Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ejani me ne në ishullin Men

Ejani me ne në ishullin Men

Ejani me ne në ishullin Men

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

KU TË shkoni për të parë një lloj të veçantë peshkaqenësh të mëdhenj që notojnë në sipërfaqen e ujërave? Një nga vendet më të përshtatshme është ishulli Men, në Detin e Irlandës. Turistët lundrojnë që nga ishulli Men​—një distancë pothuajse e barabartë nga Anglia, Irlanda, Skocia dhe Uellsi​—për të parë këta peshq që peshojnë pesë tonë, të cilët nuk janë të rrezikshëm dhe ushqehen vetëm me planktone. Natyralisti vendës Bill Deli, thotë se ky ishull është «vendi ideal për ekoturizmin».

Si është ishulli Men? Ai ka një sipërfaqe 570 kilometra katrorë. Në viset e tij me lugina të gjelbra, shkorrete të kafenjta, liqene, lumenj e përrenj, gjire piktoreske, shkrepa dhe një bregdet të thyer shkëmbor, jetojnë 70.000 banorë. Ejani të eksplorojmë së bashku disa nga thesaret e kësaj pjese të Ishujve Britanikë, e cila ka një histori të pasur.

Çfarë i tërheq turistët?

Vizitorët në ishullin historik Men, shpesh mundohen të shohin ndonjë mace Menks. Kjo kafshë e pazakontë e ka kokën si të maces, por këmbët e pasme i ka më të gjata se të përparmet, prandaj kur rri, duket si lepur. Për më tepër, macja Menks nuk ka bisht. Edhe pse origjina e saj është e mjegullt, mendohet se shekuj më parë, marinarët sollën disa kotele nga Azia, ku ka mace pa bisht. Kështu u përhap kjo racë macesh, tipike e këtij ishulli.

Trofeu i Turistëve për garat me motor, që mbahet vit për vit, është një tjetër aspekt që i tërheq vizitorët. Gara është më shumë se 60 kilometra e gjatë dhe zhvillohet nëpër rrugët kryesore. Në garën e parë, që u zhvillua në vitin 1907, mesatarja e shpejtësisë më të lartë ishte nën 65 kilometra në orë. Sot, mesatarja e shpejtësisë për të fituar është mbi 190 kilometra në orë. Patjetër që ky është një sport i rrezikshëm, dhe gjatë viteve disa nga motoçiklistët kanë vdekur. *

Karrocat që tërhiqen nga kuajt përgjatë shëtitores në Daglas, kryeqyteti i ishullit, janë relikte të këndshme të së kaluarës. Një tjetër kujtim është hekurudha e trenave me avull, e gjatë 24 kilometra​—ajo ç’ka ka mbetur nga hekurudha me shina të ngushta që përshkonte në fillim ishullin. Pak më shumë se 100 vjet më parë, u hap Linja e Tramvajit Menks, dhe disa nga vagonët e saj vazhdojnë të ngjiten në një lartësi mbi 600 metra, në majën më të lartë të Ishullit Men, Snefell.

Rrota e madhe Laksi

Plumbi, argjendi dhe zinku luajtën rolin e tyre në zhvillimin e ishullit, sidomos në Minierën e Madhe Laksi. Rrota e madhe Laksi është një monument mbresëlënës që dëshmon për zotësinë e inxhinierëve të periudhës viktoriane, të cilët e përfunduan atë në vitin 1854, dhe të projektuesit të saj Robert Kesmentit, djali i një banori vendës që merrej me punimin e rrotave. Ajo ka një diametër mbi 20 metra dhe vihej në punë nga uji që zbriste falë forcës së rëndesës prej një rezervuari lart në luginë. Ndërsa rrota rrotullohej dy herë e gjysmë brenda një minute, ngrinte 950 litra ujë nga një thellësi prej 360 metrash, duke i mbajtur puset e minierës pa ujë. Manivela e saj, e lidhur me një sistem shtagash gati 180 metra të gjatë, vinte në lëvizje sistemin e pompimit të ujit brenda në minierë. Vetëm boshti i kësaj rrote të madhe peshon dhjetë tonë.

