Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Sulme psikologjike në Internet»?

Për shumë të rinj, celularët dhe Interneti janë bërë mjete të domosdoshme për të komunikuar me të tjerët. «Por këto mjete edhe mund t’ua shkatërrojnë jetën shoqërore»,​—thotë revista kanadeze Maclean’s. Kjo pasi «individë që sulmojnë psikologjikisht» mund t’u dërgojnë viktimave mesazhe elektronike, mesazhe «on-line» dhe mesazhe në celular, për t’i torturuar. «Çereku i të rinjve kanadezë që janë përdorues të Internetit, raportojnë se kanë marrë materiale ku thuheshin gjëra të poshtra për të tjerët»,​—thuhet në revistë. Këto lloj sulmesh elektronike e kanë shtyrë policinë që të nxjerrë urdhëresa se kërcënimet për vrasje, në formë të shkruar, përbëjnë krim. Revista Maclean’s i këshillon prindërit që të flasin me fëmijët për njerëzit dhe vendet që ata vizitojnë në Internet. Gjithashtu, ta vendosin kompjuterin në një vend që prindërit ta kenë më të lehtë për të parë se çfarë po lexojnë dhe çfarë po dërgojnë fëmijët. Raporti i paralajmëron fëmijët që të mos u përgjigjen asnjëherë këtyre mesazheve dhe asnjëherë «të mos ua tregojnë të tjerëve kodet ose fjalëkalimet që përdorin për të hyrë në kompjuter, as edhe miqve më të ngushtë». Kështu do të parandalojnë që informacioni i tyre privat t’u kalojë të tjerëve.

Më shumë makina, më shumë telashe

«Kina po kthehet nga mbretëria e biçikletave në shoqërinë e automjeteve»,​—pohon gazeta China Daily. Aktualisht në Kinë ka 20 makina për çdo 1.000 veta, në krahasim me raportin botëror 120 makina për çdo 1.000 veta. Parashikohet të rritet jashtëzakonisht shumë numri i makinave në Kinë. Çen Çingtai, zëvendësdrejtor i Qendrës Kërkimore për Zhvillim në Këshillin e Shtetit, beson se, sa më shumë njerëz të kenë makina, aq më shumë do të përmirësohet edhe jeta e tyre. Por nga ana tjetër, zoti Çen parashikon edhe telashe: «Nëse nuk arrijmë të kontrollojmë sasinë e gazit që lëshojnë makinat, ndotja e ajrit në qytete do të vijë kryesisht nga makinat, jo nga përdorimi i qymyrit.» Në disa qytete kineze, makinat janë tashmë prodhuesit më të mëdhenj të monoksidit të karbonit dhe të oksidit të azotit. Po bëhen përpjekje që të zvogëlohet niveli i ndotjes përpara Lojërave Olimpike të 2008-s, që do të mbahen në Pekin.

Martesa me dredhi

Më shumë se 3.000 gra në Afrikën e Jugut u «martuan» me dredhi, siç raportohet në gazetën Sowetan e Johanesburgut. Në një rast të tillë mashtrimi, gratë mendojnë se po firmosin një kontratë pune, por faktikisht ato po firmosin një certifikatë martese. Kjo certifikatë i jep të drejtën «dhëndrit» që është një i huaj, të ketë banim të përhershëm në këtë vend. «Nusja» mund të zbulojë se ka qenë viktimë e një mashtrimi vetëm kur i duhet të përsëritë nga e para dokumentet e identifikimit, nëse i kanë humbur, dhe shikon se ka mbiemër tjetër. Ose kur shkon në gjendjen civile për të regjistruar martesën e saj në ditën e vërtetë të dasmës, dhe mëson se tashmë figuron e martuar! Të anulosh «martesën» është e ndërlikuar. Megjithatë, rreth 2.000 gra kanë arritur ta anulojnë martesën që është bërë pa dijeninë e tyre. Për të luftuar këtë lloj mashtrimi, ka dalë një ligj i ri për të martuarit që janë të huaj, të cilët duhet të presin pesë vjet para se të bëjnë kërkesën për të pasur një vendbanim të përhershëm.

Një zbulim i rrallë arkeologjik

Arkeologët, duke vëzhguar shpellat afër Detit të Vdekur, zbuluan bizhuteri dhe sende të tjera që thuhet se datojnë këtu e 2.500 vjet më parë, dhe i përkasin kohës kur judenjtë u kthyen në vendlindjen e tyre nga robëria në Babiloni. Arkeologët nga Universiteti Hebraik në Jerusalem dhe nga Universiteti Bar-Ilan në Ramat-Gan, i zbuluan këto sende me anë të detektorëve të metaleve. Një raport i Associated Press, thotë se midis këtyre bizhuterive ishte një pasqyrë e vogël bronzi, një varëse argjendi, një gjerdan floriri dhe rruaza me gurë të vegjël gjysmë të çmuar, një medaljon babilonas prej agati dhe një vulë që paraqiste një prift babilonas duke iu përkulur hënës. «Ky është një zbulim shumë i rrallë. Është gati e pazakontë që arkeologët të gjejnë kaq shumë sende me vlerë historike, dhe që i përkasin kësaj periudhe»,​—tha Tsvika Tsuku, kryearkeologu i Agjencisë për Natyrën dhe për Mbrojtjen e Parqeve Kombëtare të Izraelit.

