Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Recifeja​—Qytet i ndërtuar falë sheqerit

Recifeja​—Qytet i ndërtuar falë sheqerit

Recifeja​—Qytet i ndërtuar falë sheqerit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL

«ARI, lavdia dhe ungjilli» nuk ishin të vetmet motive shtytëse që çuan në kolonizimin e dy kontinenteve të Amerikës. Fisnikëria evropiane ishte «e etur» për sheqer. Që nga mesi i shekullit të 15-të, të ardhurat e vjela nga shitja e kallamsheqerit, që ishte i shtrenjtë dhe rritej në ishujt e Oqeanit Atlantik, mbushnin arkën e Portugalisë. Kështu, në vitin 1516, mbreti portugez Manueli I, vendosi të ngrinte industrinë e prodhimit të sheqerit në territoret e tij në Botën e Re.

Edhe pse fabrikat e para të sheqerit u ndërtuan në jug të Brazilit, në atë kohë provinca e Pernambukos, * që ndodhej në verilindje të Brazilit, u bë qendra e një shoqërie të re që përqendrohej te prodhimi i sheqerit. Klima e saj e ngrohtë, shirat e bollshme, shpatet e buta dhe toka pjellore e pasur me lym, të gjitha këto favorizonin rritjen e kallamsheqerit. Pyjet tropikale përgjatë bregdetit u prenë, që plantacionet e kallamsheqerit të shtriheshin deri lart te kodrat dhe te pllajat përreth deltës së lumit Kapibaribi.

Nga viti 1537 këtu u shpërngulën një grup i vogël marinarësh dhe peshkatarësh. U vendosën në skajin e një istmi të ngushtë që fillonte nga Olinda, kryeqyteti i atëhershëm i Pernambukos, dhe shtrihej në drejtim të jugut. Ky port natyror, i cili kufizohej në perëndim me lumin Kapibaribi dhe në krahun lindor kishte një mur me shkëmbinj koralorë që e mbronte nga Oqeani Atlantik, u bë i njohur si Povo dos Arrecifes (Fshati i shkëmbinjve nënujorë), dhe më vonë me emrin Recife. Sheqeri i papërpunuar që transportohej nga plantacionet nëpërmjet lumit, grumbullohej pikërisht këtu, ndërsa priste për t’u çuar në Evropë.

Lajmet për mirëqenien e Pernambukos, shpejt tërhoqën vizitorë të padëshirueshëm. Në fillim, në vitin 1561, Recifeja u pushtua dhe u plaçkit nga piratët francezë dhe pastaj në vitin 1595 nga tregtari anglez Sër Xhejms Lankaster, i quajtur edhe Lankaster pirati. Thuhet se Lankasteri u largua pasi ngarkoi me plaçkë anijet e tij dhe 12 anije të tjera që ua «kishte marrë borxh» tregtarëve francezë dhe portugezë. U ndërtuan disa fortifikata në istmin midis Recifesë dhe Olindës për të sprapsur sulmet e mëtejshme, por më kot.

Lufta e Sheqerit

Në fillim të shekullit të 17-të, Pernambukoja, që në atë kohë ishte nën sundimin mbretëror spanjoll, në shkallë botërore ishte zona më e madhe dhe më e pasur e prodhimit të sheqerit. Ajo zotëronte 121 fabrika dhe puna ziente më shumë se në çdo port tjetër në zonën amerikane të kontrolluar nga portugezët.

Tani Evropa kishte dobësi për ëmbëlsirat që bëheshin me sheqerin brazilian, shumica e të cilit përpunohej në Holandë. Në vitin 1621, kur mori fund armëpushimi mes Holandës dhe Spanjës, kjo tregti fitimprurëse u vu në rrezik. Kompania Holandeze e Indive Perëndimore (në këtë artikull është quajtur Kompania), po atë vit kishte fituar të drejtën ekskluzive për të bërë tregti me Afrikën dhe Amerikën. Kompania propozoi një zgjidhje përmes një dokumenti që nxirrte në pah qëllimin e saj, të titulluar: «Arsyet pse Kompania e Indive Perëndimore duhet t’ia marrë Brazilin mbretit të Spanjës sa më shpejt që të jetë e mundur.» Ai dokument ishte i shoqëruar edhe me «Listën e gjërave që mund të prodhojë Brazili». Lufta e Sheqerit ishte në prag.

