Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Sikur të jetë projektuar»?

«Sikur të jetë projektuar»?

«Sikur të jetë projektuar»?

A e keni parë ndonjëherë qiellin natën me teleskop? Shumë nga ata që e kanë pasur këtë mundësi, mund t’ju thonë se ende e mbajnë mend kur panë Saturnin për herë të parë. Është një pamje gati befasuese. Në sfondin e zi sterrë e të paanë, plot me yje të panumërt që vezullojnë, dallohet një sferë e shndritshme e rrethuar nga unaza të hijshme dhe të sheshta.

Çfarë janë këto unaza? Në vitin 1610, kur astronomi Galileo pa për herë të parë Saturnin me teleskopin që kishte bërë vetë, pamja ishte kaq e turbullt saqë Saturni dukej si një planet me veshë. Dukej si një sferë që kishte anash dy sfera të tjera më të vogla. Me kalimin e kohës, kur teleskopët u përmirësuan, astronomët i panë më qartë unazat. Megjithatë, përsëri kishte debate për përbërjen e tyre. Shumë këmbëngulnin se unazat ishin disqe të ngurta dhe të forta. Vetëm në vitin 1895 astronomët patën prova bindëse që vërtetonin se unazat përbëheshin nga shumë grimca shkëmbinjsh dhe akulli.

Libri Planetët e Largët (anglisht) vëren: «Unazat e Saturnit, një seri shiritash të përbërë nga pjesëza të panumërta akulli, radhiten mes mrekullive më të mëdha të Sistemit Diellor. Sistemi i unazave shkëlqyese të Saturnit është gjigant. Ai fillon paksa mbi atmosferën e planetit, shtrihet 400.000 kilometra dhe pjesa e jashtme e tij mezi dallohet. Gjithashtu është çuditërisht i hollë, mesatarisht më pak se 30 metra.» Në qershor të vitit 2004, kur anija kozmike Kasini-Hygens mbërriti në Saturn dhe që andej dërgoi informacione e fotografi, shkencëtarët mësuan më shumë për ndërlikimin e këtyre qindra unazave.

Një artikull i botuar kohët e fundit në revistën Smithsonian, pohonte: «Saturni duket sikur të jetë projektuar​—një objekt kaq i përsosur sa vetë matematika.» Edhe ne jemi dakord me fjalët e shkrimtarit, përveçse me fjalën «sikur». Në të vërtetë, ky trup i bukur qiellor është vetëm një nga moritë e trupave qiellorë që përshtaten me përshkrimin e frymëzuar të shkruar mijëra vjet më parë: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.»​—Psalmi 19:1.

[Burimet e figurave në faqen 31]

Sfondi: NASA, ESA dhe E. Karkoschka (Universiteti i Arizonës); fotografitë e vogla: NASA dhe The Hubble Heritage Team (STScl/AURA)