Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e gabuar të jesh ambicioz?

A është e gabuar të jesh ambicioz?

Pikëpamja e Biblës

A është e gabuar të jesh ambicioz?

«Ç’TË keqe ka të jesh i famshëm, të jesh i pasur ose të kesh pushtet?» Kjo pyetje u bë në artikullin «Dilema etike», botuar nga një shoqatë fetare. Në artikull përmendeshin fjalët që Perëndia i tha Abrahamit: «Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd.»​—Zanafilla 12:2.

Ndonëse thoshte që «ambicia nuk duhet t’u sjellë dëm të tjerëve», artikulli i mësipërm citonte fjalët e një rabini të famshëm të shekullit të parë, i cili tha: «Nëse nuk jam unë për veten time, kush do të jetë për mua?» Pastaj përfundonte: «Në qoftë se ne vetë nuk përpiqemi të arrijmë gjithçka që është brenda aftësive tona, këtë s’ka për ta bërë askush tjetër për ne.» Të jesh ambicioz apo jo: a është kjo një dilemë për ata që duan t’i shërbejnë Perëndisë? Çfarë do të thotë t’i përdorim plotësisht aftësitë tona? A është e gabuar të jesh ambicioz? Cila është pikëpamja e Biblës?

A ishte ambicioz Abrahami?

Në Bibël, Abrahami përmendet si njeri me besim të jashtëzakonshëm. (Hebrenjve 11:8, 17) Kur Perëndia i premtoi Abrahamit se prej tij do të krijonte një komb të madh dhe se emrin e tij do ta bënte të madh, Ai nuk po e nxiste Abrahamin të ishte ambicioz. Perëndia po shpallte qëllimin e Tij për të bekuar njerëzimin nëpërmjet Abrahamit, një qëllim që ishte shumë më i lartë sesa ambiciet njerëzore.​—Galatasve 3:14.

Duke vepruar me përkushtim ndaj Perëndisë, Abrahami la Urin, ku me sa duket, bënte një jetë të rehatshme e të begatë. (Zanafilla 11:31) Më vonë, për hir të paqes, Abrahami me gatishmëri hoqi dorë nga fuqia dhe autoriteti kur i ofroi mundësinë nipit të tij, Lotit, që të banonte në pjesën më të mirë të vendit. (Zanafilla 13:8, 9) Asgjë në Bibël nuk e portretizon Abrahamin si njeri ambicioz. Përkundrazi, besimi, bindja e përulësia janë cilësitë që e bënë Perëndinë ta kishte për zemër dhe ta donte si një ‘mik’ të vërtetë.​—Isaia 41:8.

Një pikëpamje e ndryshme për pozitën, famën dhe pushtetin

Sipas një përkufizimi, ambicia është «një dëshirë e fortë për lavdi personale, për pozitë ose për pushtet». Në lashtësi, mbreti Solomon kishte pozitë, famë dhe pushtet, por edhe një pasuri të madhe. (Predikuesi 2:3-9) Megjithatë, është interesante se, ndonëse i pati këto gjëra, ai nuk i kishte dëshiruar me zjarr ato. Kur Solomoni u bë mbret, Perëndia e ftoi të kërkonte çdo gjë që dëshironte. Me përulësi, Solomoni kërkoi një zemër të bindur dhe mençurinë që i duhej për të qeverisur popullin e zgjedhur të Perëndisë. (1 Mbretërve 3:5-9) Më vonë, pasi i përshkroi gjerë e gjatë pasurinë dhe pushtetin që kishte arritur, Solomoni tha se «të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën».​—Predikuesi 2:11.

A tha Solomoni se si mund t’i përdorë njeriu plotësisht aftësitë e tij? Në njëfarë mënyre, po. Pasi shqyrtoi përvojat e shumta që kishte kaluar në jetë, ai arriti në këtë përfundim: «Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.» (Predikuesi 12:13) Njerëzit mund t’i përdorin plotësisht aftësitë e tyre, jo duke arritur pozitën, pasurinë, famën ose pushtetin, por duke bërë vullnetin e Perëndisë.

