E ke provuar ndonjëherë frutën që kërcen?
E ke provuar ndonjëherë frutën që kërcen?
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Kanada
FERMERI shpërndan squfur përdhe, duke e bërë tokën më acide. Në vjeshtë, kur të korrat piqen, ai përmbyt fushat. Pasi i ka vjelur, i përplas enkas kokrrat përtokë për të parë nëse kërcejnë si pingpong.
Mos vallë është çmendur fermeri? Përkundrazi, këto veprime që në pamje të parë duken sikur do t’ia prishin frutat, e sigurojnë se prodhimi i tij ka cilësinë më të lartë të mundshme. Prodhimi i tij është boronica e madhe ose ndryshe boronica amerikane. Dëshironi të dini më shumë për këto fruta elastike?
Fruta që rriten në kënetë
Kur evropianët mbërritën për herë të parë në brigjet verilindore të Amerikës Veriore, banorët vendës u ofruan për tregti fruta të kuqe freskuese, me shije të thartë e si të hidhur. Indianët pekuot, që jetonin në zonën që sot njihet si Kepi i Kodit, e quajtën frutën i-bimi, ose «frutë e hidhur». Kolonizatorët anglezë e quajtën craneberry, ndoshta sepse kërcelli dhe lulja e bimës ngjajnë me qafën dhe kokën e krillës. Gjithashtu, tufat me krilla e preferonin shumë këtë frutë, dhe kjo mund të jetë një tjetër arsye përse e kanë quajtur kështu.
Indianët i grumbullonin boronicat nga shtresa e poshtme e torfave të kënetave. Lagështira dhe bimësia që kalbet në këto këneta, e bëjnë tokën jashtëzakonisht acide, duke e bërë të pamundur rritjen e shumicës së bimëve. Megjithatë, boronicat lulëzojnë pikërisht në tokë të tillë. Këto bimë, që nuk rriten shumë dhe ngjajnë me luleshtrydhen, lulëzojnë në jug në Virxhinian e sotme, por edhe tutje në veri, në Kanada.
Në vitin 1680, Mahlon Stasi, një emigrant në Nju-Xhersi, ia përshkroi këto fruta vëllait të tij që jetonte në Angli. Ai i shkroi: «Boronicat amerikane, që ngjajnë shumë me qershitë për nga ngjyra dhe madhësia, mund të ruhen deri në stinën tjetër kur vilet prodhimi i ri. Me to bëhet një salcë e shkëlqyer, që shoqërohet me mish gjahu, gjeldeti dhe me çdo lloj zogu të madh që hahet. Gjithashtu, janë më të mira sesa kullumbritë ose qershitë, për të bërë torta. Kemi marrë nga indianët me bollëk nga këto fruta dhe i kemi në shtëpi.»
Ushqim, ilaçe dhe lëndë konservuese
Indigjenët amerikanë shfrytëzuan cilësitë natyrore të boronicave si konservues. Ata përgatitnin një ushqim të quajtur pemikan, që ishte një përzierje me mish ose peshk të thatë, që griheshin bashkë me boronica. Pastaj, këtë përzierje e bënin topa-topa dhe e thanin në diell. Për muajt e gjatë të dimrit, ky ushqim u siguronte mish me proteinat dhe vitaminat e duhura. Boronicat i ruajnë
mirë ushqimet, pasi përmbajnë shumë pektinë. Gjithashtu, janë të pasura me vitaminë C. Kështu, marinarët që dikur rrezikoheshin të prekeshin nga skorbuti, blenë fuçi me boronica për t’i marrë me vete në udhëtimet e tyre të gjata.Gjithashtu indianët e përdornin boronicën edhe si ilaç. E përzienin atë me miell misri dhe e vendosnin mbi plagë, që të parandalonin infeksionin e gjakut. Studime mjekësore të bëra kohët e fundit, tregojnë se, po të pish lëng boronice, mund të parandalosh infeksionet në rrugët urinare, duke penguar bakteriet infektuese që të ngjiten në muret e këtyre organeve.
Pse quhet fruta që kërcen?
