Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të keni frikë nga Harmagedoni?

A duhet të keni frikë nga Harmagedoni?

Pikëpamja e Biblës

A duhet të keni frikë nga Harmagedoni?

ÇFARË është «Harmagedoni»? E thënë thjesht, ky term i referohet një gjendjeje ose një situate ku sundimtarët e botës mblidhen kundër Perëndisë dhe Mbretërisë së tij me mbret Jezu Krishtin. Në librin biblik të Zbulesës, apostulli Gjon pa një vizion në të cilin sundimtarët u mblodhën bashkë dhe dolën kundër Perëndisë, në një vend figurativ të quajtur Harmagedon.

Fjala «Harmagedon» del vetëm një herë në Shkrime, por sot përdoret gjerësisht në disa gjuhë si metaforë. Kjo fjalë është përdorur si për katastrofa të mëdha, ashtu edhe për dëme të vogla, duke filluar që nga shfarosja bërthamore e deri te një virus në kompjuter. Disa nga librat më të shitur janë bazuar në të ashtuquajturin fund të botës ose në periudhën pak përpara Harmagedonit. Gjatë dhjetë viteve të kaluara u shitën mbi 60 milionë kopje romanesh që flitnin për këtë temë.

Disa njerëz kanë frikë nga Harmagedoni. Ata mendojnë se terrorizmi, kombet që nxitin luftën ose katastrofat që nuk janë në dorën e njeriut, do të çojnë drejt një kataklizmi global dhe, si pasojë, në tokë nuk do të ketë më jetë. Të tjerë besojnë se në një moment të caktuar, vetë Perëndia do të shkatërrojë me zemërim planetin tonë dhe gjithçka në të. Pa dyshim, të gjitha këto janë perspektiva të frikshme. Por, çfarë është saktësisht ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm’ në Harmagedon?​—Zbulesa 16:14, 16.

A do të shkatërrohet toka?

Në Harmagedon nuk do të shkatërrohen të gjithë njerëzit. Si e dimë këtë? Bibla na siguron se «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me devocion hyjnor, por të ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen». (2 Pjetrit 2:9) Kështu, mund të kemi besim se Perëndia do ta mbajë nën kontroll të përsosur fuqinë e tij të jashtëzakonshme. Vetëm ata që kundërshtojnë sovranitetin e Perëndisë do të përballen me zemërimin e tij në Harmagedon. Nuk do të ketë asnjë vdekje aksidentale.​—Psalmi 2:2, 9; Zanafilla 18:23, 25.

Bibla na thotë se Perëndia ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Pra, është e qartë se Perëndia Jehova nuk ka si qëllim të shkatërrojë planetin tonë. Përkundrazi, ai do të shkatërrojë shoqërinë e ligë njerëzore që kundërshton sundimin e tij. Gjërat do të shkojnë pak a shumë siç ndodhi në kohën e Përmbytjes së ditëve të Noesë.​—Zanafilla 6:11-14; 7:1; Mateu 24:37-39.

Një ‘ditë e frikshme’

Vërtet, disa profeci biblike, të cilat flasin për shkatërrimin që po vjen, janë alarmuese. Për shembull, profeti Joel foli për ‘ditën e madhe dhe të frikshme të Jehovait’. (Joeli 2:31, BR) «Arsenali» i Perëndisë përfshin borën, breshrin, tërmetin, sëmundjet infektive, rrebeshin përmbytës, shiun e zjarrit dhe të squfurit, çoroditjen vdekjeprurëse, vetëtimat dhe një murtajë që konsumon mishin. * (Jobi 38:22, 23; Ezekieli 38:14-23; Habakuku 3:10, 11; Zakaria 14:12, 13) Gjithashtu, Bibla bën një përshkrim të gjallë të kohës kur të vdekurit do të mbulojnë sipërfaqen e tokës. Ata do të lihen të bëhen pleh ose ushqim për zogjtë dhe kafshët e tjera. (Jeremia 25:33, 34; Ezekieli 39:17-20) Gjatë kësaj lufte, tmerri do t’i kaplojë të gjithë armiqtë e Perëndisë.​—Zbulesa 6:16, 17.

A do të thotë kjo se adhuruesit e bindur të Perëndisë së vërtetë duhet të kenë frikë nga ngjarjet e jashtëzakonshme që do të ndodhin në Harmagedon? Aspak, pasi shërbëtorët e Perëndisë këtu në tokë nuk do të marrin pjesë në këtë luftë. Për më tepër, ata do të mbrohen nga Jehovai. Po, adhuruesit e vërtetë do të mahniten kur fuqia e Perëndisë të shpaloset në një mënyrë që të ngjall frikë.​—Psalmi 37:34; Fjalët e urta 3:25, 26.

Megjithatë, vlen për t’u përmendur se apostulli Gjon u frymëzua që të na siguronte: «Lum kushdo që zbaton fjalët e profecisë së kësaj rrotulle», duke përfshirë edhe paralajmërimin për Harmagedonin. (Zbulesa 1:3; 22:7) A mund të jetë i lumtur dikush kur mediton për Harmagedonin? Si ka mundësi?

Perëndia bën thirrje për të vepruar

Kur afrohet një tajfun ose një uragan i fortë, autoritetet vendëse paralajmërojnë banorët që të marrin masa për të mbrojtur jetën. Madje për t’u siguruar që të gjithë ta dëgjojnë alarmin, dërgohen policë, të cilët i lajmërojnë njerëzit me anë të sistemeve të paralajmërimit ose u shkojnë shtëpi më shtëpi. E gjithë kjo s’ka për qëllim t’i tmerrojë njerëzit, por t’i ndihmojë që të veprojnë për të shpëtuar jetën. Individët me gjykim të shëndoshë e pranojnë me kënaqësi paralajmërimin, dhe ata që marrin masa janë të lumtur që veprojnë kështu.

Është njësoj edhe me mesazhin paralajmërues të Perëndisë, që flet për ‘furtunën’ e Harmagedonit që është shumë afër. (Fjalët e urta 10:25) Në Fjalën e tij të shkruar, Jehovai ka dhënë hollësi për luftën që do të bëjë. Ai nuk do që t’i tmerrojë njerëzit, por t’u japë paralajmërimin e duhur dhe t’i nxitë të pendohen e të përpiqen me të gjitha forcat për t’i shërbyer atij. (Zakaria 2:2, 3; 2 Pjetrit 3:9) Ata që veprojnë kështu, do të mbijetojnë. Pra, s’ka pse t’i frikësohemi luftës së Perëndisë që po afrohet. Përkundrazi, mund ta presim të ardhmen të sigurt se «kushdo që do t’i drejtohet emrit të Zotit, do të shpëtojë».​—Joeli 2:32.

[Shënimi]

^ par. 10 Duhet vërejtur se disa pjesë të Biblës u shkruan me një gjuhë simbolike ose ndryshe me «shenja». (Zbulesa 1:1) Prandaj, s’mund të jemi dogmatikë për të përcaktuar se deri në ç’masë do të përdoren me të vërtetë elementët e përmendur në këto profeci.

[Figura në faqen 12]

Kur afrohet një stuhi e fortë, autoritetet vendëse paralajmërojnë, që njerëzit të marrin masa për të mbrojtur jetën

[Figura në faqen 13]

Mesazhi paralajmërues i Perëndisë për Harmagedonin është një thirrje që të veprojmë për të shpëtuar jetën