Përulësia çon në lartësim

Është e vërtetë se nuk ka asgjë të gabuar që, në njëfarë mase, të kesh dashuri për veten. Bibla na urdhëron ta duam tjetrin siç duam veten. (Mateu 22:39) Është e natyrshme të dëshirojmë kushte të mira dhe lumturi. Por, Shkrimet na nxitin edhe që të punojmë pa u lodhur, të jemi të përulur e modestë. (Fjalët e urta 15:33; Predikuesi 3:13; Mikea 6:8, BR) Shpesh, njerëzit që janë të ndershëm, të besueshëm dhe punëtorë bien në sy, gjejnë punë të mirë dhe fitojnë respektin e të tjerëve. Sigurisht, të ndjekësh këtë rrugë, është më mirë sesa t’i shfrytëzosh të tjerët për të përfituar vetë ose të bësh konkurrencë me të tjerët për pozitë.

Jezui i paralajmëroi dëgjuesit e tij që të mos zgjidhnin kryet e vendit kur shkonin në dasma. Ai i këshilloi të shkonin në vendin që binte më pak në sy dhe t’ia linin në dorë mikpritësit, nëse do t’i ftonte të uleshin në një vend më të nderuar. Duke e shprehur qartë parimin që përfshihej në këtë rast, Jezui tha: «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet dhe ai që e përul veten, do të lartësohet.»​—Luka 14:7-11.

Të krishterët e vërtetë nuk rendin pas ambicies

Bibla tregon se ambicia për të qenë më lart se të tjerët, vjen nga papërsosmëria e njeriut. (Jakovi 4:5, 6) Apostulli Gjon dikur ishte ambicioz. Kaq e fortë ishte dëshira e tij për pozitë, saqë, bashkë me vëllanë e tij, mori guximin dhe i kërkoi Jezuit një vend shumë të nderuar në Mbretërinë e Perëndisë. (Marku 10:37) Më vonë Gjoni e ndryshoi qëndrimin e tij. Në letrën e tij të tretë, ai foli prerë kur tregoi që nuk e miratonte Diotrefin, për të cilin tha se «i pëlqen të jetë i pari». (3 Gjonit 9, 10) Sot, të krishterët i marrin për zemër fjalët e Jezuit dhe e përulin veten, duke ndjekur shembullin e apostullit të moshuar Gjon, i cili mësoi ta luftonte prirjen për të qenë ambicioz.

Gjithsesi, për të qenë realistë, duhet thënë se talenti, aftësitë, veprat e mira dhe puna e palodhur e dikujt, nuk garantojnë se të tjerët do ta vlerësojnë medoemos atë. Ndonjëherë ato shpërblehen, ndonjëherë jo. (Fjalët e urta 22:29; Predikuesi 10:7) Ka raste kur, ata që janë më pak të kualifikuar, zënë vende me pozitë, kurse të tjerë që janë më të aftë, nuk vlerësohen. Në këtë botë të papërsosur, ata që fitojnë pozitë dhe pushtet mund të mos jenë më të kualifikuarit.

Për të krishterët e vërtetë, çështja të jesh ambicioz apo jo, nuk paraqit ndonjë dilemë etike. Ndërgjegjja e tyre e stërvitur sipas Biblës i ndihmon të mos jenë ambiciozë. Ata thjesht përpiqen që, për lavdi të Perëndisë, të bëjnë më të mirën në çfarëdo rrethane, dhe pastaj përfundimin e gjërave e lënë në duart e tij. (1 Korintasve 10:31) Të krishterët përpiqen t’i përdorin plotësisht aftësitë e tyre, duke iu frikësuar Perëndisë dhe duke zbatuar urdhërimet e tij.

[Figura në faqet 12, 13]

A e nxiti Perëndia Abrahamin që të ishte ambicioz?