Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kafeja e Konës: Mbreti i shijes

Kafeja e Konës: Mbreti i shijes

Kafeja e Konës: Mbreti i shijes

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Havai

VIZITORËT që vijnë në Konë, një krahinë e Ishullit të Madh të Havait, kanë rastin të provojnë një ndër kafetë më të shijshme në botë, kafenë e Konës, e cila cilësohet nga shumë veta si mbreti i shijes.

Në zonën e maukës (malore) ku shtigjet janë gjarpërushe, të gjitha shpatet e malit janë të mbuluara me hektarë të tërë plantacionesh kafeje. Gjethet e ndritshme dhe me ngjyrë të ndezur të kënaqin syrin. Në periudha të caktuara të vitit çelin lule të bardha e të brishta, që shndritin dhe përhapin aromën e tyre në ajër. Pikërisht nga këto lule formohen pastaj frytet e vogla të pemës së kafesë.

Ferma të mëdha dhe të vogla familjare janë në radhë njëra pas tjetrës​—mbi 600 të tilla​—dhe disa janë trashëguar nga prindërit te fëmijët për breza të tërë. Zona e mbjellë me kafe në këtë ishull është shumë e madhe, përafërsisht 1,5 kilometra e gjerë dhe 50 kilometra e gjatë. Ndodhet në shpatet e dy vullkaneve të lashta, Hualalajit dhe Mauna-Loas. Kafeja rritet më mirë në lartësinë nga 150 deri në 750 metra.

Në Havai, zonat turistike shumë të njohura, supermarketet, dyqanet e vogla dhe kafenetë me një stil të thjeshtë buzë rrugës, të gjitha bëjnë kafe me këtë varietet kafeje të shkëlqyer. Ata që e pinë shumë kafenë, e preferojnë këtë lloj kafeje për aromën e fortë, si edhe për shijen e saj jo shumë të hidhur. Por, si mori hov rritja e kafesë në këtë monarki të dikurshme, dhe si u shndërrua në një industri që vjel qindra milionë dollarë?

Franthisko de Paula-Marin, mjeku dhe këshilltari i mbretit Kamihamiha I, ka kryesisht meritën për importimin dhe mbjelljen e bimës së kafesë për herë të parë në ishullin e Oahut në vitin 1813. Më vonë, rreth vitit 1828, disa filiza të bimës së kafesë u çuan nga Oahu në krahinën e Konës, në Ishullin e Madh. Këto ishin një varietet i bimës së zakonshme të kafesë (Coffea arabica), e cila vazhdon të prodhohet edhe sot në ishullin e Konës. Qysh prej vitit 1830, bima e kafesë lulëzoi në Konë dhe tregtohej në sasi të mëdha.

Pse rritet shumë kafeja në krahinën e Konës?

Megjithëse bima e kafesë (1) klasifikohet nga botanika si shkurre, ajo mund të bëhet gati 10 metra e lartë. Prandaj shumë veta i thonë pemë. Krahina e Konës ka kushte ideale gjeografike për rritjen e kafesë. Kjo për shkak të erërave alize që fryjnë nga ana lindore e ishullit. Duke u përplasur me shpatin lindor të Mauna-Loas që ngrihet mbi 4.000 metra lartësi, erërat shndërrohen në fllade të lehta. Pastaj këto fllade fryjnë lehtë mbi mal drejt Konës, dhe kështu lulet e brishta të kafesë nuk dëmtohen.

Shpatet e Konës rrihen shumë nga dielli, dhe shpesh gjatë pasdites dalin re nëpër qiell, duke bërë hije dhe duke i mbrojtur kështu bimët nga dielli i fortë. Një ndihmë tjetër që japin këto re është shiu i lehtë gjatë pasdites, që siguron ujë me bollëk për bimët. Nuk ka as rrezik për ngrica, pasi pothuajse gjatë gjithë vitit temperaturat nuk ulen në ekstrem.

Vjelja dhe përpunimi i të korrave

Sa kohë kalon që nga mbjellja deri te vjelja e kafesë për shitje? Zakonisht duhet të kalojnë të paktën tre vjet para se një pemë kafeje të japë një prodhim të kënaqshëm. Lulet e kafesë çelin disa herë gjatë vitit. Kështu që, çdo vit, një fermer i zakonshëm duhet t’i korrë fushat me dorë gati tetë herë.

Fryti i bimës së kafesë, me tul ngjyrë të kuqe flakë, mban normalisht dy fara, domethënë dy kokrra kafeje. Meqë kokrrat janë të mbuluara me një cipë të hollë, frytet duhet të përpunohen që ta shkëputin tulin dhe cipën nga kokrrat (2). Ato regjen në ujë (3) dhe pastaj thahen (4), kështu që ky proces e zvogëlon ndjeshëm sasinë përfundimtare të produktit. Mund të duhen gati tetë thasë me fryte për të nxjerrë vetëm një thes me kafe të pjekur, megjithatë kjo varet nga cilësia e kafesë.

