Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa e keni orën?

Sa e keni orën?

Sa e keni orën?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

A E DINI sa është ora? Nëse i hidhni një sy orës së dorës, ajo do t’jua tregojë. A e keni orën fiks? Është e lehtë t’i shohim si të zakonshëm këta matës të kohës, megjithëse janë shumë më të ndërlikuar nga ç’duken.

Njeriut gjithmonë i ka interesuar të llogaritë kohën pavarësisht nga natyra e saj abstrakte dhe kalimtare. Cikli i stinëve, fazat e hënës, dita dhe nata që pasojnë njëra-tjetrën, të gjitha e ndajnë kohën vetvetiu. Megjithatë, prej shekujsh njeriu është përpjekur të matë periudha më të vogla kohe dhe ta përcaktojë kohën me saktësi më të madhe.

Shkenca që fshihet pas mekanizmave

Arti i punimit të orëve, i cili përfshin shkencën që merret me përcaktimin e kohës dhe me ndërtimin e pajisjeve për matjen e saj, është një ndër mjeshtëritë më të vjetra. «Zemra» e këtyre mekanizmave është lëshuesi. Ky rregullon shpejtësinë me të cilën lëshohet forca që vë në lëvizje pajisjen. Kur kjo forcë lëshohet vetëm në sasi të vogla dhe në intervale kohe të rregullta, atëherë mund të matet koha. Askush s’e di me saktësi se kur u shpik ora e parë e gjitha mekanike, siç janë ato me kurdisje. Megjithatë, rreth vitit 1500 u shënua një arritje e re në këtë fushë, kur u prodhuan për herë të parë orët që mund të mbaheshin me vete.

Ora e sotme e dorës është relativisht e re. Ajo filloi të përdorej gjerësisht nga fundi i shekullit të 19-të, sidomos nga gratë. Gjatë Luftës I Botërore, oficerët e artilerisë panë se ora e dorës ishte më praktike se ora e xhepit. Pas kësaj, orët e dorës u bënë shumë të kërkuara.

Në ditët tona, shumica e orëve janë elektronike dhe përdorin kristalet e kuarcit. Kur një cope kuarci i jepet formë dhe vendoset në një qark elektronik të përshtatshëm, kuarci dridhet me një shpejtësi konstante si një lavjerrës që lëkundet me shpejtësi.

Është shumë e vështirë t’i rregullosh që të ecin fiks orët me kuarc dhe orët mekanike. Pra çfarëdo ore që të keni, ajo do të shkojë pak para ose mbrapa. Megjithatë, sot ka orë me kuarc që rregullohen automatikisht në mënyrë periodike duke përdorur sinjalet e kohës që marrin nga orët atomike. * Reklamuesit thonë se këto orë që drejtohen me radio, janë kaq të sakta, saqë në një milion vjet gabojnë vetëm me një sekondë.

Orët mekanike janë ende të kërkuara

Po të mbani parasysh saktësinë e lartë të orëve me kuarc dhe atyre atomike, si edhe faktin që lëshuesi i përdorur në orët mekanike është shpikur më shumë se dyqind vjet më parë, ndoshta ora mekanike ju duket si e dalë jashtë mode. Prapëseprapë, ora që bën tik-tak ende tërheq shumë njerëz. Çdo vit prodhohen me miliona orë të tilla. Madje vitet e fundit, të ardhurat që vijnë nga eksportimi i orëve mekanike zviceriane janë më të mëdha se të ardhurat që vijnë nga eksportimi i orëve elektronike. Janë shpikur lëshues të rinj me fërkim të ulët dhe efikas, dhe njerëzit vazhdojnë të kërkojnë orëndreqës të zotë dhe të shkojnë tek ata për të rregulluar orët mekanike.

Pse orët mekanike janë kaq të pëlqyera? Majkëll, një orëndreqës që ka tridhjetë vjet përvojë, mendon se një arsye është sepse ato rrojnë shumë. Ai thotë se ndërkohë që një orë me kuarc mund të punojë mirë për pak a shumë 15 vjet, një orë mekanike cilësore mund ta matë me saktësi kohën për më shumë se 100 vjet. Kur një orë e tillë trashëgohet nga prindi tek fëmija, ajo mund të jetë një kujtim i vyer.

Të tjerëve u pëlqejnë orët mekanike për shkak të ndërlikimeve teknike, saktësisë në dhënien e informacionit për kohën dhe astronominë, duke përdorur ingranazhe dhe susta shumë të vogla. Gjithashtu, duke qenë se këto mekanizma mund të bëhen me dorë, një orëndreqës i apasionuar pas tyre, nuk e ka të vështirë ta gjejë se ku është defekti dhe pastaj ta rregullojë.

Ndryshe nga shumica e pajisjeve, pritet që orët të punojnë ditë-natë pa pushuar për vite të tëra. Për më tepër, orët e dorës duhet të punojnë në temperatura të ndryshme dhe në çdo pozicion të mundshëm, edhe kur i lëvizin sa andej-këtej. Dhe prapëseprapë duhet të jenë jashtëzakonisht të sakta. Një orë që shkon prapa ose para përafërsisht 20 sekonda në ditë, gabon gati 0,023 për qind, dhe kjo është saktësia që normalisht pritet nga një pajisje shkencore që mirëmbahet. Nuk është habi që shumë e vlerësojnë aftësinë, mjeshtërinë dhe punën artizanale që është dashur për të bërë një orë dore mekanike.

