Shtëpi e pastër: A po bëni pjesën tuaj?
Shtëpi e pastër: A po bëni pjesën tuaj?
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë
SA MIRË është të jetosh në një ambient të pastër! Mirëpo, ngaqë plehrat po shtohen përditë nëpër qytete, e kemi më të vështirë ta mbajmë të pastër dhe të rregullt shtëpinë dhe mjedisin rrethues.
Administratat bashkiake përpiqen me të gjitha mundësitë që t’i mbajnë rrugët të pastra duke mbledhur plehrat. Por, prapëseprapë, ato grumbullohen vende-vende. E gjithë kjo është e pakëndshme për syrin dhe rrezikon shëndetin e njerëzve. Nga plehrat e mbledhura kapicë mund të shtohen minjtë, furrtaret e zeza dhe kafshë të tjera që përhapin sëmundje. A ka ndonjë gjë që mund të bëni në një situatë si kjo? Po, ka: mbajeni shtëpinë dhe ambientin përreth të pastër dhe të rregullt!
Qëndrimi i duhur mendor
Disa mendojnë se ata që janë të varfër, nuk mund t’i mbajnë dot shtëpinë dhe lagjen të pastra. Por kjo nuk është gjithnjë e vërtetë. Kuptohet, nëse nuk kemi, është e vështirë ta mbajmë ambientin të pastër. Por, siç thotë edhe një proverb spanjoll: «Varfëria dhe pastërtia s’kanë pse të mos shkojnë krah për krah me njëra-tjetrën.» Nga ana tjetër, nëse dikush është në gjendje të mirë ekonomike, kjo s’është garanci se do të mbajë çdo gjë pastër.
Pastërtia brenda dhe përqark shtëpisë, ka të bëjë me qëndrimin e duhur mendor që na shtyn të kujdesemi për pastërtinë. Në fakt, ta mbash shtëpinë të pastër varet shumë nga qëndrimi i duhur mendor i të gjithë pjesëtarëve të familjes. Për këtë arsye është mirë që të shqyrtojmë se çfarë mund të bëjë secili prej nesh për t’i mbajtur pastër shtëpinë dhe lagjen ku jetojmë.
Një program pastrimi
Duket sikur punët e shtëpisë për një nënë s’mbarojnë kurrë. Përveçse të gatuajë dhe të bëjë gati fëmijët për në shkollë, ajo duhet të bëjë punët e shtëpisë që çdo gjë të jetë e pastër si brenda, ashtu edhe jashtë. A e keni vënë re se zakonisht është nëna ajo që i mbledh rrobat e palara ose sendet personale që fëmijët i lënë andej-këtej nëpër dhomë? Një program specifik pastrimi që përfshin të gjithë familjen, mund t’ia lehtësojë sadopak barrën asaj.
Disa gra vendosin t’i pastrojnë disa pjesë të shtëpisë përditë, ndërsa disa pjesë të tjera mund të pastrohen një herë në javë, dhe disa të tjera akoma, një herë në muaj. Faktikisht, ka disa gjëra që mund të planifikohen të pastrohen një herë në vit. Për shembull, në shtëpitë Bethel, në ndërtesat e degëve të Dëshmitarëve
të Jehovait në çdo vend, bëhet një pastrim me themel një herë në vit. Ky është një rast për të hequr gjërat që nuk na hyjnë më në punë dhe për të rregulluar dollapin. Ka edhe një program për të pastruar muret.Ka vende në shtëpi, si për shembull banja, që duhen mbajtur pastër, sepse është shumë e rëndësishme për të pasur një shëndet të mirë. Edhe pse duhet pastruar çdo ditë, një pastrim më i kujdesshëm, ndoshta një herë në javë, nuk do t’i lërë bakteriet të shumohen. Disa mendojnë se papastërtia që formohet te banja, është e pashmangshme dhe është e pamundur të hiqet. Megjithatë, ka shtëpi që i kanë banjat xixë e që shkëlqejnë nga pastërtia. Gjithçka që nevojitet është të pastrohet rregullisht dhe të përdoren pastruesit e duhur.
