Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lule të egra apo barëra të këqija?

Lule të egra apo barëra të këqija?

Lule të egra apo barëra të këqija?

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Kanada

Lulet e egra janë mahnitëse. Ndaluni pak çaste dhe kundroni format e ndërlikuara të luleve të tyre. Vini re shumëllojshmërinë e ngjyrave fantastike. Merrini erë dhe provoni aromën e këndshme që kanë. Sa kënaqësi është kur afrohesh dhe ua prek petalet e buta dhe të brishta. E gjithë kjo hijeshi e mrekullueshme na bën për vete. Madje edhe na emocionon. Vërtet, lulet e egra e zbukurojnë panoramën e mjedisit. Ato na e bëjnë jetën edhe më të kënaqshme. Ndaj i jemi borxhlinj Krijuesit dhe Projektuesit të tyre.

Ndonëse i admirojmë lulet për ngjyrat e ndezura, format dhe aromat që kanë, roli i tyre kryesor është që të prodhojnë fara për procesin jetësor të riprodhimit. Për të plotësuar këtë qëllim, lulet e tyre janë projektuar që të tërheqin insektet, zogjtë, madje edhe lakuriqët e natës që të pllenohen. Veçanërisht në kërkim të luleve të egra janë zogjtë këngëtarë dhe fluturat. «Ato janë një burim ushqimi për këto krijesa fluturuese, ndërsa lulet e mbjella jo»,​—thotë kopshtari dhe autori Xhim Uilson. Sipas një enciklopedie, (The World Book Encyclopedia) është interesante se «në fillim, të gjitha lulet ishin lule të egra».

Ka me mijëra bimë me lule anembanë tokës. Atëherë, si mund ta dallojmë sot nëse një lule është e egër? Çfarë është një lule e egër? Me fjalë të thjeshta, një lule e egër është çdo bimë me lule që rritet pa ndërhyrjen e njeriut. Vetëm në Amerikën Veriore, janë identifikuar më shumë se 10.000 lloje të tilla. «Edhe pse termi në përgjithësi u referohet bimëve me kërcell të butë dhe me lule të mëdha e shumëngjyrëshe që të tërheqin vëmendjen, librat që flasin për lulet e egra përfshijnë edhe bimët drunore. Këto kontradikta e bëjnë pothuajse të pamundur që të jepet një përkufizim, i cili t’i përfshijë të gjitha llojet e bimëve që ne i quajmë lule të egra»,​—thotë natyralisti Majkëll Rans, autor i librit E bukura dhe bisha​—Bota e fshehur e luleve të egra (anglisht).

Farat mund të udhëtojnë për shumë kilometra. Disa mund të transportohen në distanca shumë të mëdha nga era ose uji. Megjithatë, shumica kanë kufij natyrorë, sepse janë projektuar për t’u rritur në zona specifike. Erërat mund të marrin me vete për kilometra të tëra fara të vogla, që janë sa një kokrrizë pluhuri. Gjithsesi, farat që kanë pjesë që ngjajnë si parashuta, si për shembull lule qumështorja, mund të udhëtojnë vetëm për një distancë të shkurtër.

Ata që jetojnë në Amerikën e Veriut ndoshta do të habiten të mësojnë se shumë nga lulet e egra që rriten natyrshëm në atë zonë, kanë ardhur nga vende të ndryshme. Dalja e anijeve që lundrojnë nëpër oqeane dhe mundësia për të shkuar në vende të tjera, bënë që një numër i madh bimësh e farash të merreshin nga toka mëmë dhe të shpërndaheshin kudo. Shumë nga këto bimë vijnë nga Evropa ose Azia. Disa u «ftuan» të vinin, ndërsa disa të tjera erdhën si «klandestine». Libri Lulet e egra në Amerikë (anglisht), thotë se shumë nga bimët që sot zbukurojnë panoramën e Amerikës Veriore, në fillim «mbinë si barëra të këqija nëpër të mbjellat; të tjera mes drithërave; në lëmishte dhe në sanë; në ujin e balastit të anijeve. . . . Të tjerat u sollën për t’u përdorur si erëza, ngjyruese, për të bërë parfume dhe ilaçe». Kur është kështu, përse disa herë këto dhe një mori bimësh të tjera me lule quhen barëra të këqija?

Kur lulja e egër quhet bar i keq

Në përgjithësi, çdo bimë që mbin prush në vendin ku ju nuk doni që të mbijë, quhet bar i keq, pavarësisht se mund t’ju mbijë në oborr, në kopsht ose në mes të të mbjellave. «Shumë bimë të quajtura barëra të këqija, nuk do të mund të mbijetonin . . . nëse këto habitate të krijuara nga njeriu nuk do të ekzistonin»,​—pohon libri Barërat e këqija të Kanadasë (anglisht). Më tej shton: «Ne jemi kryesisht përgjegjës, pasi kemi krijuar terrenin e përshtatshëm për rritjen e këtyre bimëve që mezi presim t’i heqim qafe.» Disa lule të egra që kanë ardhur nga vende të tjera, pushtojnë habitatin e bimëve të tjera vendëse që janë më pak armiqësore dhe transformojnë rrënjësisht mjedisin. Në këtë mënyrë, një bimë që është sjellë nga një vend tjetër mund të transformohet duke u shndërruar nga një lule e egër që mbin vetvetiu, në një bar të keq që pushton gjithçka.

