk janë në një mendje lidhur me çështjet e ushqimit dhe të kujdesit për formën fizike. Shumë veta pështjellohen nga moria e informacioneve për gjërat që duhen ose nuk duhen bërë për të qenë të shëndetshëm. Megjithatë, kur bie fjala për nevojën që kemi për aktivitete fizike në masën e duhur, duket se shkencëtarët pajtohen plotësisht me mendimin: nëse doni një shëndet më të mirë, duhet të bëni fizkulturë rregullisht!

Në kohët moderne, mungesa e aktivitetit të mjaftueshëm fizik është bërë një shqetësim serioz, sidomos në vendet e industrializuara. Për breza me radhë, shumë njerëz në këto vende bënin punë të rënda fizike, siç ishin bujqësia, gjuetia, peshkimi ose ndërtimi. Sigurisht, sforcimi i madh fizik që u duhej të përballonin vetëm për të siguruar bukën e gojës, shpesh ishte një stërmundim për paraardhësit tanë, e madje u shkurtonte edhe jetën. Sipas Encyclopædia Britannica, «në Greqinë e lashtë dhe në Romën e lashtë, jetëgjatësia mesatare ishte rreth 28 vjeç». Por ishte krejt ndryshe nga fundi i shekullit të 20-të, kur jetëgjatësia në vendet e zhvilluara arriti rreth 74 vjeç. Përse ndodhi ky ndryshim?

Teknologjia​—Bekim apo mallkim?

Sot njerëzit gëzojnë një shëndet disi më të mirë dhe kanë një jetë më të gjatë sesa ata që jetuan shekuj më parë. Kjo pjesërisht ka ardhur falë revolucionit teknologjik. Shpikjet moderne kanë ndryshuar mënyrën se si i bëjmë gjërat, dhe shumë punë të lodhshme përballohen më lehtë. Mjekësia ka përparuar mjaft në luftën kundër sëmundjeve, duke përmirësuar shëndetin e shumicës së njerëzve. Sidoqoftë në gjithë këtë situatë ka diçka kontradiktore.

Ndonëse teknologjia moderne ka ndihmuar për një shëndet më të mirë, me kalimin e kohës, ajo ka çuar shumë njerëz drejt një jete sedentare. Në një raport të kohëve të fundit, me titull Statistika ndërkombëtare për sëmundjet kardiovaskulare (anglisht), Shoqata Amerikane për Sëmundjet e Zemrës shpjegon se «tranzicioni ekonomik, urbanizimi, industrializimi dhe globalizimi sjellin ndryshime në mënyrën e jetesës, të cilat krijojnë terren për sëmundjet e zemrës». Ndër faktorët kryesorë që çojnë drejt këtij rreziku, raporti përmend «mungesën e aktivitetit fizik dhe një dietë jo të shëndetshme».

Në shumë vende, vetëm 50 vjet më parë, një njeri punëtor djersiste pas kalit dhe parmendës, i jepte biçikletës nëpër rrugët e fshatit për të shkuar në bankë, kurse në mbrëmje riparonte ndonjë gjë në shtëpi. Por sot, nipërit e tij bëjnë një jetë krejt ndryshe. Punonjësi i ditëve moderne mund ta kalojë pjesën më të madhe të ditës i ulur para kompjuterit, pothuajse kudo shkon me makinë, kurse mbrëmjen e kalon para televizorit.

Sipas një studimi, sharrëtarët suedezë, që në të kaluarën digjnin rreth 7.000 kalori në ditë, duke prerë drurë e duke i transportuar, tani kontrollojnë pajisjet e sofistikuara që kryejnë shumicën e punëve më të vështira. Dikur rrugët ndërtoheshin dhe mirëmbaheshin nga njerëz që punonin me kazma dhe lopata. Kurse sot, edhe në vendet në zhvillim, gërmimi dhe heqja e dherave ose e materialeve të tjera bëhet nga buldozerët dhe makineritë e tjera të rënda.

Në disa pjesë të Kinës, vendin e biçikletës, mjetit të preferuar të transportit, po e zë motoçikleta. Në Shtetet e Bashkuara, në 25 për qind të rasteve, njerëzve nuk u duhet të bëjnë as dy kilometra për të shkuar nga njëri vend në tjetrin, e megjithatë, gati 75 për qind e këtyre udhëtimeve të shkurtra bëhen me makinë.

Teknologjia moderne ka sjellë edhe një brez fëmijësh që bëjnë jetë sedentare. Nga një studim u vërejt se ndërkohë që videolojërat bëhen «më tërheqëse dhe më reale, fëmijët po . . . kalojnë më shumë kohë në pultin e komandimit». Përfundime të ngjashme janë nxjerrë edhe për televizorin dhe për forma të tjera zbavitjeje që nuk i vënë në lëvizje fëmijët.

