Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Në gjuhën tonë nuk ka fjalë të ndyra»

«Në gjuhën tonë nuk ka fjalë të ndyra»

«Në gjuhën tonë nuk ka fjalë të ndyra»

MJERISHT, në shumë vende fjalët e ndyra përdoren nga pjesa më e madhe e njerëzve. Ndërsa në të kaluarën zakonisht ishin burrat që kishin një të folur të tillë, sot gjithnjë e më tepër dëgjojmë edhe gratë që përdorin një fjalor të pistë. Gjithsesi, në disa vende, fjalët e ndyra nuk kanë qenë gjithnjë pjesë e të folurit të përditshëm. Shqyrtoni pak, për shembull, fjalët e indianit të fisit apashi, Xhejms Kiuathës.

Xhejmsi lindi në vitin 1873 në Nju-Meksiko, në Shtetet e Bashkuara. Kur ishte në moshë të thyer, rreth 90 vjeç, pohoi si më poshtë:

«Një mëngjes u zgjova nga zëri i gjyshit. Ishte ulur jashtë nën një strehë të bërë me shkurre, i drejtuar nga lindja e diellit dhe po këndonte Këngën e Mëngjesit. Ky është një himn drejtuar Jushonit . . . me të cilin ne e falënderojmë për dhuratën më të madhe që na ka dhënë​—dashurinë mes një burri dhe një gruaje, që për indianët apashë është gjë e shenjtë. * Apashët nuk bëjnë kurrë shaka të ndyra për seksin, dhe nuk arrijnë ta kuptojnë se si Sytë e Bardhë [njeriu i bardhë] i konsideron ngjizjen dhe lindjen si gjëra me të cilat mund të bësh shaka. Për ne kjo është po aq e rëndë sa edhe përdorimi i kotë i emrit të Perëndisë. Jam shumë krenar që në gjuhën tonë nuk ka fjalë të ndyra. Ne e falënderojmë Krijuesin e Jetës për privilegjin që bashkëpunojmë me të duke sjellë në jetë një krijesë të re.»​—Trashëgimia e vendlindjes (anglisht), botuar nga Arlin Hershfelder.

Afërsisht 2.000 vjet më parë, apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Asnjë thënie e kalbur të mos dalë nga goja juaj, por çdo thënie që është e mirë për të ndërtuar sipas nevojës, që t’u japë atë që është e favorshme atyre që e dëgjojnë». Gjithashtu shkroi: «As sjellja e turpshme, as e folura pa mend, as shaka të ndyra, të cilat nuk kanë hije, por më tepër dhënia e falënderimeve.»​—Efesianëve 4:29; 5:3, 4.

Si mund të çrrënjosen nga zemra, nga mendja dhe nga goja fjalët e ndyra dhe sjellja e turpshme? Këshilla që i dha Pavli filipianëve, mund të na ndihmojë të gjithëve: «Vëllezër, çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që konsiderohet serioze, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që ekziston dhe çdo gjë e denjë për lëvdim që ekziston, këto gjëra vazhdoni të konsideroni.»​—Filipianëve 4:8.

[Shënimi]

^ par. 4 Sipas besimit të indianëve apashë, Jushoni është krijuesi i jetës.

[Burimet e figurave në faqen 31]

Të gjitha fotografitë: Library of Congress, Prints & Photographs Division; simboli i apashëve: Dover Publications, Inc.