Një virus që duhet t’i shqetësojë gratë
Një virus që duhet t’i shqetësojë gratë
NJË vit e gjysmë pas martesës, Kristina * bëri analizën e parë gjinekologjike dhe Pap testin. Gjinekologia pa diçka që e shqetësoi dhe i rekomandoi Kristinës të bënte kolposkopinë. Mjekja pa një puçërr në qafën e mitrës dhe i bëri biopsinë, pra mori pak material nga indi i dëmtuar për ta analizuar e diagnostikuar.
«Dy javë më vonë,—tregon Kristina,—mjekja më tha që të shkoja bashkë me tim shoq për të marrë përgjigjen e analizës. Ajo na tha se puçrra ishte pasojë e një infeksioni të shkaktuar nga virusi i papilomës së njeriut dhe ishte në një fazë të përparuar. Na shpjegoi se infeksioni mund të kthehej në kancer të qafës së mitrës, dhe se duhej të filloja mjekimin pa humbur kohë.
Sapo dëgjova diagnozën, nuk e mbajta dot të qarët. Ishte tronditëse si për burrin edhe për mua. Lamë që të nesërmen, të bëja një ndërhyrje kirurgjikale të vogël. Atë pasdite ndihesha përtokë dhe isha e shqetësuar. Pyesja veten: ‘Po pse mua xhanëm?’»
Ngaqë kishte lexuar se ky lloj virusi transmetohej nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, Kristina nuk arrinte ta kuptonte se si ishte infektuar. Ajo dhe i shoqi kishin respektuar gjithnjë parimet e larta morale të Biblës.
Një infeksion i përhapur
Faktikisht, miliona gra në botë janë të infektuara me virusin e papilomës së njeriut (HPV), që konsiderohet sëmundja seksualisht e transmetueshme më e përhapur në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ky *
infeksion është faktori kryesor që çon në kancerin e qafës së mitrës.Qindra mijëra raste me HPV diagnostikohen çdo vit në botë, dhe po çdo vit, mijëra e mijëra gra vdesin nga kanceri në qafën e mitrës, që është pasojë e këtij infeksioni. Kështu, HPV-ja është një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri te gratë që jetojnë në vendet në zhvillim. Anembanë botës, kanceri i qafës së mitrës është lloji i dytë më i përhapur i kancerit në mitër. Prandaj, nuk habitemi që OBSH-ja e quan HPV-në «një problem botëror i shëndetit publik». Çfarë duhet të dimë tjetër për këtë virus?
Virusi i papilomës së njeriut shkakton formimin e lytheve si te burrat, ashtu edhe te gratë, përfshirë këtu lythat gjenitale që quhen condylomata acuminata. Zakonisht këto lytha janë beninje ose jokanceroze. Edhe pse ka mbi një qind lloje HPV-sh, vetëm disa prej tyre janë kancerogjene, pra që shkaktojnë kancerin. Kanceri në qafën e mitrës shkaktohet vetëm nga disa lloje të caktuara të HPV-së, kur infeksioni ka zgjatur për shumë kohë. Nga ana tjetër, shumica e infeksioneve me HPV kalojnë vetvetiu, pasi munden nga sistemi imunitar i trupit.
Faktorë të rrezikshëm
Në rrezik janë kryesisht gratë që e kanë nisur shumë herët jetën seksuale, që kryejnë marrëdhënie seksuale me shumë partnerë, ose partneri ka pasur shumë partnere të tjera më parë. Shpesh është burri, i cili nuk ka asnjë simptomë të dukshme, që ia transmeton infeksionin e HPV-së partneres.
Mirëpo në disa raste, janë infektuar gra që bëjnë një jetë të pastër morale ose ndoshta s’kanë pasur kurrë marrëdhënie seksuale. Për shembull, disa studime të bëra kohët e fundit tregojnë se virusi mund të transmetohet nga nëna te fëmija në momentin kur lind ose dikush mund ta marrë infeksionin nga ndonjë burim tjetër. Madje, sëmundja mund të shfaqet shumë vjet pasi personi është infektuar.
Si mund të diagnostikohet infeksioni?
Nëse je grua, ndoshta pyet veten: «Si mund ta di nëse jam e infektuar me HPV?» Kjo është një pyetje e rëndësishme, pasi, në përgjithësi, sëmundja nuk jep shenja. Kështu pra, si në rastin e Kristinës që u përmend në hyrje të artikullit, është e domosdoshme që të bëni një analizë citologjike të qafës së mitrës. Kjo analizë quhet Pap testi ose testi i Papanikolaut. *
Për të bërë analizën, mjeku specialist përdor një instrument gërryes ose një furçë për të marrë një kampion të vogël qelizash nga qafa e mitrës dhe i çon në laborator. Analiza mund të tregojë nëse ka infeksion, mahisje ose qeliza jonormale. Është raportuar se metoda e Papanikolaut ka zvogëluar numrin e rasteve me kancer në qafën e mitrës dhe numrin e vdekjeve nga ky kancer.
OBSH-ja thotë: «Zbulimi që në fazat e para i dëmtimeve që mund të bëhen kanceroze, nëpërmjet analizës citologjike, ka qenë dhe ka shumë të ngjarë të jetë edhe për mjaft kohë mënyra kryesore për të parandaluar në shkallë botërore këtë sëmundje.» Nëse kjo analizë nuk del mirë, bëhet një kolposkopi, duke përdorur një aparat me lente zmadhuese që vrojton zonën e dëmtuar. Në këtë mënyrë përcaktohet nëse ka ndonjë lyth. Nëse po, bëhet biopsia dhe fillon mjekimi.