Pjekja (5) e kokrrave të kafesë është një art më vete, sepse kërkon jo vetëm pajisje të mira, por edhe mjaft aftësi nga ana e atij që e pjek. Se për sa kohë piqet kafeja, kjo varet nga disa faktorë, si për shembull: lagështira, pesha, klasifikimi, cilësia e kokrrave, ngjyra e errët e dëshiruar dhe kushtet e motit.

Shumë nga plantacionet dhe mullinjtë e kafesë që janë në Ishullin e Madh, përdorin teknikat moderne të reklamimit. Ata e ftojnë publikun të vizitojë fermën, të shohë procesin e përpunimit dhe ta provojë vetë kafenë e Konës. Tabelat rrugore plot ngjyra dhe mullinjtë e vjetër piktoreskë të kafesë janë ende të shumtë, bashkë me kafenetë dhe hotelet e bukura me stilin e vjetër, që janë nga kushedi sa kohë. Pa dyshim, në të gjitha këto vende shërbehet kafeja e Konës.

Gomarët e butë, të njohur si «bilbilat e Konës» për shkak të pëllitjes së tyre të fortë, përdoreshin dikur për të transportuar trastat me kafe. Pastaj u zëvendësuan me xhipin ushtarak, i cili edhe ky më vonë nuk u përdor më. Por ende ka gjurmë të ekzistencës së tyre të dikurshme. Disa gomarë jetojnë në gjendje të lirë në natyrë dhe mbrohen me ligj. Ka edhe disa xhipa që ndodhen në oborret e shtëpive të kultivuesve të kafesë, e që po ndryshken dalëngadalë.

Zhvillohet tregu i kafesë

Për shumë vjet, kafeja e Konës përdorej kryesisht e përzier me varietete të tjera kafeje më cilësi më të ulët, dhe tregtohej në këtë mënyrë. Megjithatë, nga mesi i viteve 50 të shekullit të 20-të, ndodhi një ndryshim i rëndësishëm. Çmimet botërore të kafesë ishin të larta dhe rendimenti për hektarë i kafesë së Konës ishte goxha i lartë. Në disa mbledhje të mbajtura nga Shërbimi për Zgjerim në Universitetin e Havait, fermerët u nxitën të mbillnin më shumë kafe. Gjithashtu, të dhënat për rritjen e kafesë shkëmbeheshin mes fermerëve, përpunuesve, studiuesve dhe pedagogëve të universitetit.

Rezultatet ishin të kënaqshme. Që nga viti 1970, kafeja e Konës filloi të mos përdorej më kryesisht e përzier me kafe të tjera të një cilësie më të dobët, por u bë një specialitet për njohësit e kafesë, dhe nuk shitej vetëm në tregun vendës, por edhe në atë ndërkombëtar. Kjo bëri që çmimet të ngriheshin gjithnjë e më shumë. Disa marrëveshje ndërkombëtare i ndihmuan fermerët, duke i mbajtur të qëndrueshme çmimet e kafesë dhe duke parandaluar variacionet ekstreme të tyre. Mbrojta e të drejtave të markës «Kafeja e Konës» ndihmoi në shitjen e prodhimit dhe tani shumë fermerë dalin të fituar kur e shesin kafenë e tyre nëpërmjet Internetit.

Festa e kafesë së Konës

Tashmë vit për vit, Festa Kulturore e Kafesë së Konës, i fton të gjithë të marrin pjesë në një festim madhështor të kafesë. Ka gara për receta gatimi, një turne golfi dhe ngjarje të tjera të panumërta. Një aspekt i famshëm i festës është konkursi i kafesë, ku kafeja e përgatitur shijohet dhe vlerësohet nga disa specialistë. Konkurrenca është e madhe, pasi çmimi aq i dëshiruar do të thotë që do t’u shtohen shitjet atyre që e fitojnë konkursin.

Ja disa sugjerime nga kjo festë se si të bëni një «filxhan kafe të mirë me kafenë e Konës»: «Mënyra më e mirë e përgatitjes është sistemi automatik pikues me filtër letre. Përdorni ujë të ftohtë nga rubineti. Shtoni një lugë kafe të Konës për 178 mililitra ujë. Për t’ju shijuar më shumë, mbajeni të ngrohtë kafenë dhe konsumojeni brenda një ore.»

Si thoni, do ta provoni kafenë e Konës? Nëse po, do të pini kafenë më të mirë në botë, siç thonë disa, mbretin e shijes.

[Harta në faqen 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Kona

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 25]

Krahina e Konës

[Figura në faqen 25]

Lulet e bimës së kafesë

[Figura në faqen 26]

Fryti

[Figura në faqen 26]

Kokrrat

[Figura në faqen 26]

Heqja e cipës

[Figura në faqen 26]

Pjekja