Më 14 shkurt 1630, një flotë me 65 anije, nën flamurin e Kompanisë, u shfaq në horizontin e Pernambukos, dhe pas një përleshjeje të shkurtër flamuri i Kompanisë u ngrit në tokën braziliane. Për pushtuesit, Recifeja me fortifikatat, ishujt fqinjë dhe lumenjtë e saj dukej më e sigurt sesa kodrat dhe hapësirat e gjera e të lira të Olindës. Kështu, më 25 nëntor 1631, holandezët e bënë Olindën shkrumb e hi dhe e transferuan qendrën e tyre administrative në Recife. Kjo ishte një pikë kthese në zhvillimin e Recifesë.

Ngaqë vendi në dispozicion nuk ishte shumë i gjerë, për t’iu përshtatur dyndjes së madhe, shtëpitë u ndërtuan me kate. Me materialet që kishin mbetur nga rrënojat e Olindës, njerëzit ndërtuan sobrados, shtëpi jo shumë të bollshme me dy ose tri kate, karakteristikë e kryeqyteteve evropiane të asaj kohe. Megjithatë, aty nga viti 1637, në Recife nuk kishte mbetur asnjë pëllëmbë toke e lirë. Pikërisht në këtë kohë erdhi guvernatori i ri i përgjithshëm, konti gjerman, Xhon Moris i Nasaut, i cili kishte planifikuar që të ndërtonte qytetin më kozmopolitan dhe më të përparuar në të gjithë Amerikën Jugore.

Ndërtohet qyteti Maurisja

Maurisja, siç e quajti konti Moris, u ndërtua brenda shtatë vjetësh dhe ishte projektuar sipas stilit evropian. Madje ajo kishte rrugë të shtruara, kishte një treg, pallate, një kopsht zoologjik plot me kafshë të sjella nga Afrika dhe nga zona të Brazilit, kopshte botanike, kishte observatorin e parë të të dy kontinenteve të Amerikës, një muze, spitale dhe një bibliotekë. Nasau e ndërtoi qytetin e tij në ishullin e Antonju Vazit, disa qindra metra larg nga Recifeja. Për të lidhur Recifenë, Maurisjan dhe kontinentin, ai dha autorizimin për ndërtimin e dy urave, të cilat, në atë periudhë, ishin arritje mahnitëse në inxhinieri.​—Shih kutinë «Morisi i Nasaut dhe lopa fluturuese».

Ngaqë nuk ishte aspak një koloni tipike mercenare, Nasau iu referua shtëpisë së tij të re si «Brazili i bukur që s’ka të krahasuar me asnjë vend tjetër të tokës». Pasioni i tij për Brazilin, për të cilin Kompania i kishte ngarkuar detyrën që ta shfrytëzonte, është ruajtur i gjallë në pikturat e Frans Postit dhe Albert Ekhautit, pjesëtarë të grupit të artistëve, shkrimtarëve dhe shkencëtarëve që Nasau solli nga Evropa. Me mbështetjen e tij, një grup prej 46 artistësh, shkencëtarësh dhe mjeshtrash bënë një numër të madh librash, vizatimesh dhe hartash ku u prezantonin evropianëve kuriozë panoramën mbresëlënëse të Pernambukos.

Qeverisja e Nasaut zhvilloi ekonominë e qyteteve Maurisja e Recife. Kompania dha para hua për të financuar rindërtimin e fabrikave të sheqerit që u shkatërruan gjatë pushtimit. Shumë shpejt Recifeja ziente nga zyrtarë anglezë, suedezë që ishin në kërkim të aventurave, tregtarë skocezë, biznesmenë gjermanë dhe francezë. Të gjithë ishin të tërhequr nga tregtia e skllevërve, e sheqerit dhe e drurëve të Brazilit.

Gjithashtu, toleranca fetare nën administrimin e Morisit tërhoqi investitorë judenj e refugjatë nga Evropa dhe Afrika Veriore. Brenda një kohe të shkurtër, një komunitet jude sefardik që po lulëzonte, mblidhej lirisht në dy sinagogat e para të ndërtuara në kontinentet e Amerikës. Aq shumë binte në sy prania e judenjve, saqë qendra tregtare e Recifesë njihej si Rua dos Zhudeos (Rruga e judenjve).

Brazilianët prishen me holandezët

Pavarësisht nga puna e mirë e Nasaut si administrator, drejtuesit e Kompanisë u ankuan se atij i ishin errur sytë nga entuziazmi për Brazilin dhe po merrte vendime të gabuara financiare. Aksionarët e Kompanisë nuk nxorën fitim nga investimi i tyre. Nasau dha dorëheqjen dhe në maj të 1644-s, u kthye në Holandë. Largimi i tij, që u prit me keqardhje madje edhe nga vetë portugezët, shënoi prishjen e marrëdhënieve mes holandezëve dhe brazilianëve. Të mbjellat me kallamsheqeri nuk qenë të mbara disa herë radhazi, tregu ndërkombëtar i sheqerit pësoi një rënie të ndjeshme dhe pronarët e plantacioneve ishin zhytur në borxhe të mëdha me Kompaninë. Këto bënë që pronarët e plantacioneve të komplotonin një kryengritje, dhe në fund në vitin 1654 i dëbuan holandezët. *