Rreziqet e jetës sedentare

Mungesa e lëvizjes ka çuar në shumë probleme fizike, mendore dhe emocionale. Për shembull, kohët e fundit një institucion shëndetësor në Britani tha: «Fëmijët që nuk merren me aktivitete fizike rrezikojnë të kenë më pak vlerësim për veten, më shumë ankth dhe më shumë stres. Gjithashtu, në krahasim me fëmijët aktivë, këta fëmijë ka më shumë të ngjarë të pinë duhan dhe drogë. Punonjësit që nuk merren me aktivitete fizike mungojnë më shumë në punë, sesa ata që janë në lëvizje. Kur arrijnë në moshën e thyer, njerëzit që bëjnë një jetë sedentare nuk kanë më as fuqinë dhe as zhdërvjelltësinë e nevojshme për të bërë gjërat e përditshme. Si pasojë ata mund të humbin pavarësinë dhe të kenë një shëndet mendor më të dobët.»

Kora Kreigu, presidente e Institutit Kanadez të Kërkimeve për Jetesën dhe Formën Fizike thotë që «gjatë punës, kanadezëve u duhet të lëvizin shumë më pak se më përpara. . . . Në përgjithësi, aktiviteti fizik ka rënë». Gazeta kanadeze The Globe and Mail thotë: «Rreth 48 për qind e kanadezëve janë mbipeshë, duke përfshirë 15 për qind që janë të dhjamosur.» Gazeta shton se në Kanada, 59 për qind e të rriturve bëjnë jetë sedentare. Dr. Mati Usitupa, nga Universiteti i Kuopios në Finlandë, paralajmëron se «rastet me diabet të Tipit 2 po shtohen me të shpejtë në mbarë botën, sepse po shtohen njerëzit e dhjamosur dhe ata që bëjnë një jetë sedentare».

Në Hong-Kong, një studim i kohëve të fundit thoshte se rreth 20 për qind e vdekjeve te njerëzit me moshë 35 vjeç e lart, lidheshin me mungesën e lëvizjes. Studimi i drejtuar nga profesori Tai Hing Lam i Universitetit të Hong-Kongut dhe i botuar në vitin 2004 në Kronikën e Epidemiologjisë, (anglisht) arriti në përfundimin se te kinezët e Hong-Kongut, «rreziku [i vdekjes] nga mungesa e aktivitetit fizik është më i madh se rreziku që vjen nga pirja e duhanit». Studiuesit parashikojnë që e njëjta situatë do të vërehet edhe në pjesën tjetër të Kinës.

A është me vend një shqetësim i tillë? A mund të na e dëmtojë vërtet shëndetin mungesa e aktivitetit fizik, madje më shumë se pirja e duhanit? Pranohet gjerësisht se në krahasim me njerëzit që e mbajnë trupin në lëvizje, njerëzit që nuk janë në aktivitet vuajnë më shumë nga tensioni i lartë, rrezikojnë më shumë të preken nga apopleksia, infarkti në zemër, nga disa lloje kanceri, nga osteoporoza dhe janë më të prirur të dhjamosen. *

Revista The Wall Street Journal thotë: «Në çdo kontinent të botës, duke përfshirë edhe vendet ku të ushqyerit e keq është i përhapur, numri i njerëzve që janë mbipeshë ose të dhjamosur po shtohet me ritme alarmuese. Shkaku kryesor është kombinimi i ushqimeve me shumë kalori dhe i jetës sedentare që ka çuar edhe në epideminë e dhjamosjes në SHBA.» Me këtë mendim pajtohet edhe dr. Stefan Rësneri, profesor për zakonet që ndikojnë te shëndeti, në institutin «Karolinska» të Stokholmit në Suedi. Madje ai tha: «Nuk ka mbetur asnjë vend në botë ku rastet e dhjamosjes të mos shtohen.»

Problem në mbarë botën

Qartë, të merresh rregullisht dhe në një masë të arsyeshme me aktivitete fizike është diçka jetësore për shëndetin. Megjithatë, ndonëse flitet shumë për rreziqet e mungesës së lëvizjes, një pjesë e madhe e popullsisë së botës vazhdon të bëjë një jetë sedentare. Federata Botërore për Sëmundjet e Zemrës thotë se 60 deri në 85 për qind e popullsisë së botës «sidomos vajzat dhe gratë, nuk merren sa duhet me aktivitet fizik që të kenë dobi shëndetësore». Kjo organizatë thotë se «rreth dy të tretat e fëmijëve nuk lëvizin sa duhet për të pasur dobi shëndetësore». Në Shtetet e Bashkuara, rreth 40 për qind e të rriturve bëjnë jetë sedentare dhe pothuajse gjysma e të rinjve nga mosha 12 deri në 21-vjeçare nuk merren rregullisht me veprimtari që kërkojnë shumë energji fizike.

Një studim që analizoi përhapjen e fenomenit të jetës sedentare në 15 vende evropiane zbuloi se përqindja e njerëzve që nuk e mbanin trupin në lëvizje shkonte nga 43 për qind në Suedi deri në 87 për qind në Portugali. Në San-Paulo, Brazil, rreth 70 për qind e popullsisë bëjnë jetë sedentare. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se «të dhënat e mbledhura nga anketat shëndetësore anembanë botës përputhen jashtë mase». Pra nuk ka pse të habitemi që afërsisht dy milionë njerëz vdesin çdo vit nga shkaqe që lidhen me jetën sedentare.