Sigurisht që ka edhe arsye të tjera përveç këtyre. Majkëlli, i cituar më sipër, shpjegon se disa njerëz thjesht duan të shmangin ndërrimin e baterisë që duhet të bëjnë herë pas here tek shumica e orëve me kuarc. Pra, çfarë mund t’ju ndihmojë që të vendosni se çfarë ore të mbani?

Kë të zgjidhni?

Sigurisht, e para doni një orë që t’ju pëlqejë. Për shumë veta, kjo do të thotë që ora përveçse të jetë praktike dhe të punojë mirë, të jetë edhe e bukur. Veç kësaj, Majkëlli rekomandon që të mendoheni mirë se çfarë ore doni. A do ta mbani çdo ditë pa e hequr fare nga dora apo vetëm me raste? A do ta ekspozoni ndaj goditjeve ose temperaturave ekstreme? Për shembull, nëse futet vazhdimisht në lëndë kimike ose në det, kjo mund të prishë rripin e orës dhe kapakun. Kështu që është e mençur t’i merrni parasysh këta faktorë.

Për sa i përket çmimit, është më mirë të përcaktoni njëfarë kuote, d.m.th deri në sa do të harxhoni për ta blerë orën dhe pastaj t’i përmbaheni kësaj shume. Zakonisht, orët mekanike janë më të shtrenjta sesa ato me kuarc. Gjithsesi, mbani parasysh se të njëjtët mekanizma bazë përdoren në shumë lloje orësh. Mekanizmi është ajo pjesë e orës që është e mbuluar nga kapaku dhe që mat kohën. Në përgjithësi, mekanizmat projektohen dhe ndërtohen me kujdes. Zakonisht çmimet variojnë për shkak të pjesëve estetike, si kapaku ose rripi. Kështu pra, nëse një orë kushton më shtrenjtë, s’do të thotë gjithnjë se është më e saktë ose punon më mirë.​—Shih kutinë më sipër.

Kur e ke orën në dorë, në çdo moment mund ta shohësh kollaj se sa është ora. Disa njohuri rreth prodhimit të orëve të dorës ju ndihmojnë t’i çmoni këto pajisje të dobishme. Në fund të fundit, a nuk ndiheni si të humbur nëse nuk e keni orën me vete?

[Shënimi]

^ par. 9 Orët atomike që përdorin dridhjet e atomeve si standard të frekuencës, janë shumë të sakta në matjen e kohës.

[Kutia dhe figurat në faqen 24]

CILA ËSHTË ORA MË E MIRË PËR JU?

LLOJI: Një kronograf, i cili ka njehsorë që matin intervale të shkurtra kohe, është ideal nëse doni të përcaktoni sa do të zgjatë një ngjarje. Për ata që merren me sport, është e këshillueshme një orë që i reziston ujit. Nëse e keni problem ta kurdisni orën ngaqë harroni, kujtoni se një orë me kuarc nuk ka nevojë për kurdisje. Edhe orët me vetëkurdisje ose automatike, nuk kanë nevojë të kurdisen, sepse kurdisen nga lëvizjet e dorës.

SAKTËSIA: Nëse e keni merak këtë aspekt, mund të mendoni për një kronometër, një orë shumë e saktë që përmbush disa kritere zyrtare të vendosura për saktësinë. Çka është më e rëndësishmja, teknologjia e orëve me kuarc ofron më shumë saktësi. Një orë moderne mekanike, me një mekanizëm që punon shpejt dhe që rreh 28.800 herë brenda një ore, punon me një frekuencë prej katër dridhjesh në sekondë. Krahasojeni pak me një orë standarde me kuarc që ka një frekuencë mesatare 10.000 deri në 100.000 dridhje në sekondë.

FUSHA: Një orë dixhitale përdorë shifrat ose numrat për të treguar kohën, por ka edhe orë të tjera që përdorin akrepat të cilët lëvizin përqark një fushe me numra. Orët dixhitale mund të tregojnë datën, orën e zonës dhe mund të kenë zile alarmi dhe kronograf. Orët me akrepa e tregojnë orën në një mënyrë që kuptohet lehtë dhe shpejt, mjaft t’u hedhësh një sy akrepave për t’i parë ku ndodhen.

MIRËMBAJTJA: Ndryshe nga ora me kuarc, ora mekanike vihet në punë nga një sustë e fortë dhe për këtë arsye nuk ndalon edhe aq kollaj për shkak të kokrrizave të pluhurit që mund të hyjnë brenda. Pavarësisht nga kjo, që të punojnë pa problem, orët mekanike kanë nevojë të pastrohen rregullisht, më shumë sesa orët me kuarc. Meqë orët dixhitale me kuarc nuk kanë pjesë të lëvizshme, nuk kanë nevojë për pastrim, përveç ndërrimit të baterisë herë pas here.

[Tabela dhe figurat në faqen 23]

DISA ORË DORE ME VLERË TË VEÇANTË

1810-1812

Ora e parë e dokumentuar, Abraham-Lui Brege

1945

Në fushën e orës tregohet data, Roleks

1957

Orë dore me elektromotor, Kompania e Orëve Hamilton

1960

Koha përcaktohet në sajë të elementëve elektronikë, Bulova

1972

Orë dixhitale e gjitha elektronike, Kompania e Orëve Hamilton

[Burimi]

Fotografia e dytë dhe e katërt: Me mirësjelljen e Kompanisë së Orëve Hamilton

[Burimi i figurës në faqen 23]

OMEGA