Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Mësimi Jam mësuese dhe sapo mbarova së lexuari serinë e artikujve «Fëmijë a të moshuar: Mund të gjeni kënaqësi duke mësuar». (8 gusht 2004) Shpesh pyes veten se si arrini të shkruani artikuj që janë kaq të përmbledhur, të qartë dhe praktikë. E admiroj entuziazmin me të cilin i inkurajoni njerëzit e çdo moshe që të mësojnë.
F. S., Itali
Nga mesi i shkollës së mesme m’u mërzit kaq shumë shkolla, saqë prindërit pranuan që, me ndihmën e tyre, të mësoja vetë në shtëpi. Tani jam 20 vjeçe dhe jam e kënaqur që më pëlqen përsëri të mësoj. Leximi i kësaj serie më kujtoi edhe një herë se të gjithë mund ta duan mësimin, pavarësisht nga rrethanat në të cilat gjenden.
N. XH., Shtetet e Bashkuara
Kam pak vështirësi me djalin e madh që është 7 vjeç. Nuk i pëlqen të lexojë, të bëjë detyrat e shtëpisë apo të përqendrohet dhe të mësojë në mbledhjet e krishtere. Kam vendosur t’i zbatoj këshillat që kishte në këtë seri.
M. O., Japoni
Një nga sugjerimet në artikull ishte që në fund të studimit t’i bëjmë një përsëritje të shkurtër materialit, sepse shpesh ndodh që i harrojmë gjërat që sapo kemi mësuar. Bashkë me gruan jemi duke mësuar gjuhën hindi që të na ndihmojë të predikojmë në komunitetin e indianëve. Kam parë se më ndihmon shumë kur i shkruaj fjalët e reja në një copë letër. Pastaj sa herë që kam pak kohë të lirë, u hedh një sy. Kjo më ndihmon të fiksoj ato që sapo kam studiuar.
E. T., Shtetet e Bashkuara
Jam 56 vjeçe dhe në kongregacionin tonë është hapur grupi i gjuhës së shenjave. Ndonëse aftësitë e mia janë të kufizuara, u bashkova me grupin sepse doja t’i ndihmoja. Pikërisht kur po shqetësohesha se mos nuk ia dilja dot mbanë me gjuhën e shenjave, lexova këtë seri. Informacioni te nëntitulli «Sa të rrosh, do të mësosh» si dhe artikulli i fundit, më inkurajuan shumë. Mora forcë që të ecja me hapin tim dhe të vazhdoja me grupin e shenjave.
R. N., Japoni
Revistat Doja t’ju thosha se sa shumë më vuri në mendime artikulli «Revistat na ftojnë: ‘Më zgjidh mua, më bli mua!’» (8 gusht 2004) Asnjëherë nuk e kisha kuptuar se sa mund të ndikojnë te njerëzit këto revista. Më pëlqeu pika se ‘iluzioni sikur ke një lidhje të ngushtë’—ta njohësh një njeri vetëm si fytyrë, pa e takuar asnjëherë—bën që njerëzit të hidhërohen kur vdes një person që nuk e kanë takuar kurrë. Njëherë jam ndjerë edhe unë kështu. Tani shoh se vajzës i pëlqejnë disa revista. Do ta diskutojmë bashkë këtë artikull.
S. M., Shtetet e Bashkuara
Pamja Dua t’ju falënderoj për artikullin «Kur pamja të bëhet fiksim». (22 korrik 2004) M’u duk sikur ishte shkruar enkas për mua. Jam 19 vjeçe dhe mjerisht për disa kohë kam vuajtur nga çrregullimet në të ngrënë. S’është e lehtë ta kurosh këtë sëmundje. Faleminderit për artikujt që trajtojnë tema si këto. Ata të bëjnë t’i vësh gishtin kokës, dhe shpresoj se do të më ndihmojnë që ta kaloj këtë problem.
G. L., Itali
Fjalëkryqet Faleminderit për fjalëkryqet e bukura. Ato më ndihmojnë ta njoh më mirë Perëndinë Jehova dhe Biblën. Jam nëntë vjeçe.
I. K., Gjermani
«Zgjohuni!» përgjigjet: Në disa gjuhë, në revistën «Zgjohuni!», në vend të fjalëkryqit botohet pyetësori biblik «A e dini?»