Në ditët tona, mund të bëhen analiza laboratorike me metoda edhe më të përparuara. Ato e përcaktojnë akoma më saktë nëse personi është i infektuar.
Kurimi dhe parandalimi
Ka disa mënyra kurimi që luftojnë infeksionin e HPV-së. Specialistët përdorin ilaçe që vendosen direkt në vendin e dëmtuar. Disa shkatërrojnë qelizat që përmbajnë virusin, ndërsa të tjera stimulojnë sistemin imunitar. Teknika të tjera përfshijnë heqjen e pjesës së dëmtuar ose të infektuar me anë të elektrokirurgjisë, kirurgjisë me lazer ose kriokirurgjisë. Por, sa mirë do të ishte që infeksioni të parandalohej në vend se të mjekohej. Si mund të bëhet kjo?
Para nja dy vjetësh, në qytetin e Meksikos u mbajt një simpozium me temë «Kanceri i qafës së mitrës dhe HPV-ja në Mijëvjeçarin e Ri». Dr. V. Sisel Rajti, lektor i ftuar nga Kanadaja dhe specialist për HPV-në, këshilloi: «Mos kini marrëdhënie seksuale derisa të martoheni.» Po kështu, dr. Aleks Ferenci, profesor i patologjisë në Universitetin e MekGillit në Monreal, Kanada, tha: «Për të parandaluar kancerin në qafën e mitrës . . . , duhet të nxitim besnikërinë reciproke [nga të dy partnerët].»
Kështu, njerëzit që jetojnë në harmoni me parimet morale të Biblës, ka më pak të ngjarë që të vuajnë nga forma kanceroze e infeksionit të HPV-së. Kjo pasi Bibla i dënon marrëdhëniet seksuale jashtë martesës, inkurajon besnikërinë mes bashkëshortëve dhe i nxit të krishterët të martohen vetëm me dikë që ndjek të njëjtat parime.—1 Korintasve 7:39; Hebrenjve 13:4.
Gjithsesi, informimi është thelbësor meqë infeksioni i HPV-së zakonisht mund të parandalohet. Për më tepër, edhe kur infeksioni shfaqet dhe ka përparuar, mund të kurohet me shumë sukses. Në fakt, OBSH-ja pranon: «Nëse kanceri në qafën e mitrës kapet që në fazën fillestare, para se të zhvillohen simptomat, pothuajse është gjithnjë i kurueshëm.»
Përveç edukimit moral, është e rëndësishme që gratë të informohen për sëmundjen dhe të kuptojnë rëndësinë që ka bërja e rregullt e analizave të tilla, si Pap testi. * Nëse kapet problemi, gruaja mund të marrë mjekim. Lidhur me qëndrimin e duhur që duhet të kemi ndaj mjekimit, dr. Monserat Floresi, specialiste për kolposkopinë, vëren: «Nëse gruaja e di se deri ku ka përparuar problemi i saj, mund të shmangë dy ekstreme të rrezikshme. E para, që mos ta marrë lehtë-lehtë sëmundjen dhe të mos mjekohet, gjë që çon në kancer. Dhe e dyta, të mos frikësohet kaq shumë nga rreziku i kancerit, saqë të bëjë operacione të panevojshme.»
Shkenca po kërkon gjithnjë metoda më efikase dhe më ekonomike për të zbuluar HPV-në. Përveç kësaj, po prodhohen vaksina si për ta parandaluar infeksionin, ashtu edhe për ta kuruar atë.
Edhe pse rezultatet e analizës së fundit të Kristinës dolën mirë, ajo bën kolposkopinë çdo gjashtë muaj. Pasi mësoi shumë për sëmundjen e saj, ajo përfundon: «Edhe nëse kemi HPV, mund të bëjmë shumë për të qenë të shëndetshëm.»
[Shënimet]
^ par. 2 Emri është ndryshuar.
^ par. 7 Qafa e mitrës është pjesa e poshtme dhe e ngushtë midis vaginës dhe uterusit ose mitrës së gruas.
^ par. 14 Quhet kështu sipas emrit të mjekut grek Xhorxh N. Papanikolau, i cili shpiku metodën e marrjes së një shtrese qelizash që ngjyrosen dhe vrojtohen me mikroskop.
^ par. 23 Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit në Shtetet e Bashkuara, këto analiza duhet të bëhen që nga mosha 18-vjeçare ose kur gruaja fillon jetën seksuale.
[Kutia në faqen 22]
Masa që duhet të marrin me mençuri gratë
Gratë duhet ta bëjnë rregullisht Pap testin, nuk duhet të pinë duhan dhe duhet të hanë ushqime të shëndetshme. Një dietë e tillë duhet të jetë e pasur me perime, fruta e drithëra. Disa studime sugjerojnë se konsumimi i karotinës, vitaminave A, C, E dhe i acidit folik, mund ta zvogëlojë rrezikun e kancerit të qafës së mitrës.
[Kutia dhe figura në faqen 23]
Një virus vdekjeprurës
Virusi i papilomës së njeriut (HPV), sëmundja seksualisht e transmetueshme më e përhapur, është ndër shkaqet kryesore të kancerit të qafës së mitrës te gratë që jetojnë në vendet në zhvillim. Ky është lloji i dytë më i përhapur i kancerit në mitër.
[Burimi]
© Science VU/NCI/Visuals Unlimited
[Figura në faqen 23]
Dr. Xhorxh Papanikolau, që shpiku Pap testin