Ndonëse kopshtet që kishte ndërtuar Nasau dhe një pjesë e madhe e qytetit të ngritur prej tij, u shkatërruan gjatë revoltës kundër holandezëve, diçka kishte ndryshuar. Etja e holandezëve për sheqer e kishte spostuar gradualisht qendrën e Pernambukos nga Olinda në ishujt e deltës së lumit Kapibaribi, dhe kishte hedhur themelin për një kryeqytet të ri. Recifeja ishte bërë një qytet i vërtetë dhe një qendër e rëndësishme ekonomike.

Gjurmë të së kaluarës

Në pamje të parë, Recifeja moderne, një nga qendrat më të mëdha industriale, financiare dhe turistike në Brazil, me më shumë se 1.300.000 banorë, nuk ngjason fare me koloninë e vogël të peshkimit që i shërbente Olindës në shekullin e 16-të. Plantacionet e sheqerit përgjatë brigjeve të lumit Kapibaribi janë bërë prej kohësh vende banimi. Pas kanë mbetur vetëm emrat e dikurshëm dhe ca vila piktoreske. Qendra tregtare e Recifesë, e cila zë ishullin e Recifesë, të San Antonios si edhe krahinën kontinentale të Boa Vistës, ka humbur një pjesë të mirë të arkitekturës së saj koloniale nga lënia pas dore dhe modernizimi i vrullshëm.

Megjithatë, lumenjtë, ishujt dhe shkëmbinjtë koralorë që tërhoqën holandezët, kanë mbetur ende një veçori dalluese e Recifesë. Veç kësaj, në ndërtesat e saj moderne mund të shihen gjurmët e së shkuarës, që flasin për kohën kur prodhimi i sheqerit ishte baza kryesore. Forte do Brumi, një kështjellë holandeze në formë katërkëndëshe, e ndërtuar në fillim buzë detit për të mbrojtur portin, tani qëndron si një strukturë e vetmuar historike në mes të ndërtesave moderne, falë punimeve të bëra për të fituar terren nga deti. Rua dos Zhudeos, tani e njohur si Rua do Bon Zhezus (Rruga e Jezuit të mirë), ende mban të njëjtin drejtim që kishte që në shekullin e 16-të. Gjithashtu, ruan akoma sobradoset plot ngjyra të kohës së kolonive, që i kanë shpëtuar paq rregullimeve urbanistike.

Për ata që duan të gërmojnë më thellë në historinë e Recifesë, ka disa ekspozita me harta dhe relikte holandeze. Disa nga këto ndodhen në kështjellën Forte das Sintu Pontas, e përfunduar nga mercenarët e Kompanisë në vitin 1630, dhe në Institutin e Arkeologjisë, Historisë dhe Gjeografisë. Muzeu i Njerëzve Verilindorë përshkruan zhvillimin e industrisë së sheqerit që nga fillimet e saj primitive deri te fabrikat moderne. Gjithashtu, të futin në mendime pamjet nga jeta e skllevërve, që konsideroheshin si «krahët dhe këmbët e baronëve të sheqerit».

Sheqeri nuk ngjall më ato ndjenja të forta si në shekujt e kaluar. Fitimet që joshnin piratët e etur për sheqer dhe Kompaninë e Indive Perëndimore, kanë rënë. Janë të paktë njerëzit që dëshirojnë të kenë probleme financiare, sociale dhe ato që lidhen me ambientin, të cilat ekzistojnë si pasojë e sistemit të dikurshëm të prodhimit të sheqerit. Megjithatë, sheqeri ende mbizotëron në bujqësinë e zonave bregdetare të Pernambukos. Jo shumë larg Recifesë, bujqit korrin fushat e paana me kallamsheqeri, pak a shumë siç kanë bërë gjatë pesë shekujve të shkuar. Kjo pamje të kujton se Recifeja u ndërtua falë sheqerit.

[Shënimet]

^ par. 4 Mbreti Gjoni III i Portugalisë e ndau Brazilin në 15 kapiteneri, ose provinca, dhe për t’i qeverisur caktoi donatarios, fisnikë të cilët do ta trashëgonin këtë pronë.