Edhe kuzhina ka nevojë të pastrohet me kujdes. Edhe pse i lani çdo ditë enët, sobën dhe sipërfaqet ku gatuani, jo kaq shpesh—ndoshta të paktën një herë në muaj—është e domosdoshme të bëhet një pastrim më rrënjësor, si për shembull prapa sobës, frigoriferit dhe poshtë lavamanit. Pastrimi rregullisht i depos ku mbahen ushqimet ose i dollapit të enëve, nuk do t’i lërë furrtaret dhe çdo insekt tjetër të dëmshëm të bëjnë fole në to.
E gjithë familja bashkëpunon
Disa prindër vendosin rregulla për fëmijët dhe i kanë mësuar që, kur të dalin në mëngjes nga shtëpia për të shkuar në shkollë, ta lënë të rregulluar shtratin, t’i vënë rrobat e palara dhe sendet personale në vendin e tyre. Një rregull i dobishëm për të gjithë është: «Një vend për çdo gjë dhe çdo gjë në vendin e vet.»
Gjithashtu, disa pjesëtarë të familjes mund të kenë një punë të caktuar ose një pjesë të shtëpisë për të pastruar. Për shembull, a e rregullon babai garazhin dhe a e pastron me themel të paktën një herë në vit? A mund ta ndihmojë një nga fëmijët? Kush është caktuar për të hequr barërat e këqija para oborrit ose të kositë barin? Sa shpesh duhet bërë kjo, që pamja e jashtme e shtëpisë të ketë sy? A keni papafingo në shtëpi ose ndonjë dhomë që duhet kontrolluar, që të hiqen gjërat e panevojshme dhe vendi të mbahet në rregull? Nëse po, kush do ta bëjë këtë punë? Disa prindër ua lënë fëmijëve, duke ua caktuar këtë detyrë të gjithëve me radhë.
Pra, bëni një program të mirë pastrimi. Edhe nëse pastroni vetë apo bashkë me familjen, ose keni nevojë të paguani dikë që t’ju
japë një dorë, është e nevojshme të keni një program të përcaktuar mirë. Një nënë që e mban gjithnjë në rregull shtëpinë e saj, na thotë se si e gjithë familja bashkëpunon për ta mbajtur atë të pastër: «I ndajmë punët e shtëpisë bashkë me tri vajzat. Norma-Adriana pastron dhomën e ndenjjes, dy dhomat e gjumit, depon e ushqimeve dhe rrugën para shtëpisë. Ana-Zhakuina merret me kuzhinën. Maria-del-Karmen lan enët, ndërsa unë laj rrobat dhe kujdesem për gjërat e tjera.»Një pamje e këndshme jashtë shtëpisë
Po për pjesën jashtë shtëpisë? Pavarësisht se ku jetoni në një vilë apo në një shtëpi shumë të thjeshtë, duhet një program pastrimi dhe mirëmbajtjeje për pjesën jashtë. Për shembull, portës së gardhit ndoshta i ka rënë një nga menteshat. Ju e dini se sa e shëmtuar do të duket ajo kur të bjerë një ditë nëse nuk rregullohet. E njëjta gjë është edhe me plehrat që lihen të grumbullohen në hyrje të shtëpisë ose në trotuarin ngjitur. Gjithashtu, kuti, vegla dhe sende të tjera disa herë lihen të bëhen kapicë vend e pa vend jashtë shtëpisë, dhe mund të bëhen strofka të shumë kafshëve.
Disa familje kanë vendosur që një herë në ditë ose çdo javë, sipas nevojës, të fshijnë dhe të lajnë pjesët që janë përqark shtëpisë së tyre bashkë me trotuarin, madje edhe rrugën përballë shtëpisë. Është e vërtetë se në disa vende, qeveria ka një program të mirë për t’i mbajtur lagjet të pastra, por në vende të tjera nuk ka. Pa dyshim, ambienti rrethues ku jetojmë, do të duket shumë herë më mirë dhe do të jetë më i shëndetshëm nëse të gjithë ne bëjmë pjesën tonë për ta mbajtur të pastër.
Disa familje jo vetëm që kanë një program që përfshin të gjitha punët e përmendura më sipër, por edhe i shkruajnë detyrat në një letër dhe e vënë në një vend ku të gjithë pjesëtarët e familjes mund ta shohin dhe ta zbatojnë. Kjo mund të sjellë rezultate shumë të mira. Sigurisht, nuk kemi përmendur gjithçka që ju duhet të dini për pastërtinë. Njëherë për njëherë, duhet të përcaktoni se cilat produkte pastruese janë më të përshtatshme në vendin ku banoni ju dhe cilat pajisje mund të blini sipas buxhetit që keni.