Në mbarë botën, specialistët e shëndetësisë e shohin si alarmante këtë prirje. Si pasojë, agjencitë qeveritare anembanë botës kanë filluar programe të ndryshme që kanë si qëllim të njohin publikun me dobitë e aktivitetit fizik. Brenda vitit 2010, Australia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara shpresojnë që niveli i aktivitetit fizik te shtetasit e tyre të rritet 10 për qind. Skocia ka si qëllim që brenda vitit 2020, popullsia e rritur që merret rregullisht me veprimtari fizike të arrijë 50 për qind. Në një raport të OBSH-së shpjegohet se «vende të tjera që e vunë theksin te programet e tyre kombëtare për aktivitetin fizik ishin Meksika, Brazili, Xhamajka, Zelanda e Re, Finlanda, Federata Ruse, Maroku, Vietnami, Afrika e Jugut dhe Sllovenia».

Me gjithë përpjekjet e qeverive dhe të organizatave të shëndetësisë, në fund të fundit, i mbetet secilit prej nesh përgjegjësia për t’u kujdesur për veten dhe për shëndetin e familjes. Pyeteni veten: ‘A merrem sa duhet me aktivitet fizik? A po bëj fizkulturë sa duhet? Nëse jo, ç’mund të bëj që të heq dorë nga jeta sedentare?’ Artikulli vijues do t’ju tregojë se si ta shtoni aktivitetin fizik.

[Shënimi]

^ par. 16 Mungesa e aktivitetit fizik e shton shumë rrezikun e disa problemeve shëndetësore që vënë në rrezik jetën. Për shembull, sipas Shoqërisë Amerikane për Sëmundjet e Zemrës, jeta sedentare «e dyfishon rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe e rrit me 30 për qind rrezikun e tensionit të lartë. Gjithashtu ajo dyfishon rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare dhe nga apopleksia».

[Kutia në faqen 4]

Kostoja e jetës sedentare

Shumë qeveri dhe organizata shëndetësore janë mjaft të shqetësuara për barrën financiare që jeta sedentare i ka vënë shoqërisë.

Australi – Në këtë vend shpenzimet vjetore për problemet shëndetësore që lidhen me jetën sedentare arrijnë rreth 377 milionë dollarë.

Kanada – Sipas Federatës Botërore për Sëmundjet e Zemrës, vetëm për një vit, Kanadaja harxhoi më shumë se 2 miliardë dollarë për problemet shëndetësore që erdhën nga «mungesa e aktivitetit fizik».

Shtetet e Bashkuara – Gjatë vitit 2000, Shtetet e Bashkuara harxhuan një shifër astronomike prej 76 miliardë dollarësh për shpenzimet shëndetësore që lidheshin drejtpërdrejt me mungesën e aktivitetit fizik.

[Kutia dhe figurat në faqen 5]

Fëmijët kanë nevojë për lëvizje

Studimet e fundit kanë zbuluar se fëmijët që nuk marrin pjesë rregullisht në aktivitete fizike, sa vijnë e shtohen. Mungesa e aktivitetit fizik haset më shpesh te vajzat, sesa te djemtë. Nga sa duket, ndërsa rriten, fëmijët lëvizin më pak. Më poshtë janë treguar disa nga dobitë e shumta që mund t’u sjellë fëmijëve aktiviteti i rregullt fizik:

● Forcon kockat, muskujt dhe kyçet

● Parandalon mbipeshën dhe dhjamosjen

● Parandalon problemet që vijnë nga tensioni i lartë ose bën që këto probleme të mos fillojnë në moshë të re

● Parandalon diabetin e Tipit 2

● Rrit respektin për veten dhe parandalon ankthin dhe stresin

● Ndihmon që fëmijës t’i bëhet zakon jeta aktive e cila mund të parandalojë një jetë sedentare kur ai të rritet

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Shëndet më i mirë për të moshuarit

Thuhet se sa më i moshuar të jesh, aq më shumë përfiton nga një program i ekuilibruar me ushtrime fizike. Por shumë të moshuar ngurrojnë të marrin pjesë rregullisht në aktivitete fizike nga frika se mos dëmtohen ose sëmuren. Kuptohet, është mirë që të moshuarit të këshillohen me mjekun para se të fillojnë një program që kërkon sforcim nga ana fizike. Megjithatë specialistët mendojnë se lëvizja mund t’ua përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës të moshuarve. Më poshtë vijojnë disa fusha ku të moshuarit mund të përfitojnë duke bërë rregullisht fizkulturë:

● Shkathtësia e mendjes

● Ekuilibri dhe zhdërvjelltësia

● Shëndeti emocional

● Rimëkëmbja e shpejtë nga sëmundjet ose dëmtimet

● Funksionimi i aparatit tretës dhe i mëlçisë

● Metabolizmi

● Sistemi imunitar

● Dendësia e kockave

● Dinamizmi