^ par. 18 Holandezët e humbën betejën për Brazilin, por jo Luftën e Sheqerit. Ata mbollën plantacione në Antile duke vënë në përdorim aftësitë dhe njohurinë që kishin fituar në verilindje të Brazilit. Shekulli i 17-të s’kishte mbaruar ende, por sheqeri me çmim të ulët që prodhohej në Inditë Perëndimore, tashmë kishte mbushur tregun evropian dhe i kishte dhënë fund monopolit portugez për sheqerin.

[Kutia dhe figura në faqen 25]

Morisi i Nasaut dhe lopa fluturuese

«Në fillim, njerëzit shkonin nga Maurisja në Recife me barka të vogla, gjë që e pengonte shumë tregtinë. Të gjithë ishin dakord që të ndërtohej një urë, dhe puna përfundoi shpejt e shpejt. Ceremonia e përurimit do të bëhej të dielën, dhe programi përfshinte diçka që do të ngjallte kureshtjen e njerëzve​—një lopë fluturuese!

Ditën e festës, muzikantët u binin veglave, dhe rrugët ishin zbukuruar me shirita ngjyra-ngjyra. Turma me njerëz u dyndën tek ura. Edhe pse u bënte përshtypje ura e re, të gjithë mezi prisnin të shihnin lopën fluturuese. ‘Si do të jetë vallë?’,​—pyeti dikush. ‘Është mëkat të thuash që një lopë mund të fluturojë si një engjëll’,​—tha një grua e moshuar.

Në kohën e caktuar, forma e një lope të verdhë me brirë dhe me bisht të gjatë shfaqet në dritaren e sipërme të një shtëpie mbi mol. ‘Ja ku është!’,​—bërtitën të gjithë. Fisnikët, njerëzit e thjeshtë dhe skllevërit, të gjithë vështruan lart. Papritur, shpërtheu një e qeshur. Lopa ishte veçse një balonë prej letre e mbushur me ajër të ngrohtë.

Shakaja e princit Moris të Nasaut i dëfreu pak njerëzit, por shërbeu edhe për një qëllim tjetër të dobishëm. Të gjithë ata që kishin kaluar urën për të parë lopën që do të fluturonte, kishin paguar një taksë të vogël, dhe paratë e mbledhura mbuluan një pjesë të mirë të shpenzimeve që u bënë për të ndërtuar urën.»

[Burimet]

Terra Pernambucana (Toka e Pernambukos), nga Mario Sete.

Morisi i Nasaut: ACERVO FUNDAÇÃO JOAQUIM NABUCO--RECIFE

[Kutia në faqen 27]

Venecia amerikane

«Njësoj si Venecia, Recifeja është një qytet që del nga uji dhe reflektohet mbi ujë; një qytet që në pjesët e tij më të thella, ndien pulsin e oqeanit.»​—Zhuakin Nabuku, burrë shteti brazilian.

Përleshja mes ndërtuesve dhe detit, kënetave e lumenjve​—luftë që ka filluar që në shekullin e 16-të kur u ndërtuan për herë të parë pritat dhe u formuan brezat e tokës si baza për ndërtim​—e ka ndarë kryeqytetin e Pernambukos me anë të 66 kanaleve dhe e ka bashkuar me 39 ura. Qyteti modern i Reficesë shtrihet mbi deltën e formuar nga lumenjtë Kapibaribi, Beberibe, Zhikuia, Tezhipio dhe Zhaboatauni. Meqë Recifeja është mesatarisht vetëm 2 metra mbi nivelin e detit, disa herë baticat dhe shirat e rrëmbyeshëm ende shkaktojnë përmbytjen e disa bulevardeve kryesore. Si për ironi, zona e Recifesë së Vjetër, vendndodhja e qytetit të hershëm, e cila për shekuj me radhë mbahej e kapur fort pas kontinentit nga një sasi rëre, më në fund u nda prej tij për shkak të zgjerimit të portit në vitin 1960.

[Figura në faqen 23]

Sipër: Rua do Bon Zhezus

[Figura në faqen 23]

Poshtë: Rua da Aurora

[Figura në faqen 24]

Flota e Kompanisë Holandeze të Indisë Perëndimore duke sulmuar Olindën (djathtas) dhe Recifeja (majtas) në vitin 1630

[Figura në faqet 24, 25]

«Njësoj si Venecia, Recifeja është një qytet që del nga uji dhe reflektohet mbi ujë»

[Figurat në faqen 26]

Forte do Brumi dhe (poshtë) Forte das Sintu Pontas

[Burimet e figurave në faqen 23]

Sipër: FOTOGRAFIA: NATANAEL GUEDES/P.C.R.; poshtë: Bruno Veiga/Tyba/socialphotos.com; harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Burimet e figurave në faqen 24]

Flota: ACERVO FUNDAÇÃO JOAQUIM NABUCO–RECIFE; poshtë: MUNDOimagem