Nuk ka dyshim se këto pak sugjerime do të bëjnë që e gjithë familja të jetë e vetëdijshme se shtëpia dhe ambientet përqark, duhen mbajtur pastër. Mbani mend, mbajtja pastër e shtëpisë dhe e ambientit rrethues nuk varet nga mundësitë tuaja ekonomike, por nga qëndrimi i duhur mendor.
[Kutia në faqet 20, 21]
Një program praktik për të pastruar shtëpinë
Përdorni hapësirën bosh për të shtuar në listë shënimet tuaja
Kujdes: Përzierja e produkteve pastruese mund të jetë shumë e rrezikshme, sidomos nëse përzieni klorin me amoniakun
✔ Çdo ditë
❏ Dhoma e gjumit: Rregulloni shtratin dhe vërini gjërat në rregull
❏ Kuzhina: Lani enët dhe lavamanin. Mos e lini rrëmujë tavolinën. Fshini dhe lani dyshemenë, nëse është e nevojshme
❏ Banja: Lani lavamanin dhe WC-në. Vërini gjërat në rregull
❏ Dhoma e ndenjjes dhe dhomat e tjera: Vendosini gjërat në vendin e tyre. Jepuni një pastrim të lehtë mobilieve. Fshini, lani ose pastroni me fshesë korrenti dyshemenë, nëse është e nevojshme
❏ E gjithë shtëpia: Derdhni rregullisht plehrat
✔ Çdo javë
❏ Dhoma e gjumit: Ndërroni çarçafët. Fshini, lani ose pastroni me fshesë korrenti dyshemenë, nëse është e nevojshme. Fshini pluhurat e mobiljeve
❏ Kuzhina: Lani sobën, pjesën e sipërme të banakut ku gatuani dhe pjesët e lavamanit. Lani dyshemenë
❏ Banja: Lani muret e dushit dhe të gjitha pjesët e tij. Dezinfektoni WC-në, dollapin dhe sipërfaqet e tjera. Ndërroni peshqirët. Fshini ose lani dyshemenë
✔ Çdo muaj
❏ Banja: Lani mirë të gjitha muret
❏ E gjithë shtëpia: Pastroni kasat e dyerve. Fshini me fshesë me korrent ose pastroni me kujdes mbulesat
❏ Kopshti, oborri, garazhi: Fshijini dhe pastrojini, nëse është e nevojshme. Mos lini të grumbullohen mbeturina ose sende të panevojshme
✔ Çdo gjashtë muaj
❏ Dhoma e gjumit: Lani mbulesat e krevateve sipas udhëzimeve të prodhuesve
❏ Kuzhina: Boshatiseni frigoriferin dhe pastrojeni me themel
❏ Banja: Boshatisni dhe pastroni dollapët e raftet. Hiqni ato gjëra që nuk ju hyjnë në punë ose që kanë skaduar
❏ Të gjithë shtëpinë: Pastroni llambat, ventilatorët dhe pajisjet ndriçuese. Lani dyert. Lani rrjetat e dritareve, xhamat dhe kasat e tyre
✔ Çdo vit
❏ Dhoma e gjumit: Boshatisni dhe pastroni me themel dollapët. Hiqni gjërat që nuk i përdorni. Lani batanijet. Fshini me fshesë me korrent ose shkundni pluhurin e dyshekëve. Lani jastëkët sipas udhëzimeve të prodhuesve
❏ Kuzhina: Boshatisni dhe pastroni me themel raftet, bufetë dhe sirtarët. Hiqni sendet e panevojshme. Lëvizni pajisjet shtëpiake, që të mund të pastroni dyshemenë që është nën to
❏ E gjithë shtëpia: Pastroni të gjitha muret. Lani mbulesat dhe perdet sipas udhëzimeve të prodhuesit
❏ Garazhi dhe depot: Fshini mirë çdo cep. Vendosini në rregull ose hidhini gjërat e panevojshme
[Figurat në faqen 22]
«Një vend për çdo gjë dhe çdo gjë në vendin e vet»
[Figurat në faqen 22]
Më mirë t’i hiqni gjërat që nuk i përdorni