Dragonj që të humbin nga sytë
Dragonj që të humbin nga sytë
«KUR iu afrova gati një metër, sjellja e dragoit ndryshoi papritur,—tregon Dejvid Holli në revistën Mbretëria e Oqeanit (anglisht).—Ndaloi së ngrëni dhe u largua, u zhduk mes një alge aty afër dhe më humbi nga sytë mjeshtërisht.» Ai thotë i mrekulluar: «Kjo kafshë kishte një aftësi të veçantë për t’u maskuar.» Kështu, Holli pati rastin e rrallë që të shihte me sytë e tij një nga shembujt më mbresëlënës të maskimit nënujor—dragoit gjetheshumë të detit, që jeton në ujërat e Australisë.
Dragonjtë gjetheshumë të detit lëvizin ngadalë dhe maskohen për të shmangur peshqit e uritur grabitqarë. Trupi i tyre ka shirita të verdhë dhe të gjelbër e shumë zgjatime të çuditshme që ngjajnë si gjethe. Falë këtyre veçorive, ata ndryshojnë ngjyrën që të përshtaten me bimësinë detare përreth e thuajse nuk dallohen fare. Madje notojnë me një lëvizje ritmike e duke u lëkundur, dhe kështu imitojnë në mënyrë të përkryer lëvizjen e leshterikëve kur përkunden nga uji.
Kjo aftësi e jashtëzakonshme për t’u maskuar u jep mundësi që t’i afrohen tinëzisht ushqimit të tyre të preferuar, një lloji të veçantë karkalecash të vegjël. «Ata maskohen kaq mirë, saqë karkalecat e detit nuk i shohin si një rrezik»,—thotë një vëzhgues. Dragoi i detit i përlan karkalecat ndërsa noton, duke i thithur rrufeshëm me turirin e gjatë dhe i kollofit komplet siç janë. Këto ekspedita të shkurtra gjuetie ndërpriten nga periudha të gjata kohe—deri në tri ditë—gjatë të cilave dragoi i detit rri palëvizur dhe kap çdo pre që i kalon aty pranë.
Dragonjtë gjetheshumë të detit mund të gjenden vetëm në ujërat e cekëta, përgjatë bregdetit jugor të Australisë. Trupat e tyre gjarpërushë dhe zgjatimet si gjethe, ngjajnë me dragonjtë festivë kinezë, nga të cilët kanë marrë edhe emrin. Ata rriten deri në 43 centimetra dhe bëjnë pjesë në familjen e peshqve ku përfshihen edhe kuajt e detit, por janë më të mëdhenj.
Kur vjen koha për të lindur të vegjlit, mashkulli dhe femra shkëmbejnë rolet. Po, mashkulli mbetet shtatzënë dhe lind të vegjlit! Kur afrohet pranvera, te bishti i babait të ardhshëm formohet një qeskë tamam si një xhep plot me enë gjaku. Ajo ka rreth 120 zgavra të vogla, që do të shërbejnë si kupa për vezët. Pastaj femra i lëshon vezët e saj rozë të ndezur në këtë xhep, duke vendosur çdo vezë në kupën e vet. Pas katër ose gjashtë javësh lindin të vegjlit që janë 20 milimetra të gjatë, secili një kopje e vockël e prindërve të tij.
Vërtet, këto krijesa të mrekullueshme janë një tjetër shembull i mjeshtërisë së jashtëzakonshme të Perëndisë Jehova si krijues dhe artist.—Psalmi 104:24, 25.
[Figurat në faqen 25]
Një dragua mashkull që mbart vezët; fotografia e vogël tregon xhepin nga afër
[Figurat në faqen 25]
Dragoi gjetheshumë i detit i maskuar; fotografia e vogël vë në dukje kafshën
[Burimi i figurës në faqen 25]
Të gjitha fotografitë përveç xhepit që mban vezët: Michael Morris-Immersedimagery@scubadiving.com