Nëse e ndan më dysh një kokërr të pjekur, brenda do të shohësh katër qeska me ajër. Për kultivuesit e boronicave këto qeska janë të dobishme në dy mënyra. E para, në vend se t’i këputin kokrrat me dorë dhe të lodhen, kultivuesit i përmbytin fushat, dhe me anë të makinerive i shkundin bimët. Duke bërë kështu, kokrrat e pjekura këputen dhe për shkak të këtyre qeskave të vogla me ajër, pluskojnë mbi ujë. * Pastaj i mbledhin nga sipërfaqja dhe i seleksionojnë.
Dobia e dytë e qeskave me ajër u zbulua nga kultivuesit e boronicave në fund të viteve 1800. Thuhet se një kultivues pa dashje rrëzoi një shportë me kokrra nëpër shkallë dhe u habit kur pa se kokrrat më të mira kërcyen deri sa mbërritën në fund të shkallëve. Kurse ato që ishin të qullëta ose të kalbura, ngecën nëpër shkallë. Qeskat me ajër te kokrrat më të mira bënin që ato të kërcenin si goma të fryra. Kokrrat që s’ishin të mira, mbetën si goma të shfryra.
Në vitin 1881, dolën makineritë e para që shfrytëzuan aftësinë për të kërcyer të kokrrave të boronicave. Sot, makineritë seleksionuese ende përdorin të njëjtën metodë, duke i përplasur kokrrat që s’kanë asnjë defekt pas një barriere, dhe pastaj i mbledhin për t’i shitur. Ato që janë të buta hidhen në makinë dhe përdoren për të prodhuar lëngje ose prevede.
Në kënetat e përgatitura posaçërisht, përgjatë verilindjes dhe veriperëndimit të Shteteve të Bashkuara dhe në Kanada, fermerët prodhojnë më shumë se 250 milionë kilogramë boronica, vetëm brenda një viti. Nëse asnjëherë nuk e keni provuar këtë frutë të athët dhe të ëmbël njëkohësisht, pse të mos e provoni? Boronica ka shumë vitamina dhe minerale, dhe ka plot substanca antioksiduese që mund t’ju mbrojnë nga sëmundjet e zemrës dhe nga kanceri. Ato mund t’ju ndihmojnë të jeni më të shëndetshëm dhe më energjikë.
[Shënimi]
^ par. 13 Nga praktika e përmbytjes me qëllim të kënetave në kohën e vjeljes, është krijuar mendimi i gabuar që këto fruta rriten nën ujë.
[Kutia në faqen 17]
A rritet vetëm në Amerikën e Veriut?
Tradicionalisht, boronicat e mëdha janë pjesë e ushqimit që hahet Ditën e Falënderimit, e cila në Shtetet e Bashkuara festohet të enjten e katërt të nëntorit, kurse në Kanada të hënën e dytë të tetorit. Sipas legjendës, në vitin 1621, indianët i sollën boronicat me vete kur festuan për herë të parë Ditën e Falënderimit, një festë triditore me festime dhe argëtime, që u sponsorizua nga guvernatori i Kolonisë Plimuth, Uilliam Bradfordi. Meqë shumë tradita lidhen me frutën e boronicës, një nga llojet e pakta të bimëve vendëse të Amerikës së Veriut që rriten për tregti, shumë veta mendojnë se boronica është një karakteristikë e veçantë e këtij kontinenti.
Megjithatë, boronica e vogël (V. oxycoccus) rritet jo vetëm në Amerikën Veriore, por edhe në Azi dhe në Evropën Veriore e Qendrore. Përdorimi i boronicës për gatim nuk është një karakteristikë vetëm e Amerikës Veriore. Një enciklopedi (Encyclopædia Britannica) pohon: «Salca dhe prevedeja me boronicë mendohen se janë tipike amerikane, por skandinavët e vlerësojnë shumë frutën e boronicës së kuqe që rritet në vendin e tyre (V. Vitis-idaea). Kjo frutë ngjan me boronicën e amerikanëve, [V. macrocarpon] vetëm se është pak më e athët.
[Figura në faqen 15]
Lulja e boronicës
[Burimi]
Me mirësjelljen e Charles Armstrong, Cranberry Professional, Univ. of Maine Cooperative Extension, USA
[Figura në faqet 16, 17]
Vjelja e boronicave në një kënetë të përmbytur
[Burimi]
Keith Weller/ Agricultural Research Service, USDA
[Figurat në faqen 17]
Vjelja e boronicave të bardha
[Burimi]
Kutitë: Me mirësjelljen e Ocean Spray Cranberries, Inc.