Fëmijët mund të pësojnë hemorragji cerebrale

«Në Kanada, të paktën një fëmijë çdo ditë pëson hemorragji cerebrale»,​—raporton gazeta Vancouver Sun. Neurologia Gabrielë deVeber, drejtoreshë e Canadian Pediatric Ischemic Stroke Registry, thotë se këta fëmijë duhet të kurohen pa humbur kohë. Përndryshe do të pësojnë «kriza edhe më të rënda hemorragjie cerebrale dhe më shumë dëmtim të sistemit nervor». Sipas gazetës, «ilaçet kundër trombozës duhen të merren brenda tri orëve pasi ka rënë hemorragjia». Por, kur hemorragjia cerebrale u bie fëmijëve, «shpesh ndodh që diagnostikohet gabim si krizë epilepsie ose migrenë». Gazeta vëren se simptomat që tregojnë se ka hemorragji cerebrale «përfshijnë mpirjen ose dobësimin, veçanërisht të një ane të trupit, çorientim, trashje të gjuhës, humbje të shikimit, marrje mendsh dhe dhembje të forta koke». Hemorragjia cerebrale te fëmijët mund të jetë një efekt anësor i shkaktuar nga disa kura të përdorura për sëmundjet e zemrës dhe të kancerit. Gjithashtu, disa specialistë dyshojnë se «dhjamosja te fëmijët dhe ushqimet me shumë yndyrë», mund të jenë disa faktorë që e rritin rrezikun.

Ushqime të ndotura

Gazeta The Hindu e Indisë, raporton se, sipas një studimi të bërë nga organizata ambientaliste Toxics Link, banorët e Azisë Jugore, bashkë me ushqimin që hanë normalisht, po marrin edhe substanca ndotëse të rrezikshme për shëndetin. Nga studimi u gjet se në ushqimet bazë, si mishi, erëzat dhe vaji, kishte substanca kimike të rrezikshme që janë të ndaluara ose të kufizuara me ligj. Në raport thuhet se ndotësit organikë që i rezistojnë shpërbërjes në natyrë, si dyfenili i poliklorinuar (PCB-të), ka shumë mundësi të jenë gjendur në natyrë «nga hedhja vend e pa vend e transformatorëve të vjetër dhe kondesatorëve të importuar para ndalimit» të PCB-ve, ose mund të jenë çliruar në doket ku bëhet çmontimi i anijeve. Studime të tjera zbuluan praninë e insekticidit DDT në perimet dhe në peshkun e tharë. Sipas raportit, pavarësisht nga marrëveshjet ndërkombëtare që kanë si qëllim të mbajnë nën kontroll ndotës të tillë të rrezikshëm, ‘janë parë nivele të larta të ndotjes me substanca të tilla, si: DDT, HCB, Aldrinë, Dieldrinë, [Dioksinë], Furan dhe PCB te kampionët e qumështit të gjirit, të yndyrnave dhe të gjakut të njeriut’.

Shndërrimi i shoqërive nga armët

«Prodhimi me shumicë i armëve, sidomos ai i armëve të lehta, është kaq i përhapur, saqë është përgjegjës për vdekjen e një personi çdo minutë dhe më shumë se 500.000 vrasjeve në vit [në të gjithë botën],​—pohon gazeta The Independent e Londrës.​Në vitin 2001, u prodhuan 16 miliardë copë municione ushtarake, që mjaftojnë për t’i qëlluar dy herë çdo njeriu në të gjithë botën.» Gati tetë milionë armë zjarri prodhohen çdo vit, dhe shumica për t’u përdorur nga civilë. Siç tregon edhe studimi i bërë nga organizatat Amnesty International, Oxfam, dhe International Action Network on Small Arms, «shoqëritë që një herë e një kohë ishin pak a shumë paqësore, ku zënkat mbaronin vetëm me grushta ose thika, janë shndërruar nga armët». Në një vend, pushkët automatike përdoren si njësi monetare. Në një vend tjetër, një mësuesi që i dha mësime anglishteje një gruaje të moshuar, i dhanë si pagë disa granata dore. Gazeta thotë se në një vend tjetër, «foshnjave u vënë emrin ‘Uzi’ dhe ‘AK’, sipas markave të armëve automatike të preferuara të baballarëve».