Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Universiteti më i vjetër në botë?

Një grup arkeologësh polakë dhe egjiptianë kanë zbuluar nga gërmimet vendin ku ndodhej universiteti i lashtë i Aleksandrisë, në Egjipt. Sipas gazetës Los Angeles Times, arkeologët gjetën 13 salla leksionesh​—pak a shumë me të njëjtën madhësi​—që të gjitha së bashku mund të kenë nxënë gati 5.000 studentë. Në gazetë thuhet se këto salla «kanë disa rreshta me stola, të cilët vijnë shkallë-shkallë përgjatë mureve në të tria anët e dhomave, dhe disa herë bashkohen në fund duke formuar shkronjën ‘U’». Në mes të sallës është një vend i ngritur, që ka shumë mundësi të ketë qenë vendi ku ulej pedagogu. «Është hera e parë deri tani, që është zbuluar një kompleks i tillë me salla leksionesh, në të gjitha trojet greko-romake në mbarë Mesdheun»,​—thotë arkeologu Zehi Haves, presidenti i Këshillit të Lartë Egjiptian të Antikiteteve. Havesi thotë se ai është «mbase universiteti më i vjetër në botë».

Akullore me hudhra?

Prej kohësh hudhra është çmuar për vetitë e saj kuruese. Siç raporton gazeta Philippine Star, tani universiteti shtetëror «Mariano Markos», që ndodhet në veri të Filipineve, ka nxjerrë një akullore me hudhër për arsye «shëndetësore». Shpresohet që prodhimi i ri t’u bëjë efekt atyre që vuajnë nga sëmundjet a problemet, për të cilat thuhet se hudhra bën mirë. Ndër to janë: rrufa, ethet, tensioni i lartë, problemet me rrugët e frymëmarrjes, reumatizma, rastet e kafshimit të gjarprit, dhembjet e dhëmbëve, tuberkulozi, kolla e bardhë, plagët, madje edhe rënia e flokëve. Pra, hajde akullore me hudhra! Dëshiron njeri akullore me hudhra?

Arktiku: Dikur me klimë subtropikale

Një skuadër ndërkombëtare shkencëtarësh që ka bërë shpime në fundin e Oqeanit të Ngrirë të Veriut, në zonën ndërmjet Siberisë dhe Grënlandës, thotë se kjo zonë dikur ka pasur klimë subtropikale. Ekspedita e Shpimeve në Arktik, që u ndihmua nga tri anije akullthyese, mori kampionë nga materialet që gjenden përafërsisht 400 metra nën fundin e oqeanit. Fosilet e vogla të bimëve dhe kafshëve detare të gjetura në ato kampione, tregojnë se dikur temperatura e oqeanit ka qenë rreth 20 gradë celsius, jo minus 1,5 gradë celsius siç është tani. Sipas profesorit Jan Bakmën i Universitetit të Stokholmit, i cituar nga BBC News, «historia e hershme e pellgut të Arktikut, do të rishqyrtohet duke u bazuar në rezultatet shkencore të mbledhura në këtë ekspeditë».

Ekranet dixhitale u zënë vendin dërrasave të zeza

Gazeta El Universal e qytetit të Meksikos raporton se në më shumë se 21.000 klasa të shkollave tetëvjeçare në Meksikë, dërrasa e zezë tradicionale, shkumësi dhe fshirësja po zëvendësohen nga «dërrasa» elektronike që është e lidhur me një kompjuter. Tani për tani, «dërrasa» që është gati dy metra e gjerë dhe një metër e lartë, po përdoret në klasat e pesta dhe të gjashta. Shtatë libra në format elektronik janë në dispozicion për të mësuar histori, shkencë, matematikë, gjeografi dhe lëndë të tjera. Gjithashtu në «dërrasën» elektronike mund të shihen edhe video. Kështu, nxënësit e një klase kanë «vizituar piramidat e Tikalit dhe të Palenkës, janë njohur me traditat e popullsisë maja dhe kanë dëgjuar muzikën [e tyre]». Ç’dobi pati kjo? «Nxënësit janë më të vëmendshëm, mësojnë dhe aktivizohen më shumë»,​—thotë mësuesja.

Një milion vetëvrasje në vit

Vetëvrasjet përbëjnë afro gjysmën e të gjitha vdekjeve të dhunshme në mbarë botën. Gati një milion njerëz vrasin veten çdo vit, shifër që në vitin 2001 e kaloi totalin e vdekjeve nga vrasjet dhe luftërat. Për çdo vetëvrasje, ka rreth 10 deri 20 tentativa të dështuara për të bërë vetëvrasje. Shifrat u botuan nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) me qendër në Gjenevë, Zvicër. OBSH-ja thekson se për çdo rast vdekjeje, «jeta e shumë familjarëve dhe miqve shkatërrohet në aspektin emocional, shoqëror dhe ekonomik». Raporti vëren se faktorët që mund të parandalojnë vetëvrasjen, janë «vlerësimi i lartë për veten», mbështetja e miqve dhe e familjarëve, marrëdhëniet e qëndrueshme me të tjerët dhe pjesëmarrja në aktivitete me natyrë fetare ose shpirtërore.