Në anën jugore të ndërtesës ku gjendet rrota, është vënë emblema e Tri Këmbëve të Ishullit Men, që është një derdhje gize, me diametër 2 metra. Cila është origjina dhe domethënia e kësaj embleme, që sot përdoret për të përfaqësuar ishullin Men?

Pas vitit 1246, Tri Këmbët e ishullit Men u shfaqën në vulat e dokumenteve, si simbol zyrtar i ishullit. Ky model është gjetur në një vazo greke të shekullit të gjashtë p.e.s. dhe lidhet me kryqin grek. Në përgjithësi thuhet se emblema paraqit rrezet e diellit dhe lidhet me adhurimin e diellit. Si arriti ajo deri në ishullin Men? Mund të ketë ardhur nga Mesdheu nëpërmjet tregtisë me Sicilinë​—një ishull që përdorte të njëjtin simbol​—ose nga monedhat e normanëve ose të vikingëve. Tri këmbët e veshura me armaturë, siç shihen sot, u adoptuan nga mbretërit që erdhën më pas në ishullin Men.

Një histori me të përpjeta dhe të tatëpjeta

Romakët pushtuan Anglinë në vitin 43 e.s. dhe qëndruan për gati 400 vjet. Por duket se ata nuk i kushtuan shumë rëndësi ishullit Men, të cilin Jul Cezari e quajti Mona. Në shekullin e 9-të atë e pushtuan normanët, dhe qëndruan deri nga mesi i shekullit të 13-të. Ata eksplorues të guximshëm nga Skandinavia e konsideruan ishullin si një bazë të përshtatshme për tregti dhe për të plaçkitur vendet fqinje. Gjatë atyre viteve u formua Tinuoldi, parlamenti i ishullit Men. Mendohet të jetë parlamenti kombëtar më i vjetër në botë, që funksionon edhe sot e kësaj dite. *

Më vonë, ishulli Men, në periudha të ndryshme, kaloi nën sundimin e Skocisë, Uellsit, Irlandës, Anglisë dhe Norvegjisë. Pastaj në vitin 1765, ishullin e bleu parlamenti britanik. Sot guvernatori i tij shërben si përfaqësuesi personal i mbretëreshës së Britanisë. Ishulli vetëqeveriset nën mbikëqyrjen e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkohë, gëzon njëfarë pavarësie, meqë është qendër financiare që ndodhet jashtë vendit. Ishulli ka edhe pullat e tij të postës, monedhën dhe bankënotat e tij, të cilat kanë të njëjtat kurse shkëmbimi me paranë britanike.

Lidhja e gjuhës menks me atë të keltëve

Gjuha e lashtë e ishullit Men është menksi, e cila bën pjesë në grupin kelt të familjes së madhe të gjuhëve indo-evropiane. Gjuha menks vjen nga gjuha gelike e irlandezëve që ka ngjashmëri me geliken e skocezëve. Më shumë se 100 vjet më parë, për gjuhën menks thuhej: «Është një gjuhë e destinuar të zhduket​—një ajsberg që pluskon drejt jugut.» Dhe kështu ndodhi. Banori i fundit që fliste gjuhën menks, vdiq në vitin 1974, në moshën 97-vjeçare. Por, meqë është pjesë e trashëgimisë së ishullit, gjuha menks po mësohet sërish nëpër shkolla.

Ndryshe nga gjuha gelike e irlandezëve ose e skocezëve, gjuha menks mbeti e pashkruar deri nga viti 1610. Në 1707-n, libri Parimet dhe detyrat e krishterimit (anglisht), ishte libri i parë që u botua në gjuhën menks. Shpejt u botuan libra të tjerë në këtë gjuhë.