Nëse keni provuar ndonjëherë të mbillni sikur edhe një kopsht të vogël, atëherë e kuptoni fare mirë çdo të thotë të të pushtojnë bimët «e paftuara». Toka e pambjellë është e ekspozuar ndaj erozionit të shpejtë të shkaktuar nga era dhe uji. Në çdo moment, ka me miliona fara të një shumëllojshmërie bimësh që flenë, të cilat janë të shpërndara andej-këtej thuajse mbi sipërfaqen e tokës. Lulet e egra janë krijuar në një mënyrë të tillë që të shumohen shpejt dhe ta pushtojnë tokën e pambjellë. Duke kuptuar se ky proces mund të shkaktojë një «duel» të gjatë në kopsht të hapur, do të jeni më të vetëdijshëm për rolet respektive të barërave të këqija dhe të luleve të egra.

Shijoni këtë pjesë mahnitëse të krijimit

S’mund të mos admironi shkëlqimin natyral të shpateve plot pemë dhe të shtruara si me qilim nga zambakë të bardhë (Trillium grandiflorum) që çelin në pranverë ose nga lulet ngjyrë bojëqielli të çikores që çel në mëngjes e i mban petalet në drejtim të diellit, dhe i mbyll ato në mesditë. Këto lule pranverore lajmërojnë fillimin e një pamjeje të bukurisë natyrore që vazhdon stinë pas stine, vit pas viti, duke konkurruar me njëra-tjetrën për të tërhequr vëmendjen tuaj. Çelja e disa luleve, si për shembull ajo e zambakëve të kuqërremë që jetojnë vetëm një ditë, zgjat shumë pak. Disa lule të tjera, si për shembull Suzana syzezë, mund të shihen nga fundi i pranverës dhe gjatë gjithë verës kur lulëzojnë buzë rrugës ose nëpër fushat që rrihen vazhdimisht nga rrezet e diellit.

Vërtet, bota e luleve të egra është një pjesë e mahnitshme e krijimit. Kur disa nga këto nxjerrin kryet në lëndinën a në kopshtin tuaj, apo jua zë syri përgjatë rrugës ose nëpër pyje, ndaluni pak dhe admironi format e ndërlikuara, ngjyrat fantastike dhe aromën e tyre të këndshme. Çmojini për atë që janë në të vërtetë​—një dhuratë nga Projektuesi i tyre, Krijuesi ynë bujar.

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

A e dinit?

Lule qumështorja dikur nuk njihej fare në asnjë cep të Amerikës Veriore. Kurse sot, kjo lule gjendet pothuajse kudo. Disa specialistë të botanikës thonë se ajo e ka origjinën nga Azia e Vogël. Emigrantët evropianë që jetonin në të dyja kontinentet e Amerikës, të cilët e kishin zakon ta përdornin lule qumështoren si ushqim, e morën me vete për ta mbjellë në kopshtet e reja. Rrënja e lule qumështores është përdorur për të bërë shumë ilaçe të njohura, kurse gjethet e saj të njoma janë përdorur për sallatë.

Luledelet janë ndër lulet më të zakonshme që mbijnë buzë rrugës. Ato e kanë origjinën nga Evropa. Në përgjithësi ato e hijeshojnë peizazhin. Çdo lule është në të vërtetë një buqetë me lule të verdha e të bardha. Në qendër ka qindra lulesa të vogla, pjellore dhe me ngjyrë të florinjtë që rrethohen nga 20 deri 30 petla të bardha në formë gjuhëzash. Lule të tilla shterpë, janë një vend i mirë pushimi për insektet.

Zambaku i kuqërremë që çel vetëm një ditë, mendohet që në fillim të ketë ardhur nga Azia, më vonë u çua në Angli, dhe përfundimisht në Amerikën Veriore. Edhe pse nga çdo kërcell dalin shumë lule, secila prej tyre rri e çelur vetëm një ditë. Ato hapen në mëngjes dhe në mbrëmje mbyllen përgjithnjë.

Zhabina e livadheve është sjellë gjithashtu nga Evropa në Amerikën Veriore. Ajo zakonisht gjendet nëpër moçale dhe buzë rrugëve. Ndonjëherë, rritet dy metra ose edhe më shumë. Megjithatë pak veta e dinë se kjo lule mund të jetë e rrezikshme. Pothuajse të gjitha llojet e kësaj luleje janë djegëse, ca më shumë e ca më pak. Për shekuj me radhë, disa zhabina të egra janë njohur si bimë që ta bëjnë lëkurën me flluska. Ana Prati, shkrimtare britanike e shekullit të 19-të, pohon: «Kanë ndodhur plot raste kur një ekskursionist është shtrirë për të marrë një sy gjumë në një vend ku ka pasur disa nga këto lule. Kur është zgjuar, i digjte fytyra dhe lëkura i ishte acaruar shumë nga lulet helmuese afër të cilave ishte shtrirë.»

[Burimet]

Lule qumështorja: Walter Knight © California Academy of Sciences; zhabina e livadheve: © John Crellin/www.floralimages.co.uk

[Figurat në faqen 16]

Lulet e çikores

[Figura në faqen 16]

Zambaku i kuqërremë që çel vetëm një ditë

[Figurat në faqet 16, 17]

Zambakë të bardhë

[Figurat në faqen 17]

Suzana syzezë

[Burimet e figurave në faqen 16]

Lart në të majtë: www.aborea.se; lart në qendër: Me mirësjelljen e John Somerville/www.british-wild-flowers.co.uk; zambaku i kuqërremë që çel vetëm një ditë: Dan Tenaglia, www.missouriplants.com, www.ipmimages.org