Kujdes nga stuhitë e pluhurit

Gazeta The Times e Londrës thotë se përdorimi i fuoristradave në shkretëtirë «ka qenë një ndër faktorët që numri i stuhive të pluhurit përreth globit të rritet dhjetë herë, dhe po dëmton mjedisin dhe shëndetin e njerëzve». Makinat thërrmojnë sipërfaqen e brishtë të shkretëtirës, duke bërë që kokrrizat e pluhurit të fluturojnë tutje nga era. «Sot ka shumë e shumë automjete të tilla që u bien kryq e tërthor shkretëtirave,​—thotë profesori Andre Gaudi, i Universitetit të Oksfordit.​—Në Lindjen e Mesme, nomadët, që dikur përdornin devetë, tani i ruajnë kopetë duke përdorur fuoristrada.» Gaudi paralajmëron se, përveçse ngrenë pluhurin e shkretëtirave, «stuhitë e pluhurit marrin me vete edhe herbicidet e pesticidet nga tokat bujqësore dhe shtretërit e liqeneve që janë tharë dhe i shpërndajnë në atmosferë». Grimcat e transportuara nga ajri marrin gjithashtu me vete alergjenë dhe spore, të cilat mund të shkaktojnë probleme të rënda shëndetësore. Ambientalistët janë të shqetësuar se disa pjesë të Afrikës mund të vuajnë nga një fenomen i ngjashëm me stuhitë e pluhurit që ndodhën në disa vende të Shteteve të Bashkuara në vitet 30. Këto erdhën për shkak të lërimit pa kriter dhe thatësirës, e shkatërruan sipërfaqe të tëra me stepa.

Alpinistët paguajnë për moskokëçarjen

Çdo vit qindra veta vdesin ndërsa ngjiten maleve. Disa bëhen viktima të rrokullisjes së gurëve ose të problemeve të papritura shëndetësore, si për shembull ataku në zemër. Megjithatë, sipas gazetës gjermane Leipziger Volkszeitung, një nga shkaqet kryesore të këtyre vdekjeve është moskokëçarja. Problemi nuk ndodh vetëm te të rinjtë dhe tek ata pa përvojë. Sipas Migi Binërit, president i Shoqatës së Udhërrëfyesve të Maleve të Cermatit, Zvicër, «me përvojë ose pa përvojë, ndodh shpesh që dikush i mbivlerëson aftësitë e tij ose nuk i kushton vëmendjen e duhur motit dhe terrenit». Disa marrin me vete celularin dhe janë të sigurt më tepër nga ç’duhet se gjithnjë një helikopter do të jetë gati për t’i shpëtuar nga ndonjë situatë urgjente.

Dallgë gjigante të papritura

Thuhet se çdo javë mesatarisht dy anije të mëdha fundosen diku në glob. Madje edhe anijet-cisterna gjigante dhe anijet e stërmëdha me kontejnerë, që janë mbi 200 metra të gjata, janë përpirë nga deti. Shumë prej këtyre katastrofave mendohet të jenë shkaktuar nga dallgët shkatërruese. Lajmeve për dallgë oqeanike të larta, në gjendje për të fundosur edhe anije të mëdha, s’u është vënë veshi prej kohësh, pasi janë konsideruar si histori të zmadhuara nga marinarët. Megjithatë, pjesëtarët e një projekti kërkimor të Bashkimit Evropian nuk e kanë bërë veshin të shurdhër për këto histori. Për të provuar nëse ka dallgë gjigante, u vëzhguan pamje nga oqeanet, të marra nga radarët e satelitëve. Sipas gazetës Süddeutsche Zeitung, drejtuesi i këtij projekti, Volfgang Rozental, thotë: «Kemi vërtetuar se dallgët gjigante janë më të zakonshme nga ç’mendohej.» Gjatë një periudhe trijavore, skuadra e tij zbuloi të paktën dhjetë dallgë të tilla. Këto dallgë janë gati vertikale, mund të jenë më shumë se 40 metra të larta, dhe, po të përplaseshin me ndonjë anije, do ta dëmtonin rëndë, madje edhe do ta fundosnin. Shumë pak anije mund t’u bëjnë ballë. «Tani duhet t’i studiojmë këto dallgë për të parë nëse mund të parashikohen»,​—thotë Rozentali.