Aty nga viti 1763, pati kërkesa këmbëngulëse për ta përkthyer Biblën në gjuhën menks, pasi dy të tretat e banorëve të ishullit flitnin vetëm këtë gjuhë. Për shkak të mjeteve të kufizuara dhe studiuesve të paktë që mund të plotësonin këtë nevojë, përkthime të librave të ndryshëm të Biblës kishin dalë me ritme të ngadalta që nga viti 1748. Në vitin 1775 u shtypën dyzet kopje të Biblës së plotë që do të përdoreshin nga kleri, dhe në 1819-n dolën në qarkullim gati 5.000 kopje. Cili ishte reagimi? Një grua, e cila u prek kur i biri i lexoi për herë të parë nga Shkrimet në gjuhën menks, tha: «Paskemi qenë në errësirë deri tani.»

Ishin 25 burra ata që e përkthyen këtë Bibël nga versioni në anglisht King James Version i vitit 1611. Disa prej tyre iu referuan edhe përkthimit greqisht të Shkrimeve Hebraike, Septuagintës. Emri hyjnor është njësoj si në anglisht​—Jehovah. * Vërtet, siç shkroi edhe U. T. Redklifi në vitin 1895, kjo Bibël është «një monument i arsimimit, të cilin asnjë menks i shkolluar nuk do ta përçmojë.»

Krishterimi sot

Respekti për Biblën nuk është venitur mes banorëve të ishullit, dhe Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të njohur në tërë vendin për studimin e Biblës. Salla më e re e Mbretërisë u ndërtua në maj 1999, në një zonë piktoreske rrëzë kodrës Belmant, në Dagllas. Duke raportuar për ndërtimin e saj brenda gjashtë ditëve nga punëtorë vullnetarë, që të gjithë Dëshmitarë të Jehovait, gazeta Isle of Man Examiner thoshte: «Mund ta brohorasim si një mrekulli të vogël.»

Nëse do t’ju jepet mundësia ta vizitoni këtë ishull të këndshëm, jini të sigurt se vendësit gojëmbël do t’jua bëjnë vizitën të paharrueshme dhe të kënaqshme. Por kujdes kur të flitni me një banor të ishullit Men. Për të «kontinenti» është ishulli i Menit; kurse Anglia është «ishulli tjetër».

[Shënimet]

^ par. 7 Për historinë e Fred Stivensit, dikur pjesëmarrës në Trofeun e Turistëve, shih artikullin «Sfida më të mëdha, emocione më të mëdha!» në Zgjohuni! e 22 shtatorit 1988, anglisht.

^ par. 14 Dy parlamentet, Legtingu i ishujve Faroe dhe Althingu islandez u formuan më përpara, por asnjëri nga të dy nuk vazhdoi gjatë.

^ par. 20 Emri hyjnor si në gjuhën gelike irlandeze edhe në atë skoceze është Xhihoba, kurse në gjuhën e Uellsit është Jihova.

[Harta në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

IRLANDË

SKOCI

ANGLI

UELLS

Deti i Irlandës

ISHULLI MEN

[Figura në faqen 15]

Tramvaj i linjës Menks

[Figura në faqen 15]

Rrota e madhe Laksi

[Figura në faqet 14, 15]

Hekurudha me trena me avull

[Figura në faqen 15]

Macja Menks pa bisht

[Figura në faqen 16]

Peshkaqen që noton në sipërfaqe

[Figura në faqen 17]

Limani Pill, me kështjellën Pill në sfond

[Figura në faqen 16]

Pamje e bregdetit nga kodra Pill

[Burimet e figurave në faqen 15]

Të gjitha fotografitë përveç emblemës në qendër: Copyright Bill Dale, IsleOfManPhotos.com

[Burimet e figurave në faqen 16]

Peshkaqeni: The Basking Shark Society; fotografia e vogël djathtas dhe sfondi: Copyright Bill Dale, IsleOfManPhotos.com