Vjedhja në dyqane—Drithëruese dhe e padëmshme apo krim i rëndë?
Vjedhja në dyqane—Drithëruese dhe e padëmshme apo krim i rëndë?
PËRFYTYRONI këtë skenë. Dera kryesore e supermarketit hapet dhe brenda hyjnë dy adoleshente të veshura sipas modës. Ato futen në një rruginë të supermarketit dhe shkojnë në sektorin e artikujve kozmetikë. Nga pas i ndjek një rojë sigurie, i veshur me uniformë. Ai ndalon nja 10 metra larg vajzave dhe merr një qëndrim autoritar me duart e lidhura prapa. I vëzhgon me kujdes vajzat, teksa ato rrëmojnë midis buzëkuqëve dhe rimelëve.
Ato hedhin një shikim të shpejtë nga roja që nuk ua ndan sytë. Zemra u rreh fort. Njëra nga vajzat shkon te manikyrët dhe merr dy shishe. Rrudh hundët sikur nuk po zgjedh dot nga dy manikyrë me nuanca të ngjashme të së kuqes. Njërën nga shishet e kthen prapë në vend dhe merr një tjetër me nuancë pak më të errët.
Roja i sigurisë ul kokën dhe kthehet në anën tjetër. Tamam në këtë kohë, me të shpejtë vajzat futin vjedhurazi në çantat e dorës ca buzëkuqë dhe shishe manikyri. Nga fytyra duken të qeta, por përbrenda ziejnë. Ato rrinë edhe pak në sektorin e kozmetikës, dhe njëra ia ngul sytë limave të thonjve, kurse tjetra përqendrohet te lapsat e syve.
Shohin nga njëra-tjetra, merren vesh me një ulje koke dhe ecin drejt sheshit në të hyrë të dyqanit. Roja i sigurisë tërhiqet mënjanë dhe ato i buzëqeshin kur i kalojnë afër. Teksa i afrohen sektorit me pajisje për celularët, që ndodhet ballë për ballë me arkëtarin, i hedhin sytë nga artikujt. Pëshpëritin mes tyre ca fjalë për këllëfët prej lëkure. Pastaj ecin drejt daljes.
Bëjnë një hap, ja dhe një tjetër, e zemra u rreh gjithnjë e më fort; frika dhe emocionet drithëruese që u vlojnë përbrenda, sa vijnë e shtohen. Kur kalojnë pragun, vajzave u vjen t’ia japin ulërimës, e megjithatë nuk pipëtijnë. Me të dalë nga dyqani, fytyra u bëhet flakë nga emocionet. Asnjë pudër nuk do t’ua kishte bërë faqet kaq të kuqe. Emocionet që u zienin përbrenda, qetësohen dhe ato psherëtijnë thellë të lehtësuara. Vajzat largohen me shpejtësi, por nuk pushojnë së qeshuri nën zë. Në kokë kanë vetëm një mendim: ‘Ia hodhëm!’
Këto dy vajza janë imagjinare, por mjerisht, skena që përshkruam është shumë e vërtetë. Çdo ditë, vetëm në Shtetet e Bashkuara, nëpër dyqane ndodhin përafërsisht një milion vjedhje. Gjithsesi ky është një problem botëror. Siç do ta shohim, vjedhjet në dyqane sjellin dëme të jashtëzakonshme. Por, shumica e vjedhësve nuk e marrin seriozisht rrënimin që shkaktojnë. Madje edhe shumë nga ata që kanë para të paguajnë, preferojnë të vjedhin. Përse?